Nga Albert Vataj, 13 JANAR 2020
Një memuar monumental, një mauzole që krekoset madhështore me hijeshinë e vet që sfidon. Një dedikim-elegji që kaplon përmasat e epërme të admirimit dhe dashurisë, dhe njiherash një nderim dhe respekt që udhëton nëpër kohë, si njësi matëse e shpirtit ngadhnjyes dhe forcës për ta ngritur adhurimin e gruas në altar.
Bota moderne do ta ketë zili një dedikim të tillë, i cili e ka shndërruar zemrën e një gruaje dhe dashurinë e një burri në monument, në një vend të shenjtë, në një sprovë dhe sfidë që njeriu bashkëkohor rreket ta jetësojë emocionalisht, sot e përgjithmonë. Mijërat e vizitorëve që e sodisin këtë “elegji prej mermeri” i shtang sa arkitektura dhe veçoritë dalluese të kësaj vepre të jashtëzakonshme, aq dhe thelbësorja që frymon në çdo cep të kësaj panorame ngjethëse, në çdo pjesëz të kësaj harmonie rreptësisht delikate.
Taxh Mahali njihet si një nga Shtatë mrekullitë e botës së re 1630, i ndërtuar nga shqiptari Mehmet Isai dhe disa historianë perëndimorë kanë vënë në dukje, që arkitektura e tij e bukur asnjëherë nuk është kaluar. Taxhi është monumenti më i bukur i ndërtuar prej Mogulëve, muslimanët e Indisë. Taxh Mahali është ndërtuar tërësisht prej mermeri të bardhë. Arkitektura e tij e bukur i kalon kufijtë e përshkrimit adekuat, veçanërisht gjatë lindjes dhe perëndimit të diellit. Taxhi duket sikur digjet nën dritën e hënës së plotë. Në një mëngjes me mjegull, vizitorët provojnë Taxhin sikur qëndron pezull, nëse vrojtohet nëpërmjet lumit Jamuna.
Historia e ndërtimit
Taxh Mahali u ndërtua prej një muslimani, perandori Shah Xhahan (i cili ndërroi jetë në vitin 1666 e.r.), në përkujtim të nuses dhe mbretereshës së tij, Mumtaz Mahalit, në Agra, Indi. Ështe një “elegji prej mermeri” ose siç shprehen disa te tjerë, shprehja e një “ëndrre”. Taxh Mahali (që do të thote Pallati i Kurorës) është një mauzole, i cili përmban varrin e mbretereshes Mumtaz Mahalit në dhomën e poshtme. Më vonë këtij mauzoleumi iu shtua edhe varri i Shah-ut. Emri i vertete i mbretereshes ishte Arxhumand Banu. Arkitekti ndërtues sipas Ramadan Sokolit në veprën studimore “16 Shekuj” është shqiptari Mehmet Isai nga Opari i Korçës.
Periudha e ndërtimit
Taxh Mahali u ndërtua për një periudhë kohore prej 22 vjetësh, duke punësuar 22,000 punëtorë nga arkitekti Mehmet Isai, student i arkitektit Mimar Sinani, ndihmësi i tij Ahmeti nga Opari i Korçës dhe kopshti nga Nuhiu. Ndërtimi i kësaj vepre mbaroi ne vitin 1648 e.r. dhe kushtoi nje shumë prej 32 milionë rupish. Dokumentet e ndërtimit tregojnë që mjeshtri i saj ishte Ustad ‘Isa, arkitekti me famë gjatë kohës së tij. Dokumentet përmbajnë emrat e atyre, që u punësuan dhe shpikja e materialit të ndërtimit dhe origjinës se tyre. Mjeshtra me përvojë nga Delhi, Kanaixh, Lahore dhe Multan u punësuan në ndërtimin e kësaj vepre. Për më tepër, shumë mjeshtër muslimanë me famë të madhe nga Bagdadi, Shirazi, dhe Bukara punuan në shumë detyra të ndryshme.
Forma e arkitekturës
Taxhi qëndron në një platformë katrore të ngritur me katër qoshet të këputura, duke formuar kështu një oktagon të pabarabartë. Forma e arkitekturës përdor konceptin e ndërthurjes së arabeskave, në të cilën çdo element qëndron mbi veten e vet dhe njëkohësisht ndërthuret me ndërtesen qëndrore. Për ndërtimin e kësaj ndërtese janë përdorur parimet e gjeometrisë vete replikuese dhe një simetrikë e elementeve arkitekturore.
Pamja dhe përmasat
Kupola e tij qëndrore është 58 këmbë në diametër dhe ngrihet në një lartësi prej 213 këmbësh. Kjo kupolë është rrethuar prej 4 kupolash të tjera. Katër minaret madhështore janë ta larta 162.5 këmbë. I gjithë mauzoleumi (brenda dhe jashtë) është i zbukuruar me vizatime lulesh dhe kaligrafi duke përdorur gurë të çmuar të llojeve të ndryshme. Qemeret kryesore të daltuara me paragrafë nga Kur’ani dhe punime lulesh të llojeve të ndryshme i japin një bukuri mahnitëse këtij monumenti. Dhoma qendrore në formë kupole dhe katër dhomat e tjera përfshijnë shumë mure dhe panele të zbukurimit islamik.
Objektet përcjellëse
Mauzoleumi është pjesë e një kompleksi të madh, që përfshin një portë të madhe, një kopësht shumë të bukur, një xhami në krah të majtë, një dhomë pritjeje në krah të djathtë dhe disa ndërtesa të tjera madhështore. Taxhi ndodhet në skajin më të largët të këtij kompleksi dhe lumi Jamuna gjendet mbrapa kësaj ndërtese. Kopshti i madh përmban katër pishina reflektuese, që e ndajnë atë në qendër. Çdonjëra prej këtyre pjesëve është më tej e ndarë në 4 pjesë të tjera dhe përsëri çdonjëra prej këtyre pjesëve është përsëri në 4 pjesë të tjera. Ashtu si Taxhi, edhe elementet e kopshtit shërbejnë si një arabeskë, duke qëndruar mbi veten e tyre dhe gjithashtu duke përbërë të gjithë veprën. / KultPlus.com