75-VJETORI I ÇLIRIMIT TË KAMPIT NAZIST TË PËRQENDRIMIT DHE TË SHFAROSJES — AUSCHWITZ

0
363
Jeruzalem - 75 vjetori i çlirimit të Auschwitz

Frank ShkreliNga Frank Shkreli

Të ënjtën me 23 Janar, 2020, mbi 40 udhëheqës botërorë udhëtuan për në Izrael, për të përkujtuar 75-vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit nazist në Auschwitz. Njoftohet se me rastin e këtij përvjetori, dje u mbajtë një ceremoni në Jeruzalem ku morën pjesë një numër udhëheqësish botërorë, ndërsa të hënën që vjen, më 27 Nëntor, ceremonia e rastit do të zhvillohet në kampin Auschwitz që gjëndet në pjesën jugore të Polonisë, sipas një noftimi për media nga Memoriali dhe Muzeu kushtuar kampit Auschwitz, . Në ceremeoninë e Jeruzalemit, Shqipëria u përfaqësua nga Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta ndërsa nuk vura re ndonjë përfaqsues nga Republika e Kosovës. Ndërkaq, sipas një liste të njoftuar dje nga Memoriali dhe Muzeu Auschwitz, në ceremoninë që do të mbahet të hënën me 27 Janar, në Kampin Auschwitz, në Poloninë e jugut, Shqipëria — ndryshe nga shumica e vendeve pjesëmarrëse të përfaqësuara atje, kryesisht, me presidentë dhe kryeministra – Tirana zyrtare do të përfaqësohet nga ambasadorja Shpresa Kureta, ndërsa Kosova nuk është fare në listën e fundit të portalit të Muzeut dhe Memorialit, si një ndër vendet pjesëmarrëse.

Është vështirë të jesh diku tjetër në këtë ditë, është shprehur drejtori i Muzeut. “Ky përvjetor, kjo kujtesë, ky simbol i çlirimit të kampit Auschwitz, na kujton një prej themeleve më kryesore të jetës së pas luftës në Evropë dhe në botë. Kjo është arsyeja se pse nuk më habit fakti se aq shumë udhëheqës botërorë e kuptojnë fare mirë se është tepër e vështirë të jesh diku tjetër, në këtë ditë të shënuar. Është e qartë se në këtë 75-vjetor, të gjithë ne duam të jemi së bashku me ata që mbijetuan kampin Auschwitz”, u shpreh Piotr M.A. Cywinski, Drejtori i Muzeut dhe i Memorialit Auschwitz. Ai shtoi se të mbijetuarit e atij kampi do të jenë njerëzit më të rëndësishëm në ceremonitë e përkujtimit të 75-vjetorin e çlirimit të kampit Auschwitz. Presim, shtoi ai që, me 27 Janar, 2020, gjithsejt të vinë në këtë ceremoni — nga të gjitha anët e botës– rreth 200-të mbijetuar të këtij kampi”.

Siç dihet, kampi Auschwitz është çliruar nga forcat sovjetike më 27 Janar, 1945. Ky kamp, që njihet gjithashtu me emrin Auschwitz-Birkenau, është hapur në vitin 1940 dhe njihet si kampi më i madh dhe më famëkeq nazist i përqëndrimit dhe i kampeve të vdekjes. Lartë nga një million veta gjetën vdekjen në atë kamp dhe me çlirimin e kampit, forcat aleate gjetën aty mijëra të burgosur të vuajtur dhe të uritur si dhe grumbuj kufomash.

Historia shënon se Bashkimi Sovjetik komunist kishte nënshkruar traktatin e mosagresionit me Gjermaninë naziste, pak para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, i njohur si Pakti Molotov-Ribbentrop, sipas të cilit të dy këto fuqi të mëdha të kohës, kishin renë dakort të ndanin midis tyre ose më mirë të themi të copëtonin Poloninë dhe Evropën Lindore, përfshir tre shtetet baltike, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Zhvillimet e mëvonshme i takojnë historisë. Por viti 2020 shënon gjithashtu edhe dy përvjetorë të tjerë që kanë lidhje me 75-vjetorin e çlirimit të kampit Auschwitz: 20-vjetori i Deklaratës së Stockholmit dhe 15-vjetori i miratimit të 27 Janarit si Dita Ndërkombëtare për Kujtimin e Hollokaustit, miratuar nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara – të dy këto janë të lidhura, simbolikisht, me 27 Janarin, Ditën e Çlirimit të kampit të përqëndrimit, Auschwitz.

Organizatorët e përkujtimit të 75-vjetorit të çlirimit të Kampit Auschwitz thekësojnë, njëkohësisht, edhe rëndësinë e miratimit të Deklaratës së Stokholmit 20-vjetë më parë, neni i parë i të cilës deklaron se “Hollokausti (Shoah) ka sfiduar thellësisht themelet e qytetërimit botëror”, e që si i tillë duhet “të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë”, gjithnjë sipas Deklaratës së Stokholmit. “Ndërkohë që njerëzimi vuan përgjithnjë nga gjenocidi, spastrimet etnike, racizmi, anti-semitizmi dhe ksenofobia, komuniteti ndërkombëtar ndanë përgjgjeësinë solemne për të luftuar këto të këqia. Së bashku duhet të mbrojmë të vërtetën e hidhur të Hollokaustit ndaj atyre që e mohojnë atë. Detyrohemi që të forcojmë angazhimin moral të popujve tanë si dhe zotimet politike të qeverive tona, ashtu që të sigurojmë që brezat e ardhëshëm të mund të kuptojnë arsyet e Hollokaustit dhe të reflektojnë për pasojat e tij”, thuhet në nenin 4 të Deklaratës së Stokholmit.

Deklarata e Stokholmit është një angazhim i marrur nga të gjitha vendet anëtare që kanë nënshkruar këtë deklaratë, e cila vazhdon të jetë baza e angazhimit të këtyre vendeve nënshkruese ndaj parimeve të përbashkëta. Deklarata e Stokholmit ishte përfundim i një Forumi Ndërkombëtar që zhvilloi punimet nga 27-29 Janar, 2000, e në të cilin morën pjesë përfaqsues të 46 qeverive, duke përfshirë 23 kryetar shtetesh ose kryeminitsra dhe 14 zëvendës kryeministra ose ministra. Vizioni i tyre, i shprehur në Deklaratën e Stokholmit ka vazhduar i pa ndryshuar gjatë viteve, duke demonstruar, në këtë mënyrë, vlerat e qendrueshme universale që përmban ajo, thuhet në portalin e Aleancës Ndërkombëtare për Kujtimin e Hollokaustit.

Është interesant fakti se Shqipëria nuk është nënshkruese e kësaj deklarate, por është në listën e vendeve me status “observer”, sipas portalit në fjalë, ndërsa Kosova nuk është fare në listë. Ndërkohë që neni 10 i kësaj deklarate theksonte se “Është me vend që konferenca e parë ndërkombëtare me rëndësi e këtij milleniumi të deklarojë angazhimin e saj për të mbjellur farën për një të ardhme më të mirë, megjith tokën e keqe të një të kaluare të hidhët. Ne jemi vetë vetdijshëm për vuajtjet e viktimave dhe frymëzohemi prej tyre dhe prej luftës së tyre për liri. Angazhimi ynë duhet të jetë që të kujtojmë viktimat që humbën jetën, të respektojmë ata që mbijetuan dhe të cilët janë gjithnjë me ne dhe që, njëkohsisht, të ritheksojmë aspiratat e përbashkëta të njerëzimit për mirëkuptim të ndërsjelltë dhe për drejtësi”, angazhim ky për të cilin ka nevojë shumë edhe bota shqiptare, në këtë ditë të 75-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të përqëndrimit, në Auschwitz.

Në ceremoninë që u mbajt dje në Jeruzalem në kujtim të 75-vjetorit të çlirimit të kampit famëkeq nazist, ishte i pranishëm edhe Zëvëndës Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Z. Mike Pence i cili, ndërsa kujtojë viktimat e kampit, ai njëkohësisht kujtojë edhe të gjitha forcat aleate, duke përfshir edhe më shumë se dy milionë ushtarë amerikanë, të cilët tha ai, ndër tjera, “kishin lënë vatrat e shtëpitë e tyre, ndërkohë që pësuan humbje të mëdha, të vdekur e të plagosur, për të çliruar një kontinent nga tirania. Në fjalën e tij me këtë rast, ai citohet të ketë përmendur dhe kujtuar gjithashtu edhe të gjithë, “Ata heronjë jo hebrejë, të cilët kanë shpëtuar jetë të panumërta, ata të cilët Izraeli i cilëson si të drejtët, në radhët e kombeve”. Sipas gazetës the Washington Post që citon nga fjalimi i zëvëndës Presidentit amerikan, Z. Pence tha dje në Jeruzalem duke iu referuar atyre që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, se, “Në një epokë indiference, ata vepruan! …Në një periudhë frike, ata treguan kurajo. Dhe is rrjedhim, kujtimi dhe shembulli i tyre duhej të rindezi rishtas flakën në zemërat tona, për të vepruar edhe sot ashtu siç vepruan ata në atë kohë.”, për të mbrojtur të pambrojurit!

Javën që kaloi, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel vizitoi kampin Auschwitz. Ajo u shpreh se nuk ishte e lehtë për të fliste në atë vend. “Është shumë vështirë për mua. Më vjen shumë turp për krimet barbare të kryera nga gjermanët, krime që tejkalojnë të gjithë kufijtë e imagjinatës. Në të vërtetë, njeriu duhet të heshti këtu, si rrjedhim i krimeve ndaj burrave, grave e fëmijve. Cilat fjalë do të mund të shprehnin vuajtjet, torturat dhe vrasjet. Mirëpo, në këtë moment, as heshtja nuk është përgjigja e vetme. Ky vend na detyron të ruajmë kujtesën”, ka thënë Angela Merkel, gjatë vizitës në kampin Auschwitz së bashku me Krymeinistrin e Polonisë, Z. Mateusz Morawiecki.