Nexhat Halimi
E ngjashme me lindjen
Njolla të përndezura gjaku, hi.
Vdekja trokiste shtëpi më shtëpi.
Çdo gjë digjej ende në gji.
Në ara të bukës, fshatarët e mi,
Mbillnin farën mitike të dritës për nesër.
Kallinjtë atë verë frytëzuan në erën e shiut
Dhe diellit, e hambarët u mbushën plot,
Dheut era i vinte lindje.
Hej, lindja ime e dytë.
I shikoja arat e bleruara të agut
E ndjeja ngrohtësi të lules për ty,
Oh, fluturat vërshonin ballit, në erë!
E në mua zgjonte pranverë!
Ballit tim dhe lindjes së madhe!
Hiri i etjes
Dikush rrëshqiti, te lumi i ngelën këmbët
Dikush rrëshqiti, për sqep korbi, lojës me sy
Dikush rrëshqiti, në fytyrë i mbeti pështyma
E Fjala hirit të Etjes mori gjuhën e zjarrtë
E Fyelli Ashtit mori frymë nga tëra ëndrrat
E gishtat e thyer kërcyen në avazin e ditës
Unë e vizatoja me gjak trëndafilin në erë
Ndërmjet pusit e yllit mbi pemën e argjendtë
Thellë-thellë në zemër, gurit të prerë
E guri me pesë fletë pezull, vet`djeg` në etje
me një sy në ëndërr të arnuar të fatit në guacë
me një sy në qiellin e shpuar mbi ilirinë
Ti dhe maji
Urës mbi lumë ia vë gurët ustai
Për në zemër të vijsh ti e maji
Ja dhe dallëndyshja qiellit me sy malli
E pylli në re nga digjet prej mugullimi
Guaca në zall buzë valës së bardhë
Për herë të parë ia çel zemrën yllit
E korbi mbi ashtin e vet agun çukit
Nën shkumën e verdhë të mërisë në hi
m`i kërkon tërë gjak sytë
Unë ujis lulen e dritës në gji
Toka të reja
Njëqind e një, njëmijë e një ngulje lopate
Shpuarje në zemrën e bukurisë së egër
Dritë tej më tej pikon trupit të bleruar
Një e rrahur e re nga ana e majtë e zemrës
Dhe tëra ëndrrat deri në qiellin e ndezur
Çelin në flutura të bardha lëkurës së regjur
Muskujt mblidhen dhe lëshohen paepur
E bjeshka çahet në kurriz, e lumi rrjedh ballit
Kthesë e fortë në prapavijnë e agut të kaltër
Duart ngrihen nga qielli në trëndafila gjaku
Dhe fara hidhet në tokën e re të pafund
Ndërmjet yllit dhe ëndrrës dhe vetëtimës
Unë te pusi ngreh flamurin me zog të zi
Dhe ha mollën e kuqe nga rrembi i qiellit
Gjak e buzëqeshje
Në bisht të kazmës gjak, dritë dhe shpresë
Në tehun e kazmës shkëndijë meteorësh
Në muskujt e gurtë pikon lot i gurit mitik
Shtyllat e elektrikëve rrëshqasin si lumi
Përpihen përmes zemrës së shkëmbit
E ndrisin trupin e gjyshit tim mijëvjeçar
Trupin e pishës tek bririn zgjat dhia e kuqe
Me fshehtësinë mitike të ëndrrës së Arbërisë
Që si vasha e përrallës është dashuruar
Në syrin magjik që shpërndanë rreze
Unë dorën zgjas lart nga qielli me lule
Me gjak e buzëqeshje mes teje dhe meje
Mali merr frymë
E kemi latuar malin në zemër
Zogun e ëndrrës në qiell
Ja si merr frymë guri mitik në mua
Dhe flutura gjelbëroshe përmbi qiri
Është gruaja me unazë nga hyn në urë
Të vijë në të gjitha kohët fëmija i urtë
Të pijë qumështin e gjirit të bardhë
Ndërmjet gurit dhe yllit të agimit
E kemi latuar malin në zemër
E ka frymëmarrjen e ashtit të paepur
E ka ngjyrën e udhës nga ik për zemër
Me qiririn e ndezur në kafkën time
E kemi latuar malin në zemër
E po udhëtojmë etjes së gjakut
Ashti i lules është i fortë
Hapa të lehtë, intimë. Shikime në horizont
Puthje e tinguj përmallimi. Dashuri në lule
Kënga e vashës biondinë. Harfa e mëndafshtë
Hovi në valët e lumit shkumë bardhë. Na
Ura – guri, trëndafila të virgjër, të kaltër. Ju
Lidhen dy zemra. Dy qiej-sy… Një trup lind!
Gjurmët mbesin në gur, krah për krah fatit
I fortë është ashti i lules së pjekur në gjak
Dashuri, që s` vdes, rreze nga bëhen flutura
Diçka sot që rrjedh dhe nesër merr sytë e mi
Trajtën e fjalës merr, gjakun e djersën, Urën
Nga e cila kalojmë në përjetshmëri!
Ja unë këput mollën nga dega e të dua
Me flakën e lirisë dhe të gjakut në etje
Në fatin e gjarprit
Në jetën time prej arnash
Qe një mur i lartë dhe i ftohtë
(deri te zoti në qiellin e errët)
Për ta kaluar bëra shkallë
Prej eshtrash të Atit e të Birit
E të Shpirtit të Shenjtë
Në fatin tim të shurdh verbër
Qe një fjalë e lidhur në zinxhirë
Përgjaka gjuhën e egër, memece
Për ta liruar nga pylli i errët
Nga kurvëria e gruas së vejë
Sall, e dashura ime e vogël,
Vetë ta lexosh të kaluarën
Fatin tim, gjarpër të pa kokë
Muzika e gjakut
Natë me hënë mbi liqe’.
Ti e unë shëtisim nën muzikë
Të pavdekshme të gjakut
Ëndërrojmë vdekje të bukur
Ja, zemër, si ngjet me Unin
Duke u ngjitur flakës së qiririt
Sa thellë ka zbritur në vete –
Në këtë zgor të vetmisë sime
Mbështjellë me muzikë të vjetër
Të pavdekshme të gjakut
Tek Uji që e pimë me etje
Për ta njohur veten nga hija
Buka
Vjollca prek me qerpikë qiellin
Gjaku në këtë kalli të shpirtit
E portretizon etjen e gemit të verës
Ëndrrën që del nga mulliri me thes
Ti vjen mezhdës me bukë në dorë
Unë Mollën e Kuqe prek me mall
Dashuria në gem e pikturon syrin
Syri portretizon në qiell yllin
Silueta Toplicës lëviz në andrallë
Ti zë me duar këmishën e bardhë
E skuqur në dy faqet fsheh gjirin
Është një, dashuron apo zë e qan
Në këtë dimension të këngës për ty
Të bukës që e pjek zemra në gji
Bie tërë ditën bie pandërprerë shi
Loja
As nis përralla ku bie ylli në pyll
E as mbaron çdo gjë nga zjarri
Fyelli i ashtit zgjohet nga hiri i vet
Trëndafili i ëndrrës digjet mbi det
E gjethon mes agut dhe shiut
E përgjaket mes gjuhës e fjalës
E ik mes zemrës dhe ngjalës
Deri në fund të kohës arrin me një zjarr
Me një qerre nga qielli i fjetur në bar
E sërishmi kthehet në ëndërr e digjet
Njëqind vjet zot mes meje e teje
E prapë vetëm një lojë që rrit barin
Me fyellin e ashtit të hënës
E as fillon çdo gjë nga përralla
Loja II
A fillon me lojë ëndrra e flakës
Flutura krahët t`i djeg në qiri
Agu ndërsa hyn në palcën e ditës
E shiu bie mbi barin e gjelbër
Mbi lumin nga ik e vjen aty tek pres
Aty ku të prek dhe gjithnjë vdes
Nga mrekullia e rrjedhës së gjakut
Nga dega e shelgut e lëshuar mbi ujë
E në ujë hija jote dhe hëna
gjakshkrimi im i vjetër për ty
Ja sesi rikthehet flutura e djegur
Ta vizatojë etjen në flakën e fikur
Çdo gjë fillon sall me lojë
Hyrja në zemër
Vetëm dhe urën ta kalojmë, aty,
T’i ngjitemi kodrës deri te pema
Te kroi i akullt nga rrjedh gurit
Ndal pak para vetes, e lutu
Zgjati duart nga qielli e merr frymë
Për tokën e fajkoit me shpirt timin
Për qiellin e pa fund të rrënjës
Ja nga e njëjta rrënjë ik dega lart
E ti e zgjat dorën dhe mollën këput
Sall dhe një copë udhë guri, aty,
E te hyrja në gojë të kuçedrës
Nga ku do të largohemi nga qielli
Për të arritur në fund të vetes
Zemrën t`ia shkëpusim tokës
Ndal pak para vetes, zemër, e lutu
Merr frymë thellë për rrënjë të rrapit
Krejt e kaltër nga del nga zemra
Për të hyrë më thellë në zemër
Ura për në zemër
Sytë plot prill, e qielli ngjyrë vjollce,
Unë nga mbjell mështeknën në re.
Shikime të flakta. Krahët e malit. Agu
Të rëna të forta në zemër. Pika uji gurit
Valë e zgjuar, gjaku i puth dejtë i etur
Një krah i dallëndyshes bie ëndrrës
Ja, zemër, ti do ta kalosh sall këtë urë
Të arrish te druri i gjelbër i besimit
Kaq vjet me rrënjë në zemrën time
Unë nga e mbjell mështeknën në re
E digjem nga ylberi i syrit të ulqinit
I yt loti
rrufetë egër mbi malin bien me inat
rrëzohen në flakë drurët qindvjeçar
e unë në sy guri ta shoh hijen e largët
mitin tim antik për rrjedhën e gjakut
gjarprin e vogël nga e pi me fund
verën e ndezur të harruar mbi tryezë
fyellin magjik, gjithësinë e këngës për ty
mbi të cilën shkruhet buzëqeshja e ujit
vegimi i yllit nga e ruan kaq vjet kroin
në zemrën ilire të shkëmbit plak me plis
nga ku ikin pishat të arrijnë te zjarri
gjuhën tek merr hiri i kallirit të fjalës
e mbi vogëlsinë e zemrës pik loti
i yti loti nga pik mbi lulen e ilirisë
e rrufetë përgjaken për brirë të dhisë