Republika e spiunëve

0
374
Tradhtarët - spiunët

Lis Bukuroca, 04.12.2016

Një mik më dërgoi një lidhje të portalit “shqiptari” pikë eu, ku raportohej për tradhtinë e Ibrahim Kelmendit. Aty thuhet se ishte spiun i Udbës dhe shumë akuza që tashmë dihen, por në fund, krijohet përshtypja se Udba paska ndikuar direkt në çlirimin e Kosovës duke themeluar parti ilegale shqiptare, duke ndërhyrë në kryesi, madje edhe në UÇK nëpërmjet Kelmendit… etj…

Raporti bazuaka në një përkthim nga serbishtja, për të cilin mungon burimi. Kjo shpjegon nevojën e shpifjes. Dje u tha në tv gjermane se opinioni në Europë po manipulohet nga një agjensi ruse sputnik, sa edhe opozita italiane, shpërndan ato përkthime si të mirëqena.

Prodhimi serik i tradhtarëve mund të jetë orkestrim i ndonjë qendre për të arritur efektin, që në fakt kanë arritur: atdhetarë kemi vetëm të vdekur, por të gjallët të gjithë janë tradhtarë! Varet se te cili fis futet njeriu, ose te cili klan!

Kur kemi parasysh faktet, atëherë as Rugova, as Qosja, as Thaçi, as Kelmendi dhe dhjetëra tjerë të stigmatizuar, nuk mund të jenë tradhtarë sepse kontributi tyre, ka prodhuar rezultatin, që ne synonim: Republikën!

Ne sot kemi pavarësinë, por ndërtuesit e saj, kemi shpallur të gjithë tradhtarë. Di se kemi shumë hajna, piratë me nam ishim edhe në kohën romake, por kur besojmë se ata ishin në shërbim të Serbisë, atëherë po lejojmë të na grahin si kafshëve, edhe atë drejt falënderimit dhe përkuljes ndaj pushtuesit të dytë, Serbisë! Spiunët e saj paskan ndërtuar shtetin e Kosovës, falënderimi i takon vetëm Serbisë.

Shkurt e shqip jemi në gjendje të rëndë kognitive, psikoemotive dhe nëse nuk i biem vetes pas, atëherë mbetemi kope në duar të huaja. Sikur Kosova të kishte shtet ligjor, pas çdo akuze publike, do t’ishte ngritur një akuzë për të dëshmuar tradhtinë, ose gjykuar shpifësin!

Meqenëse na dalin tradhtarë pikërisht ata që kanë dhënë kontribut të madh, atëherë manipulimi ka zanafillën pikërisht te shpërndarësi i parë i lajmit. Në këtë rast, ai duhet kërkuar te përkthimi i lajmit nga serbishtja dhe origjina e tij.

Viktimë e këtyre lajmeve mund të jem edhe unë, edhe pse përpiqem të mbajë një qëndrim neutral, jo emocional, për të kultivuar një vështrim vetjak. Kur mendon se një njeri, i cili ka kushtuar jetën pavarësisë, nga shumë shqiptarë mund të konsiderohet tradhtar, atëherë është fakt që dhemb, kurse mosmirënjohja, është më shumë se djallëzore dhe pasojat do të jenë rrënuese për një kohezion dhe sedër nacionale.

Meqenëse duket e pabesueshme se Serbia bën publike emrat e bashkëpunëtorëve të saj – ata i duhen ende – atëherë mund të besohet se me shkrime të shërbimit sekret serb vërshohet dhe ndryshohet opinioni publik shqiptar.

Ndryshe nuk di të mendoj, por duket se viktima jemi të gjithë! Duke njohur politikën serbe, diçka tjetër më duket e pamundur! Ajo mjafton të akuzojë një shqiptar, pastaj ai nga frika, fajëson një shqiptar tjetër dhe kështu vihet në lëvizje dinamizmi i dëshiruar i shërbimit sekret serb!

Pyetja që kërkon përgjigje është kjo: A mund të jetë hakmarrje e sigurimit sekret serb, pse nuk ka mundur të dëmtojë organizmin e diasporës shqiptare? Ne kemi fituar, ata kanë humbur! A mund të pritet që i dështuari të shpallë tradhtarë sipas nevojave të veta?

Duket e mundur! Ata na shpallin tradhtarë ata që luftuan për pavarësi, kurse ata që vërtetë sot punojnë për Serbinë, ushtrojnë veprimtarinë e tyre të papenguar! Dhe, një gjësend nuk kuptoj, si është e mundur që i dhurojmë aq shumë besueshmëri raporteve serbe? Kur ka pasur një shkrim, ose një studim, i cili ishte objektiv për ne?

Artikulli i publikuar tek shqiptari pikë eu bazohet në një raport të Zdravko Mustac: Ja çfarë shkruna Ibrahim Kelemendi te muri tij: “Për ata që nuk janë të informuar, Zdravko Mustaq ishte sekretar i SDB-së (ish UDB-së) federative në vitet e 80-ta, kroat me përkatësi nacionale. Gjatë luftës në Kroaci ishte këshilltar për siguri nacionale i Presidentit kroat Franjo Tugjman. Kur është formuar UÇK-ja nuk ekzistonte më SDB-ja federative, meqë Jugosllavia ishte shpërbërë. Që do të thotë se Zdravko Mustaq, duke qenë funksionar i lartë i Shtetit kroat, nuk ka pas asnjë funksion në shërbimet e Beogradit për të komplotuar UÇK-në!