KU ËSHTË BURIMI I DASHURISË?

0
428
Pajtim Xhelo

Nuk t’i zbrita yjet

Atë mbrëmje dimri nuk t’i zbrita yjet,
Ishin endur përmbi re, në një stuhi,
Bridhnin n’errësisrë si të marra hijet,
Ëndrrat i arratisëm unë dhe ti.

Diku, në terrana, dimri vodhi yjet
Dhe qiellin e përzjeu në stuhi,
Ca fije të jetës, shtrënguar në nyjet,
Shpirtrat tanë i përkundën në mërzi.

Jashtë dimri inatçor përzuri hijet,
Natën e verbër përplasi në tejana,
Pa i njehësoi djallin me mirijet,
U ngjitën maleve fati edhe Zana.

Pas puthjeve të ftohta zemrat zhurmonin,
Tej xhamave akull përplasej stuhia,
Pa yje, natën as shpirtrat nuk e donin,
Mbyllëm sytë dhe ja, u ndez dashuria.

Yjet nuk t’i zbrita, po ënddrat t’i solla,,
Pas perdes nata blu ra në yllësi,
Me ca flakë zjarri se ç’të përcëllova,
Buzë edhe shpirt, ashtu, në verbëri.

Për inat të dimrit natën e harruam,
E pritëm mëngjesin veç në dashuri,
Në flakë mëkati ne u përvëluam,
Edhe yjet zbritën n’atë verbëri.

Atë natë dimri nuk t’i zbrita yjet,
Ishin fshehur përmbi re, a në stuhi,
Dhe Zanat vrapuar kishin nëpër pyjet,
Pas xhamave akull ndezëm zjarr të ri.

Kësisoj mësova të t’i sillja yjet,
Edhe kur qielli rrëzonte veç shi,
Symbyllur, njehësoheshim me hijet,
Ashtu si nata shtyhej në verbëri.

Pajtim Xhelo, 21 dhjetor 2019


KU ËSHTË BURIMI I DASHURISË?

Nuk di, është hënor apo marsian,
I largët, i padukshëm, magji a real ?
Vallë është liliput apo titan,
Vjen nga një moçal,apo zbret nga një mal?

I pashtershëm është, dimër dhe behar,
Zbret me gurgullimë, asgjë nuk e ndal,
Pastaj na afrohet fshehtas, si kusar,
Na vjedh shpirt e zemër, na deh valëvalë.

S’e shohim, s’ka ngjyrë, as e prekim dot,
Si çdo gjë, doemos nga diku buron.
Ta kërkosh dashurinë është e kot,,
Veç brenda nesh e dëgjojmë si zhurmon..

Burimin nuk e shohim, as shtrat nuk ka,
Mos nga yjet vjen me hapsirë palosur?
Apo flakëdritë e dërgojnë ata,
Flakë që ndezin ca zjarre të pasosur?

Është marsian, hënor,apo mëkat?
Djalli na i nxit në gjak e në mendim,
Si hije nate gënjeshtare, që zgjat,
Apo është ëndër,iluzion, vegim?

Është hyjnor burimi i dashurisë,
Ashtu si dhe shpirti një janë të dy,
Zot i vetëm, krijues i gjithësisë,
Na i ndez atë zjarr mua edhe ty:

Sa udhë të gjatë bëka dashuria
Që nga Bikbengu, me çfarë shpejtësi!
I trazon gjakun, mendimet e mia,
Pa Zoti e dërgon, nuk është magji!


MOS HARRO TË JETOSH

Mikja ime, mëngjes ishte ahere,
Ne sa u zgjuam nga gjumi i rinisë
Dielli i ngrohtë i një dite vere
Na rrëzoi në krahët e dashurisë.

Dhe menduam se vetëm kjo ishte jeta,
Na u duk se bota ishte veç aty,
Edhe ditët s’di në ishin të vërteta,
E ardhmja ishte veç hije për të dy.

Mikja ime, mëngjesi i jetës ishte,
Bridhte varfëria,po ne nuk e ndjenim
Dhe liria tëverbër sytë i kishte,
Pa edhe ne nuk e dinim ku po venim.

Na dukej dhimbja hënë, këngë dhe diell,
Dhe nata kish dritë hënore në sytë,
Pa ,as retë nuk i shihnim n’atë qiell,
Gjith’ urrejtjeve u vishnim dashuritë.

Nuk u lodhëm ne, nuk u lodh dashuria,
Jeta e verbër na harroi, na la,
Endacake, këmbëzbathur, varfëria,
Kur nuk e prisnim, mbi ëndrën tonë ra.

Vërtetë u deshëm, apo ëndra u zgjat?
Nxituan vitet, pas tyre ne vrapuam,
Pa urrejtje, pa mëri, ditë e natë,
Agun e rinisë kurrë s’e harruam.

Pas vitesh, në një urë jete u takuam,
E ve kishe mbetur nga një fatkeqësi,
Një çast që lumi rridhte nën ne harruam,
Dhe në mëkat desh u zhytëm përsëri.

E putha, po ndjeva vetëm ftohtësi,
Një gjethe m’u duk, përdhe e rrëzuar
U përlota dhe e putha përsëri,
I thash : Mos e shpërfill jetën, do jetuar!