Ujqit e hirtë

0
715
Pajtim Xhelo

Ujqit e hirtë

Tregim

Që kur kish hedhur hapat e para viti 645 (pas erës së re) Perandori i Bizantit e pat ndier veten në siklet… Në tre qytete të Ilirisë juglindore, duke përfshirë edhe rrethinat e Skopjes, një tërmet i fuqishëm kish rrafshuar gjithçka dhe banorët, të tmerruar nga lëkundjet e mëtejshme të tokës, ngarkuan plaçkat, vunë përpara bagëtinë dhe rrugëtuan në karvane të pafundme drejt një qyteti, të cilin e kishin themeluar dikur të parët e tyre, pas një tërmeti tjetër katër shekuj më parë. E kishin quajtur me një emër të çuditshëm, që askush nuk ia gjente kuptimin, Voskop. Që atëhere qyteti qe zmadhuar e begatuar aq shumë, sa kish bërë ziliqar edhe qendrën e Bizantit, Kostandinopojën…

Me ardhjen këtyre njerëzve të kërcënuar nga fatkeqësitë natyrore, qyteti me emrin e çuditshëm u zmadhua edhe më, duke e kaluar në numër edhe Kostandinopojën. Deri atëhere në të gjithë territorin e Bizantit fliteshin vetëm dy gjuhë, ilirishtja deri në Peloponez dhe greqishtja në jug të gadishullit Ilirian, në Peloponez. Të porsaardhurit në Voskop kishin nisur ndërtimin e shtëpive prej guri. Ata ishin mjeshtra në ndërtim, kësisoj nuk e patën të vështirë të shtonin tri lagje të reja në zgjatimin jugor të Voskopit. Me kalimin e javëve ky shqetësim i Perandorit kish nisur të shpërfillej; një tjetër dyndje po e kërcënonte Perandorinë që andej nga verilindja e Detit të Zi.

Turma të pafundme të ca popujve të një race të panjohur, po afroheshin te portat e Kostandinopojës. Lajmet që vinin çdo ditë, flisnin për njerëz që merreshin vesh me një gjuhë të panjohur e të padëgjuar ndonjëherë… Banorët e mbidetit të Zi që i kishin ndeshur të parët, i kishin mbiquajtur ” ujqët e hirtë” për shkak të gëzofëve të hirtë që vishnin. Thuhej se kishin ndenjur disa kohë në brigjet e detit Kaspik e në luginat e lumenjve poshtë tij. Kishin shërbyer shumica si bujqë te vendasit,duke banuar në kasolle që i ndërtonin me mjete rrethanore. Më pas vërshimet e lumenjve i kishin detyruar të shpërnguleshin drejt jugperëndimit.

Lajmet nisën rrugëtimin bashkë me ta dhe arrinin deri në Kostandinopojë. Popujt ku kishin bujtur i kishin quajtur ” server” që do të thotë shërbëtor.. Kishin zbritur nga veriu i Azisë, për shkak të klimës së ftohtë dhe largësisë nga pjesa tjetër e botës, me klimë më të butë.
Aty nga mesi i Marsit, një përfaqësi e ” ujqëve të hirtë u gjend para portës kryesore të Kostandinopojës dhe kërkuan të takoheshin me Perandorin. Në krye të herës ai nuk pranoi t’i takonte, po më pas mori takim vetëm me tre prej tyre, që flisnin mirë edhe ilirisht, edhe latinisht.

– Cila është kërkesa juaj? – i pyeti shpërfillës Perandori.
Më i vjetri në moshë u përgjigj :
– Kërkesa e tyre është që t’i lejoni të banojnë në zonat e papopulluara.
Perandorit i bëri përshtypje që i huaji tha ” Ata”, jo ” Ne”. Tjetri, si ta kuptonte mëdyshjen e Perandorit, sqaroi:

– Madhëria Juaj, ne jemi nga fisi i Albanëve të Kaspikut. Ata na morën si shoqërues, nga që nuk njihnin gjuhën. Na dhanë fjalën që, pasi të flasim me Ju, do na lenë të kthehemi.
Perandori urdhëroi të sillnin njerin nga “ujqit e hirtë” Sa hyri ai, Perandori urdhëroi njerin nga tre albanët:
– I thuaj që në Perandorinë time nuk ka vend për popuj të huaj. Duhet të largohen urgjentisht nga territoret tona, ndryshe…- Ai bëri me pëllëmbën e dorës shenjën e shpatës – Mbani mend, kufijtë tanë mbarojnë në limin Shkumbin.

Albani i Kaspikut ia përkëtheu ujkut të hirtë. Ata të katër u bënë gati të largoheshin.
– Ju të tre jo, i ndaloi ata Perandori – Ju kthehuni në vendin tuaj.
Ujku i hirtë u kthye te populli i tij shëtitës, kurse albani nisi udhëtimin drejt Kaspikut.
Ndërkohë, Perandori urdhëroi një speire luftëtarësh të zgjedhur që të shoqëronin ” ujqit e hirtë” në largimin e tyre.

* * *

Dikur, pas një udhëtimi rraskapitës, ndërsa po i afroheshin portave të Voskopit, karvanet e mysafirëve të paftuar u ndodhën të rrethuar nga një njësi kalorie e Garnizonit të qytetit dhe nga luftëtarët e speires që i kish ndjekur në largimin e tyre. Tashmë gjuhën e tyre nuk e kuptonte askush dhe ata vet nuk e dinin gjuhën e vendasve ilirë. Komandanti i Garnizonit të Voskopit i përshëndeti me mirësjellje dhe u mundua me shenja t’u linte të kuptonin se aty nuk ishin të mirëpritur dhe se tokat e lira ndodheshin shumë larg, kështuqë do t’u duhej të ecnin edhe shumë kohë akoma. ndërsa komandanti i speires që kish dërguar Perandori, u soll ashpër. Ai u përmendi emrin e lumit Shkumbin, të cilin ua kishin thënë albanët e Kaspikut.

– Përtej Shkumbinit – u mundua të shpjegohej, duke sh oqëruar fjalët me lëvizje të duarve. U bëri shenjë me dorë dhe priti që karvanet të rinisnin rrugëtimin. Deri matanë liqeneve të Ohrit e të Prespës i shoqëruan kalorët e speires së Kostandinopojës, të cilët u kthyen, pasi u siguruan që populli endacak vijoi të hynte në hapsirat e Perandorisë Romake.

Sa më në veri ngjiteshin karvanet endacake, aq më shumë vështirësohej rrugëtimi. Dimri akoma nuk kish ikur si duhet, edhe pse bora kish nisur të shkrinte dhe lumenjtë bëheshin të pakalueshëm. I shoqëroi dhe një sëmundje, që u shkaktonte temperaturë dhe ethe, që i detyroi të ndalonin disa herë, sepse nuk mund t’i braktisnin gratë dhe fëmijët. Ata që vdisnin i varrosnin sipas një riti të panjohur për vendasit që shpesh i përcillnin me sy. Kësisoj kur arritën në një qytet të Dardanisë jugore, banorët u treguan bujarë dhe zemërmirë me ata endacakë të mjerë, që ishin katandisur keq.

Kryetari i Këshillit të qytetit, mblodhi popullin dhe i porositë t’i ndihmonin me çtë mundeshi. Si u furnizuan me ushqime të thata dhe me rroba, karvanet vijuan rrugëtimin, që të krijonte përshtypjen sikur nuk do të mbaronte kurrë.

Ecën ata, duke ndjekur hijen e të parit në rresht, ngadalë, pa folur dhe pa asnjë mendim në trurin e lodhur , me shpresën e harruar në portat e atij qyteti të ëndëruar, Kostandinopojës. Natën e gdhinin rreth zjarreve, ditën përsëri në udhë. Ditët i ngjanin njera tjetrës, vendet ku kalonin u dukeshin të gjitha njëlloj Ai që udhëhiqte këtë popull endacak quhej Nadan Popiç. Ishte një burrë mesatar me flokë dhe tipare të zeza, fytyrëgjerë, menjë buzëqeshje të kontrolluar, që e nxirrte në pah shumë rrallë. Së bashku me dy të tjerë, që duhet të ishin mëkëmbësit e tij, kalëronte disa metra para karvaneve. Vetëm lodhje nuk shihej në tiparet e tij. I shkathët, energjik, zbriste heraherës nga kali, duke u thënë dy të tjerëve:
– Shpirt kanë edhe kuajt, duhet t’i lehtësojmë nga pak.

Njeri e pasonte, tjetri, që kish një emër që mezi shqiptohej, Ztisha Melliç, bënte sikur nuk dëgjonte çfarë thuhej dhe nuk i zbriti kalit asnjëherë. Në të vërtetë kur kishin kaluar liqenin e Prespës, një banor vendas i kish falur një pelë të re, kështuqë ai mendonte se kafsha nuk lodhej. Dikur Nadan Popiçi që i kish zbritur kalit, i tha ashpër :
– Bëj atë që bëjmë edhe ne. merre për dore atë pelë.

Ztisha Melliç u bind, po po rrinte turivarur.. Pa pak, për të hequr dyshimin te dy të tjerët, tha :
– Epo unë jam mësuar gjithmonë majë kalit, sepse jam gjuetar. – shikoi si kishin reaguar shokët dhe shtoi – Kur isha djalosh, nëna më thosh me shaka: “Po të të linin, edhe gjumin do ta bëje mbi kalë!”

Nadan Popiçi vuri buzën në gaz, po kjo zgjati vetëm një çast. Fytyra iu vrejt sërish. Ai tregoi me dorë andej, kah lindja qiellin që po errëtohej, ku lëviznin pa rregull disa re gri.
– Po afrohet stuhia – Pëshpëriti. Nuk u kuptua në foli për vete apo për ata dy të tjerët.
– E keqja është se vendin nuk e njohim – shtoi i treti, që deri tani nuk e kish hapur fare gojën.
– Kjo s’ka rëndësi Pjetër Valiç. Stuhitë janë kudo njëlloj.
Pra shoqëruesi i dytë i Nadan Popiçit quhej Pjetër Valiç.

Nga zhurmët që sillte era e lindjes, diku pranë duhet të rridhte një lumë dhe kjo i trembi. Po të dilte lumi nga shtrati rretheqark gjithçka do të përmbytej. Nadan Popiçi i ndaloi karvanet dhe u devijoi rrugën. Tani po ngjiteshin në kodër, për t’u mbrojtur nga vërshimi i lumit., të cilit nuk i shpëtuan dot, gjithësesi. Shirat kishin rënë me rrëmbim në zonën nga inte lumi dhe përmbytja nisi pa pritur të ndleshin retë e , kësisoj, të niste edhe shiu. Karvani i fundit nuk arriti të ngjiste kodrën; ujët morën përpara me fuqinë e tyre të pandalëshme ata njerëz të mjerë, që nuk arritën të bashkoheshin me të tjerët. Gjithçka kish ndodhur si në ëndrrat e frikëshme, që të prisnin gjumin e të linin një shije të hidhur gjithë ditën që pasonte. Askush nuk e pa më dritën e diellit : as njerëzit, as kuajt.

Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë. Pas dy ditëve, kur ujët ishte tërhequr, endacakëve u duhej të niseshin në rrugëtim përsëri.

Veçse pa Pjetër Valiçin, që ish përpjekur t’i vinte në ndihmë karvanit që e zuri vërshimi, po e kishin rrëmbyer ujët së bashku me të tjerët.. Kur e mori vesh fundin tragjik të tij, Nadan Popiçi tha me dëshpërim :
– E kisha krahun tim të djathtë. Zor se ma zëvendëson tjetër njeri.
Dy ditët që pasuan ai nuk foli me askënd. Pjetër Valiç kish qenë krahu i tij i djathtë. Tani nuk ishte më. Ai e kish ndier thellë humbjen. Sa për Zltisha Melliçin, nuk kish asnjë mendim të mirë, ish ambicioz dhe shpirtkeq, egoist dhe i pabindur., veçse zotëronte një energji për ta patur zili; ishte i papërtuar.

Rrugë, rrugë, rrugë. Ditët nuk po i numëronin më, derisa arritën në qytetin e Draudakut, ku i ndihmuan sërish me ushqime e veshmbathje dhe u treguan rrugën që duhej të ndiqnin për të arritur në disa zona të pabanuara, drejt verilindjes. Dardanët e Draudakut i kishin mëshiruar njerëzit e pambrojtur, që ishin katandisur keq e mos më keq.
– Njerëz të mirë – i tha Nadan Popiçi Zltisha Melliçit, pa e shikuar në sy.
– Dhe zotërojnë një fushë të begatë – shtoi tjetri – Në kushte të tjera, do i kisha zbuar, që të jetonim ne aty.

Nadan Popiçi ndaloi kalin.
– Ata po sillen miqësisht me ne – i tha – Na ndihmuan dhe po na lejojmë që të vendosemi në tokat e tyre të lira. Mund edhe mos ta bënin këtë. E mira shpërblehet me të mirë. As mos të të shojë nëpërmend që të jesh mosmirënjohës ndaj tyre, kur të tjerët na përzunë si bagëti, apo harrove ç’kemi hequr për të arritur më në fund në bregun e shpëtimit?
Tjetri u zgërdhi shëmtuar.

– Ti, miku im , je më i mirë se ç’duhet. Mendon më tepër për të tjerët, se për veten tënde.
– Mirësia shpërblehet me mirësi – ia priti Nadan Popiçi- Sa të jem unë në krye të këtij populli, do ju jemi mirënjohës dardanëve që na ofruan miqësinë e tyre bujare.
Zltisha Melliçi lëvizi me neveri shpërfillëse pëllëmbën e dorës së djathtë.
– Harrove si na quajtën? ” ujqit e hirtë” Kjo është fyese për racën tonë. Ne nuk duhet t’i lejojmë të na venë nofka të tilla.

Nadan Popiçi u mat ta kundërshtonte, t’i thosh se nuk ishin as ilirët e tjerë dhe as dardanët që u kishin vendosur këtë nofkë, po ndryshoi mendim dhe i zbriti kalit, që kish nisur të ngadalësonte hapin. Dukej sheshit, që ishte dërrmuar nga ecja në terren të vështirë. Nadani e tërhoqi për kapistre.

Kudo që shkonin gjenin vendbanime të fortifikuara e të mbrojtura, brenda të cilëve gëlonte një jetë e bekuar dhe … shtyheshin më tej me shpirt në dhëmbë. Njerëzit , njeri pas tjetrit, rreshtuar në karvane ngjanin më tepër me shoqërues vdekëtarë, ashtu, kryeulur dhe të heshtur, po shpresën nuk e humbisnin. Dëshira për jetën ishte më e fuqishme edhe se vuajtjet, ndonjëherë edhe se skllavëria. Të paktën ata njerëz mendonin lirinë, që nuk ua kish rrëmbyer askush.

Më në fund, kur dukej i përhumbur e i përgjumur edhe shpirti, edhe mendimi, pranë një vendbanimi të vogël, takuan një grua me dy fëmijë, një vajzë sykaltër dhe një djalë syzi, si e ëma. Gruaja kish prerë kashtë , e kish lidhur në duaj të mëdhenj dhe po e ngarkonte mbi shpinën e një pele trupmadhe, që mezi e arrinte. Sa i vuri re, ajo u tha diçka fëmijëve dhe u afrua te një nga gratë e kolonës së parë, që mbante në krahë një fëmijë rreth tre vjeç. Në kalin që tërhiqte për kapistre, në një kosh të bërë me thupra të holla e që ruanin akoma ngjyrën e gjelbër, kish një fëmijë që dukej kish lindur pak ditë më parë.

– Sa i bukur ! – tha vendësja në gjuhën e saj. E huaja e kuptoi nga mënyra si e përkëdheli vajzën e vogël flokëverdhë. Dardania e puthi në ballë, pastaj u kthye nga fëmija tjetër te koshi dhe i tha përsëri :
– Keni lindur tani?
Tjetra nuk kuptoi, po ia ktheu me një buzëqeshje të zbehtë e të mundimëshme, sa dardania e kuptoi. U afrua edhe Nadan Popiçi. Me shenja ai i dha të kuptojë vendases, që ajo ishte bashkëshortja e tij dhe vocërrakët fëmijët e tyre, se ata po vinin nga shumë larg.

Vendasja u duk qartë që shprehu keqardhje.
– Nuk duhet të udhëtojë në këto kushte. Ky këtu – ajo tregoi me dorë fëmijën në kosh që rrinte i qetë – Duhet të jetë brenda, në një shtëpi të ngrohtë, me zjarr. Edhe nëna – ajo tregoi përsëri lehonën – ka nevojë për përkujdesje. Këta të tre do vinë me mua në shtëpinë time. Kur të ngrohet moti, ejani i merrni përsëri.

U desh ca kohë që Nadani dhe e shoqja të kuptonin ç’po u thosh ajo dardane, e cila ishte e vendosur të mos e linte të huajën të humbiste veten dhe fëmijët.
– Prisni këtu sa të kthehem unë, nuk vonohem.

Nadani e kuptoi dhe e falënderoi me dorën në zemër. Me të vërtetë dardania erdhi shumë shpejt së bashku me një grua të moshuar dhe një burrë të ri, që duhet të ishte i shoqi. Nadani mbeti pa fjalë. E habiti edhe mënyra burrërore e përshëndetjes së dardanit Ai pështeti pëllëmbën e dorës së djathtë mbi supin e tij dhe shqiptoi një fjalë të gjatë e ca të ngatërrua. Sidoqoftë, Nadani e përsëriti disa herë atë fjalë kur ishte ndarë me ta, duke i lënë në besë familjen e vet. Në fillim e pati të vështirë ta artikulonte: “Tu… ngat…jeta”, po pastaj e tha rrjedhshëm “tungjatjeta” dhe pa i ditur as kuptimin, megjithëse e mori me mend që ishte përshëndetje, i pëlqeu shumë dhe ia tha disa herë Zltisha Melliçit, i cili shtrembëronte turinjtë me neveri sa herë që e dëgjonte të shqiptuar këtë fjalë. Nadani bëri sikur nuk e vuri re këtë.

Sërish në rrugëtim. Lumin Ibër e kishin kaluar qëkur dhe mesadukej, hapësirat tejane ishin të pabanuara; asnjë venbanim nuk të kapte syri kërrkund. Dikur Zltisha Melliçi i tha Nadanit:
– Si ia besove familjen tënde një të panjohuri? Po sikur…

Tjetri nuk e la ta mbaronte mendimin:
– Nëqoftëse nuk e ke kuptuar akoma që ky popull është mikpritës, burrëror e besnik, ky nuk është faji im. Këta njerëz janë bekim i Perëndive. Madje ata besojnë në një Zot të vetëm, njëlloj si albanët e Kaspikut dhe i falen profetit të tyre, Jezu Krishtit, të cilin e quajnë birin e Zotit dhe të virgjëreshës Mari. Ky besim quhet ndër ta Krishtërim.
Zltisha Melliçi mblodhi buzët me kundërshti.

– Në anët tona besohej në shumë Zota, si ka mundësi që këta i kanë harruar Zotat e tjerë?
Nadani qeshi me çiltërsi.
– Këta të krishterët ne na quajnë paganë.
Tjetri ngadalësoi hapin e kalit.
– Po ti nga i di të gjitha këto?
– M’i treguan ata tre albanët që na shoqëruan në Kostandinopojë.
– Po ne tani do të marrim besimin e tyre?
Nadani qeshi përsëri.
– Jo vetëm besimin, po edhe shumë cilësi të mrekullueshme të ilirëve dardanë.

Nuk foli më asnjeri prej tyre. Po binte muzgu dhe horizonti kish nisur të afrohej e të ngushtohej sakaq. Rrafshi që ditën dukej i pafund, tani u fsheh mes pesë kodrave jo shumë të larta. Ata vendosën ta kalonin natën aty. Në mëngjes do të shihnin , nëse mund të ishte i përshtatshëm ky vend për të ngritur jetën e tyre aty.

* * *

Pa gdhirë akoma Nadan Popiçi dhe Zltisha Melliçi u hipën kuajve dhe u nisën të vrojtonin atë vend gjysmëmoçalishtë rrethuar me kodra të veshura me pyje të dendur pishash e shkurresh të larta. Matanë kodrës së fundit vijonte një terren shkëmbor e më tej akoma, një gurore e pashfrytëzuar.

Nadan Popiçi u duk i kënaqur. I zbriti kalit, hoqi kokoren nga koka dhe shkoi gishtat në flokët e dendur ngjyrë gështenjë. Dielli kish nisur të ngrohte, rrezet e tij në atmosferën e pastruar nga rreshjet ndriçonin verbuese. Nga toka ngrihej fjollafjolla një avull i hollë, i tejdukshëm, që niste rrugëtimin andej nga kodrat e mbuluara me një gjelbërim që të qetësonte e të ngarkonte me një energji dhe dëshirë flakëruese për ta parë botën me një tjetër sy, pas atyre muajve të vështirë e të mundimshëm, të cilët, jo vetëm u kishin lënë një shije tejet të hidhur, po u kishin rrëmbyer edhe qindra jetë njerëzish, varret e të cilëve nuk kishin për t’i gjetur kurrë.

– Një mrekulli e vërtetë- tha Nadani- Zotat na i shpërblyen mundimet dhe vuajtjet…
Zltisha Melliç e ndërpreu, jo pa ironi :
-Zoti doje të thoshe. Tani na duhet të marrim zakonet ilire të dardanëve.
– Ja ku i kemi të gjitha ç’na duhet për të ndërtuar shtëpitë – vijoi mendimin Nadani, pa ia vënë veshin ironisë së tjetrit- Gurin, drurin dhe ujin- Ai tregoi me dorë tejane gurores, ku dallohej qartë një përrua gurgullues me ujë të bollshëm. Tani të kthehemi dhe të nisim nga puna për jetën e re.

Melliçi nuk po i hipte kalit. Ishte kthyer me fytyrë andej nga Draudaku dhe kur tjetri u bë gati ta pyeste pse nuk i hipte kalit, i tha :
– Pse të mundohemi kur i gjejmë gati, të ndërtuara nga këta dardanët?
Popiçi u shqetësua. E kish me gjithë mend atë që tha ky, Melliçi?
– Fol më qartë – i tha.
Si e pa që tjetri do ta kundërshtonte prerë atë mendim, Zltisha e ktheu në shaka…
– Jam plotësisht dakord me ty – i tha.

Popiçi nuk e kapërdiu lojën e tij. Gjithë kohën e kthimit po mendonte se do ta kish të vështirë të dakortësohej me këtë njeri, që ishte i prirur kah paudhësitë. Melliçit i punonte mendja ndryshe nga gjithë të tjerët; notonte në një oqean të turbullt e të helmuar ligësie. Kur arritën te kampi nuk pati kohë të merrej me të. Mblodhi njerëzit që udhëhiqnin karvanet dhe u ndau detyrat për të nisur nga puna sa më parë që të ishte e mundur.

– Tre karvanet e para do të sistemohen te kodra e fundit, tre të dytët te kodra tjetër dhe tre të tjerët rrëzë kodrës ku jemi tani. Secili do të masi tokën në mënyrë të barabartë, nga tridhjetë këmbë gjatësi dhe njëzetë këmbë gjerësi. Kjo të kontrollohet rreptësisht. Gurin, ujin dhe drurët do t’i sillni me kafshët tuaja. Duhet të mos lejoni grindje dhe rrëmujë. Ju do të jeni në mbikqyrje derisa të ngrihen muret. Shtëpitë tuaja do t’i ndërtojnë të tjerët . Atje ku mbaron kava e gurit do të ndërtoni edhe kaminat e gëlqeres. I rregulloni vet këto punë. Hajde na vaftë mbaraë! – mpërfundoi ai dhe u bëri shenjë të largoheshin.

Jo më shumë se gjysëm ore më pas ata njerëz që deri dje zvarritnin këmbët durim e shpresëhumbur, nisën të lëviznin me një gjallëri të habitëshme. Ku e gjetën këtë vrull? Në thellësi të shpirtit, apo kishin zgjuar nënvetëdijen nga përtesa e gjatë e mendimit të lodhur? Popiçi i vëzhgonte me imtësi ata njerëz të rilindur në lëvizjet e tyre, që u ngjanin milingonave të vogla që kryenin punë të mëdha… Ndërkohë Zltisha Melliçi ishte hequr mënjanë me shpinë të kthyr nga gjithë ajo gjallëri e bujëshme. Ç’po bluante në rradaken e tij djallëzore? Popiçi e vuri re, po nuk pati nge të merrej me të. I kish dalë nga mendja të ngrinte një skuadër gjahtarësh. Në gjithë atë pyll, duhet të kish patjetër gjah me bollëk dhe derisa njerëzit të rehatoheshin në shtëpitë e tyre, ishte detyra e tij të kujdesej për ushqimin e përditshëm.

Punët po shkonin mirë, me përjashtim të dy karvaneve që ishin detyruar të ndërpritnin hapjen e themeleve, sepse nuk po largonin dot ujin nga terreni moçalor. Nadan Popiëi kontrolloi terrenin atje ku mbaronte moçali dhe i shpërnguli njerëzit e atyre karvaneve atje. Ishte ca larg, po në fund të fundit, le ngrinin një qytet tjetër. I njëjti problem i doli më vonë edhe me njerëzit e karvanit të nëntë. I shpërnguli pas kodrave. Pra do të ngriheshin tre qytete, i fundit në brigjet e një lumi, të cilit nuk i dinin as emrin.

” Ç’rëndësi ka?- mendoi – Do t’i vemë një emër tonin, ashtu si edhe qyteteve që po ndërtojmë. Gjithçka këtu do të ketë emër të ri, për të kujtuar vendet nga erdhëm. Mbase Zltisha nuk do jetë dakord, po nuk do mund të na prishi punë me ato synymet e tij të prapta; është një njeri i vetëm dhe të tjerët nuk do ta përkrahin. ”
Sërish Melliçi i doli përpara si ajo reja në horizontin e një dite të qartë. Ngrysi lehtë ballin po nga ky siklet e nxorri komandanti i karvanit të katërt.

– Ne përfunduam – tha ai me zërin që i dridhej nga gëzimi- Për pesë apo gjashtë ditë, derisa të thahen tjegullat, do vendosim edhe trarët mbajtës. Pastaj na mbetet vetëm mbulimi i shtëpive.
– Po të tjerët?- u ngut të mësonte më shumë ai.
– Nesër ose pasnesër duhet të përfundojnë edhe ata.
Popiçi e falderoi. Kur u mat të largohej, u përball me Melliçin. Ia tha lajmin e mirë edhe atij, që nuk foli , por tundi lehtë kokën. Si bënë disa hapa në krah të njeritjetrit, ai e zgjidhi gjuhën :
– Është koha të shkosh të marrësh familjen – i tha serioz.
Popiçi e shikoi në mëdyshje. Ç’kish bërë vaki që tjetri po interesohej për familjen e tij? e thosh me shpirt, apo shtirej? Nuk e vrau mendjen gjatë për këtë, kështuqë i ktheu përgjigje :
– Pa disa ditësh, kur të përfundojnë çatitë…

Tjetri nuk foli më.
Në të vërtetë Nadan Popiçin e kish pikur malli për fëmijët dhe për gruan, kësisoj nuk priti që të përfundinin shtëpitë. Porositi Zltishin që të kujdesej për gjithçka dhe u nis. Vetëm, edhe pse komandanti i karvanit të pestë, që ishte vëllai i gruas së tij i tha që ta shoqëronte.
– Janë vende të panjohura dhe nuk i dihet – e këshilloi ai – Mirë është të mos jesh vetëm.
– Pse, gjatë gjithë rrugës na u kanos ndonjë rrezik? – e kundërshtoi ai të kunatin – Vendet janë të panjohura, po do t’i njohim në ditët që vinë, sepse do kërkojmë fqinjësi të mirë me ta. Dardanët, si të gjithë ilirët janë njerëz të besës dhe bujarë, ngado që kaluam na dhanë ndihmën pa u kursyer.
Të nesërmen u nis.

* * *

Kishin kaluar shtatë ditë që kur Ppopiçi ishte nisur për të marrë familjen e tij. Mbulimi i shtëpive thuajse kish mbaruar në të tre qytetet. Tani njerëzit po merreshin me rregullimin e oborreve, me gardhimin e tyre dhe me gjëra të vogla që duheshin bërë më nge. Ditët ishin ngrohur disi, po mbrëmjet dhe netët ishin akoma të ftohta. Nën kontrollin e rreptë të komandantëve, ata prisnin dru në pyll. Zltisha Melliç merrej vetëm me ndërtimin e shtëpisë së tij, larguar pak nga të tjerat, thuajse rrëzë kodrës së tretë. Kuptohet, vet nuk punonte, vetëm mbikqyrte dhe jepte urdhëra. Një ditë kunati i Nadan Popiçit e pyeti se kur do të nisnin ndërtimin e shtëpisë së Komandantit.

– Ata sikur kanë ardhur dhe do ishte mirë ta gjenin shtëpinë të përfunduar – i tha.
– Le të rrinë në shtëpinë tënde përkohësisht – ia priti Melliçi me shpërfillje.

Tjetri u largua i pakënaqur nga përgjigja e tij e pakuptimtë. Kish vënë re një farë ftohtësie mes kunatit dhe këtij njeriu që nuk e kish pëlqyer asnjëherë. Kunatin e vlerësonte, ishte i thjeshtë dhe i afruar me të gjithë. Në të vërtetë kish që mbrëmjen e djeshme që po shqetësohej. Ai duhet të ishte kthyer tashmë, veç në i kish ndodhur ndonjë e papritu rrugës, ose në atë qytetin ku kish lënë familjen. Ky mendim nuk po e linte t’i zinin këmbët dhe.. Ai vet nuk kish fëmijë, kështuqë e motra, nipërit dhe Popiçi ishin e gjithë jeta e tij…Kuptohet, edhe gruaja. Zemra nuk e linte të ndillte të keqen, po mendja nuk po rreshtëte ta nxiste, që të nisej sa më parë, për ta kërkuar.

Dhe ai iu bind mendimit, i cili nuk e kish gabuar. Pas disa orëve kalërimi, kur po i afrohej bregut të lumit, diku vuri re një kalë të kuqërremtë. E njohu menjëherë, ishte kali i të kunatit. Edhe kali, sa e pa, i doli përpara, u ngrit në këmbët e pasme dhe nisi të hingëllinte thekshëm, aq sa të këpuste shpirtin. Disa këmbë më tej ishte trupi pa jetë i Popiçit. Kuptohej që e kishin vrarë që kur ishte nisur, nuk kish mundur të shkonte në atë qytetin dardan, ku e priste gruaja me fëmijët. Burri nuk pati kohë të përlotej, edhe pse zemra iu drodh e u ligështua. Cila dorë e pabesë ishte ngritur kundër atij njeriu të mirë?

Ai po lëkundej në mëdyshje : ta varroste këtu dhe të shkonte të merrte motrën dhe nipërit? Apo të kthehej që ta nderonte ashtu si e meritonte njeriun që i kish sjellë në jetën e re, mes këtyre popujve të mirë? Po kali nuk e la të mendohej gjatë; iu afrua dhe nisi të fërkonte kokën në krahun e njeriut. Pastaj u qas te trupi pa jetë i të zot, sikur t’i thosh që ta çonte atë në vendbanimin e tij të ri. Ashtu bëri. U kthye ndaj të ngrysur dhe njerëzit që e morën vesh lajmin e hidhur, i dolën përpara aty, ku më vonë do bëhej sheshi i qytetit. Aty dhe e varrosën , mes lotëve të nxehtë të dhëmbjes. Në çastet e fundit u afrua Zltisha Melliçi. Sa u bë gati të thosh diçka, kali i mbetur pa të zotin i doli përpara dhe nisi të qëllonte me këmbët e përparme tokën para tij.

Melliçi u tmerrua dhe u zbraps, po kali i egërsuar iu turr sërish. Të tjerët klithën nga habia, kurse kunati i të vrarit që kish kuptua gjithçka, u mundua të tërhiqte kalin e gjorë, që mund të kish fatin e të zot, po kali nuk po i bindej. Tre katër burra, që nuk po merrnin vesh ç’po ndodhte, mezi arritën ta shmangnin kalin dhe kur po bëheshin gati që ta largonin, Zltisha Melliçi i nduli disa herë shpatën në krahëror. Kafsha e gjorë rënkoi për ca kohë . Një çast para vdekjes ai ngriti paksa kokën, i hodhi një shikim të trishtë kunatit të të zot,, sikur të donte t’i thosh diçka, pastaj lëshoi me shkumë frymën e fundit, aty, pranë varrit të Nadan Popiçit.

Një çast më vonë ndodhi ajo që nuk pritej. Kunati i Popiçit nxori shpatn nga mylli dhe iu turr Zltishës duke thirrur:
– Vrasës, kriminel, i pabesë! Hoqe qafe njeriun që na solli në mes të qytetërimit me mençurinë dhe largpamjen e tij!

Të tjerët nuk po merrnin vesh ç’po ndodhte dhe u përpoqën të mbronin Melliçin. Disa mbajtën për krahësh atë që u turr ta vriste . U bë rrëmujë Ky i fundit, edhe pse tashmë i çarmatosur bërtiste e përpiqej të çlirohej nga duart e atyre që e kishin mbërthyer si ganxha zinxhirësh hekuri. Dikur e lanë fuqitë, si ndodh rëndom pas një inati të dështuar. Vari krahët dhe në çastin që po mendonte si të vepronte më tej, ndjeu tehun e mprehtë të shpatës që iu ngul në gjoks, thellë tri herë njera pas tjetrës. Ra përmbys dy këmbë larg kalit të gjorë, Edhe pse errësira ish rrëzuar tërësisht mbi vendbanimet e reja të atij populli të panjohur, u hapën dy varre, dhe të nesërmen i nderuan me zakonet e tyre pagane dy burrat dhe kalin e Nadan Popiçit.. Për gruan dhe dy fëmijët që mbetën te dardanët nuk u kujtua më njeri për dhjetë vite që pasuan.

Pa dhjetë vitesh, kur Zltisha Melliç u turr për të pushtuar disa nga ato vendbanime të vogla dardane, gruaja i doli përpara dhe e pyeti në gjuhën e tij:

– Më njeh mua?
Në të dy krahët e saj rrinin dy fëmijët, tashmë të rritur.
– Hajdeni me ne në vendin tuaj – u tha ai.
Gruaja e re diçka u tha fëmijëve në gjuhën ilire, dhe fëmijët u larguan menjëherë.

– Siç e pe, fëmijët nuk e njhin gjuhën tënde dhe unë nuk u përkas më “ujqëve të hirtë” Këtu nuk kish patur ndonjëherë ujqë. Tanimë erdhe ti me racën tënde të shqyeni bagëtitë dardane, që deri dje kullotnin të lira, pa patur nevojë për bari. Atje larg nga erdhëm edhe ne ishim ashtu, po ti i mallkuar krijove një popull të ri, të etur, të pangopur, krijove racën e “ujqëve të hirtë”. Mos i bjer në qafë këtij qyteti, për hir të dy fëmijëve të racës tënde. Kjo është më e pakta për të shlyer krimin ndaj atit të tyre. Zoti mbase do ta mëshirojë shpirtin tën mëkatar.

Burri që kish tmerruar popullsinë e pambrojtur të asaj lugine të largët mbeti i shtangur. Ajo grua kish marrë zakonet dardane dhe besimin dardan. Për një çast të vetëm në jetën e tij larg shpirtit, ai ndjeu një pendesë të mjegulluar për krimin që kish bërë ndaj burrit të kësaj gruaje guximtare. Ktheu krahët pa folur dhe u nis në rrugëtimin drejt mëkateve të reja.
Në luginën e largët kishin nisur gjuetinë “Ujqit e Hirtë”

Fund

Pajtim Xhelo, 9 janar 2020