DURO MUSTAFAI, MIKU YNË I PAHARRUAR…

1
791
Mustafai - Spasse - Hysi - Gecaj

Nga e djathta: D.Mustafai, I.Spasse, P.Hysi e M.Gecaj (Tiranë, 14 maj 2019)

Nderim e kujtim:

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Me hidhërim të madh, mësuam lajmin për ndarjen përgjithnjë nga jeta, të publicistit vetaran të shtypit shqiptar e autor i mjaft librave, kolegut e mikut tim të dashur, qysh në vitet e rinisë e në vijim, Duro Mustaafai (Vlorë, 21 shkurt 1933-Tiranë, 22 dhjetor 2019).

Megjithëse i moshuar e me probleme shëndetësore, ai gjeti mundësinë që, vetëm sivjet, erdhi e më takoi e pimë kafe bashkë, dy herë, i shoqëruar nga Prof.Ilinden Spasse e poeti i njohur, Përparim Hysi (Papi).

Me këtë rast, u dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta, gjithë familjarëve, kolegëve, të njohurve e dashamirësve të shumtë të tij, duke qenë i bindur se Duro Mustafai do të mbetet përherë i paharruar, si nga brezi i sotëm e ata pasardhës.

Në shenjë nderimi e kujtimi , bashkë me një foto, po ribotoj dy skica modeste, që janë publikuar, në shtyp e Internet, për të cilat shkrova më lart!

Lamtumirë, kolegu e miku ynë, Duro Mustafai!

Tiranë, 26 dhjetor 2019

* * *

I. Kësaj here, takim me mikun tonë të nderuar, Duro Mustafai…

1.
Një lexues i vëmëndshëm, sidomos në faqet e Fb, ka vërejtur se, në vazhdimësi jam takuar me kolegë e miq krijues, në lokalin “Galaxy-Bar”, aty ku fillon Bulevardi i Ri i kryeqytetit. Së bashku, kemi biseduar për tema të larmishme të jetës, po sidomos për publikimet dhe botimet në fushën e letërsisë.

Kisha disa kohë pa e takuar mikun e kahershëm, pubnlicistin dhe krijuesin nga Vranishti i Vlorës, Duro Mustafain. Ndër të tjera, kjo ndodhi edhe sepse të dy kemi patur edhe probleme shëndetësore. Po ja, u gjend kolegu e miku i përbashkët, i kudondodhuri poet e shkrimtar I njohur, Përparim Hysi (Papi) që, sot në mëngjes, na e mundësoi një takim të këndshëm, pikësishht në mjediset e këtij lokali.

I pari, kishte ardhur aty Duro. Kur u takuam, u përqafuam ngrohësisht me njeri-tjetrin. Rast i rrallë ky, më vonë aty ia mbërrini miku ynë i paloshur, Përparim Hysi ose, siç i themi ne, “Papi”. Reth tavolinës së rrumbullakët, bëmë biseda të këndshme, si për vitet e kaluara dhe të sotme, kur kemi punuar në shtyp ose në sektorë të tjerë të jetës. Ne kujtuam me nderim edhe figura të shquara të letërsisë e të arteve, si të paharruarin Dritëro Agolli, me Sadijen; Fatmir Gjatën e disa të tjerë. Ata lanë pas veprat e tyre të shumta, pasuri e çmuar për brezat e sotëm dhe ata, që do të vijnë pas nesh.

2.
Miku ynë i nderit, i ftuar sot në takimin me ne, Duro Mustafai, ka një jetë të tërë në fushën e botimeve, publicistike e letrare. Emri i tij ka qenë i njohur që dhjetëvjeçarë më pare. Ka punuar mësues e pedagog dhe 30 vjet të jetës së tij shërbeu në fushën e gazetarisë.

Gjithashtu, ka shkruar e botuar disa libra letrarë.Ai është autor i librave: “Edhe ti do të bëhesh gjysh”(Tiranë, 2014); “Vranishti në sytë e mi” (portrete, skica, reportazhe, artikuj e intervista), Tiranë,2006; “Nën qiellin e Prishtinës” (Ditar i një dashurie të përgjakur), roman (Tiranë,2008); “Ne gazetarët e atyre viteve”, (Tiranë, 2014); “Me sytë e një gruaje”, poezi (Tiranë, 2015) etj…

Por edhe pas daljes në pension ose me probleme shëndetësore, Duro nuk ka rreshtur së shkruari. Ai ka treguar e dëshmuar një dashuri e respekt të veçantë për fshatin e tij të prejardhjes, Vranishtin e Vlorës. Përveç shkrimeve të ndryshme, për atë krahinë me tradita të shumta atdhetare, luftarake e liridashëse, në fushën e arsimit e kulturës etj.

Duro Mustaafai me një grup miqësh krijues, kanë botuar gazetën, me tematikë atdhetare e kulturore të krahinës, me emrin e bukur, “Hora”. Në një rast, kam patur nderin e kënaqësinë që dhe unë të publikoj aty një shkrim modest. Tani Duro tregon se po punojnë për përgatitjen e numrit të ri të kësaj reviste, me shkrime e krijime të lamishmë e interesante, nga autorë të njohur, por dhe nga brezi i ri i krijuesve të asaj krahine, e cila ka qenë e mbetet kurdoherë frymëzim i pashtërrshëm për të gjithë ata.

Është e kuptueshme se qendrimi në një lokal, për kafe, nuk mund të jetë i gjatë. Megjithëse kishim shumë dëshirë të rrinim prapë bashkë e të bisedonim, erdhi çasti për t’u ndarë. Po, siç e kemi merak, Papi dhe unë, dëshironim ta fiksonim në një fotografi, këtë takim të këndshëm. Kështu, njërën prëj tyre po e bashkëngjes me këtë skicë modeste, si vazhdim i kujtimeve të jetës e njohjes sonë.

…U ndamë përzemërisht, duke e falënderuar mikun nga Vranishti, Duro Mustafai, për këtë vizitë dhe duke i uruar njëri-tjetrit shëndet e mbarësi, gëzime e lumturi, në jetën vetjake e familjare. Por dhe shprehëm dëshirën, që të takohemi përsëri, duke shkëmbyer aty dhe ndonjë libër tonin. Me këtë rast, përmendëm që sot është “Dita Ndërkombëtare e Librit”, në të cilën zhvillohen edhe në Tiranë e kudo në Shqipëri, veprimtari të shumta e të larmishme.

Tiranë, 23 prill 2019


II. Ftesa e Papit dhe takimi, me Duron dhe Ilon…

Nuk ishte hera e parë, që tre kolegë e miq të mi, vinin për të më takuar dhe për të pirë kafe bashkë… Ja, përsëri sot, me “nismën” e Përparim Hysit (Papit), bashkë me të erdhën, në lokalin “Galaxy-Bar”, ku ishte stacioni i trenit dhe fillon Bulevardi i Ri i kryeqytetit, miqtë e mi të kahershëm, publicistët, shkrimtarët e studiuesit e njohur, Duro Mustafai dhe Prof. Dr. Ilinden S. Spasse.

Kënaqësia për këtë takim ishte e përbashkët, pasi bisedat tona do të ishin për vitet e kaluara në shtyp e arsim, por dhe për librat e botuar, me krijimtari letrare ose studime të ndryshme. Ja, miku im Duro më dhuroi librin e tij të ri, me 158 faqe të ilustruara dhe me mjaft fotografi, “Qyteti i Monumenteve-Vlora,Histori në fotografi”(Tiranë, 2019). Në shënimin dashamirës të tij, ai shkroi: “Prof.Murat Gecajt, me shumë respekt e dashuri…”(Tiranë, 14 maj 2019).

Jam i ndërgjegjshëm se, për këtë botim të rrallë në llojin e vetë, për të cilin e urova dhe e falënderova, përzemërsisht, do të duhej një recension i gjatë. Ndërsa unë po mjaftohem vetëm, duke cituar trofën e parë të poezisë, “Po, ku ka si ty!…”, të cilën Duro Mustafai e ka vendosur në kapakun e fundit të librit:

Po, ku ka si ty, moj Vlora ime,
monumenti mbi çdo monument;
trupin në kodra, veshur gjelbërime,
këmbët shtrirë në të kaltrin det;
perlë e Shqipërisë, në bregdet…

Gjithashtu, unë pata kënaqësinë që t’i dhuroja Duros, me një shënim miqësor, librin jetëshkrimor (nr.2), “Gjurmë, nëpër udhë…”(Tiranë, 2018). Por, më parë, dhe dy miqtë tanë kanë shkëmbyer librat e tyre me ne, gjë që është e natyrshme për takimet tona.

Bisedat rreth asaj tavoline ishin të larmishme, si për gzetarinë e letërsinë, sidomos duke kujtuar me nderim autorë të nderuar e të paharruar, që nuk jetojnë më, por që u kanë lënë brezave pasardhës veprat e tyre të çmuara, si: Sterjo Spasse, Fatmir Gjata e të tjerë, si dhe studiuesit e pedagogët, Skënder Luarasi, Mahir Domi etj.

Kur biseda po rridhte normalisht, Papi kërkoi që të largohej, se kishte një punë. Ndërsa Duro “e detyroi” atë që të rrinte edhe pak me ne, duke i vijuar bisedat tona të këndshme. Megjithatë, për të katër, erdhi çasti kur do të largoheshim nga ai lokal, i pëlqyer për ne. Urimi ynë ishte, me zemër: “Po nadahemi, për t’u takuar përsëri!…”

Tiranë, 14 maj 2019

1 KOMENT

  1. Faleminderi Përparim Hysi ç’duhet thënë e sjellë, për të RRALIN së pari NJERI, – DURRO MUSTAFAI, sa PENË e rrallë, të gjitha i ke thënë Ti, sa komentuesit.
    I perjetshëm kujtimi TIJ, Buri të Rrallë, i kohës që jetoi… Ngushëllime families dhe shoqërisë.
    *Pasuesi Veteran 83 vjecar,
    Dhimitër Xhoga.

Komentet janë mbyllur.