Nga inaonline – 22/07/2015
Nga Shpëtim POLLOZHANI / Reka, një krahinë që përfshin një teritor nga aty ku ndahen Korabi me Malin Shar deri tek kufiri i Gostivarit, është gjaku i trojeve shqiptarë. Nga ky territor burojnë ujëra, të cilët e mbajnë gjallë të gjithë Maqedoninë. Reka ka 17 katunde, të cilët kanë qenë të banuar me shqiptarë ortodoksë, – rrëfën banori më i njohur i Rekës, pas Josif Bagerit, zotniu i ortodoksëve shqiptarë në Maqedoni, Zotni Branko Manoloski. Unë kan mësuar në gjuhën shqipe, rrëfehet ai duke pirë një kafë tek ura, në gojë të Drinit të Zi. Bashkëkombasit e mi shqiptarë më thonin shka, kurse maqedonasit më thonin shop (shop është emërtim negativ për fshatarët maqedonas). Shpesh here shkoja i përlotur në shtëpi, vazhdon Zotniu i Rekës, shkoja në shtëpi dhe qaja përpara nënës sime. Çfarë jemi ne moj nënë?
Nuk na duan as maqedonasit dhe as shqiptarët. Ne jemi të shkretë ore bir, ne jemi të shkretë më përgjigjej ajo. Në ato rrethana, ne ortodoksët shqiptarë të Rekës e ndienim veten si një pemë pa rrënjë. Ndiheshim të humbur në kohë dhe në hapësirë, mirëpo, pushteti sllav ia kapi fillin kësaj pune. Puna e parë që bënë ata (pushteti sllav), nën pretekstin e arsyetimeve të ndryshëm, ishte të na i përzënë priftërinjtë. Priftërinjtë e rinj ishin sllavë. Ata na thonin se: Zoti nuk i dëgjon lutjet në gjuhën shqipe (duhet të lutemi vetëm në gjuhën sllave – kështu thonë edhe hoxhallarët – shënimi im AÇ). Të gjitha ritet kishtare filluan të bëhen në gjuhën maqedonase. Duke u nisur nga teoria e sëmurë se: më mirë vajzën ia jap një arapi musliman se sa një shqiptari katolik ose ortodoks, filloi asimilimi i tyre, duke u martuar me ortodoksë sllavë.
Martesat e përziera ishin pjesë e strategjisë për asimilimin e sqiptarëve katolikë dhe ortodoksë të Rekës dhe më gjërë. Ai që i ndërroi priftërinjtë, nuk u ndal vetëm me kaq. Pjesë tjetër e strategjisë ishte që të punësohen të gjithë shqiptarët ortodoksë. Ata të gjithë u punësuan në polici, në shërbimet sekrete, në ushtri, prokurori dhe nëpër Komitetet e partisë komuniste. Nuk i punësuan kot për së koti nëpër këto institucione. I punësuan në këto institucione delikat, në të cilët ata-ortodoksët, do të duhej të tregohen dy herë më të ashpër kundër shqiptarëve, me qëllim që të dëshmonin përpara padronit se ata nuk janë ata. Në Trungun gjenealogjik, të cilin Zotniu i Rekës e mban në dhomën e miqve, duken emrat e shumë funksionarëve të lartë të LKJ dhe të Shërbimeve sekrete të ish Jugosllavisë.
Dikur, në vitet e tetëdhjeta, e gjithë diaspora shqiptare në Amerikë u ngrit në këmbë që Z. Branko Maniloski, t’i paraprijë aksionit për kthimin e shqiptarëve ortodoksë të Rekës në identitet. Zotni Branko, bëri një sakrificë të madhe. Ai u vetëflijua (duke i marrë parasysh të gjithë kërcënimet dhe peripecitë, të cilat ai i ka përjetuar dhe po i përjeton së një shqiptar ortodoks në këtë farë shteti), ai u kthye në vendlindje – në Kiçinicë të Rekës, mirëpo, ata që ulërinin që ai të kthehet, nuk ndanë as mjete dhe as fonde për realizimin e këtij proekti grandioz. Në fund, Zotniu i Rekës, duhej që vetë ta financonte të gjithë veprimtarinë e vet kombëtare. Zotni Brankon të gjithë e lanë në baltë, mirëpo ai është një Lis. Ai ka kondicion të pashtershëm moral.
Në rrethin e Strugës është një fshat – Kalishti. Aty, dikur, si vëllezër, jetonin shqiptarë ortodoksë dhe muslimanë. Edhepse shqiptarët ortodoksë nuk martoheshin me shqiptarë muslimanë, jeta vazhdonte rrugën e saj. Shqiptarët ortodoksë jepnin e mernin me Lindin dhe me Poradecin në Shqipëri. Pasi u mbyll kufiri, në vitin 1948, ortodoksët e Kalishtit, si të gjithë ortodoksët e tjerë shqiptar filluan të martohen me ortodoksë sllavë. Sot, ortodoksët e Kalishtit, edhepse kanë kushërinj të tretë shqiptarë, shtiren më maqedonas se maqedonasit.
Kush e ka fajin që sot ne e kemi humbur pothuajse territorin më të bukur të trojeve shqiptare. E kemi humbur territorin e Rekës dhe të Mavrovës, duke i tradhtuar ortodoksët shqiptarë të këtyre trojeve. Kush na e ka fajin, që ne i humbëm edhe shqiptarët katolikë të Maqedonisë? Kush na e ka fajin që, për një vëlla të shpifur ne e kemi përbuzur vëllanë e vërtetë. Fajin e kemi ne dhe vetëm ne vetë. Kush na e ka fajin që Zotniun e Rekës, kullakët e partive e marim dhe e shetisin nëpër darka e ahengje, vetëm sa për t’u fotografuar. Zotni Branko nuk i vlerëson njerëzit sipas darkave, drekave dhe veturave me xhama të errët, të cilat lëvizin me paratë e po atyre shqiptarëve, për të cilët janë zgjedhur. Ai vlerëson njerëzit sipas veprimtarisë kombëtare.
Përse nuk i ndihmohet Shoqatës së parë shqiptare për kultivimin e vlerave të etnosit dhe kulturës ortodokse shqiptare ,,Josif Bageri”. Është jo-njerëzore dhe e turpshme që shqiptarët ortodoksë të Rekës të përdoren për marketing politik. Është jo-njerëzore që këtë Zotëri të madh ta shetisin nëpër darka e ahengje dhe mandej ta harrojnë deri në ahengun tjetër.
Ka vetëm një formë për t’u ndihmuar shqiptarëve katolikë dhe ortodoksë në Maqedoni. Aty ku sadopak kanë pushtet shqiptarët, duhet të fillojnë me punësimin e tyre. Sikur të kishin pakës tru për komb këta tenderbegasit tanë dhe sikur për çdo mandat të punësonin nga dy drejtorë, dy tre përgjegjës dhe nga disa të punësuar të zakonshëm, gjendja me shqiptarët katolikë dhe ortodoksë, që nga nga Struga deri në Shkup do të ishte ndryshe. Do të kishim disa qindra kuadro të gatshëm të ballafaqohen me të kaluarën e etnosit të vet.
Zotni Branko, duke pirë kafen aty në gojë të Drinit, vazhdon: në Parkun Nacional të Mavrovës, drejtor është një maqedonas nga Strumica. A nuk do të ishte vallë e mrekullueshme që drejtor të ishte një kuadër shqiptar ortodoks me rrënjë nga Reka. Ai drejtor do të kishte edhe dy tre të punësuar të tjerë, gjithashtu ortodoksë nga Reka. Drejtori i vendit do t’ua dinte edhe emrat e luleve, të arinjve dhe të ujqërve të atyre maleve. Ai më mire mundet të komunikojë dhe ta dashurojë të gjithë atë çka është Rekane, vazhdon Zotniu i Rekës, i keqpërdorur dhe i harruar nga ne shqiptarët e “mëdhenj”.
Të mos flasim për ortodoksët e Strugës. Në Strugë kemi mbiemra ortodoksë me rrënjë shqiptare: Misa, Kuteli, Labi, Prenka, Doko, Trimi, Gjorgoni, Rajca, Belko (bardhi familja e artistit të popullit, Serafin Fanko), Nestori dhe dhjetra familje të tjera. Po Ohri, ku e lamë Ohrin? I gjithë Varoshi ka qenë pjesë e familjes mesjetare Gropaj. Ata kanë jetuar brenda mureve të Kalasë së Ohrit, kurse jashtë mureve kanë jetuar hyzmeqarët e çifligjeve të tyre, të cilët ishin sllave.
Vetëm me pushtet (a kanë vallë pushtet shqiptarët e ngratë?). Shqiptarët ortodoksë dhe katolikë në Maqedoni mundet të kthehen në identitet, edhepse ne shqiptarët muslimanë, bashkë me pushtetet sllave, këto njëqind vjetët e fundit ua kemi humbur identitetin. Sikur të kishte pushtet shqiptar në këto njëqind vjetët e fundit në: Strugë, Ohër, Manastir, Përlepë dhe Shkup, sllavët do të ishin një pakicë absolute.
ZOTNI BRANKO ËSHTË INSTITUCION. Ai duhet të trajtohet si institucion. Duhet të formohet një fondacion, i cili do ta mbajë emrin e Z. Brankos të Rekës. Fondacioni do të duhej të merret me kultivimin e vlerave të shqiptarëve ortodoksë e katolikë në Maqedoni (maqedonasit, kanë disa dhjetra fondacione, të cilët kultivojnë kulturën e tyre, njëri nga këto fondacione ka financuar dhe akoma po e finanson ndërtimin e disa monumenteve në ,,Shkupi 2014”). Zotniu i Rekës duhet të jetë në qendër të vëmendjes të opinionit shqiptar dhe më gjërë, pasi sa më i afirmuar, aq më i mbrojtur do të jetë Ai.
Besoj në rrugën që jam nisur. Kjo është forca e ime… Besimi dhe arsyeja janë dy shtyllat e jetës sime… vazhdon Z. Branko. Ai flet vetëm kur ka të tregojë diçka. Ai Zotni ka se çfarë të flasë. Duke e përfunduar kafenë, aty, në gojë të Drinit të Zi, ai e mbyll bisedën e vetë. …njerëzit më duan dhe më adhurojnë, por kjo është vetëm një flladitje e shpirtit tim. Me fladitje nuk jetohet. Ju lutem rrallojini flladitjet, se do të ma mërdhini shpirtin… NJERIU duhet të ketë një ëndërr (Martin Luter-King). Zotniu i Rekës e ka një të tillë. Le të mos ia prishim.