Tregim
Në hollin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Qarkut dy grupe njerëzish shihnin neritjetrin në një armiqësi të heshtur, që vriste më tepër se një duel kaobojs i Amerikës së shekujve të shkuar.Të gjithë të motuar, shumica flokëthinjur. Dukeshin si re të ngarkuara që prisnin stuhinë për t’u përplasur me njeratjetrën e për të lëshuar mbi tokën e etur gjëmime, vetëtima e rrebeshe shiu të papërmbajtur. Rruga për në shtëpinë time kalonte para Gjykatës. I njoha të dy ato grupe, që u përkisnin fëmijëve të dy vëllezërve të një familjeje intelektuale, me emër të mirë në qytet. Kishin të gjithë një mbiemër. Përshëndeta njerin prej tyre, i cili ma ktheu si me përtim. Në përgjithësi unë jam shpërfillës ndaj problemeve të të tjerëve, po meqë me ta kisha të bëja nga ana e nënës, mbajta këmbët dhe prita që tjetri të afrohej.
– Gjyq pronësie besoj – i thashë.
– Po – m’u përgjigj ai – Na bëjnë fajtor për rrëmbim prone të gjyshit.
Ai ishte gati të shpërthente në të shara, mbase edhe me fjalët më të poshtra për fëmijët e xhaxhait. Për t’i bërë pritë lumit të fjalëve, i thsh:
– Edi, ligji i famshëm 7501. E di si e quan një miku im i mençur?
Tjetri ngriti supat dhe po priste kurreshtar atë që do t’i thosha unë. Më duket se ia kisha arritur qëllimit tim.
– Kanuni që po vret.
– ??? – Pyeti ai pa folur.
– Po vret ne , shqiptarët, madje është një vëllavrasje, që nuk arriti ta bënte as ” Lufta e Klasave ” në diktaturën e sistemit monist. Nuk do ketë asnjë mekanizëm tjetër më të përsosur se ky ligj për të futur në hasmëri, madje deri në gjakmarrje, për të pasuruar të gjitha hallkat e zinxhirit të vajisur të sistemit të Drejtësisë , me qëllimin e vetëm që të mbahet populli larg paaftësisë së këtyre qeverive për të zgjidhur hallet e tij..
Sigurisht që im kushëri tashmë kish hequr dorë nga shpërthimi i urrejtjes kundër vëllezërve të tij. Nuk foli më. Mesaduket priste të dëgjonte qëndrën e zërit të sekretares së gjykatësit, që fliste emrat dhe tregonte sallën ku do të bëhej gjyqi. Kur po ndahesha me të, njeri nga kushërinjtë e grupit tjetër paditës më foli dhe u afrua. Ngadalësova hapin jo me ndonjë dëshirë të madhe, sepse e merrja me mënd ç’do më thosh. Të them të drejtën nuk doja të përzihesha në kësi ngatërresash që kushedi ku përfundonin, po s’kisha ç’të bëja dhe i dhash dorën.
– Kushedi ç’të tha ai maskarai – nisi të shfrynte im kushëri.
– Ai është vëllai yt dhe mesa e njoh nuk është maskara – ia ktheva.
– Ata duan plumbin kokës – vijoi me një urrejtje të papërmbajtur.
E shikova ngultaz. Një çast u bëra pishmënt që ndalova dhe u mata të largohesha, po ndryshova mendim. Dikush duhet të hidhte ca ujë , në mos për të shuar tërësisht, për të ulur flakët e zjarrit të asaj urrejtje primitive, të pashpjeguar.
– Dëgjo kusho – i thash me ton të qetë – Nëse duhet vrarë dikush, ai ishte Ramiz Alia dhe e gjithë klasa politike e pas viteve “90” që parashikuan dhe ndërtuan atë ligj, pasojat e të cilit do të jenë të paevituara edhe për brezin që vjen. Urrejtja e kanunuar jeton gjatë dhe arrin deri aty, sa mund të shpërbëjë psikologjinë e një kombi, pra shpërbën një komb. Ramiz Alia dhe klasa politike e sotme, krijesa mostër e tij, po përfundojnë atë që armiqtë e kombit shqiptar nuk arritën ta bënin për shekuj e shekuj.
– Ti po shkon larg – më ndërpreu im kushëri – Unë të them : ja ujku, ti më tregon gjurmën.
Vura buzën në gaz. U mundova të ruaja qetësinë. Unë që isha jashtë kundërshtive të tyre, natyrisht që duhet të kisha durim.
– Më dëgjo – i thash- Unë ju kam të dy palët njëlloj dhe nuk mbaj anën e askujt në këtë çështje. Duhet të keni të qartë, që fajtor nuk janë fëmijët e xhaxhait tuaj. Ata nuk e rrëmbyen tokën e gjyshit. Ua dha shteti me atë ligjin e famshëm 7501.. Ai ligj është ujku, sepse është ligj qëllimkeq, që po fut në hasmëri familjet shqiptare.
Heshta një hop dhe hodha sytë nga kushërinjtë e mi që vijonin të shihnin njeritjetrin me urrejtjen që heshtëte, ashtu si tulatet deti përpara stuhisë. Sërish u ktheva në bisedën tonë:
– Ai ligj thotë shprehimisht : ” I JEPET KOMPENSIM FIZIK, PRA TOKË, ATYRE FËMIJËVE QË KANË JETUAR ME PRONARIN NË VITIN 1946, VIT NË TË CILIN ËSHTË SHTETËZUAR TOKA PËR KRIJIMIN E FERMAVE BUJQËSORE” E qartë, babai juaj ka qenë i ndarë në Gjëndjen civile që në vitin 1939. E kupton që nuk janë fajtorë fëmijët e xhaxhait tënd? Po të më kishit pyetur, nuk do t’u kisha lënë të hapnit gjyq kundër vëllezërve tuaj.
Tjetri po më dëgjonte në mëdyshje.
– Hapni gjyq kundër Qeverisë dhe Parlamentit – shtova pastaj – Po, mesa di unë këto kundërshti kanë shkuar deri në Gjykatën Ndërkoombëtare, ata vetëm i kanë sugjeruar disa herë Shtetit dhe Qeverive shqiptare që ta ndryshojnë ligjin. Dhe e di përfundimin?
Im kushëri po priste i vëmendshëm.
– Asnjë nga Qeveritë tona që hiqen demokratike nuk kanë pranuar as ta ndryshojnë, as ta përmirësojnë atë ligj. Unë jam mësuar ta shqipëroj fjalën ” ligj”, e quaj ” kanun”
Tjetri nënqeshi pakëz, si del vetëm një çast dielli përmes boshllëkut të dy reve që dynden në qiell e pastaj fshihet përsëri.
– Si ” Kanuni i Lekë Dukagjinit?”- pyeti.
Unë pohova me kokë.
– E di sa familje janë armiqësuar brenda tyre si pasojë e këtij kanuni? Dhe mos harro se janë familje me prejardhje fisnike që kur s’mbahet mend. Të gjithë kombet , popujt, shtetet,i mbrojnë me mënyra të ndryshme familjet me prejardhje fisnike. Shumë nga ato i përkasin shtresës së mesme, inteligjencës, që që është ania që çon përpara zhvillimin e një kombi.
Ai u duk i menduar.
– Duhet të ishim takuar më përpara – tha – Ajo që nuk duhej bërë tashmë u bë dhe nuk kthehet mbrapsh.
I dhashë dorën dhe e këshillova ?
– Nuk është vonë, mbushu mendjen vëllezërve të tu të tërheqin padinë.
– Janë shtatë mendje, nuk është një – u përgjigj ai duke u larguar.
Pa bërë as dhjetë hapa, im kushëri, që ish kthyer nga rruga, më foli në emër.
– Je i sigurt për të gjitha ç’më the?
– më pyeti.
Ndjeva se nuk e kisha bërë punën deri në fund. Nuk e kisha zakon t’i lija gjërat përgjysmë. Mu kujtua ime më, që më kish porositur disa herë . ” Punën e nisur çoje deri në fund, ose mos e merr përsipër! ”
– Ti si mendon?
– Nuk jam shumë i sigurt. Nëse gjërat janë ashtu si thua ti, po armiqësohemi kot me vëllezërit tanë dhe kjo është diçka shumë e rëndë. Ne jemi rritur në një oborr dhe nënat nuk na dallonin nga njeri tjetri. Vjen puna dhe ja, dukemi si të huaj.
Një çast nuk dija ç’t’i thosha. Ai po lëkundej. I ngjante një balance të baraspeshuar në të dy krahët, që priste të përkulej në njerin krah. E ndjeva për detyrë ta përcaktoja unë kahun e përkuljes, që të ishte ai i vërteti.
– Kush është avokati juaj?
Ai më tha emrin. E njihja mirë. Kur isha drejtues i një gazete, më kish ardhur disa herë për çështje juridike dhe i kisha lënë hapsirë.
– Është aty ?- e pyeta sërish- Thuaji që e dua dy minuta këtu.
Im kushëri iku dhe u kthye me avokatin pas një çasti. Ai pat qenë aty dhe më kish parë. U përshëndetëm. Ai përzemërsisht, unë fare ftohtë.
– Më kërkuat?
– Po, po nuk të marr shumë kohë, se e kuptoj që të pengoj.- preva fjalën dhe po e shihja ngultaz.- Është çështje parash – vijova me ironi- Nuk dua t’ju heq nga grepi peshkun që kenmi kapur. Mesa po shoh është peshk i madh dhe do të mbushë boshllëkun e kuletës tënde.
Avokati, që e hiqte vetën si më të mirin edhe në fushën civile, edhe në atë penale dhe me këtë emër të rremë i kish ndërtuar dy vila, më hodhi një shikim të frikësuar, pastaj i hodhi sytë diku, tej.
– Nuk të kuptoj – më tha me gjysëm zëri.
Qesha .
– Nxitoj – tha pas pak – Seanca sikur ka filluar.
– E po sikur të mos paraqitesh, bëhet kijameti?
Avokati më vështroi dyshues.
– Më duket se po tallesh- guxoi dhe u mat të largohej. I zura rrugën.
– Pse e ke marrë përsipër këtë gjyq?
– Nuk po ju kuptoj – tha me zë të mekur- Ma kërkoi pala paditëse dhe unë iu përgjigja.
– Ti e di që nuk atakohet ligji i Parlamenti në Gjykatën e shkallës së Parë, as në atë të Apelit?
Nuk u përgjigj.
– Më duhet të nxitoj – përsëriti.
E kapa për krahu fort dhe e pyeta sërish, nëse atakohej ligji i Parlamentit. Ia shtrëngova krahun aq shumë, sa ai shtrembëroi fytyrën nga dhëmbja.
– Vetëm në gjykatë Kushtetuese – tha jo pa inat- Ma lësho krahun- shtoi duke ulur edhe më zërin.
Qesha, po krahun nuk ia lëshova.
– Do bërtasësh ? Akoma më mirë, do ta marrin vesh të gjithë që ti je një hajdut, një batakçi, që mashtron njerëzit që nuk i njohin ligjet dhe u zhvat paratë.
Tjetri uli sytë.
– Nuk është faji im. Ua bëra të qartë që në krye të herës këtë, po ata këmbëngulën.
Im kushëri gati sa nuk bërtiti nga zemërimi:
– Kur na i ke bërë të qartë? Pse gënjen, ore batakçi, ne nuk jemi të pagdhendur që të mos i bindeshim ligjit. Po të na i kishe thënë këtë, nuk e bënim padinë.
Mezi e mbajta kushëririn tim që të mos e qëllonte. Në të vërtetë, thellëthellë , brenda vetes e doja këtë. Mezi e kisha mbajtur edhe unë zemërimin me atë qenie aspak njerëzore, që për të rënduar kasafortën me para mund të bënte gjithçka që i lejonin rrethanat. I bëra shenjë tim kushëriri që të qetësohej dhe ai m’u bind. I afrova buzët te veshi dhe i thash :
– Urtësia fiton. Pambuku vret më shumë se plumbi.
– Do japësh dorëheqje që pa nisur seanca !- i thash me zë urdhëruse- Ndryshe do kesh pasoja të papërfytyruara.
Avokati pohoi me kokë dhe u largua.
– Ik edhe ti – i thash tim kushëriri që nuk po lëvizte. Ai u largua. Po puna duhej çuar deri në fund; tani që i kisha hyrë kësaj valleje, duhet ta hiqja si duhej. I bëra shenjë kushëririt të grupit të të paditurve. I kërkova të më sillte avokatin e tyre.I shpjegova atij shkurt si qëndronte problemi.
– Nëse avokati i palës paditëse nuk tërhiqet, ti do ta rrëzosh padinë fare thjesht – e sqarova – Do t’i thuash gjykatësit që padia është e pavlefshme. Ligji 7501 është ligj i Parlamentit dhe Gjykatat e tjera, veç asaj Kushtetuese nuk kanë të drejtë ta marrin në shqyrtim. Cilido gjykatës, nuk do të kish guxim të vepronte kundër ligjit.
Vura re që avokatit nuk i erdhi mirë, që një njeri jo i sferës juridike po i jepte mëndje. Megjithatë, nuk tha asgjë
– Kësisoj gjykimi pushohet menjëherë- i dhash fund mësimit tim dhe u ktheva krahët të dyve, pasi i bëra shenjë kushëririt tim që të largohej.
Të them të drejtën, nuk po më binin nervat, edhe pse inatin nuk duhet ta kisha me avokatin paditës. As me Kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë, të cilin shkova ta takoja menjëherë. Natyrisht, koha që kisha drejtuar gazetën më kish armiqësuar me shumë njerëz, po më kish njohur me shumë të tjerë. Njeri nga ata ishte edhe Kryetari i Gjykatës. Më priti menjëherë dhe më ftoi për një kafe. Kundërshtova me takt, duke bërë fajtor stomakun, që kish filluar të bënte naze kohët e fundit. U futa menjëherë në temë.
– Dua të di , zoti Kryetar, nëse ju vjen juve një padi ku atakohet një ligj parlamenti, ju e pranoni?
Isha i drejtpërdrejtë dhe ai u përgjigj prerë
– Natyrisht, jo. Në të vërtetë ajo padi nuk duhet të arri deri te ne, se avokatët që bëjnë paditë, e dinë këtë dhe e parandalojnë. Deri tani nuk na ka ndodhur, me sa jam në dijeni.
Njeriu i ligjit u duk i habitur..
– Fol më qartë – tha.
Dhe unë nuk ngurrova t’i bëja me dije papërgjegjësinë e avokatëve dhe gjyqtarit, apo të Kançelarisë së Gjykatës. Kryetari u ngrit i acaruar. Ishte skuqur deri në veshët dhe nisi të betohej se do të merrte masa ndëshkuese.
U përpoqa ta qetësoja.
– Më vjen keq të ta them- ndërhyra- Nuk është faji i tyre. Faji qëndron gjetiu dhe ti më kupton ku e kam fjalën. Sidoqoftë ne duhet të japim ndihmesën tonë, që mangësitë të rregullohen.
Tjetri pohoi disa herë me kokë, po nuk foli më.
– Kjo le të shërbejë si mësim për të ardhmen – u mundova me vështirësi t’i jepja të kuptonte që nuk duhet të maerrte masa për vartësit e tij, Puna duhet të rregullohej ndryshe. Dhe më duket se ia kisha arritur qëllimit.
Mesa mësova më pas u kish hequr vrejtje Kancelarit të Gjykatës dhe sekretares..
Gjyqi nuk ishte zhvilluar dhe padia ish rrëzuar si rrjedhojë e mungesës së objektit që duhej paditur.
Kushërinjtë e mi, edhe pse u qartësuan për gjithçka, sot e kësaj dite nuk flasin me njeritjetrin. Ironia dhe antikapi i pashpjegueshëm është që të dy palët më mbajnë mëri edhe mua, që u mundova me mish e me shpirt t’i pajtoja.
Eh, ligji alien 7501 që pasuroi avokatët e gjyqtarët, qeveritarët e deputetët, ndonjëherë edhe policinë, hipotekat dhe administratat lokale të privatizimit, në Bashki, Qark e Prefekturë.
Një zinxhir me mijëra hallka të vajisura me përsosmëri të habitëshme, që ka lidhur në skllavëri një popull të tërë. Kryetarët e qeverive po çirren e bërtasin për reformat në Drejtësi, për ndryshime në Hipotekat, Kadastrat e ku ta di unë se ku tjetër… Në të gjitha hallkat e atij zinxhiri. Po asnjë hallkë nuk është këputur e , si duken bathët, janë larg pashkët.. Flitet për Veting. Flitet për SPAK E PËR DREQIN ME TË BIRIN.
Veç ai Kanun i Parlamentit ishte dhe mbeti një Gijotinë që po vret. Djalli ka hyrë thellë në veshin e Mbretit dhe po e nxit në një vëllavrasje që nuk mbaron kurrë.
Vetingu, SPAK dhe çdo shpikje tjetër e ndërkombëtarëve duhet të ndërtojnë burgje në det, sepse toka nuk do të mjaftonte…Aq shumë të përlyer ka Shqipëria..
Populli ka një shprehje të urtë : ” Një budalla hodhi një gurë në pus dhe 40 të mençur nuk e nxorron dot! ”
Unë do të thosha : “Një antikombëtar hodhi një ujë të tërbuar në një pus dhe drogoi katër milionshqiptarë! ”
Ky ishte Ramiz Alia, Presidenti i parë i SHqipërisë ” pseudo pluraliste”, ai që shpiku kanunin vrasës 7501.
Fund
12 janar 2020, Pajtim Xhelo