Međugorje:
Mesazhi i 2 Janarit 2020,
dhënë nëpërmjet Mirijana Dragičević Soldo
«Të dashur bij! E di se jam e pranishme në jetët tuaja dhe në zemrat tuaja. E ndiej dashurinë tuaj. I ndiej lutjet tuaja dhe ia çoj Birit tim. Prandaj, bijtë e mi, dëshiroj të jem, me dashuri amënore, në jetët e të gjithë bijve të mi. Dëshiroj t’i mbledh të gjithë bijtë e mi përreth meje, nën petkun tim amënor. Për këtë ju thërras apostuj të dashurisë sime dhe ju kërkoj të më ndihmoni!
Bijtë e mi! Biri im ka shqiptuar fjalët “Ati Ynë” dhe “Ati Ynë që je i kudondodhur dhe në zemrat tona”, sepse dëshiron t’ju mësojë të luteni me fjalë dhe me ndjenja. Dëshiron që të përmirësoni vazhdimisht, që të jetoni dashurinë e mëshirshme të pakufi për të tjerët.
Bijtë e mi! Jepni Birit tim dashurinë për të afërmin, jepni fjalë ngushëllimi, dhembshurie dhe thoni fjalë mirësie ndaj të afërmit! Gjithçka që i dhuroni të afërmit, apostuj të dashurisë sime, Biri im e pranon si dhuratë dhe unë jam me ju, sepse Biri im dëshiron që dashuria ime, si një tufë drite, të gjallërojë shpirtrat që t’iu ndihmojë në kërkim të paqes e të lumturisë së përjetshme.
Prandaj, bijtë e mi! Doni njëri˗tjetrin, jini të njësuar në Birin tim, jini bij të Zotit: të gjithë së bashku, me zemra të hapura dhe të pastra, shqiptoni “Ati Ynë” dhe mos kini frikë! Ju falënderoj!».
Si ta përjetojmë sa më mirë këtë mesazh të Zojës?
Shumë të dashur vëllezër e motra në Krishtin! Fjalët e Zojës janë fjalë zemre. Po të lezoni me vëmendje dhe frymëzim do të shikoni se si këto fjalë janë kaq reale për jetën e secilit prej nesh. Para pak ditësh i jemi kushtuar Zojës me mish e me shpirt, kemi bërë përkushtimin tonë ndaj Saj dhe kemi marrë sigurinë se shenjtërimi ynë, bashkë me Të do të jetë më i lehtë. E në realitet, Ajo, në këtë mesazh, që në fjalët e para na drejtohet duke na thënë: “E ndiej dashurinë tuaj…”. Ku ka më bukur? Zoja që nëpërmjet këtij mesazhi i përgjigjet dashurisë sonë për Të, e njeh dashurinë tonë, e ndien. Ky është një konfirmim i fortë që na nxit akoma më shumë që të jemi krejt të Saj. Amen!
Pastaj, Ajo, mrekullisht na përgatit që të përparojmë në Dashurinë për Jezusin e për njëri˗tjetrin, si një pedagoge hyjnore, na transmeton ndjenjat e Birit të Saj: “Dëshiron që të përmirësoni vazhdimisht, që të jetoni dashurinë e mëshirshme të pakufi për të tjerët”.
Sa bukur do të ishte që tani që po lexon këtë shkrim, t’ia bësh një pyetje vetes dhe Jezusit: “A po përmirësoj në sjelljet e mia, në aftësitë e mia për të dashur dhe për të shërbyer? A po përmirësoj në aftësinë për të marrë vendime të shenjta dhe të bukura për jetën time dhe për të mirën e të tjerëve? A po përmirësoj në cilësinë e jetës sime shpirtërore? A po bëj ndonjë përmirësim konkret? Por duhet të marrësh një vendim tani, jo të presësh për një ditë tjetër! Shpeshherë në jetën tonë kemi qarë, jemi ankuar, duke fajësuar të tjerët dhe rrethanat përreth nesh për vuajtjet dhe fatkeqësitë tona: mjaft tashmë! Mjaft duke fajësuar të tjerët dhe rrethanat! Sepse as të tjerët, as rrethanat nuk e përcaktojnë fatin tuaj, por vetëm vendimet tuaja! Merrni vendime, pra, konkrete, të frymëzuara nga Virgjëra e Shenjtë dhe nga Jezusi, e kështu jetët tuaja, jetët tona do të kenë suksese të jashtëzakonshme.
Zemra e këtij mesazhi, pra, është edhe zemra e Ungjillit, zemra e Lajmit të Mirë, përmbledhja e krejt Ligjit: “Ky është urdhri im: duajeni njëri tjetrin sikurse unë ju desha ju! Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet”. (Gjn. 15, 12˗13).
Ku ka më bukur sesa këtë Vit të Ri 2020 ta fillojmë me këto fjalë të Mbretëreshës së Paqes, që më në fund janë fjalë të thjeshta, të kuptueshme për të gjithë sepse janë fjalë plot me jetë, janë fjalë zemre dhe dashurie. Të marrim vendim sot, e t’i pranojmë këto fjalë, duke i vënë në zbatim, që të jemi të lumtur ne e të bëjmë të lumtur shumë që kemi përreth nesh! A nuk është kjo edhe dëshira më e thellë e zemrave tona? Unë po lutem tani që kjo të ndodhë në ju! Amen!
Zoti ju bekoftë!
Nikolin Sh. Lëmezhi