Alieni që u bë Kryeministër

0
644
Pajtim Xhelo

Tregim fantastik

Në atë vitin e çuditshëm 1997 fshatarët e ardhur nga zonat rurale të gjithë Shqipërisë i kishin rrëmbyer atij pylli të ndërtuar në dhjetra vite, të admiruar dhe mbrojtur nga të gjithë banorët e atij qyteti, një copë të madhe, ku kishin ndërtuar shtëpi të rrethuara me oborre të cilat fillimisht dukeshin si prenkat e fytyrave të të sëmurëve nga Lija e Pyllit ose nga Qerja, po pastaj, me kalimin e viteve , ishin shndërruar në kopështe që me bukurinë e tyre zilepsnin banorët e vjetër të atij qyteti dhe i nxitnin të mendonin përse nuk kishin rrëmbyer edhe ata copa nga ai pyll. Veçse për ta ky ishte një ngcmim kalimtar, vetëm i një çasti.

Më pas tundnin kryet të pakënaqur dhe i thoshin vetes që kishin vepruar mirë : e reja nuk duhet të ndërtohej mbi të vjetrën e shkatërruar, ajo duhet të ish vijim natyror i saj. Po njerëzit e çuditshëm kishin ardhur këtu si europianët në kontinentin e Amerikës që zaptuan tokat e indianëve vendas, kishin prerë mushkritë e atij qyteti ( më parë kishin sulmuar qytetin me të gjitha llojet e armëve : sfurqe, hunjë gardhesh, kosore bari,, bishta lopatash, sakavje, heshta të ndryshkura dhe plot armë të tjera të ftohta , të ardhura nga prehistoria!) dhe kishin ndërtuar një qytet në kufirin e qytetit të vjetër, të vetmuar, po shpesh edhe si fise e si vëllezëri. Qeveritë e paafta që erdhën më pas nuk qenë të afta t’i mbronin këto mushkri dhe kësisoj, plagët e tyre u mbuluan nga këto ” këpurdha” që kishin mbirë pas shiut të stuhisë 1997. Shumë nga ata banorë të çuditshëm kishin ndihmuar qeverinë e re të vinte në pushtet, kështu që ligji ishte me ta, përsa edhe qeveria ishte e tyre.

Tashmë patën kaluar më shumë se njëzetë vite . Ajo lagje fantazëm ishte bërë pjesë e ligjëruar e këtij qyteti de jure. De fakto kish mbetur një mutacion tumoral që duhej kuruar mirë dhe gjatë nga shoqëria dhe nga ata vet që i ndihmuan të krijoheshin si të tillë.
Shtëpia e fundit hynte si një stërgjatje në thellësi të atij pylli dhe ishte disi e shkëputur nga të tjerat. Rrethuar nga pisha thuajse shekullore, ajo nuk duken nga asnjë anë. Vetëm nga lart dhe të krijonte përshtypjen e një mase të rrëzuar nga qielli, si një pjesë meteori të shkëputur dikur, në kohë të papërcaktuar.

Familja ishte hibride; babai nga malsitë e veriut, nëna nga bregdeti jugor. Më shumë nuk dihej për ta, se jetonin të veçuar dhe nuk para bënin kollaj shoqëri me ardhacakët e tjerë. Kishin vetëm një djalë që duhet të ishte rreth të pesëmbëdhjetave dhe prapa shtëpisë një kopësht zologjik me pula, dhënë, dhi, derra, lopë. Përpara kishin mbjellë jonxhë dhe perime të të gjitha stinëve. Djali kish pasion të çmendur për pëllumbat, të cilët jetonion në liri të plotë, po nuk harronin të vinin për të ngrënë e për të fjetur në strehën e shtëpisë.

Atë mbrëmje u duk se stuhia po sillej rrotull në qiell dhe “kopështi zoologjik ishte zhytur në një qetësi të pazakontë, madje edhe dhitë qenë strukur te njera tjetra dhe kishin harruar të bënin ngatërrestarin. Vetë pëllumbat nuk ishin kthyer akoma dhe djali, që quhej Bujkan doli i shqetësuar dhe nisi t’i ndillte me gjuhën e tyre :
– Vid, vid, vid…
Sillej rrotull pyllit në errësirë dhe i ndillte heraherës me sa zë kish:
– Vid, vid, vid…
Nuk e kuptoi kohën, nuk e mati dhe largësinë, veç dikur dëgjoi zhurmën e fluturimit të tyre të trembur. Po ishte një fluturim i sikletshëm largimi, që e bëri Bujkanin të habitej. Kjo nuk kish ndodhur herë tjetër. Një largim i frikshëm, thuajse i pandier, i detyruar nga një frikë e panjohur.. Ç’të kish ndodhur, kujt po i largoheshin ashtu? Nuk vihej në dyshim se diçka i kërcënonte, po çfarë?

Pëllumbat iknin dhe djali i ndiqte, pa menduar as errësirën, as stuhinë që po afrohej, as të panjohurën që vërtitej diku, sipër atij pylli. Dikur, madje kur Bujkani kish përhumbur edhe efektin e kohës, mbi një lirishtë të krijuar nga një zjarr i rënë verën e kaluar, as njëzet metra para tij, po ulej një masë e stërmadhe që ngjante me një saç. Një ulje e qetë, e ngadaltë, që dukej sikur nuk i nënështrohej ligjit të gravitacionit( rëndesës), sipas të cilit shpejtësia e një trupi në rënie zmadhohej sa më shumë i afrohej tokës. Ky send i stërmadh e ngadalësonte shpejtësinë, derisa më në fund u takua me lirishtën pa shkaktuar as më të voglën përplasje, sikur të ishte një pupël gjigande, thuajse pa peshë.

Djali e ndoqi gjithçka, pa patur kohë as të çuditej, kur që poshtë atij ” qilimi fluturues të përrallave” u hap një derë dhe prej andej zbriti një qenie e papërcaktuar, që nisi të ecte drejt tij. Sërish nuk i mjaftoi koha për të menduar se ç’ishte ky, sepse qenia që zbriti e pyeti në gjuhën e tij :
– Ti je Bujkani?
Në gjysmëerrësirë djali dalloi një fytyrë paksa gjatoshe, me sy të mëdhenj dhe ballë të gjerë, tullac, me gojë, hundë dhe veshë të vegjël. Koka pështetej mbi supet me një qafë të shkurtër e të hollë, kurse trupi i bukur i një atleti mbi dy këmbë të gjata e të drejta, rreth të cilave këmbët e pantallonave tundeshin si mbi shalët e një dordoleci.
Bujkani i vuri re këto me një shikim të shpejtë, sikur të hapte e të mbyllte sytë.
– Po – ia ktheu- Me kë kam nderin të flas?
Tjetri qesh.
– Qenke trim – i tha – Mendova se ju shtiva frikën.
– Ju nuk keni asgjë të frikëshme – ia ktheu Bujkani i qetë. Pastaj shtoi – Jeni pak ndryshe nga unë, po përsa po më flisni në gjuhën time, do të thotë që jemi njëlloj:
I sapoardhuri nga qielli nuk u duk i habitur me qetësinë e këtij djaloshi.
– Unë të njoh Bujkan dhe di shumë gjëra për ty. Sot nuk të erdhën si çdo mbrëmje pëllumbat e tu në shtëpi?
Djaloshit i bëri përshtypje. Nga e dinte ai këtë?
Sikur t’i kish lexuar mendimin, tjetri vijoi:
– Sepse unë jam shkaktari për largimin e tyre. E bëra duke e ditur që ti do t’i kërkoje dhe do të vije të më takoje mua. Ndryshe nuk të gjeja dot.
Bujkani nuk tha asgjë. Pati kohë tani të vriste mendjen se ç’ishte kjo qenie që i ngjante shumë njeriut, po që nuk duhet të ishte tërësisht njeri. I sapoardhuri nuk e la të mendonte më gjatë.
– Po prisnit stuhinë sonte?
– Po, ndaj u shqetësova për pëllumbat. Kisha frikë mos i ç’orientonte stuhia dhe humbisnin. Ata i kam si shokë.
Tjetri qeshi.
– Tani duhet të jenë kthyer në shtëpi, mos u bëj merak. Ti sonte do rrish te kjo shtëpia ime. Besoj se do ta pëlqesh.
Bujkani e kundërshtoi me kokë.
– Nuk mundem, – i tha pastaj- prindët do bëhen merak. Nuk ka ndodhur asnjëherë të largohem nga shëpia. Vetëm mua kanë ata.
I huaji nuk foli, hyri brenda atij objekti të çuditshëm dhe doli prej andej me një balon, të cilin e fryu për pak minuta me ndihmën e një kutie të vockël, tip pulsanti dhe i tregoi dy ndenjëse në fundin e balonit.
– Hajde këtu – e ftoi të ulej dhe e sqaroi. – Do të çoj në shtëpi dhe do pres derisa ata të kenë fjetur. Pastaj ne të dy do kthemi këtu. Në mëngjes do të çoj sërish në shtëpi para se ata të jenë zgjuar. Dakord?
Djaloshi u zu ngushtë. Këmbënguljes së tij nuk mund t’i kundërshtonte. Për këtë as që bëhej fjalë dhe iu bind. Në të vërtetë, Bujkani nuk po e kuptonte që ishte tërësisht nën ndikimin detyrues të kësaj krijese të panjohur. Arsyeja e djaloshit ishte ngatërruar në ca fije të pakuptueshme, që nuk shfilloheshin e nuk shtriheshin në asnjë drejtim. Mendimi ish ndalur në një udhëkryq ku erërat frynin të paorientuara dhe e largonin atë të shpërndarë tej horizonteve të pakufizuar.
Dersa u kthyen në këtë lirishtë pak pas mesnate, Bujkani ishte bërë shurdhmemec, po gjithçka kish shkuar më së miri.
Kur hynë brenda në atë objekt që nga jashtë nuk kish asgjë për t’u vënë re, u ndezën vetiu ca drita në ngjyrë të kaltër, që të qetësonin në një gjumëndjellje magjike. Në sallë kish vetëm një ndenjëse dhe një kanape lëvizëse, që hapej e mbyllej me lëvizjen e vetme të gishtit tregues. Paskëtaj, gjithçka që ndodhte në këtë ambient të kujtonte përrallat e njëmijëenjë netëve të SHehrezades. Kësisoj Bujkani e ndjeu veten në përjetim tërësor të atyre përrallave mahnitëse.
I sapoardhuri nga qielli fliste e fliste papushim. Tashmë truri i djaloshit ishte kthyer në një regjistrator të përsosur të fjalëve dhe në një përftues me ekran gjigand të përfytyrimit të asaj bote joreale, për të cilën tjetri po i fliste.
Edhe pse nuk kish shumë njohuri për botën e robotëve, djali, çuditërisht, po i kuptonte të gjitha ç’i tregonte qënia e çuditëshme. Vetëm diçka nuk i shkonte nëpërmend, që edhe bashkëfolësi i tij ishte një robot. Këtë nuk e mendoi derisa një çast e preku atë padashur dhe nuk ndjeu asgjë mishtore, të butë në atë prekje, përkundrazi, kapi diçka të largët, që ngjante me një tingull humbës metalik. Për këtë ndiesi ishte më se i bindur.
Dhe u habit. ” Nuk qenka njeri – mendoi dhe i shkuan të dridhura në gjithë trupin. ” Po ç’të ish, robot? Si mund të kish një robot me një tru njerëzor më të zhvilluar se njerëzit këtu në Tokë?”
Ky shqetësim e shoqëroi deri në çastin, kur mendoi se tjetri e mbaroi ligjërimin. E pyeti:
– Ju jeni një robot?
Tjetri nuk qeshi, si kish bërë herët e tjera kur djali bëhej kurreshtar me atë çiltërsinë naive të tij. U duk serioz, i menduar dhe sytë e tij të mëdhenj e vështruan Bujkanin disa herë të vëmendshëm, para se t’i kthente përgjigje.
– Po – i tha, pa ia hequr vështrimin- Në planetin nga vi unë jemi të gjithë robotë. Një histori e gjatë, po kemi kohë deri sa të gdhi mëngjesi dhe do të flas edhe për këtë.
– Dhe si quhet planeti juaj?- e ndërpreu djali, që i kërkoi menjëherë falje për ndërhyrjen pa takt.
Mysafiri nga planeti tjetër nuk u duk i zemëruar.
– Nuk ka asgjë, sa do ta thosha vet këtë. Planeti ynë quhet ” Toka e Pavdekësisë” Treqind vite më parë ne kishim këtë zhvillim që keni ju tani.. Nisën të punonin në mënyrë të ethëshme shkencëtarët për të përsosur ” robotin inteligjent”, si po bëjnë tani edhe shkencëtarët këtu te ju, derisa krijuan ” Robotin njeri” që nuk kishte asnjë ndryshim nga njerëzit e vërtetë. Atëhere ndodhi ajo që nuk ishte parashikuar. Gratë binin në dashuri me këto qenie virtuale me inteligjencë më të përparuar se njeriu dhe martoheshin me ta. Kësisoj nuk lindën më fëmijë dhe raca e vërtetë njerëzore në atë planet u shua. Mbetëm vetëm ne, ” qeniet virtuale të përjetëshme” . I vetmi dallim mes nesh dhe racës njerëzore, është se ne nuk mund të bëjmë seks dhe nuk mund të riprodhojmë veten.
Roboti mysafir nuk foli për disa minuta, po nuk ia ndau për asnjë çast vështrimin djalit të mençur. Ai po e studionte. Aftësitë e tij ishin të tilla , që depërtonin në mendimin e të tjerëve, sidomos në atë të racës njerëzore. Dikur Bujkani e pyeti :
– Keni emra ju?
– Si jo. Mua , për shembull, më thërrasin ” C33″
– Dhe jeni të regjistruar diku?
Tjetri vuri buzën në gaz
– Gjithçka është si këtu tek ju, me përjashtimin e vetëm, që ne kemi vetëm inteligjencën, mendimin, kurse shpirtin nuk e kemi, ai iku së bashku me racën njerëzore që u zhduk.
Djaloshit i kaloi nëpër ballë një hije e zbehtë dyshimi të trishtë. U bë i menduar dhe i heshtur. Tjetri vijoi :
– Unë kam ardhur këtu që të ndihmoj shkencëtarët për të përfunduar ” Robotin superinteligjent” që të ketë edhe aftësinë riprodhuese të kontrolluar, për të lënë pasardhës të një race të paprekëshme nga viruset dhe të gjithë mikrobet dhe të pandikuar nga veset që rrethojnë racën tuaj tani. Ju jeni racë e ndikuar nga krimi, pabesia, pandershmëria, makutëria, urrejtja dhe hakmarrja e plot vese të tjera, të cilat nuk numërohen, aq shumë janë. I keni këto, sepse i nxit gjaku që ushqen edhe mendimin. Raca që ne do krijojmë te ju nuk do të ketë gjak, kësisoj, do të jetë e pastër, e sterilizuar nga gjithçka e keqe. Do të jetë raca ideale, për të cilën Zoti e krijoi njeriun.
– Ju mendoni se mund të arrihet kjo?
– Po ja, si thua ti?- e pyeti ai në vend që t’i përgjigjej.
– Nuk di ç’të them- u pëtyp Bujkani.
Ai që quhej C33 i rrahu shpatullat me dorën e tij të ftohtë. Djaloshi u rrënqeth. Mendoi : ” Kur të jemi pa gjak, edhe unë kështu do të jem, si kjo dora e tij.”
– Edhe pak punë duhet për ta arritur këtë nivel. Them se mund të duhet ndonjë vit akoma. Kjo do të ketë disa përparësi ndaj racës së tanishme njerëzore. Nuk do të duhen fusha të mbjella me grurë, me perime, me pemë, as lokale dhe hotele luksoze, as pallate shumëkatëshe që rëndojnë tokën e shkaktojnë tërmete, as spitale, as administrata të fryra artificialisht, as kufij shtetesh, as luftra, as lakmi për para dhe për pushtet Do të jetë një administratë sa një e dhjetëmijta e asaj që është tani. Do të ket kërkesa të thjeshta për mobilim shtëpish dhe asnjë kërkesë për veshje. Nuk do të duhen automobilat, trenat, aniet, aeroplanët. Do të udhëtohet me të tilla mjete fluturuse si ky imi, që nuk duan karburant dhe shpenzime të tjera. Si e sheh, është një jetë e thjeshtuar dhe e pakostueshme.
Djali pyeti përsëri:
– E si do arrihet kjo?
– Për këtë erdha unë, për të bërë të mundur dëshirën e Zotit për një racë të re, larg mëkateve, larg gjakut që nxit mëkatet.
Bujkanit i shkuan mornica në trup, sa dëgjoi të përsëritej që ata do tëishin qenie pa gjak. Sa e tmerrshme do të ishte kjo!. Po, në fund të fundit, nëse gjaku nxit mëkatet te kjo racë sot, le ta heqim atë që të jemi pa mëkate!. E tha këtë edhe me zë, në mënyrë të pavetëdishme.
Ai që u vetquajt C33 vijoi :
– Nesër do vinë edhe 200 të tjerë për të rrëzuar qeverinë tuaj. Unë do të jem Kryeministri i ri i vendit.
Bujkani diç donte të thosh, po u bë pishmënt. Tjetri, si ta kish kuptuar, i tha :
– Ti do të jesh ndihmësi im.
– Unë?- u habit djali – Po unë nuk jam akoma pesëmbëdhjetë vjeç. Këtë nuk e ke menduar mirë.
– E kam menduar – ia ktheu ai qetë. – Nuk është hera e parë që vi këtu. Ti je Bujkani që do pëllumbat dhe gjithë kafshët e tjera, që ke në zemër vetëm dashuri dhe mëshirë. Nga ti kjo më duhet. Të tjerta t’i mësoj unë. Për këtë nuk po të jap as kohë të mendohesh, sepse është vendosur. Ti do të mbetesh në historin e re të Tokës si njeriu që solli Paqen dhe barazinë.
Pa aguar akoma ata të dy dolën përjashta dhe Bujkani vuri re që stuhia kish pushuar. Një qetësi nanuritëse përshkonte tejet pyllin dhe ngjitej ngadalë lart, në qiellin ku endeshin ca re të vockla, që ngjanin si varka fluturuese. Nuk ishin shumë dhe djaloshi nisi t’i numëronte më nge.
– Mos u mundo – ia ndërpreu C33 numërimin- Janë 200 shokët e mi që po i pres. Pa zbardhur mirë, ata do të jenë ulur në këtë pyll. Së bashku me ta, unë dhe ti do të shkojmë në Kryeministri, të rrëzojmë qeverinë dhe të krijojm të renë. Do ta lajmërojmë edhe familjen tënde. Gjithçka do shkojë mirë. Edhe pëllumbat e tu tashmë janë në shtëpi. Nuk kanë për ta ndier mungesën tënde.
Bujkani heshtëte në një mendim të ngatërruar, po nuk kundërshtoi, nuk tha asnjë fjalë. Vuri re që ato ” re” po zbrisnin dalngadalë mbi pyll. Tani dukeshin si fiolla të stërmëdha dëbore të vjetër, që po vinin nga muzgjet e parahistorisë.
E ndjeu veten banor të një planeti të kthyer në kohët e virgjëra , me Kryeministër një Alien me emrin ” C 33 ”
Dhe qeshui për herë të parë, që nga çasti kur kish takuar këtë Alien.Sidoqoftë, Bota që pritej , mbase do ishte më e mirë se kjo që kishin. Le të shpresonte dhe të besonte te C 33.

Pajtim Xhelo, 28 dhjetor 2019