– Përcolli në amëshim engjëllin e tij Armend Bytyçi –
Nga IDRIZ ZEQIRAJ
Lajmi i kobshëm për aksidentin fatal, për rrjedhojë, shuarjen fizike të Amend Bytyçit, shokoi qytetarët e Istogut me fshatra dhe mëtej në Kosovë. Një rrugëtim në drejtim të Ferizajit, në shoqërim të së dashurës së tij, Besartës, në një rrugë lagështore, një rrëshqitje, pastaj rrokullisje e veturës, shkaktoi lëndimin jetëmarrës të Armendit tonë.
Armendi ishte në krye të stafit shërbyes të Ndërmarrjes hoteliere, kreative e relaksuese “TROFTA” në Istog, me pronar xhaxhain e tij – Ismail Bytyçi, i njohur në Kosovë dhe Shqiptari, si veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare dhe si një bisnismen tejet i suksesshëm në Istog dhe Kosovë, ashtu siç ishte më parë në Bruksel.
Armendi ishte dora e djathtë e xhaxhait të tij, Hysen Bytyçi, në menaxhimin e Ndërmarrjes “Trofta”, në mbarëvajtjen e përgjithshme të firmës në fjalë. I sjellshëm, vrojtues i vëmendshëm; komunikues e bashkëpunues korrekt me vartësit; pritës, gjithëdashamirësi me klientët numerikë, që ka kompleksi hotelier “Trofta”; i matur dhe i përgjegjshëm, në punën e çdoditëshme që bënte.
Pritja dyditore për t`u varrosur Armend Bytyçi, u kushtëzua nga ardhja e familjarëve nga Turqia, Zvicra dhe Belgjika. Kjo kohë u shfrytëzua për pritjen ngushëlluese të qytetarëve istogas, të fshatrave dhe nga vende të tjera anekënd Kosovës, madje edhe nga Mërgata shqiptare. Në ditën e parë pritja u bë në kombpleksin e shtëpive të Familjes Bytyçi. Ndërsa në ditën e dytë u hap edhe kompleksi hapësinorë në “Trofta”. Në pritjen ngushëlluese ishin babai i Armrndit – Fazliu, xhaxhallarët: Ismaili, Hamdiu, Hyseni dhe të afërmit e tjerë. Përmbajtja e babait, Fazliut, ishte mbresëlënëse, në raport me xhaxhallarët, të cilët, dhimbja, pikëllimi dhe loti, në vijmësi, i kishte mundur.
Shumësia e ngushëlluesëve ishte numerike, e shumtë, madje deri në habi. Njerëzit vinin për të marrë një pjesë të dhimbjes nga Familja e nderuar Bytyçi. Por, kjo shumësi, realisht, është logjike, e natyrëshme e shpjeguese, sepse kontaktet e Armendit me qytetarët, kanë qenë sa masive, aq edhe të shpeshta. Familja e madhe Bytyçi, miqësitë e shumëzuara janë një arsye tjetër e këtij vargu të pafund njerëzish, që donin të ishin pjesë e dhembjes të kësaj Familjeje.
Shto këtu edhe arsyen e tretë: Ismail Bytyçi, të paktën, për dy dekada radhazi, duke qenë në krye të veprimtarive të Mërgatës të Beneluksit, së bashku me Ramadan Gashin, Gani Azemin, (tashmë, i amëshuar, ndjesë pastë), i kanë rënë kryq e tërthuar Evropës, duke bërë shumë mijëra kilometra rrugëtim, për gëzime dhe hidhërime të mërgimtarëve tanë. Në veçanti, ky trinom veprimtarësh kanë nderuar me praninë e tyre, dëshmorët dhe viktimat e luftës dhe të SHIK-ut vrastar, në pamjet e hapura për këto raste.
Radio Fontana dhe xhamitë e fshatrave të Istogut dhe të Pejës, kumtuan ditën dhe orën e varrimit të 26-vjeçarit Amend Fazli Bytyçit. Mijëra qytetarë u drejtuan për në varrezat e Istogut. Në të dy anët e hyrjes, ishin rrjeshtuar një duzinë djem dhe vajza, që mbanin bluza të bardha, me fotografinë e stampuar të Armendit dhe siglën, shënjen “Trofta”. Kurrë më parë nuk ishte parë një dyndje njerëzish, sa ishte atë ditë të përcjelljes të Armendit, për në banesën e tij të përjetshme. Tashmë, ishin grumbulluar mijëra vetë. Shumë syrësh të përlotur. Ndërsa familjarët, farëfisi, shokët dhe stafi i “Troftës” syenjtur dhe në vajë.
Ardhja e arkivolit, me trupin e pajetë të Armendit, shtoi dozën e dhimbjes, të pikëllimit. Vajë e lot masiv. Ritet fetare, “falja e xhenazës”, me praninë e 22 hoxhallarëve, (aq sa arrita t`i numëroj), ishte e pazakontë. Në aspektin fetar, foli, rrjedhshëm e mençurisht, hoxha i shkolluar i Banjës, Avni Gashi. Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame të Pejës, imami atdhetar Nexhmedin Gashi, nipi i profesor Abdurrahim Gashit, foli për Armendin, Familjen e zëshme Bytyçi, pastaj edhe në emër të kësaj Familjeje si dhe udhëhoqi ceremoninë e varrimit. Stafi i hoxhallarëve shkëlqeu me prezencën dhe fjalimet e tyre dinjtoze predikuese dhe këshillëdhënëse, deri në apelimin, thirrjen publike, për t`u përkujdesur për jetën, madje në çdo hap të hedhur.
Për të nderuar, me pjesëmarrjen e tyre, Familjen Bytyçi, kishte ardhur kryeministri i Kosovës, akademik Isa Mustafa, sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, ministri i Financave Avdullah Hoti si dhe stafi tjetër ministrorë. Kryetarët e komunave të Kosovës, të prirë nga kryetari i Istogut Haki Rugova, milionerët meritorë të Kosovës: Behxhet Pacolli dhe Agim Bahtiri, përkatësisht, kryetar i Aleancës Kosova e Re dhe kryetar i komunës të Mitrovicës. Shefi i Protokollit të Presidentit Rugova, Sali Cacaj. Veprimtari i hershëm i Mërgatës Shqiptare, bashkëpunëtor i Enver Hadrit, i Jusuf Gërvallës, i Avni Hotit, i Sali Çekaj, sot Heronj të Kosovës, kuadri i lartë i Ministrisë të Jashtme – Ramadan Gashi; veprimtari i devotshëm, kontributdhënësi i madh financiar për Kosovën, ndërtues i xhamisë – qendër të Istogut, të rrënuar nga barbarët serbë, së bashku me të motrën Mahije Sadikaj – Bytyçi, bisnismeni i mirënjohur në Belgjikë, Arif Sadikaj.
Shumësia e njerëzve të pranishëm, pamundësonte për të shquar prezencën e personaliteteve të Kosovës dhe jashtë saj. Mësuam se në ceremoninë mortore kanë qenë shumë deputetë, ministra, njerëz të artit, të shkencës, profesorë dhe akademikë të Universitetit dhe të tjerë. Po ashtu qenë të pranishëm përfaqësues të medieve të shkruara dhe elektronike. Në mes tyre arrita të shquaj miqtë e mi: gazetarin, analistin dhe moderatorin e portalit “Botapress” – Bajrush Morinën dhe të kudondodhurin, drejtuesin moderator të “Radio Fontana”, baca Zeqir Mehmetaj.
Të gjitha vdekjet kanë tragjizmin, dhembjen për familjarët, dashamirët dhe njerëzit, në përgjithësi. Rsti i Familjes Bytyçi ka veçantinë, sepse kjo Familje u shqua në një tenderim, privatizim dhe investim milionash, duke punësuar një armatë të tërë të rinjësh dhe duke begatuar dhe faqebardhësuar edhe qytetin, komunën e Istogut. Është kompleksi hotelier “Trofta”, me bazenat e rritjes së peshkut, që ka justifikuar plotësisht privatizimin e ndërmarrjes, e cila ishte, pothuajse, e falimentuar dhe e degraduar nga menaxhimi i egër dhe amator më parë.
Shefi i “Troftës”, Ismail Bytyçi, së bashku me kryetaren e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla, janë të vetmit në Kosovë, madje edhe në Ballkan e mëtej, që kanë refuzuar kandidaturën për deputet, për arsye shumë parimore, sepse nuk duan të jenë pjesë e një Parlamenti, të ngulfatur nga kriminelë potencialë numerikë e serikë.
Shembullin e “Troftës” po e ndjek edhe kompleksi kurativ, mjekësor “Ilixha”, Banja e Istogut, e cila, me investimet e mëdha të pronarit Xhevdet Shoshi, kanë begatuar dhe hijeshuar komunën e Istogut.