LUTJA DREJTUAR SHPIRTIT TË SHENJTË

0
1124
Imazhi i 7 dhuratave të Shpirtit Shenjtë

që shën Gjon Pali II e mësoi prej babait të vet1

Një lutje e shkurtër për të kërkuar shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt: Karol Wojtilës ia mësoi babai i tij që ta lusë çdo ditë.

Askush nuk mund ta zbulojë Jezu Krishtin dhe mesazhin e tij pa ndihmën e Shpirtit Shenjt. Dhe, në enciklikën e tij Dominem et vivificantem, Gjon Pali II e shpjegoi një rol të tillë, të domosdoshëm për Kishën dhe për botën. Një rol që mbështetet mbi shtatë dhurata të veçanta të afta për të shkatërruar të gjitha të këqijat e për të realizuar të gjitha të mirat, nëse dikush dëshiron të kthejë zemrën e vet. Të tilla janë shtatë dhuratat të nevojshme për një jetë të krishterë “të mirëdisiplinuar”, u shpjegonte besimtarëve dhe shtegtarëve gjatë audiencës së përgjithshme hap pas hapi që e Diela e Rrëshajëve po afrohej. Dhe janë edhe të dobishme për të kuptuar «shumëllojshmërinë e vetë dhuratave, në Krishtin dhe në shenjtërit».

Këtë mësim Gjon Pali II e kishte marrë kur ishte tejet i vogël nga babai i tij, që i ka mësuar ta lusë Shpirtin Shenjt që kur ishte 11 vjeç. Një zakon që nuk do ta humbiste kurrë. Sipas atë Slawomir Oder, autor i librit Le vrai Jean Paul II, l’homme, le Pape, le mystique [il vero Giovanni Paolo II, L’uomo, il Papa, il mistico, shënim i përkthyesit nga frëngjishtja Giovanni Marcotullio], Papa polak e ka recituar lutjen e babait të tij çdo ditë deri në vdekje.

Ja, pra, kjo lutje e vogël për t’u thënë dhe, pse jo, për t’ju mësuar fëmijëve që ta bëjnë zakon edhe ata, si Karoli i vogël, të lusin Shpirtin Shenjt dhe të kërkojnë shtatë dhuratat e Tij, që merren në Pagëzim dhe që i krishteri është i thirrur t’i verifikojë dhe t’i ripërtërijë pareshtur, që të jetë një “bir/bijë i/e bekuar” i/e Hyjit:

Shpirt Shenjt!

Po të kërkoj dhuratën e Urtisë,
që Të të kuptoj më mirë Ty
dhe përsosuritë e tua hyjnore.

Po të kërkoj dhuratën e Kuptimit,
për një kuptim më të mirë
të shpirtit të mistereve të shenjtes fe.

Më jep dhuratën e Dijes,
që unë të di ta orientoj jetën time
sipas parimeve të kësaj feje!

Më jep dhuratën e Këshillës,
që në çdo gjë unë të mund të kërkoj
këshillë tek Ti
e ta gjej gjithmonë tek Ti!

Më jep dhuratën e Forcës,
që asnjë frikë apo përfillje tokësore
të mos më rrëmbejë prej Teje!

Më jep dhuratën e Përshpirtërisë,
që unë gjithmonë të mund t’i shërbej
madhërisë sate hyjnore me dashuri birnore!

Më jep dhuratën e Druajtjes së Hyjit,
që asnjë frikë apo përfillje tokësore
të mos më rrëmbejë prej Teje!

[Përktheu nga italishtja:
Nikolin Sh. Lëmezhi]

Marrë nga:
https://it.aleteia.org/2018/05/16/preghiera-spirito-santo-che-giovanni-paolo-ii-suo-padre/