MBRONI LIRINË E MEDIAS, TË NDERUAR AMBASADORË!

0
353
Yuri Kim - Ilir Meta

“Liria e shtypit është një prej mbrojtjeve më të mëdha të lirisë dhe nuk mund të kufizohet kurrë veç se nga qeveritë despotike” (Xhorxh Mejson)

Frank ShkreliNga Frank Shkreli

Si një shqiptaro-amerikan dhe besoj se edhe komuniteti shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi, jemi të kënaqur që ambasada e jonë në Tiranë ka tashti një ambasadore fuqi-plote, pas një mungese të gjatë. Sipas një njoftimi në faqen elektronike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ambasadorja e re, Yuri Kim dje në mëngjes paraqiti letrat kredenciale Presidentit Ilir Meta, si Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë. Ambasadorja Kim u shpreh se, “Patëm një bisedë të mirë me Presidentin lidhur me miqësinë e gjatë midis dy vendeve tona dhe ritheksuam përkushtimin që bashkëndajmë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”.

Ambasadores së re i urojmë sukesese dhe këmbë të mbarë në detyrën e re në Atdheun e të parëve tonë. (Më poshtë po sjell fjalimin e parë dhe të plotë të përfaqsueses së re të Shteteve të Bashkuara në Tiranë), por, fillimisht deshta që përveç urimit më të sinqert për sukses, për ambasadoren personalisht, por mbi të gjitha, nepërmjet punës së saj, për të mirën e Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Kombit Shqiptar dhe Kombit Amerikan.

Nuk dëshiroj të jap ndonjë këshill sepse kjo nuk është detyra ime as nuk jam në gjëndje të jap këshilla, por dua që me këtë rast të përcjell një porosi për Ambasadoren e re amerikane, por edhe për përfaqsuesin e Bashkimit Evropian dhe për të gjithë ambasadorët e vendeve demokratike perëndimore në kryeqytetin shqiptar. Jam i sigurt, Zonja Ambasadore se deri tani keni marrë informacione të hollësishme mbi gjëndjen e përgjithëshme në Shqipërinë tonë, me shumë probleme e halle.

Nuk dua të futem në diskutimin e shumë problemeve me të cilat përballet sot Shqipëria, pasi gjatë viteve jamë munduar, në atë mundësinë teme dhe në mënyrën më modeste t’i vejë në dukje telashet e mëdha të shoqërisë shqiptare, të pakën nga një përspektivë e një shqiptaro-amerikani, i cili e do Shqipërinë dhe shqiptarët me gjithë zemër, por që adhuron njëkohësisht edhe vendin ku kemi gjetur strehimin tonë – në ditët tona më të vështira – Shtetet e Bashkuara të Amerikës– dhe ku gëzojmë të gjitha të drejtat bazë të njeriut, pa përjashtim, përfshir lirinë e plotë të fjalës.

E nderuara ambasadorja jonë, unë kam pas fatin që gjatë viteve të kem qenë here pjesëmarrës e herë vërejtës i zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej vitit 1991 e këtej, por edhe më përpara. Kam pasur privilegjin e veçantë të një shqiptaro-amerikani që në vitin 1991 të isha pjesë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri mars/prill të atij viti. Delegacionit, i cili nënë rrethana shumë të vështira të asaj kohe – pas pothuaj 50-vjetësh — hodhi themelet e marrëdhënieve të reja midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan –kur siç u shprehet edhe ju dje në fjalimin e parë në detyrën e re, atëherë kur, “Shkëndija e shpresës ndezi shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991, teksa u çliruat nga vargonjët e komunizmit dhe të diktaturës. Është një moment për të cilin duhet të ndiheni krenarë dhe me të drejtë.”

E vërteta është se shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri, ç’prej diktaturës dhe komunizmit. Pa dashur të flas për sukseset por sidomos për problemet e mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët, dua që të theksoj një subjekt, për të cilin jam munduar shpesh, gjatë viteve, ta sjell në vëmëndjen e atyre që mund të bëjnë diçka për ta përmirësuar, në përputhje me ligjet dhe konventat ndërkombëtare, përfshir Konventën e të drejtave universale të Kombeve të Bashkuara. Kauza ime është liria e shtypit dhe fjala e lirë, në përgjithësi e në Shqpëri dhe në Kosovë, në veçanti.

Shpresoj që të jetë një ndër çështjet më me rëndësi në listën e problemeve me të cilat do merresh në muajt dhe vitet e ardhëshme në punën tuaj fisnike në Shqipëri. Si rrjedhim, uroj që lirinë e medies dhe të fjalës së lirë në Shqipëri, ta merrni si një prej çështjeve më kryesore që do të promovoni në atë vend, jo vetëm prapa dyzerve të mbyllura, por edhe publikisht dhe pa hesitim.

Jam i sigurt se jeni në dijeni se liria e shtypit në Shqipëri nuk ka qenë kurrë në nivelin që do e dëshironim ne shqiptaro-amerikanët dhe Shtetet e Bashkuara, gjatë këtyre 30-viteve post komunizëm. Por viti i kaluar kishte shënuar, veçanërisht, një pikë të zezë për lirinë e medias dhe të shprehurit në Shqipëri. Më 18 Dhjetor, 2019, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë miratoi me 82 vota pro, “paketën antishpifje”, por që do të ishte më korrekt të quhej paketa anti-shprehje, pasi e tillë është. Kjo paketë kundër lirisë së fjalës në Shqipëri, e propozuar nga Kryeministri Rama dhe e miratuar nga shumica e tij socialiste në Kuvend, me të drejtë, është kundërshtuar dhe po kundërshtohet nga një mori organizatash kombëtare dhe ndërkombëtare, si një ligj që nëqoftse vërtetë hyn në fuqi, është në kundërshtim të plotë me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, si dhe në mos përputhje absolute edhe me konventat dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut.

E nderuara Zonja ambasadore. 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, liria e vërtetë e fjalës në Shqipëri është, fatkeqsisht, e mbërthyer në një luftë të ashpër për mbijetesë me disa përfaqsues të kastës së vjetër komuniste, të cilët fatkeqsisht, ende edhe sot 30-vjet gjoja post-komunizëm, ushtrojnë influencë të dukshme në politikën shqiptare dhe në zhvillimin e punëve në Shqipëri, në përgjithësi. Kërcënimet nga kjo klasë politike ndaj lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, gjatë tre dekadave të fundit, kanë hasur kryesisht, në heshtje nga ambasadat e vendeve demokratike dhe nga përfaqsuesit e tyre përendimorë.

Liria e shtypit dhe e fjalës së lirë në Shqipëri — një vend që aktualisht kryeson Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë — ka nevojë për ndihmën tuaj dhe të kolegëve tuaj ambasadorë të Evropës Përëndimore në Tiranë. Në takimet e para në Tiranë, Ambasadorja Yuri Kim është takuar është takuar edhe me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në kryeqytetin shqiptar, Luigi Soreca, i cili i urojë diplomates amerikane mirëseardhjen dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkpunim, “Për të vazhduar partneritetin themelor BE-Sh.B.A në Shqipëri, në veçanti në kontekstin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. 2020 është një vit vendimtar për perspektivën evropiane të Shqipërisë”.

Të gjithë e dimë se përspektiva e Shqipërisë për integrimet evropiane është një mundësi shumë e zbehtë, me ligje si ai “anti-shpifje” kundër lirisë së vërtetë të medies, ligj ky i propozuar nga qeveria e Kryeminsitrit Rama dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Të na kishte thënë dikush në mars/prill të vitit 1991 – 30-vjetë pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore — se në vitin 2020 Shqipëria do i shpallte luftë, me ligj, lirisë së medias dhe se do të detyroheshim të mbronim lirinë e fjalës në atë vend, nuk do e kishim besuar kurrë, kur merr parasysh të kaluarën e egër komuniste në Shqipëri.

Liria e fjalës, të nderuar ambasadorë, nuk është një çështje që duhet të bisedohet vetëm prapa skenave me pushtetarët shqiptarë, por u duhet thënë troç dhe pa dorëza, se “paketa anti-shpifje” e qeverisë shqiptare është në kundërshtim të plot me të gjitha konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut. Si e tillë ajo është e papranueshme për një vend demokratik dhe duhet të anullohet menjëherë!

Të nderuar ambasadorë, duhet të bindni Kryeministrin Rama të tërheq “paketën anti-shpifje”, nëqoftse dëshironi të bindni shqiptarët – të cilët të zhgënjyer me këtë klasë politike po largohen masivisht nga vendi — se ju me të vërtetë qëndroni me ta, “Jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë por edhe në mbështetje të së ardhmes të Shqipërisë”, siç u shpreh ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim. Kjo është thirrja dhe porosia e këtij shqiptaro-amerikani, duke i uruar asaj punë të mbarë dhe gjithë të mirat në detyrën e saj të re në Tiranë.


Ne jemi ende me ju, krah për krah

(Lexoni më poshtë fjalimin e plotë të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim).

Mirëdita!

Sot në mëngjes i paraqita letrat kredenciale Presidentit Meta si Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë. Patëm një bisedë të mirë me Presidentin lidhur me miqësinë e gjatë midis dy vendeve tona dhe ritheksuam përkushtimin që bashkëndajmë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Jam e nderuar që Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Pompeo më kanë besuar që të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara në vendin tuaj të shkëlqyer. Si Ambasadorja e SHBA, pres me kënaqësi t’ju njoh juve, historinë tuaj dhe kulturën tuaj. Jemi miq, aleatë dhe partnerë. Sikurse e thashë gjatë seancës time dëgjimore në Senat, pak miq e kanë përqafuar Amerikën më me ngrohtësi, pak aleatë kanë qenë më besnikë dhe pak partnerë kanë gatishmërinë dhe vullnetin për të bërë më shumë me Shtetet e Bashkuara sesa Shqipëria.

Jam gjithashtu e nderuar që ndodhem sot para ndërtesës së Ambasadës së SHBA. Themelet e saj u vendosën në vitin 1929 dhe ajo vazhdon të qëndrojë krenare në zemër të Tiranës si një testament për forcën e qëndrueshme të marrëdhënieve amerikano-shqiptare.

Miqësia dhe angazhimi ynë i ndërsjellë janë të rrënjosura thellë.
Njëqind vjet më parë, Presidenti Woodrow Wilson ngriti zërin për Shqipërinë, kur nuk lejoi Fuqitë e Mëdha të ndanin Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris. Presidenti Amerikan e përdori fuqinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur një Shqipëri të pavarur, për të pritur një përfaqësues shqiptar në Uashington dhe për të hapur rrugën që Shqipëria të anëtarësohej në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920.

Pas Luftës së Dytë Botërore, të dy qeveritë tona morën rrugë të ndryshme. Por, edhe kur qeveritë nuk e njihnin njëra-tjetrën, lidhjet mes popujve tanë mbetën. Ne flisnin me njëri-tjetrin përmes Zërit të Amerikës, i cili jo vetëm transmetonte lajme, por edhe shkëndija shprese.

Shkëndija e shpresës ndezi shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991, teksa u çliruat nga vargonjë e komunizmit dhe të diktaturës. Është një moment për të cilin duhet të ndiheni krenarë dhe me të drejtë.

Kemi qëndruar krah jush që atëherë, duke mbështetur hyrjen tuaj të suksesshme në NATO në vitin 2009 dhe, tani, përpjekjet tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne qëndrojmë me ju jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë, por edhe në mbështetje të së ardhmes të Shqipërisë.

E dimë se ka punë shumë të vështira përpara, por dimë edhe që puna e vështirë është më e lehtë me miq dhe aleatë.

Ne jemi të përkushtuar ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet një aleate edhe më e fortë dhe më e aftë dhe jemi të përkushtuar ta ndihmojmë Shqipërinë të forcojë kandidaturën e saj për në BE.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim aspiratën e palëkundur të popullit shqiptar për liri, drejtësi dhe një sistem ku secili duhet të respektojë të njëjtat rregulla.

Pres me kënaqësi të mbështes udhëheqësit e Shqipërisë ndërsa ata ndërmarrin hapa të vështirë – por absolutisht të nevojshëm – për të zbatuar reformën në drejtësi, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të larguar korrupsionin nga sistemi shqiptar.

Jam besimplotë që teksa drejtësia dhe integriteti hedhin rrënjë, më shumë investitorë do të tërhiqen drejt Shqipërisë, në mënyrë që të mund të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi, si për amerikanët, edhe për shqiptarët.

Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë Shqipërinë si një Aleate, partnere dhe mike të vërtetë.

Dhe ashtu siç qëndruam me ju në vitet 1920, 1991, 1999 dhe 2009, ne qëndrojmë përsëri me ju për të mbështetur të ardhmen tuaj si një vend demokratik i begatë brenda familjes evropiane.

Ne jemi ende me ju, krah për krah.

Faleminderit!