Vajmedeti i Vitit 1878

0
614

Dossier

Agim MorinaAgim MorinaRevista Drini22 Janar 2020
(apo pse me të ligun nuk ban me zanë miqësi)

1. “VAJMEDET PËR ABDULLAH BEGUN / MIQT E PREMË E VET I VDEKUN!”

Kur flitet për përkufizimin e tragjedisë thuhet se tragjedia ësht një ngjarje që mbaron me vdekje, por s’mun me u nda në shej se kush ësht fajtori. E këtillë ësht një ngjarje në historinë shqiptare që shënon një kthesë sa madhështore, aq edhe të trishtueshme, sa kuptimplotë, aq edhe të pakuptimtë, sa të përqendruar, si gjakim i një kombi, aq edhe largvajtës, si kryqëzim interesash gjeostrategjike botërore. E kjo pikë shkon e përmblidhet, askund tjetër, por në Gjakovën e vitit 1878. Pse pikërisht në Gjakovë? Sepse Gjakova, si duket, ende kishte mendësinë e një katundi të madh, me tradita tipike shqiptare, që po zhvillohej e bëhej tashmë një qytet, duke u ballafaqu me sfidat dhe idetë e një qytetërimi të ri.

Në këtë kohë në Gjakovë jetonte një fisnik shqiptar, Abdullah Pashë Dreni, anëtar i një familjeje të madhe të Kryezijve. Trimërinë e kishte kallxu në fushëbeteja – deri në kodrat e largëta të Krimesë, nderin në sjelljen e tij prej shqiptari të përkorë tradicional, zgjuarsinë në ndorimin me politikën otomane të kohës, me përplot kurtha e dinakëri – një trashëgim kjo nga politika bizantine, kryeneçësinë e kishte prej një mendësie malësore: një përzirje e domosdoshme e kohës, për me mujtë me depërtu e me mbetë politikisht në këmbë e me kryet mbi supe. Por, fati i Abdullah Pashë Drenit ishte shkru me qenë fati i kombit të tij krenar e fatkeq: me e pritë e me e përcjellë shqiptarisht edhe mikun, edhe armikun; edhe dashamirin, edhe gjakësin; edhe të ndershmin, edhe faqeziun.

Në këtë kohë, sulltani ri, Abdyl Hamiti II, dhe Porta e Naltë gjendeshin në pozitë të palakmueshme dhe nën presionin e fuqive të mëdha të kohës që t’ia dorëzonin Malit të Zi krahinat shqiptare të Plavës e të Gucisë, vendime që ishin marrë në Kongresin e Berlinit. Kjo binte ndesh me qëndrimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizatën e cila ishte kriju për me i mbrojtë interesat e shqiptarëve. Ata tashmë ishin zotu në Prizren se kanë me mbrojtë, qoftë edhe me gjak, çdo pëllëmbë të tokës shqiptare. Si zgjidhje, sulltani dërgoi Mehmet Ali Pashë Maxharrin, për me mujtë m’ia lidhë diqysh kryet kësaj pune e me i bindë shqiptarët që të mos kundërshtonin këto vendime.

Mehmet Ali Pashë Maxhari (1827-1878)

Mehmet Ali Pashë Maxhari (me origjinë gjermane, i lindun si Ludwig Karl Friedrich Detroiti, në Magdenburg të Prusisë), i ikun si i ri në Perandorinë Otomane, i bamë synet dhe i islamizuem, mbas një karriere të bujshme, arrijti me marrë edhe titullin e pashës. Ishte një nga komandantët që luftoi kundër Rusisë në Luftën e Krimesë (1877) dhe ishte delegat i Perandorisë Otomane në Kongresin e Berlinit. Pikërisht në Luftën e Krimesë u njoh me Abdullah Pashë Drenin, me të cilin luftuan bashkë kundër ushtrisë ruse. Dhe këtu zuri fill miqësia e tyre.

Duke e pa se kundërshtimi i vendimeve të Kongresit të Berlinit nga ana e shqiptarëve ishte i palëkundshëm, aj erdhi në Shqipni, dhe me 25 gusht u vendos në Prizren. Si duket, fakti që kishte qenë vetë në Kongresin e Berlinit dhe kishte qenë pjesë e vendimeve të këtilla, e bani me e marrë edhe si obligim personal përpjekjen për me ua mbushë mendjen shqiptarëve që të pranonin faljen e tokave të tyre Malit të Zi.

Mirëpo, në Prizren, shumë shpejt e kuptoi se nuk ishte i mirëseardhur. Shum miq të tij u përpoqën me bindë që të hiqte dorë nga kjo aventurë e pamend, por aj nuk u bind. Si një paralajmërim i fundit për të ishte vrasja e telegrafistit të tij, dy ditë ma vonë, në lagjen Marash të këtij qyteti nga lumjani, Ramadan Zaskoci, me 27 gusht 1878. Por, as kjo nuk e ndali të dërguarin e Sulltan Abdyl Hamitit, i cili e dinte se pa e kryer këtë mision nuk mund të kthehej në Stamboll.

Duke qenë dinak dhe duke njohë mirë traditën e shqiptarëve aj e mendoi edhe një lëvizje të fundit: do të shkonte në Gjakovë, te miku i tij, Abdullah Pashë Dreni, dhe do të kërkonte prej tij, jo vetëm mbrojtje, por edhe ndihmë, për t’i bindë shqiptarët. Edhe nëse gjithçka do të dështonte, aj do ta shpëtonte kryet, sepse Abdullah Pashë Dreni, duke qenë shqiptar, kurrë nuk do të lejonte që ta gjente ndonjë e keqe mikun e tij të shtëpisë. Kjo ishte e vërtetë. Por aty ku gaboi mendja dhelparake e këtij diplomati të Sulltanit ishte se punët do të ngatërroheshin edhe më keq se kaq. Ky nuk ishte një mik i zakonshëm i shqiptarëve. Ky ishte armik i shqiptarëve, i cili po e shpërdorte deri në fund një traditë fisnike shqiptare: mikpritjen.

2. TË SHTATË KRAJLAT RREHIN TELIN

Në fund të gushtit, i dërguari i sulltanit, Mehmet Ali Pashë Maxhari, u nis me ushtarët për në kufirin me Malin e Zi. Por me 1 shtator aj hasi në rezistencën e kryengritëve të prirë nga Ali Pashë Gucia. Kështu, bashkë me disa batalione ushtarësh otomanë, u detyru me u kthy prap në Gjakovë e u vendos në sarajet e Abdullah Pashë Drenit, duke mendu se demonstrimi i forcës, këmbëngulja e shtirur, dinakëria e menduar mirë, përvoja e tij diplomatike dhe shpërdorimi i miqësisë shqiptare, do të bënin që ky ta kryente me sukses misionin e tij, në thelb, antishqiptar. Natyrisht, Abdullah Pasha, edhe vetë përfaqësues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Gjakovën, e dinte arsyen e ardhjes së tij. Dhe nuk kundërshtoi. Ishte e pangjarë që dera e një shqiptari të gjendej e mbyllur për këdo qoftë, e aq më pak për një mik.

Dhe këtu nis tragjedia. Abdullah Pasha e dinte se këtu nuk kishte shtegdalje. Rrethanat e kurthuan dhe fati punonte kundër tij dhe ky, si duket, nuk kishte zgjidhje tjetër pos të ecte drejt vdekjes, bashkë me mikun e tij të dikurshëm, tash armik. E priti sipas zakonit. Dhe nuk la të kuptohej me asnjë shenjë se mysafiri nuk ishte i mirëseardhur, sepse do ta çnderonte pragun e kullës së tij. I dëgjoi me vëmendje krejt ato që ia tha pasha i sulltanit dhe e këshilloi që të takoheshin edhe me disa udhëheqës të tjerë gjakovarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo ishte më e shumta që mund të bënte.


Esat Valla – Portreti i Sulejman Vokshit (1815 – 1890),
ministër i Luftës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në kullën e Abdullah Pashë Drenit erdhën Sylejman Agë Vokshi, Ahmet Korenica, kadiu i Gjakovës, Bajram Aga, i pari i Gashit, Shaqir Agë Curri (i ati i Bajram Currit) e disa prijës të tjerë. Mbas një debati të gjatë, ata i kërkuan Mehmet Ali Pashës që të largohej prej nga kishte ardhë. Por, aj nuk u bind. Dikur prijësit shqiptarë u ngrenë e dolën. Këtu gjithçka lidhet nyjë dhe bëhet e pazgjidhshme. Mehmet Ali Pashë Maxhari e dinte se Abdullah Pashë Dreni kurrë s’do t’i kërkonte të largohej nga dera e tij.

Mikpritja, sipas Kanunit Shqiptar, ishte përtej çdo shenjtërie, e pashkelshme për çdo shqiptar. Ali Pashë Maxhari duhet të ketë mendu se po aq e pamundur ishte që shqiptarët të vrisnin një tjetër shqiptar të pafaj. Aq më shum që aj ishte një fisnik me emër dhe një prej udhëheqësve të Lidhjes. Kështu, ky plan vërtet bartte përplot rreziqe për të, por ishte i vetmi i mundshmi në një situatë të tillë. Por këtu, misionari i sulltanit, ishte mashtru keq. Ndodhi ajo që askush nuk e kishte marrë me mend, por që nuk mund të ndodhte ndryshe.

3. ‘I THOJNË BABA T’U KA KORITË’

Me 3 shtator ushtria kryengritëse e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit rrethoi sarajet e Abdullah Pashë Drenit, bashkë me misionarin dhe taborët e sulltanit. U kriju një situatë e tmerrshme, por besoj se Abdullah Pasha duhet të ketë ndi një lehtësim. I gjendur ndërmjet thyerjes së Besës Shqiptare dhe idealeve kombëtare, flijimi i tij dukej zgjidhje e mirë, faqebardhë. Vargjet e këngës e shpjegojnë këtë më së miri:

“Mymleqeti m’ka rrethue,
Për qet mik qi s’deshta me lëshue,
S’un e lëshova, tha, tonë kët mik,
Po m’ia nxojnë edhe djalit sytë,
E i thojnë baba t’u ka koritë.”

Në mes të korisë, që vinte prej një miku të lig, dhe vdekjes, që vinte prej vetë miqve të tij të idealit kombëtar, Abdullah Pashë Dreni e zgjodhi këtë të dytën.
“S’kam çka baj veç me dhonë kët shpirt.” – thotë në kangë Abdullah Pashë Dreni.

Beteja e rreth 600 ushtarëve otomanë, rreth 30 përkrahësve të Abdullah Pashë Drenit dhe 70 malësorëve të Fandit të Mirditës, kundër rreth 4 mijë ushtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, zgjati tri ditë. Në krye të ushtrisë kryengritëse qëndronin Sylejman Vokshi, Ahmet Korenica, Ali Pashë Gucia dhe Jakup Ferri. Luftimet ishin të ashpra dhe në betejë ranë shum luftëtarë. Nga të rrethuarit u vranë rreth 90, ndërsa nga kryengritësit rreth 500 veta. Shumica e ushtarëve otomanë u dorëzuan. Dhe, me 6 shtator, mbetën të vrarë edhe Abdullah Pashë Dreni e Mehmet Ali Pashë Maxhari. Në disa të dhëna ësht shkru se populli e kapi të gjallë Mehmet Ali Pashën dhe e vari në shesh. Vdekja e tyre i dha fund pandehjeve të të gjitha palëve rreth synimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kjo tragjedi, po ashtu, tregon qartë thyerjen e madhe që ndodhte në shoqërinë shqiptare gjatë vjetëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shqiptarët duhej të përcaktoheshin qartë e shpejt, jo vetëm nëse duhej m’ia kthy pushkën Sulltan Abdyl Hamitit e Babës Dovlet, që po bënin tregti me trojet shqiptare, jo vetëm nëse duhej të kundërshtonin vendimet e Fuqive të Mëdha të kohës, që përmbushnin kërkesat shoviniste të fqinjëve, por edhe nëse duhej me heqë dorë edhe nga pengesat e mendësisë tradicionale, të cilat mund të shfaqeshin në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë.

Në të gjitha betejat e shqiptarëve kundër Malit të Zi apo kundër taborëve të sulltanit, u tregu që ndërgjegjja kombëtare shqiptare në raport me armiqtë po merrte një trajtë gjithnjë e më të qartë, por djegia e sarajeve të Abdullah Pashë Drenit ishte akt që tregoi se ky ndërgjegjësim po ndante edhe epokën e një mendësie të ngushtë provincialiste prej asaj kombëtare. Kjo e dyta po bëhej më e rëndësishme dhe më me vlerë se e para në rastet kur ajo shihej si pengesë.

Kongresi i Berlinit (pikturë e Anton von Wernerit, 1881): 13 korrik 1878, Bismarcku ndërmjet Gyula Andrássyit dhe Pyotr Shuvalovit. Në anën e djathtë, i rrethuar me kornizë të kuqe ësht Mehmet Ali Pashë Maxhari.

Figura e Abdullah Pashë Drenit mund të trajtohet në shum mënyra. Mund të shihet edhe si përpjekje dinake e një njeriu ambicioz për me përfitu nga situata tue lujtë lojë të dyfishtë: të kishte marrëdhënie të mira edhe me nacionalistët shqiptarë, edhe me sulltan Abdyl Hamitin, dhe varësisht se kush do të dilte fitues, të mbahej me atë palë. Sidoqoftë, kangatari popullor e trajton si një trim dhe fisnik, i cili në një situatë të tillë nuk mun me heqë dorë prej traditës së mikpritjes. Megjithëse historia e vërtetë ndoshta nuk ka me u zbulu ndonjëherë, porosia historike që bart kjo ngjarje shfaqet tronditëse në ndërgjegjen shqiptare edhe sot.

Vija e gjakut të Abdullah Pashë Drenit u shu me këtë ngjarje, tue qenë se aty vdiq, bashkë me të, edhe djali i tij i vetëm. Ndërsa vija e gjakut të Mehmet Ali Pashë Maxharit vazhdoi. Ndër ta, nip i tij ësht politikani turk, Ali Fuat Cebesoyi, oficer dhe kryetar i kuvendit të Turqisë me 1948, ndërsa stërnipa të tij janë poetët turq, Nazim Hikmeti dhe Rifat Horozcu, e, po ashtu, edhe politikani, Ali Mehmet Aybari, kryetar i parë i Partisë Punëtore të Turqisë.

Londër, 10 qershor 2018