ANTON NIKË BERISHA MBETET STUDIUES KOKULUR, KËRKUES I PËRHERSHËM E I PA FRIKUAR NGA ASGJË E PANJOHUR

0
516
Minguli kop 1 - Vepra që i bëjnë nder...

Fatmir Minguli

(Fjalë paraprake  e librit “Vepra që i bëjnë nder letërisisë dhe botës sonë”. Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2019)

E kam lexuar edhe më parë veprën letrare dhe shkencore të Anton Nikë Berishës, po nga viti 2014 jam marrë më përafër me të. Të merresh me këtë krijimtari të gjerë e të disallojshme lypset të plotësohen, pos të tjerash, dy kushte të rëndësishme: njohja e thellë e disa fushave me të cilat ky autor është marrë dhe një përkushtim jo të rëndomtë për të depërtuar në shtresat dhe në vlerat kryesore të veprave të tij.

Antoni filloi të merret me krijimtari nga viti 1965 kur botoi te revista letrare “Jeta e re” (Prishtinë) poezi për të rritur, po krijimtaria e mirëfilltë filloi me një punim të tij të botuar më 1968 kushtuar porosive të fantazmave në tragjedinë e Shekspirit “Hamleti” dhe në “Istori e Skënderbeut” të Naim Frashërit[1] dhe me vështrim që i bën poezisë së Migjenit “Të lindet njeriu”[2].   

Në shkrimin tim për romanin “Ferri i lodhur” (Prishtinë 2017) pata shkruar më 2014: “Kur dëgjon për emrin e Anton Nikë Berishës mendja të shkon menjëherë te përkthimi i librit ndër më të vjetrit të shkruar “Epi i Gilgameshit”. Përkthimi i këtij libri në gjuhën shqipe është një ngjarje e madhe për krijuesit dhe studiuesit shqiptarë, kudo që ata ndodhen. Të përkthesh “Epin e Gilgameshit” në vitin 1984 në kushtet e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme duhej patjetër një guxim prej shqiptari të vërtetë. Shumë kush e kupton se sa rëndësi ka njohja me këtë ep mijëravjeçar për shqiptarët, trashëgues të epeve, ndoshta po kaq të lashta.

Anton Nikë Berisha mbetet po ai guximtar, mbetet po ai studiues kokulur, mbetet po ai kërkues i përhershëm e i pa frikuar nga asgjë e panjohur. Për këtë flasin me dhjetëra vepra të botuara, vepra të mirëfillta studimore, tekste mësimore e antologji, poezi e prozë për të rritur dhe për fëmijë e deri te lëvrimi i gjinisë së vështirë të romanit.

Kam ndjekur me vëmendje pak nga studimet plot vlera të këtij shkrimtari dhe studiuesi shumëplanesh, kam studiuar me shënime disa nga veprat e tij dhe jam plotësisht në një mendje me të kur ai thotë në emisionin “Kafja e mëngjesit” të Radio Televizionit Dukagjini se për një studiues e shkrimtar midis tre rrugëve, asaj të lehtë, asaj të mesme dhe asaj të vështirë, ai zgjodhi këtë të fundit. Albert Ajnshtajni thoshte se një problem që nuk duket i pamundur, nuk përbën qëllim shkencor[3]”.

Për rëndësinë dhe për vlerat e mëdha të veprave të Anton Nikë Berishës në disa fusha dëshmojnë më së miri këto vëllime e studime monografike që i janë kushtuar veprimtarisë së tij të pasur:

– Roman i bukurisë së pamort dhe i trishtimit të pashuar. Rreth romanit “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Zgjodhi dhe përgatiti Labinot Berisha. E botuan “Faik Konica” & “Shpresa”, Prishtinë 2006.

– Domenico Corradini H. Broussard, Narrando gli abissi. Tre romanzi di Anton Nikë Berisha. Rrëfime të thellësive. Rreth tri romaneve të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2009.

– Prend Buzhala, Kode poetike të mbijetesës shpirtërore. Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës. “Argeta – LMG”, Tiranë 2009.

Vepër e pasur dhe e qenësishme. Nëntëdhjetë e dy punime të gjashtëdhjetë e një autorëve për veprat e Anton Nikë Berishës. Zgjodhi dhe përgatiti Labinot Berisha. Botim i përbashkët: “Argeta – LMG”, “Faik Konica” dhe “Fjala Hyjnore”, Tiranë – Prishtinë 2011.

– Isak Ahmeti, Mëvetësi e studimit dhe e krijimit të letërsisë. Mbi disa vepra letrare të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2014.

– Anton Çefa, Krijimtari e nivelit të lartë shkencor e artistik. Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2015.

Vepër e pasur dhe e qenësishme. Vëllimi II. Njëqind e pesë punime të gjashtëdhjetë e tre autorëve, shqiptarë e të huaj, për veprën letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës të shkruara në periudhën shtator 2011 – dhjetor 2016. Zgjodhën dhe përgatitën Labinot Berisha dhe Mehmet Gëzhilli. “Argeta LMG” & “Faik Konica”, Tiranë – Prishtinë 2016.

– (Hamdi) Erjon Muça, Në botën e thesareve poetike. Vëzhgime për shtatë vepra të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2016.

Romanzo di estrema belleza. Ventidue scrittori e studiosi italiani e arbëreshë sul romanzo “La sete pietrificata” di Anton Nikë Berisha. A cura di Albana Alia & Labinot Berisha, “Faik Konica”, Prishtinë 2016.

Roman i bukurisë së skajshme. Njëzet e pesë shkrimtarë dhe studiues italianë dhe arbëreshë për romanin “Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha. Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2017.

– “Prushi i bukurisë – Një përmendore poetike për artin e fjalës. Njëzet e gjashtë punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për veprën Prushi i bukurisë – Përsiatje poetike për artin e fjalës të Anton Nikë Berishës. Zgjedhur dhe përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha. Shtëpia botuese Beqir Musliu. Prishtinë 2017.

– Isak Ahmeti, Vepra vlerash të mëdha poetike. Qasje disa veprave të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2018.

– (Hamdi) Erjon Muça, Libër për një libër. Studim për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar të Anton Nikë Berishës. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2019.

Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike. 52 punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Zgjodhën dhe përgatitën për botim Albana Alia & Labinot Berisha. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2019.

– Giuseppe Napolitano, Qasje veprës letrare të Anton Nikë Berishës. Approccio all’opera letteraria di Anton Nikë Berisha. Shtëpia botuese Faik Konica 20019.

Në librin tim Vepra që i bëjnë nder letërsisë dhe botës sonë, kam përfshirë punimet për disa nga veprat e tij kryesore në fushën e poezisë, të romanit, si studiues i letërsisë gojore dhe si përkthyes letrar. Nuk jam marrë me studimet e tij për letërsinë e shkruar, qoft ato të karakterit teorik si, fjala vjen, Çështje teorike të letërsisë (“Faik Konica”, Prishtinë 2005), Letërsia për fëmijë si art i fjalës (“Arbëria 07”, Tiranë 2013), qoftë studimet monografike për Buzukun, Budin, De Radën, Fishtën, Koliqin, Camajn, Mark Krasniqin, Azem Shkrelin, Dushko Vetmon, Arshi Pipën, Ibrahim Kadriun etj., ose përmbledhjen me punime për vepra e për dukuri të ndryshme letrare, që meritojnë studim me vete.

* * *

Jam i bindur se veprimtaria e Anton Nikë Berishës me çështjet që trajton dhe me vlerat që ka, do të vazhdojë të bëhet edhe më tej objekt vëzhgimesh për arsye se, siç e ka thënë në mënyrë të përmbledhur shkrimtari i shquar, Prend Buzhala, që lidhet me fushën e studimeve, po i tillë dallohet dhe në prozë dhe në poezi: “Krijimtaria diskursive e Anton Nikë Berishës përbën një model të veçantë krijues e mendor, përbën këndshikime të pasura të interpretimit të veprës letrare, përbën metoda e mjete metodologjike të nduarnduarta në përcjelljen e zhvillimit e të lërimit të letërsisë sonë. Veprat e tij studimore përbëjnë, po ashtu, kulturën gjuhësore diskursive të një ligjërimi të mëvetësishëm për letërsinë, që shquajnë, në radhë të parë, argumentin teorik, po edhe shqiptimin shkoqitës e shtresor të veprës letrare si shtjellim gjuhësor poetik. Duke ia kushtuar një varg shkrimesh teorike letrare problematikës së interpretimit si mundësi të njohjes së veprës letrare, ky autor ka arritur ta përdallojë argumentueshëm tekstin letrar nga llojet dhe tipat e teksteve të tjera ligjërimore. Interpretimi, pothuajse, na del një si kryenocion i metodologjisë kritike në veprat e Anton Nikë Berishës[4]”.

Pikërisht kjo cilësi dhe veçanti e punës krijuese dhe studimore të Anton Nikë Berishës është dëshmuar dhe një njërën nga veprat e tij më të rëndësishme kushtuar çështjeve të letërsisë gojore me të cilën gjë ai u mor gati gjysmë shekulli – “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe” (2017). Jo rastësisht këtë vepër të tij e bëra objekt vëzhgimi më të gjerë.

Durrës, nëntor 2019


[1] Shih Apologji e porosive të fantazmave. (Krahasim i porosisë së fantazmave në tragjedinë “Hamleti” të Shekspirit dhe në “Istori e Skënderbeut” të Naim Frashërit. Në “Fjala”, nr. 10, Prishtinë 1968, f. 6. Ribotuar me ndryshme në Larmi vëzhgimesh letrare. “Faik Konica”, Prishtinë 2012, f. 117 – 125.
[2] Të lindet njeriu. Në “Rilindja”, 15 shtator, Prishtinë 1968, f. 14.
[3] Shih punimin tim “Ferri i lodhur” – roman i veçantë i tipit “mendim”. Në Vepër e pasur dhe e qenësishme. Vëllimi II. Njëqind e pesë punime të gjashtëdhjetë e tre autorëve, shqiptarë e të huaj për veprën letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës të shkruara në periudhën shtator 2011 – dhjetor 2016. Zgjodhën dhe përgatitën Labinot Berisha dhe Mehmet Gëzhilli. “Argeta LMG” & “Faik Konica”, Tiranë – Prishtinë 2016, f. 329 – 333.
[4] Shih Prend Buzhala, Kode poetike të mbijetesës shpirtërore. Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës. “Argeta – LMG”, Tiranë 2009, f. 15 – 16.