KUSH E KA SHTETIN MË TË RREGULLT E POLICINË MË KORREKTE?!

0
675
Gjoba për shpejtësi
Arben Çokaj
Arben Çokaj

Arben Çokaj

SHBA apo Shqipëria e Mali i Zi?

Në Amerikë, gjatë udhëtimit tonë prej mbi 8000 km rreth e rrotull Amerikës, e tejkaluam shpejtësinë një herë me 35 km/h në autostradën nga Miami në Naples. Morëm Express way (rrugën eksprese), për të ecur më shpejt, sipas mendjes sonë, e paguam tarifën, pasi ishte mbrëmje, ishte errësuar, dhe ne donim të shkonim të zinim një hotel në Naples sa më parë, që të mundeshim… Se siç e vumë re atje, çmimi i hotelit ishte në momentin që e kërkon dhomën, nuk kishte çmime fikse, dhe nëse je vonë në mbrëmje, çmimi edhe mund të rritej…

Na ndaloi policia gjatë rrugës, erdhi si fillim një makinë, e cila më pas u ndoq edhe nga 2 makina të tjera, pra tre makina policie pas nesh, në atë rrugë që ishte e mirë, se ishte bërë e re, por nuk kishte banim fare. Një polic simpatik e me ngjyrë, e pa që jemi turistë nga Gjermania, “ju ecni shpejt atje“, tha, pasi kontrolloi për ne në sistemin e policisë dhe u kthye, dhe na fali, me porosinë: “ecni me kujdes! – shikoni ku i keni këtu miljet dhe kilometrat, dhe keni edhe tabelat në anë të rrugës, që tregojnë kufizimin e shpejtësisë“…

Ne u arsyetuam, se morëm Express way e menduam se mundet me qenë më e shpejtë… Por nuk ishte ashtu. Në Amerikë, autostradat kishte raste që nuk ishin edhe aq të mira, se ishin shembur me kalimin e kohës, por shpejtësia ishte nga 60 milje në orë deri në 75-80-të, nuk pamë të lejohet shpejtësi mëe madhe. Edhe pse kjo të pengonte të shkoje shpejt diku, prapë se prapë, ne na u duk e arsyeshme kjo gjë, se shmangte shumë aksidentet që vijnë prej shpejtësisë… Dhe ne, në një rrugë të mirë, ku ecej me 70 milje në orë, kishim ecur 92 milje në orë, e prapë, polici amerikan u tregua njerëzor, se do të na e kishte prishur udhëtimin atje, nëse do të tregohej si policët shqiptarë e malazezë…

Nëse polici amerikan, do të na vinte gjobë, me idenë e policave shqiptarë e malazezë, “ah të kapa“, “më re në sqep“, normalisht se do të kushtonte gjoba mbi 250 dollarë, dhe Dashit mund t’i mbahej edhe patenta nga gjykata… Ec e merru me gjykatën pastaj, do bllokoheshim komplet e do të kishim shpenzime ekstra… Dhe ne do e mbanim mend, vetëm këtë ndodhi të pakëndshme… Disa miq tanët në Amerikë, u habitën, sa mirë polici na kishte toleruar… Paskemi edhe ne polica të mirë – tha nj¨shok, polic në New York. Kurse Marjani që banonte edhe ai në NY, fillioi të bënte humor, kur unë e publikova ngjarjen në FB: “Ju po u shoqëron policia me sirena…” – tha, se donte të tregonte indirekt, se ne po gënjejmë, po ia fusim kot… Kaq e pabesueshme iu duk…

Këto ditë në Shqipëri, që erdhëm për pushime, e tejkaluam shpejtësinë me 25 km/h në autostradë, aq sa tha policia, por rruga nuk kishte ndonjë tabelë, që tregon kufizim shpejtësie. Kodi Rrugor shqiptar e ka max. 110 km/h në autostradë. Por jo, policia e Lezhës e konsideron aty në atë aks rrugor, kufizimin e shpejtësisë në 100/km/h dhe na mbajti patentën. Shkuam pas disa ditësh në komision, të cilin e kryesonte një tropojan me emrin Shkëlqim Nezaj. Ai na e futi gjobë dhe na e mbajti patentën për një muaj. Nëse nuk ka tabelë, që tregon kufirin e shpejtësisë, në Gjermani ecim pa limit, kurse në Shqipëri me max. 110 km/h, i bie që ne e kaluam limitin e shpejtësisë me vetëm 15 km/h dhe vihet gjobë, e nuk mbahet patenta!

Këtë arsyetim i thashë unë komisionit, në mbrojtjen tonë, por ky tropojani kërceu përpjetë… Jo është në fillim një tabelë, që tregon 80 km/h, tha – e ajo duhet ndjekur gjatë gjithë rrugës. Po pse pra shkruan aty në radar se limiti është 100 e jo 80-të? – e pyeta unë… Po deshe ti ta lë edhe 80-të, tha ai kërcënueshëm e pa pikë burrnie… Sikur shpejtësia në rrugë ishte në dorën e tij, e nuk përcaktohej me ligj, nga kategoria e rrugës e rrethanat. Po vendosni more tabela, se shoferët orientohen më pas sipas tyre. Por e para e punës, tabelat i ka në dorë Autoriteti Rrugor, si pronar i rrugës dhe e dyta e punës, policia ka hall me gjobitë njerëz, e jo për t’i disiplinuar ata, se sa futen paratë nën dorë, ata nuk kanë më moral njer¨zor e ligjor, marrin paratë dhe të lirojnë nga dënimi, edhe nëse ke qenë shkaktar i ndonjë aksidenti…

Dashi ka udhëtuar në këto 20 vjetët e fundit me makinë mbi 1 milion kilometra, ka shkuar disa herë në hënë për nga distanca e përshkruar dhe është kthyer… :p Dhe ecën me kujdes. Unë e shoh nganjëherë, se mund të mos e kem vëmendjen te rruga, psh. në Gjermani, Dashi ulën shpejtësinë dhe e pyes: Pse e ule? Po, ja – thotë ai, 100 km/h, ose 80-të – tregon tabela. Dhe dy gjobat e para që mori për këtë punë në Shqipëri këto ditë, ishin nga policia e rregullt e Lezhës. Njëra gjobë ishte “parakalim i gabuar”, tha polici, që na pa nga larg, kur Dashi  parakaloi te vizat e ndërprera, që sa filluan, e polici bëri sikur, Dashi kaloi te vija e pandërprerë – se e pa nga larg… Dhe tjetra gjobë ishte kjo e shpejtësisë…

Ishim nisur për në Tiranë, ishte hera e 4-rt që shkojmë, sepse një kompani relativisht e madhe, që merret me shitjen e gjeneratorëve të ndryshëm, FREDI GENERATOR, na kishte shitur një gjenerator 1500 Euro, dhe ngaqë ia kishim kthyer me idenë për të marrë një tjetër, e pasi pamë se ai kishte vetëm gjeneratorë kinezë, që nuk na u duken me vlerë, ne nuk morëm gjë, por donim paratë që të na i kthenin, por ata thonin se paratë nuk kthehen. “Na re në sqep tani, blej çfarë të duash, nuk ka para!” Ec e merre vesh këtë. E ashtu të irritur nga kjo situatë absurde, po shkonim në Tiranë, në atë moment, po ecnim si makinat e tjera në autostradë, ndërsa unë po flisja me një punonjëse të Ministrisë së Brendëshme në telefon, dhe po e pyesja atë, se ku mund ta denoincoj rastin në polici, se firma nuk po i kthente paratë?! Dhe makina jonë ecte në fakt me ritmin e makinave të tjera në rrugë, aq sa ishte, 125 km/h, siç bëjnë me siguri shumica aty, në mos të gjithë. Nuk besoj se e mban kush shpejtësinë aty në 100 km/h ose 110 km/h, se as tabelë kufizimi shpejtësie nuk ka, për ta kujtuar, prandaj edhe policia e Lezhës, del me radar aty dhe e mbush koshin me gjoba, e nganjëherë edhe xhepat…

E hëngrëm edhe ne, por menduam se arsyetimi se nuk ka tabelë kufizimi shpejtësie, që mund të vlejë para një gjykate të drejtë, do të vlente edhe para komisionit të policisë në Lezhë. “Mos u zini me policët” – më këshilloi Gjeloshi, një mik i vjetër nga Puka, i cili edhe ai e vuri re se aty nuk ka tabela kufizimi të shpejtësisë. Por a mundet tropojani si kryetar i komisionit të sillej normalisht e me arsye? Jo. Ai filloi të ngrite zërin e të bërtiste, se duket që e zumë të papërgatitur në një argument ligjor. Ai si duket e ka humbur edhe fisnikërinë, e nuk i ka mbetë as sa policit me ngjyrë amerikan?! Jo, se ne e kemi shtetin më të rregullt e policinë më korrekte se Amerika… jo. Po pse nuk vënë një tabelë pra, që tregon limitin e shpejtësisë se?! (Merre me mend vetë! – Duhet se e kanë qëllimin të vjelin gjoba… E kjo e ndërlikon punën, se nuk fiton të drejtë askund…)

Edhe në Mal të Zi policia krijon shkaqe për të gjobitur kalimtarët me makinë… Një kamerier në Hotel Colosseo në Shkodër na tregoi mbrëmë, se polici në Mal të Zi i kishte thënë, je duke ecur me 70 km/h, ndërsa ky tha se po ecja me 40 km/h. Duan para se nuk kanë ku t’i marrin tjetër, e sillen si të dëshpëruar… Por ata nuk e dinë, se kështu i largojnë turistët e vizitorët, që mund të vijnë nga Europa e Perëndimi. Gjithkush do para, por paratë nuk gjenmden në rrugë… Askund. Se janë të rregullt shumë edhe këta, malësorë ilirë të dyja palët, ushtarë të Teutës, që si pirate e kohës, i dilte me anije para anijeve të tjera dhe i gjobiste kur kalonin në këto anë!