Botohet libri me 32 biseda me Anton Nikë Berishën të bëra në vitet 1981 – 2019
– Shënim hyrës –
Labinot Berisha
Në këtë vëllim kam përfshirë 32 biseda me Anton Nikë Berishën të bëra nga autorë të ndryshmen në periudhën kohore 1981 – 2019, të radhitura sipas kohës kur u botuan. Këtu nuk është përfshirë biseda e gjatë e autorit me Hasan Hasanin dhe Shahbaze Vishajn1.
Arsyet pse po dalin në dritë tekstet e këtyre bisedave janë të ndryshme, po këtu përmend dy kryesoret:
1. Në to ndriçohen një varg çështjesh e dukurish thelbësore të letërsisë si art i fjalës, i rëndësisë së saj për njeriun dhe jetën e tij si dhe të mundësisë së ndikimit estetik në marrësin.
2. Shpaloset bota dhe dija e autorit jo vetëm përballë artit të fjalës, po dhe të shtresave të tij: letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar, pastaj për dukuritë e ndry-shme të veprimit, përkushtimin dhe flijimin e tij krijues për letërsinë.
Lexuesi do ta krijojë vetë mendimin për rëndësinë e teksteve të këtyre bisedave, por po sjell vetëm disa nga titujt e bisedave për të dëshmuar për këtë: Të jetosh me artin dhe për artin e fjalës është një mrekulli; Arti i fjalës dhe domosdoja e lirisë së të shprehurit; Vepra letrare si fenomen i vetë realitetit; Për letërsinë e rëndësishme është fjala, arti i saj; Studimi me paragjykim është vrasje e shkencës; Krijimi në heshtje të bën të jesh vetvetja e mirëfilltë dhe i qenësishëm për atë që bën dhe thua; Domosdoja e rivlerësimit dhe e studimit të seri-shëm të letërsisë së arbëreshëve të Italisë; Veprat e letërsisë së arbëreshëve janë më të pasura sesa dalin në studimet e deritashme; Për t’u bërë shkrimtar i mirë duhet dije e thellë dhe flijim i përhershëm; E falënderoj Hyjin që më dha forcën, durimin dhe mendjen të shkruaj ketë vepër për Nënën Tereze; Duhet të vetëdijesohemi që t’i bëjmë punët në mënyrën më të mirë të mundshme; Rugova – i hapi shtigje të reja studimit të mirëfilltë të letërsisë sonë; “Dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj njeriun është një: e pandarë”.
Autorët që i bënë bisedat janë emra të shquar të kulturës dhe të letërsisë sonë: Lazër Stani, Ibrahim Kadriu, Mehmet Emërllahu & Mehmet Kraja, Abdullah Konushevci, Xhemail Mustafa, Shaip Beqiri, Ibrahim Berisha, Asllan Bisha, Sabedin Haliti, Ali Olloni, Ragip Sylaj, Xhavit Beqiri, Anton Gojçaj, Atë Pashko Gjojçaj, Fatmir Terziu, Ajete Zogaj, Shefqet Rexhepi, Fatmira Nikolli, Arjola Hekurani, Naime Beqiraj, Dijana Gj. Dukaj, Vera Pelaj, etj.
Tekstet e bisedave botohen pa ndryshime; janë shmangur gabimet e shtypit dhe disa përsëritje.
Prishtinë, dhjetor 2019
Referencë:
1. Hasan Hasani, Shahbaze Vishaj, Letёrsia si art dhe komunikim poetik. Bashkëbisedim me Anton Nikё Berishёn, Faik Konica, Prishtinë, 2011.