POLITIKA, PUSHTETI DHE DILETANTIZMI

0
319

Abdulla Mehmeti

(Ambiciet për pjesëmarrje në pushtet pa kushte dhe kritere janë veprime diletante që e dëmtojnë rëndë lëvizjen politike të shqiptarëve në Maqedoni)

Përpara ambicieve për të marrë pjesë në zgjedhje, sa për të ngritur në pushtet një grusht njerëzish të papërgjegjshëm nga strukturat e veta partiake, si kuadër i pranueshëm dhe përzgjedhur gati gjithherë nga shërbimi sekret i shtetit, subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni, në radhë të parë duhet të angazhohen për ndryshime rrënjësore në pakon ligjore për zgjedhjet, për të siguruar zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.

Asnjëherë më, në të ardhmen nuk duhet të tolerojnë që përqindja reale e popullit shqiptar në këtë shtet të mos e reflektojë përmes rezultateve zgjedhore, për të mos u dhënë argumente qarqeve nacional shoviniste të palës joshqiptare, të ushqejnë iluzione të rrejshme, të propagandojnë dhe deklarojnë se shqiptarët janë pakicë në këtë shtet!

Gjithë degradimi i procesit zgjedhor, falsifikimi i procesit zgjedhor dhe rezultateve zgjedhore; si dhe pengimi i faktorit politik shqiptar ta nxjerr efektin real të fuqisë votuese të shqiptarëve në këtë shtet, realizohet nga:

1. Mungesa e regjistrimit të popullsisë, që nuk mundëson pasqyrë reale, sa në të vërtetë është numri i shqiptarëve dhe i të tjerëve në këtë shtet, për t’u bërë krahasime me rezultatet e zgjedhjeve;

2. Pjesës dërmuese të shqiptarëve me punë të përkohshme në botën e jashtme nuk u jepet mundësia për të votuar (ju përkujtojmë se në Referendumin për Autonomi politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, në janar të vitit 1992, nga kjo kategori e votuesve shqiptarë me punë të përkohshme në botën e jashtme janë siguruar mbi 70 mijë vota);

3. Afër 50 mijë qytetarë shqiptarë në vend, nuk mund ta realizojnë të drejtën e tyre qytetare të votës, sepse nuk u jepet shtetësia;

4. Në vendbanimet, sidomos qytetet ku shqiptarët janë në numër të vogël, në pjesët lindore, jugore dhe qendrore të vendit, shqiptarët as nuk mund të interesohen për realizimin e të drejtës së tyre të votës, aq më pak për subjektet politike shqiptare, për shkak të frikësimeve, kërcënimeve dhe reperkusioneve nga organet e pushtetit;

5. Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve votojnë për subjektet joshqiptare, pak nga zhgënjimi dhe më tepër për realizimin e interesave të veta personale, ekonomike, sociale dhe ekzistenciale;

6. Mos pajisja e qytetarëve shqiptarë me dokumente personale, sidomos në prag të zgjedhjeve;

7. Popullatës joshqiptare i mundësohet në të shumtën e rasteve votim i dyfishtë, edhe në vendlindjet e tyre edhe në vendbanimet e reja, në qytetet ku janë shpërngulur për jetë më të mirë, zakonisht në qytetet më të mëdha të vendit: Tetovë, Kumanovë, Manastir, Shtip, Ohër dhe sidomos në Shkup;

8. Subjektet politike joshqiptare, përherë grupohen në koalicione dhe zakonisht në radhët e veta përfshijnë një numër të madh të subjekteve politike të bashkësive më të vogla etnike, turke, rome, vllahe, serbe dhe boshnjake, të cilat u sigurojnë një përqindje të madhe votash (sipas analizave votat e fituara nga kjo kategori përfshijnë mbi 20 % të trupit të tyre votues);

9. Sistemi zgjedhor është tepër diskriminues ndaj subjekteve të vogla politike, vota e të cilave zakonisht përfundon në interes të partive, ose koalicioneve partiake, zakonisht të atyre joshqiptare, për shkak të grupimit të tyre në koalicione të zgjeruara, nga 10 deri mbi 20 subjekte politike;

10. Ndarja e trupit të përgjithshëm zgjedhor në 6 njësi, nuk e pasqyron gjendjen reale të popullsisë dhe të votuesve në këto njësi, sepse ndryshimi i numrit të votuesve mes tyre e tejkalon numrin prej 30 mijë votuesve, siç është rasti me njësinë e 6-të zgjedhore, ku shqiptarët janë shumicë e popullsisë në atë rajon dhe vendbanimet e tij;

11. Frikësimi i popullsisë shqiptare nga organet e pushtetit dhe nga strukturat kriminale në radhët e subjekteve politike të shqiptarëve, shantazhet, kërcënimet me largim nga puna, nga listat e ndihmave sociale, nga sistemi i sigurimit shëndetësor, joshja me fshehjen e aferave të ndryshme dhe falja e dënimeve me burg, për raste të rënda, duke u shfrytëzuar maksimalisht nga organet e pushtetit dhe subjektet politike gjatë proceseve zgjedhore;

12. Listat zgjedhore të fryra me votues fiktiv, shpeshherë edhe me votues nga shtetet fqinje, të cilët kryesisht votojnë për partitë në pushtet, të joshur me para dhe interesa të tjera; si dhe shumë padrejtësi e anomali të tjera, të cilat zakonisht i përcjellin të gjitha ciklet zgjedhore në Maqedoni.

Prandaj, subjektet politike të shqiptarëve, që të mos e humbin kuptimin e veprimit të tyre politik në të ardhmen, duhet sa më parë të hartojnë një Program operativ gjithëpërfshirës dhe afatgjatë, jo vetëm për realizimin e interesave madhore të shqiptarëve në këtë shtet, por edhe për evitimin e këtyre padrejtësive, të cilat çojnë në dobësimin dhe degradimin e vazhdueshëm të faktorit shqiptar në Maqedoni.

Gjithë kësaj, kur t’i shtohen edhe ambiciet e sëmura të grupeve diletante në radhët e subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, për pjesëmarrje në pushtet pa kushte dhe kritere, pa marrëveshje për koalicion në qeveri, në formë të shkruar dhe transparente për publikun, pa taktikë dhe strategji afatgjatë për interesat e shqiptarëve në këtë shtet, dëmet që i shkaktohen lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni janë të pritshme dhe të paevitueshme.

(11 janar 2017)