Arben Çokaj
Shqiptarët e Kosovës duke e njohur mirë Serbinë se sa e pabesë është, duan siguri më të madhe, që të marrin pjesë si shtet i pavarur në projektin e Schengenit Ballkanik. E kjo me të drejtë.
Ata duan ndoshta edhe që Rama t’ia mbushë mendjen Vuçiqit, meqë e ka mik, që ai ta pranojë Kosovën si shtet, por kjo nuk është edhe aq e lehtë… Kir nuk mundet Batoni, pse do të mundej Rama ta bënte këtë? Edhe nëse Vuçiqi logjikisht e pranon se Kosova ka ikur tashmë dhe duhet njohur si shtet, ai mund të ketë vështirësi të përballet me politikën serbe dhe me popullin serb, që nuk e duan njohjen e Kosovës si shtet i pavaruir. Por ne nuk na intreson edhe aq se çfarë duan serbët…
Rama në të tijën, privatisht dhe publikisht e ka kërkuar këtë nga Serbia, njohjen e Kosovës, madje edhe në Beograd, por Serbia ka politikat e veta, që me siguri nuk mundet t’i ndikojë aq shumë Rama, sado të përpiqet, e jo aq shumë, sa do u pëlqente shqiptarëve në Kosovë…
Duke i kërkur Ramës më shumë se ai mund të bëjë realisht, vijmë te zhgënjimi… Shqiptarët e Kosovës si gjatë pushtimit serb, si tani, kanë nevojë për ndihmë e mbështetje, që nuk u ka munguar, por nuk ka qenë e mjaftueshme dhe në nivelin e duhur, për t’i shpëtuar ata, bash qysh po e duan ata. E kështu nuk do e kenë kurrë, ata duhet të mësohen me politikën reale tashmë, e të mos etiketojnë si “tradhëtar“, secilin që nuk u flet ose nuk bën sipas dëshirës së tyre. Se, do të zhgënjehen shumë, pasi duhen parë edhe mundësitë!
Ne nuk jemi si shqiptarë aq të fuqishëm, sa t’i bëjmë punët bash qysh po duam ne. Shqipëria që kemi nuk është një shtet i fuqishëm, për t’i bërë punët si duhet për shtetasit e vet, e jo më për shqiptarët e tjerë jashtë Shqipërisë. Të jemi realistë dhe me këmbë në tokë. Ne kemi dëshirë të ushtrojmë unin tonë, por kemi mbiunin, që na dominon, janë politikat e fuqive të mëdha, janë edhe politikat e shteteve të tjera, që nuk i përgjigjen si e sa duhet interesave tona. E në këtë kontekst, duke e kuptuar këtë, zhgënjimi është një mjet presioni, që e vë trurin në lëvizje, për të gjetur mundësi e zgjidhje të reja. Shiptarët në Kosovë do duhet të mësohen me realitetin e ri, janë të pavarur sot, por jo për të shitur mend, por për të vepruar me mend në kokë, duke parë interesat e tyre!
Schengeni Ballkanik është një projekt që duhet mbështetur, por me kujdes, duke ruajtur ne si shqiptarë interesat tona, e në këtë kontekst edhe Kosova. Me Serbinë, marrëdhëniet janë delikate, pasi ajo na ka dëmtuar shumë, dhe nuk është e lehtë aspak të merresh me kriminelin, që të ka bërë dëm. Por duhet të merremi se! Jemi në kohë paqeje. Nga luftërat ballkanike, ne shqiptarët kemi dalë të humbur, me turkun, e më pas me sllavët e me grekët. Si do ia bëjmë atëherë? Do të mbyllemi në vetvete si në kohën e Enverit? Apo do të merremi me fqinjët tanë, aspak miqësorë, tani në paqe dhe do të shohim përpara në këto kushte të reja, apo do qajmë gjithë jetën, për atë që kemi humbur?
Viktimat e Serbisë në Kosovë kanë me siguri ndjenjën e hakmarrjes ndaj Serbisë, e kam edhe unë. Por a do mund ta dominojmë ne, me arsye, këtë ndjenjë hakmarrëse legjitime dhe a do mund të shkëputemi nga kjo gjendje e viktimizimit tani që jemi në liri?! Kjo është një çështje jo edhe aq e lehtë për t’u zgjidhur. Se ka edhe ndikimin e fuqishëm psikologjik brenda! Pasi popujt marrin formë edhe sipas shtypjes… Na shtypi feja monoteiste, sot kemi shqiptarë, siç ka edhe popuj të tjerë të botës, që luten përditë për “hebreun mbret” (Jezusin) ose për “arabin gospodin” (Muhamedin)… Na shtypi turku për 523 vjet pushtim, ne i kemi ende të fuqishme vragët turke, fenë islame, kanalet nëpër të cilat kalon orientalizmi i shqiptarëve… Serbia ka shtypur një pjesë të Shqipërisë etnike, ndër ta edhe Kosovën, i ka dhunuar, torturuar e vrarë shqiptarët sistematikisht, dhe kjo ndjenjë e keqe nuk i ikën dot shqiptarit jo! Kështu që nuk është e lehtë të merresh me Serbinë, por është një shtet real, e nga ideja e hajnisë së tjerëve, Serbia ka ecur faktikisht në zhvillim, më përpara se shtetet shqiptare…
Tani të kthehemi te Schengeni Ballkanik e te Rama, dhe relacioni i tij me Kosovën? A ka Kosova besim te Rama? Jo. Atëherë çfarë po kërkoni prej tij? Kosova të nxjerrë liderët e vet të besueshëm, dhe të vendosë, nëse do ose jo të marrë pjesë në këtë projekt. Rama do, unë nuk shoh ndonjë gjë të keqe te ky projekt, përkundrazi, shoh një perspektivë më të mirë edhe për shqiptarët në Ballkan – pasi heqim me paqe kufinjtë që na kanë vënë të tjerët me luftë e me gjak. Të mos rrinë duke e sharë Ramën, se ai po e izolon Kosovën, kur kjo nuk është e vërtetë. Rama nuk mundet të bëjë më shumë për Kosovën, se nuk mundet as të bëjë më shumë për Shqipërinë. Por Schengeni Ballkanik si projekt i mbështetur nga SHBA e BE, duhet parë si një mundësi afrimi, për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe malrave, si një mundësi për zhvillim ekonomik dhe për një kuptueshmëri më të madhe mes shteteve të Ballkanit.
E nëse punët janë kështu, ku e shohin të keqen në këtë projekt shqiptarët e Kosovës? Te mosbesimi e frika që kanë ndaj Serbisë? E kuptueshme, por të mos e viktimizojë veten nga kjo frikë e mosbesim, e fajin t’ia hedhin Ramës. Të mos rrinë si spektatorë, dhe t’i dominojë frika, por të marrin pjesë dhe të thonë fjalën e tyre, si shtet i pavarur, se i bëhen krah edhe Shqipërisë në këtë sipërmarrje me interes rajonal. Shqiptarët e Kosovës duhet të mësohen, që punët e tyre duhet t’i zgjidhin vetë, e të mos presin gjithmonë, t’ua zgjidhin të tjerët… Bashkë me Shqipërinë, Kosova duhet të shohë interesat e saj e t’i mbrojë ato me forcë, e jo t’ia lërë Ramës peshën e fajit, si PD pushtetin, e pastaj të mjaftohet duke sharë Ramën… Kjo nuk shkon, kjo nuk do të rezultojë si e dobishme për Kosovën!