NËNËS SIME
Kur të gjithë ikën, te ky varr
Kish mbetur jeta jote e gjithë,
E heshtur, e mençur si altar,
Qiell i hapur, po durim që klith.
Vdekjen tënde kurrë s’e mendova.
Erdhi transparente, e thjeshtë,
Duke folur me fëmijët që të rrethonin,
Vare kryet në gjoksin e mbesës, Marianës.
E rrite, e doje, frymën e fundit i besove
Dhe trupin i dhe vdekjes së shkretë,
Trupin që kish dhënë nëntë jetë…
Të nënta i pe, i ndjeve, pastaj u nise, shkove.
Kur të gjithë ikën, ti mbete nën dhe,
E urtë, e mençur, e papërtuar.
Si ditë maji me dritë e diell,
O ëngjëll në rrugë të përpjetë, të munduar.
Sa do të doja të të kisha tani,
Falje të kërkoja për sa kam gabuar,
Se,pa më thoni, a ka në botë fëmi,
Që nënën e tij nuk e ka munduar?
Pa mbeta vetëm kur qenë larguar,
Vetëm, në dhomën ku rrije ti
Dhe një çast hipokrit, ditëharruar,
Të fola me zë,
Mu duke aty.
Pa mbetur ashtu, në vetminë tinëzare
Kujtova dertet, miqësitë, ndarjet,
Veç lotët nuk i pash n’ata sy.
Dyshoj, grua tjetër si ti do të ketë,
Të paankuar, të palodhur, bujare,
Pa çthem unë nënat të gjitha jannë vetë
Dhëmbja në heshtje, heshtja në halle.
Kur të lamë atje, nuk ndodhi asgjë,
Kur të tjerët u larguan, ndjeva ikjen tënde,
Si një braktisje e ftohtë, pa kthim.
Pajtim Xhelo, dhjetor 1996
U NDËRRUAN VITET
Si gjethe ulliri u ndërruan vitet,
Dhimbjen e shtrydha dhe lëngun e saj.
Lumë që kish dalë shtratit të durimit,
Viteve të vjetër vendosa ta shpërndaj.
Vitet u ndërruam, po pse trishtohemi,
Do të vinë edhe vite të tjerë,
Si gjethe ulliri edhe ne ndërrohemi,
Bota s’metet lakuriq asnjëherë.
Shpirtit, gjaku zhurmon si suferina,
Inatin vrastar aty brenda e tret,
Në mendim përplaset dallga, vetëtima,
Dhe gazine trishtuar e ndërpret.
Vitet u ndërruan si të ullirit fletët,
I hutuar po pres jetën e re,
Pa ashtu, pa u ndier, si ditët, netët.
Një ditë do ndërrohemi dhe ne.
Pas do mbeten të tjerë njerëz, dhimbje,
Të tjera këngë, dashuri dhe lotë,
Po ndërrohen vitet si gjethet e ullinjve,
Lakuriq s’do jetë kurrë kjo botë!
Pajtim Xhelo,
Janar 1991
TI MOS MË LERË
Ti mos më lerë të pres te rrugic’ e vjetër,
Hapur lere lesën e rënduar,
Se në mugëtirë s’të vjen askush tjetër,
Veç djalit të ndezur, të trazuar.
Lere hapur lesën e rënduar,
Se në mugëtirë qentë zgjojnë fshatin.
I bardhë, yll’ i dritës është afruar,
Për magjistarët që shikojnë fatin.
Tek ai yll është fati yt dhe imi,
Shkrirë në një brengë të gjatë,
Buzët tona gjak le të pikojnë,
Se dashurinë na e kanë inat.
Unë jam i huaj, djalë qyteti,
Shtrembër më sheh në rrugë yt atë,
Njëgoxha dhëndër në Sinanaj gjeti,
Mjaft tek unë mos të të japë.
Pra mos më ler të pres në mugëtirë,,
Te rrugic’ e vjetër, sa nis monopati,
Lesën e rënduar lere shtrirë,
Se kur hapet e ndien gjithë fshati.
Poshtë monopatit, te ajo lëndinë,
U puthëm mbrëmjen e kaluar,
Ves’ e mugëtirës erë trëndelinë,
Apo ishte mjalt’ i buzëve të tua?
Pajtim Xhelo, Sevaster, 1974
SI MJEGULL
Më kish hedhur Afërdita dremitjen,
A në gjumë isha? Nuk e di.
Te pragu i derës, ku mbrëmë lash dhimbjen,
Ere, e bukur, seç mu bëre ti…
Ngadalë, buzëëqeshur, ece drejt meje,
Një gaz i përmbajtur ndriçonte në sy,
Një pendë të kuqe në sup ma hodhe
Dhe më fole ashtu siç dije veç ti:
– Të thanë se unë jam e shqetësuar,
Të thanë se brenga po më bren?
Shtëpia jote nuk është e harruar.
Hapi sytë, dikushz po troket!
Hapa sytë, drejtuar nga pragu
Dhe u ngrita të të puthja me mall.
Asgjë, në dhomën tjetër tingëlloi telefoni
Nxitova i tronditur, kush ishte vallë?
Një zë i butë nga ana tjetër foli:
– Ej, dajë, mirmëngjes!
Ime motër, Ëngjëllushja, jet’ e vjetër më uroi:
– U bëfsh si rrap njëqindvjeç!
Pa nuk e prisja të trokiste jet’ e vjetër,
Gjaku i saj është dhe gjaku im,
Nëna jonë e mirë, që nga bota tjetër,
Endet mjegull e shqetësuar, papushim.
Motra ime, gjaku im i vjetër,
Më thuaj, këtë çast ishte dhe aty?
Të kujtoi për mua, patjetër,
Mos po ndjeja trishtim në vetmi?
Në mugëtirë, unë dremisja, ti flije,
Nëna erdhi si mjegull te të dy,
Te pragu i derës ku harruam dhimbjen,
Lulet e shpresës i la ajo aty!
Pajtim Xhelo, 20 nëntor 1999
Krishti dhe Muhameti
Pak ditë kishte Pashka që kishte kaluar,
Pas tij Barjamin po e prisnim të vi,
Lart, në Llogora, erdhën për t’u takuar,
Muhameti dhe Krishti, Zot, sa çudi!
Jezusi nga Kaonia e krishterë,
Muhameti nga amantët myslymanë,
Dikur në një fe, si dhe popujt e tjerë,,
Tej muzgjeve të lashtësisë, paganë.
Tha Krishti: “bijt’ e Evës dhe të Adamit,
Mëngjeset i zgjojnë nën të njëjtin diell,
Ne i mbrojmë nga djalli, ju prej shejtanit,
Im at për të dy zbriti ëngjëjt në qiell.
E quajmë ne Eva, për ju Hava,
Adam ne e quajmë, për ju Adem,
Një popull është, të njëjtën gjuhë ka,
Zot i thua ti dhe unë Zot i them.
Ca venë në kisha e ca në xhamia,
Ca bëjnë kryqin, përulen ca të tjerë,
“Ati ynë” thonë nga anët e mia,
Andej nga erdhe ti “Allahu Ekber”
Pa Zoti është një, andej dhe këndej,
Përse i ndërtuam kisha e xhamia?
Kur lart të shkoj tim ati do t’i rrëfej,
Këto mashtrime, këto padrejtësira.”
Si komandant na gjëmoi Muhameti:
“Mos je xheloz? Un’ erdha kur s’ishe ti,
Nëse kishat ishin, ç’faj kam un’ i shkreti?
Amantëve s’u thash të bëjnë xhami.
Pash të krishterët, kishin nisur të grinden,
Për emra, për shenjtorë e ku ta di,
Krijova tjetër fe, që ata të binden,
E të harrojnë të vjetrat hasmëri.
Kur ika unë, Evropa e krishterë,
Pat mllef për vendin ku lindëm un’ e ti,
Ata që mbetën pas meje dhe të tjerë,
Për inat të tyre ndërtuan xhami.
As Mekën, as Stambollin, as Vtikanin,
As prift e hoxhë s’i sollëm ne të dy,
Medet, bashkë me djallin dhe me shejtanin,
Erdhën në një ditë dhe mbetën aty.
Sa për fenë tjetër që unë krijova,
Ishin të pafe, ashtu si i le ti,
Këtë që sheh këtu e parashikova,
Dy fe qenkan shumë, po njëqind parti???
Ra dakord dhe Krishti: “Le të jenë dy fe,
Si Amerika që ka veç dy parti,
Në paqe të jetojnë mbi këtë dhe,
Pa prift e hoxhë, pa kishë e xhami.
U përshëndetën dhe sërish u larguan,
Duke ndryshuar rrugëtimin tani,
Zotit të vetëm të dy kur e takuan,
I kërkuan për tokën një Rend të Ri.
Pajtim Xhelo, 24 janar 2020
SHPIRT CIGAN
Të parën këngë zemre Zoti shpejt ma mori,
Provova pastaj stuhi deti të tërbuar,
Që pabesinë jashtë jetës sime e nxori,
Pa mbeti shpirti im cigan i pagjykuar.
Dhe nisi ai të trokiste portë më portë,
Mos zemrën vagabonde e ngecte diku,
Gjeti dashuri si hije, pa jetë, të ftohtë,
Si shtegëtar pa dhe mjaltë atykëtu.
Me harriminilaç bëra lak për mallin,
Po shpirtcigani s’mund të rrinte pa liri,
U grind me veten, u përlesh me djallin,
I rrëmbeu atij të tjera dashuri.
Kur vetes i mbusha mendjen që harrova,
Lash shtegëtimet, u ula në një prag,
Si mëkatar u binda heshtur që gabova…
Ëndër kish mbetur cigani në një ag.
Veç shpirti i gjykuar prapë mbeti cigan,
Dashuronte ëndrën, mbetur n’atë ag,
Edhe kur e fyen, e lënduan, e vran’,
Shtegtoi dhe më braktisi n’atë prag!
Pajtim Xhelo, dhjetor 2000, Vlorë
NJË DITËLINDJE
Fryn e bie jashtë,
Fundvjeshta çjerr dimrin e këlthet,
Gjumin ma largoi kjo natë,
Që më çoi në moshën pesëdhjetë.
Ti nuk je më, e di fare mirë,
Po këto çaste këtu po të ndjej,
Flaka e qiririt fërgëllon e dridhet,
Në dhomë shpirtin tënd ka sjellë.
Ti ke merak, mos, kushedi, unë
I braktisur, kësisoj, përfundoj si im atë?
Ke të drejtë, jam si ai, i papunë
Dhe moshën e tij kam unë këtë natë.
Pa dhe djali është aq sa isha unë,
Atë ditë që vrau veten im atë.
I harruar, dhe pse fëmijë kish shumë,
Veç nuk e deshi jeta e gjatë.
E shtrenjta ime, ty s’të la dyshimi,
Mos nga kjo botë unë ikja i ri!
Kuptove që tët bir e kish mbytur trishtimi
Dhe erdhe të mëbësh shoqëri.
Të ndjeva ty dhe pse dera s’trokiti…
Nuk bën më ftohtë, më shumë qiriri ndrit.
Përmallimi vrasës u largua, zbriti,
U ndez zjarr në vatër, jashtë u bë ditë.
Nënëza ime, mos ki ti merak,
Ikjen nuk e kam fort dëshirë,
Unë jam pak rebel, pak fluturak,
Po në shpirt kam dashuri dhe mëshirë.
Erdhe të më zgjosh nënëza ime,
Që të shkoj në punë, si atëherë…
I papunë isha unë, ti s’e dije
Dhe më gjete zgjuar këtë herë.
Eh,më njeh,se më bëre vet shpirtrazuar
Dhe sa herë ndien tek unë stuhinë,
Vrapon mbi merakun shaluar,
Të më sjellësh në agim qetësinë.
Pajtim Xhelo, 20 nëntor 1950, Vlorë
NESËR
A do të ketë ” nesër ” për shqiptarët?
Kjo klasë politike po i rrokullis në humnerë.
Nesër…
Ta mendojmë,pale ta themi,
Frika na merr.
Çdo të jetë nesër,
E hënë,e shtunë…e diel?
Tmerr,o tmerr,
Asgjë s’do të jetë,
Asnjëherë!
Nesër nuk ka patur, nuk ka
Dhe nuk do të ketë.
Politika shqiptare fjalën nesër
Nga fjalori ka vendosur ta heqë.
Është fjalë e bukur, autoktone, ilire,
Po qenka bërësakrilegj.
Po si do bëjmë pa fjalën nesër?
Kur të lini takim thoni:
– Ditën tjetër, në mëngjes.
Po mësuesit?
” Ditën që vjen”
E vet politikanët?
” Me të vjelat, në vjeshtë”…
E fjala “nesër” ka historinë e një populli,
Të gjithë.
Të zestë shqiptarët, në vend të “nesër”
Do të thonë : Politikë!
PAJTIM XHELO, VLORË, QERSHOR 1997