“ME PAS MAJTË FËMIJA SHPI, KOLA JEM I KISH MAJTË TRI!”

1
635

IDRIZ ZEQIRAJ

Malësorja mirditore, nënë Marta, duke i parë kalamanllëqet, deri në rrugaçëri e krime, të pushtetit komunist, fort e mëllefosur, shfrynë:
Me pasë majtë fëmija shpi, Kola jem i kish majtë tri!

Sjelljet aspak të përgjegjshme të Vetëvendosjes, për krijimin e qeverisë, zvarritja inatçore, deri në provokimin e hapur, me 3 pikëshin e “famshëm” e, së fundi, u kulmua me zgjedhjen e kryekuvendarit, njëanshëm e shpërfillshëm, ndaj partnerit të biseduar për koalicion, LDK-së, na e kujtojnë urtësinë e malësorës mirditore, për sistemin satanik komunist.

Një arrogancë mujëshore, me mbjurrje enorme, e Albin Kurtit, sikur të ishte fitues absolut i zgjedhjeve, ngjallë dyshimin e bazuar, se, edhe nëse arrihet koalicioni, qeverisja, do të vihet në luhajë dhe vështirë t`i shkohet deri në fund të mandatimit. Ideologjia komuniste primare e ka krijimin e kultit të individit, sepse, në mungesë të demokracisë, nuk sundon dot pa konsoliduar, më parë, kultin e individit, i cili favorizohet nga klani që e rrethon. Dhe, kjo është e nevojshme, për t`i nënshtruar, madje, edhe linçuar të pabindurit në parti, qeverisje.

Por, kulti i individit është paradoks, anakronizëm në pluralizmin politik, në demokraci. Si i tillë është detyrë e strukturave të partisë, të anëtarësisë, ta pengojnë, ta frenojnë, deri në stopim, krijesën monstrum- kultin e individit. Pararëndës të kultit, Stalini, Enveri, me horrakët tjerë, të njohur për krime të ngeshme, tejkaluar Hitlerin, në kushte paqe, janë eksponentë të krimeve masive të popujve të tyre, pa kursyer as bashkëpunëtorët më të afërm.

Kërkesa e Presidentit, më saktë, vënia në tryezën e bisedimeve, në kuadrin e krijimit të qeverisë, ishte një gabim, që, tashmë, kalon në fajësi. Kjo po paragjykohet si një kërkesë e qëllimshme, me absurditetin e kushtueshëm, sepse dihen mirëfilli preferencat e dyzuara, brenda Kryesisë të LDK-së. Ata, që me pazaret e pista, kanë shkelur amanetin e Presidentit Rugova, duke e bërë Hashimin president, nuk është çudë t`i thellojnë marrëzitë. Atyre nuk u bëhet vonë, t`i ulin me një tavolinë persekutorët me viktimat. E bënë namin komandantët kriminelë, kur vajzat dhe djemtë e viktimave të tyre, po kandidonin për deputetë!

Në mesin e tyre edhe viktima e mbijetuar, Fetah Rudi. Përballja e parë, në sallën e Kuvendit, të viktimës me urdhërdhënësit vrastarë, u përjetua rëndë nga shqiptarët e kudondodhur. Në atë moment, çdo shqiptar me ndjenja njerëzore, është rrënqethur. Dhe, ka bërë pyetjen e ligjshme: “Deri kur do ta ndotin Parlamentin e Kosovës deputetët kriminelë?!” Në Legjislaturën e kaluar, janë evidentuar, hiç më pak se 27 deputetë kriminelë! A ka pësuar rënie kjo shifër, kur dihet se koalicioni i krimit, PAN dhe ndoca parti tjera, garuan, sërishmi, me kandidatë për deputetë rrast të inkriminuar?! Shumë pak ndryshime!

Rrjedhimisht, PAN-i i ka argatët e tij brenda LDK-së, madje, në strukturat vendimmarrëse të partisë, me të cilët kanë miqësira e biznese të hershme, që vazhdojnë t`i ruajnë me fanatizëm, por, në konspiracin. Hudhin ca tullumbace për vrasjet politike, në kohë të fushatës zgjedhore, pastaj, edhe pse në drejtim të qeverisë, i heshtin fare, duke i pasur të gjitha mundësitë ligjore për hetimin, zbulimin, ndëshkimin e kriminelëve faktik, urdhërdhënës dhe ekzekutorë të kundërshtarëve politikë.

Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje “është përzier gjithëfarë ujemi”, siç ka një shprehje Azem Shkreli ynë, në romanin “Karvani i Bardhë”. Vetëvendosje, për ta shumëzuar anëtarësinë e saj, jo vetëm se nuk ka përzgjedhur, por, edhe duke e dijtur, që disa kuadro ia dërgoi “dhuratë” PAN-i, në veçanti, PDK-ja, Kurti i futi në strukturat vendimmarrëse të VV-së! Dhe, sot, urtia popullore, “miku i mirë për ditë të vështira”, flet mjaftueshëm se PDK-ja është prezente, në dialogimin për koalicionin e shumëpritur dhe po kaq zhgënjyes për shqiptarët.

Ndarja e fuqisë pushtetare, në mes të VV-së dhe LDK-së, është mjegullnajë çoroditëse, hiç reale. Pëndryshe, mungesa e idealeve atdhedashëse, lakmia për poste e karrierë, do të ishte mallkim Perëndie, për këto dy subjekte politike, të cilat në rast të dështimit të koalicionit, do ta meritonin ndëshkimin përbuzës, në garën e ardhshme zgjedhore.

1 KOMENT

  1. VV & AL BIN = RECYCLE BIN

    23 ish PDK
    8 ish LDK
    5 ish AAK
    3 ish AKR
    13 ish FER
    7 ish ghitheçka Mimoza +

    VV eshte berrlogu i KS

    Albin Recyclbin

Komentet janë mbyllur.