Zymer Mehani
Revista shqiptare ALBANIA SHQIPËRI NATYRALE1 e editorit Rudi Berisha është me profil të qartë kulturoro-letrar në frymë atdhetare dhe mendojmë se botimi i saj është punë sa kulturore, po aq edhe atdhetare, edhe pse e stërmundimshme, ngase është e pamundshme të mbajturit gjallë i saj nga shitja, kur dihet se fatkeqësisht, pa marrë parasysh cilësinë, te ne mungon kultura e të blerit të revistave e të librave, jo pse s’kemi të holla, por pse nuk duam, prandaj editorët e revistave, po ashtu edhe i ALBANIA SHQIPËRI NATYRALE për t’i mbajtur gjallë revistat e tyre, detyrohen dhe janë të shtrënguar të trokasin në dyert, zakonisht të shurdhëta, të sponsorëve të ndryshëm.
Është konstatim për keqardhje se edhe në Shqipëri, sikurse edhe në Kosovë mungon një politikë prej qeverive tona për të marrë në mbrojtje revistat si organe kulturoro-letrare, prandaj nga një mospërkrahje e këtillë prej institucioneve tona, është vështirë, ndoshta edhe e pamundshme, ekzistenca pa mbështetje financiare prej institucioneve dhe vazhdimi i botimit të tyre (edhe i ALBANIA SHQIPËRI NATYRALE).
Revista ALBANIA SHQIPËRI NATYRALE pretendon që në faqet e saj lexuesit të gjejnë studime të shkurtëra, ese, intervista, poezi, tregime, muzikologji, filozofi, kritikë letrare, recensione, materiale të përzgjedhura teorike mbi artet vizuale-pikturë, arkitekturë, kinema si dhe foto e ilustrime të ndryshme.
Për momentin revista ALBANIA SHQIPËRI NATYRALE nuk ka mundësi për të zbatuar një sistem honorari për bashkëpunëtorët, prandaj edhe krijimet e botuara nuk shpërblehen, krejt kjo na imponohet në mungesë të sponsorëve.
Mendojmë që në numrat në vazhdim në këtë revistë të gjejnë vend shkrime të ndryshme për kulturën dhe letërsinë, intervista shkrimtarësh, biografi dhe krijime autorësh të panjohur, të traditës, e sidomos profile krijuesish të rinj. Në faqet e ALBANIA SHQIPËRI NATYRALE pra do të përurohen emra të rinj nëpërmjet poezive, eseve e tregimeve të tyre.
Edhe revista ALBANIA SHQIPËRI NATYRALE do të pasqyrojë një dinamikë letrare, tre apo katërmujore, duke përcjellë trendet kulturore në hapësirën tonë gjithëkombëtare, ngase në faqet e saj penat krijuese do të realizojnë njohjen me lexuesit dhe do të hapin horizonte dhe shtigje të reja në artet letrare.
Sipas tericienëve letrarë, për historinë e letërsisë revistat letrare janë forma katalogu kronologjik letrar, ku fiksohen rrjedhat artistike, pretendimet e autorëve, sidomos të atyre që janë ende me vepra të hapura dhe në proces krijimi. Kësisoj edhe revista ALBANIA SHQIPËRI NATYRALE do të tregojë dinamikën në letërsi duke pretenduar të përfaqësojë vështrimin e përgjithshëm të një letërsie.
Kjo revistë është pasuri për kulturën tonë kombëtare, e cila do të ketë jetëgjatësi dhe do t’i mbijetojë tregut vetëm nëse do të ketë një ndihmë nga institucionet shtetërore apo filantropët e kulturës. Sot është vetëvrasje letrare, thotë një studiues i shquar, të mendosh të botosh një revistë letrare, ngase ato nuk janë dhe nuk mund të jenë mall tregu, por janë pjesë e ushqimit letrar të shkrimtarëve, përkthyesve, kritikëve, studentëve, botuesve, atyre që u pëlqen piktura dhe muzika klasike apo Jazz-i etj.
Kësofare revista është një shkollë për poetët dhe shkrimtarët e rinj.
Referencë:
1. Sipas FGJSSH: Revistë I f.sh. – Botim periodik, që përmban artikuj, studime dhe shkrime të tjera për një fushë të caktuar ose me karakter të përgjithshëm; e përkohshme. Revistë mujore (e përmuajshme, e përjavshme, e përdyjavshme). Revistë letrare (shkencore, kulturore, politiko-shoqërore, satirike). Revistë e ilustruar. Redaksia e revistës.