Ese: Simbolika e nr. 23 dhe atentati mbi Pavarësinë e Kosovës?!…

0
784
Xhemail Mustafa

JETA DHE VEPRA E SHKRIMTARIT

Xhemail Mustafa 1953-2000

Shkruan: Shefqet DIBRANI

JETËSHKRIM:

Lindi më 23 gusht 1953 në Gllamnik të Podujevës, krahina e Llapit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Podujevë, studimet e larta për letërsinë dhe gjuhën shqipe si dhe gazetarinë i mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Prej vitit 1978 punoi në të përditshmen “Rilindja”, fillimisht si gazetar i rubrikës së kulturës e më vonë edhe redaktor i saj. Pastaj në gazetën “Bujku, që zëvendësoi “Rilindjen” në Prishtinë. Në vitin 1990/91 ishte redaktor i gazetës “Demokracia”, që botohej në Zvicër, po ashtu edhe redaktor i parë i të parës gazetë të përditshme shqiptare në perëndim “Rilindja” (Zvicër, 1992).

Xhemail Mustafa në gazetën “Rilindja”, dhe në periodikun e Kosovës botoi qindra recensione, vështrime dhe ese për vepra letrare dhe për çështje të kulturës dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Viteve të fundit shkroi kryesisht ese politike të cilat i botoi në Kosovë. Një shkëlqim i mendimit të spikatur, u dallua për cilësi dhe vlera të veçanta, sidomos gjatë vitit të fundit të jetës së tij tek cikli i analizave politike: që botoheshin në gazetën “Bota sot”.

AKTIVITETI POLITIK:

Në biografinë e Xhemail Mustafës vend me rëndësi zë edhe angazhimi i tij politik. Ai ishte anëtarë i Këshillit nismëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës që u themelua më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë, bashkë me dr. Ibrahim Rugovën, dr. Fehmi Aganin, mr. Jusuf Buxhovin, dr. Zekiria Canën, shkrimtarin Ibrahim Berisha, dr. Ali Aliun, akademik Idriz Ajetin, akademik Dervish Rozhajen, akademik Mark Krasniqin, prof. Anton Çetten, mr. Basri Çapriqin, mr. Mehmet Krajën, dr. Jusuf Bajraktarin etj. Në korrik të vitit 1990, në mbledhjen e Kryesisë dhe kryetarëve të degëve të LDK-së në Kosovë, u zgjodh anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Që nga viti 1992, ishte këshilltar për Informim i Kryetarit Rugova. Bashkëpunëtor i QIK-ut që nga viti 1990. Në këtë institucion informativ, ai punoi deri në çastin e fundit të jetës së tij, duke dhënë një kontribut të madh, sidomos pas përfundimit të luftës kur u ndie mungesa e kuadrit. Më pak se një muaj pas zgjedhjeve lokale të vitit 2000, të cilat i fitoi LDK-ja, Xhemail Mustafa, u vra në një atentat nga dora kriminale në pikë të ditës, në mes të Kryeqytetit, mu përpara hyrjes në banesën e vet në Prishtinë, më 23 nëntor 2000.

I. SIMBOLIKA E NUMRIT 23:

Xhemail Mustafa
– Më 23 gusht 1953, u lind,
– Më 23 nëntor 2000, u vra,
– Më 23 dhjetori 1989, u themelua LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS,
– numri 23 ishte ai që përcaktoi fitoren e LDK-së në zgjedhjet nacionale që u mbajtën më 17 nëntor 2001.

Prandaj, nëse besohet se në shpirtin e njeriut ka diçka hyjnore, ky fenomen lidhet me personalitetin e Xhemail Mustafës. Nëse këto gjëra janë të kushtëzuara ekskluzivisht me vullnetin e Zotit, atëherë mund të shprehemi lirisht se Xhemail Mustafa ishte një i dërguar i tij, përkatësisht Shenjtëria Vet. Nuk besoj se kemi edhe një rast tjetër që do t’ia shënonim katër ngjarje më me rëndësi në jetën e tij, me të njëjtin numër dyshifror. Pra siç janë të lidhura jeta me vdekjen ashtu ishte i lidhur Xhemail Mustafa me LDK-në dhe me popullin e tij. Pra ky fenomen që na shfaqet si një indikacion hyjnor e përshkruan dhe e shoqëron një lidhje e veçantë: Njeriu-Veprimi-Synimi, që do ta zbërthenim kështu: Njeriu-Xhemaili, Veprimi-LDK-ja dhe Synimi-Pavarësia e Kosovës.

A nuk i përcolli ky fenomen hyjnor ngjarjet kryesore që lidhen me jetën e Xhemail Mustafës, prandaj dyshifrori 23 është numri simbol që ka edhe këtë lidhje: Lindja-Jeta-Vdekja-Amshimi. Nëse 23 gushti 1953 shënon Lindjen e personit XH.M. Sa ishte ai në Jetë, ka ndodhur një ngjarje e madhe më 23 dhjetor 1989, (u themelua LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS). Tinëzisht tradhtarët ia sollën Vdekjen më 23 nëntor 2000. Populli i Kosovës në këtë mot’ më 17 Nëntor, tue njëjtësue figurën e tij me LDK-në sikur në mënyrë hyjnore sajuan Nr.23 për të fituar të mundshmen, dhe për ta dërguar shpirtin e Xhemailit në Amshimin e përjetshëm, përkatësisht në altarin e Pavarësisë së Kosovës.

II. ATENTATI MBI PAVARËSINË E KOSOVËS:

– “Urgjenca e pavarësisë”, ishte shkrimin i fundit, botuar më 21 nëntor 2000, në gazetën “Bota sot”.
– Më 18 nëntor 2001, kryetari i LDK-së dr. Ibrahim Rugova pas fitores së partisë së tij u shprehë për “avarësinë e Kosovës”.

“Urgjenca e pavarësisë” ishte shkrimi i fundit që u botua vetëm dy ditë para atentatit. Ky angazhim për pavarësinë i qoi peshë kobtarët, antikombëtarët e ndër(s)këmb(c)taret e Pavarësisë së Kosovës dhe hoqën plumbin mbi Njeriun e Zotit. Angazhimi serioz për pavarësinë e Kosovës i ka tmerruar vazhdimisht tradhtar e kuisling, mercenar e proletar të të gjitha niveleve. Xhemailin e vranë edhe kolegët gazetar, ata për të gjallë ia thirrën kobin, ia bënë namin për ta betonuar në themelet e pavarësisë pikëpamjen e tij largpamëse. Xhemaili u vra në mes të Prishtinës, ditën me diell në kohën e drekës para syrit të popullit. E tmerrshme!… Vrasësit nuk patën gajle as për syrin e KFOR-it, as për sytë e UNMIK-ut, as për veshët e OSBE-së, as për gojën e Organizatave Joqeveritare e as për Këshilla të të Drejtave të Njeriut të cilët formalisht i gjykuan ata që qëlluan mbi Pavarësinë, përkatësisht ngadalësuan ritmin e „Urgjencës së pavarësisë“ dhe „shtuan“ sigurimin(?!) për mos të ndodhur krime të tjera – megjithatë të vrarë pat përsëri.

Pra deri më sot asnjë rezultat për kapjen e kriminelëve, kurse kobtar e antikombëtar mbllaçitin për „Paqen-multietnike“ sikurse „ramë-korniza“ e ujdisur për ta prolonguar Pavarësinë e Kosovës që me aq ngulm, „urgjentisht“ e kërkoi Xhemaili!… Më 18 nëntor 2001, vetëm një ditë pas zgjedhjeve nacionale në Kosovë, kryetari i partisë me siglën LDK, dhe me Nr.23 që doli nga zgjedhjet nacionale fitimtare ripërsëriti për të saten herë se më mirë është: Për ta njohur Pavarësinë e Kosovës sa më shpejt apo siç ka shkruar Xhema sa më „urgjent“. Ç’ndodhi më pas? Organizata joqeveritare, Këshilla për „Mbrojtje“ të të Drejtave të Njeriut e vranë vullnetin e popullit?!… Pastaj kobtar e ndërkobëtar nxituan për t’ia bërë aminin vrastar Pavarësisë së Vendit, (përkatësisht Shkrimtarin Xh.M.), me metodat e përgatitura qysh kur iu patën vërë „Ramet-ligjore“ shoqërisë multietnike në Kosovën përplot me shqiptarë.

VEPRA LETRARE E XHEMAIL MUSTAFËS:

Xhemail Mustafa, u shqua si kritik letrar, bile këtë zeje e ka ushtruar qysh herët duke u dalluar për fjalën e „nuancuar, për mendimin e peshuar“ dhe për vlerësimin serioz të veprës letrare. Ai nëpër shtypin e përditshëm dhe periodikun kosovar ka botuar me qindra shkrime letrare, eseistike të cilat i ka botuar herë si lexime e herë si interpretime. Për të gjallë ai përgatiti përmbledhjen letrare me mbi 60 vështrime kritike të cilat i titulloi “Mrekullia e shkrimit”, (1998), libër ky i cili për fatin e tij sa ishte gjallë ka qarkulluar në një tirazh tepër të kufizuar gjë që në duart e lexuesit ka mundur të gjendet vetëm pasi autori nuk është më. “Një lutje për PrishtinËn”, (2000), është një vepër tjetër e botuar për të gjallë të tij. Këtë vepër e karakterizojnë ngjarjet e tmerrit në Prishtinën e kohës së bombardimeve.

Vepra është e ndërtuar në formë të një dokumentari origjinal që dëshmon për krimet e soldateskës serbe në Kosovë përplot „78 netë frikë e kurajo dhe shpresë“ sa zgjati operacioni i NATO-s në caqet serbe në Kosovë e Serbi. Nga pena e shkrimtarit, letrarit e politikanit Xhemail Mustafa, kanë mbetur përplot shkrime gazetareske të shkapërderdhura, mjaftë ese letrare, më shumë aso politike, komente e shënime të tjera nëpër shtypin shqiptar kudo nëpër hapësirën Kombëtare dhe në mërgim, të cilat po të mblidheshin, sistemoheshin dhe po të botoheshin do të kompletonin punën krijuese e intelektuale të Xhemail Mustafës, ku do të shquhej për një invencion koherent me tipare të qëndrueshme dhe me një paraprirje të të gjitha atyre që do të ndodhin më vonë.

Perlen LU, 25 nëntor 2001.