REKUIEM PËR USHTARËT PAQËSORË

0
559
Slovakia - flag

Prozë poetike e vitit 2006.

Shefqet DibraniShefqet DIBRANI

Bratislavë, 20 janar 2006 – Nga rrëzimi i aeroplanit ushtarak sllovak AN-24 mbi një vend malor në verilindje të Hungarisë humbën jetën edhe 28 ushtarakë, që po ktheheshin nga misioni i tyre paqësor në Kosovë.

U ndjeva keq kur ushtarët sllovakë
që shërbyen në vendin tim,
në udhën për në shtëpi të tyre, u vranë.
Jo, ata nuk kanë vdekur,
por kaluan atje ku nuk flitet më.
Ç’dëshpërim!
Ata nuk do t’u rrëfejnë të afërmve,
të dashurave, as vetvetes,
për bukuritë e Kosovës, për pritjen,
për bujarinë e popullit tim.

Oh, sa paqësisht u kujdesën për vendin tim.
Dhe tani ata nuk do të jetojnë, nuk do të flasin më.
Në Sllovakinë e bekuar prej Zoti valëvitet një shenjë zie
nga shkaku i Kosovës time të dënesshme.

Ata ishin të rinj, me fytyra njomështake.
Ishin ushtarë shembullorë, që donin dhe lirinë time
dhe qetësinë e familjes sime aq sa të tyren.
Dhe u flijuan.
Për paqen dhe idealin e shenjtë.

Kështu i kishin edukuar Nënat
dhe Baballarët e tyre sllovakë, shenjtët e tyre.
Tani ninullat e fëmijërisë çelin lule
në kurorat mortore.
Ah, në aeroport ushtarët sllovakë i kanë pritur
Të dashurat e tyre, nënat dhe të dashurit tjerë.
Po retë a zbritën nga qielli të tregojnë?
Për ndonjë dashuri kosovare apo kaluan
qetësisht matanë atje ku nuk flitet më…

Po, po Ata ranë në përpjekje për t’u falur
të tjerëve dashurinë,
në kohën kur të vetat i prenë përgjysmë.
Në shtëpitë e tyre, madje në tërë Sllovakinë
ka rënë kumti e zia për Kosovën time të përvuajtshme.
Por edhe Kosova u mbulua me zi për ushtarët vrarë.
Kosova, ah, Kosova do ta ruajë kujtimin,
veprën e ushtarëve sllovakë,
toka e të cilëve tashmë do të ketë varre për ta,
por qielli ynë do të mbajë imazhin e tyre
nëpër vetëtimat tona…

Paqe për ju, ushtarë sllovakë,
e për popullin që ju nxori.
Shkuat në luftë për të mos pasur luftë
dhe ju vrau rruga e kthimit në paqe!
Ushtarë të përjetshëm të saj!

Zvicër, Janar 2006.
Marë nga libri me poezi të zgjedhur
“ANATOMIA E BRYMËS”, Prishtinë 2014.