“A JEMI SHOKË A KODOSHA?!”

0
502
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

IDRIZ ZEQIRAJ

Shehërlinjtë e vjetër të Pejës, kur bashkëbiseduesi, i konsideruar si shok, bënte hile përfituese, tjetri që donte ta ruante shoqërinë, duke qenë i sinqertë, ia bënte pyetjen hileqarit: “A jemi shokë a kodosha?!” Dhe, kjo pyetje hipotetike, stoponte hileqarin në dallaveret e tij të mëtejme.

Në pazaret e tashme, të dalë boje, të zgjyrosura, deri në gërdi, të partnerëve për koalicion, Vetëvendosje-LDK-e, kjo shprehje pejane është adekuate, për palët në bashkëbisedim, për ta krijuar qeverinë e shumëpritur, të shpresës, të ndryshimit. Me keqardhje duhet pranuar se të tjerët, do ta zgjidhnin çështjen e koalicionit, qysh në takimin e dytë të partnerëve për koalicion.

Çështja e përkatësisë të presidentit, nuk ishte pjesë e agjendës, përgjatë konsultimeve të ngeshme, për qeverinë e ardhshme. Dhe, ky përjashtim ishte bërë nga kandidatët për kryeministër: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, qysh në fushatë. Futja në pazarin e koalicionit, përkatësisht, në llogarinë e posteve drejtuese, është një problem i stiur, i shpikur artificialisht, jashtë kohës dhe hapësirës, meqë bëhet fjalë për një post të zënë deri në vitin 2021!

Pavarësisht se unë mendoj që presidenti duhet t`i përkiste LDK-së, futja si pykë e presidentit, deri në bllokimin e stërzgjatur të krijimit të koalicionit qeveritar, flet shumë se partnerët për koalicion, më parë se shokë, janë kodosha, të cillët tallën, madje, pacipërisht, me anëtarësinë, elektoratin e tyre, me popullin e Kosovës.

Dihet se klani brenda Kryesisë së LDK-së, ka hall monopolin për kreun e partisë dhe në këtë llogari kalkulon edhe me presidentin, për qëllime brenda partiake. Por, assesi egoizmi klanor, nuk guxon të përdoret në raport me partnerin në koalicion. Nëse LDK-ja ka provuar pazaret për presidentin më parë, Vetëvendosje e ka dënuar një akt të tillë, si jo parimor. Andaj, parimi i partnerit, duhet respektuar.

Fundja, do të mjaftonte një marrëveshje bazë, se kandidati për president duhet të jetë i pranueshëm nga të dy subjektet në koalicion. E njëjta gjë vlen edhe për çdo ministër, veç e veç, sepse suksesi apo mossuksesi i çdo ministri, përkatësisht, ministrie, është edhe suksesi apo dështimi i kryeministrit, gjegjësisht, qeverisë.

Në të kundërtën, besimi, mirëbesimi reciprok, do të ishte hipokrizi e kodoshllëk, kamuflim i tejdukshëm, për të pritur prapaskena pabesie të çdokohëshme, siç bëri PDK-ja, duke bashkëpunuar në konspiracion edhe me opozitën, për ta rrëzuar qeverinë Mustafa! Dhe, ky mosbesim e kapriçio, vazhdon të shprehet në mënyrën më të vrazhdët, madje, deri në idiotësi pështirosëse, bile, me një papërgjegjësi kriminale ndaj popullit dhe Kosovës, kur njëra palë shantazhon, “atëherë shkojmë në zgjedhje” dhe tjetra palë kushtëzon presidentin, ose “mbesim në opozitë!” Helenët e vjetër kanë një urtësi, pakësa, pezhorative: “Bëri miza prapanicë dhe e ndyu tërë dynjanë!”

Është një nonsens i madh, caktimi i një presidenti, një vit e gjysmë më parë. Rikujtoni sa irrituese ishte për anëtarësinë e LDK-së dhe shumicën absolute të popullit të Kosovës, rezervimi konspirativ i postit të presidentit për Hashim Thaçin, kur dihej se ai ishte dhe mbetet i akuzuari i parë, për krimin vrastar të shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës. Atëherë, pse duhet përsëritur, ndoshta, diç të ngjajshme edhe tani?!

Çfarëdo zgjidhje e njëanëshme, imponuese, për cilëndo palë, do të ishte e papranueshme e shumë kontestuese, gjë që më se paku do të kishim president përfaqësues të unitetit të popullit. Garimi me disa kandidatë dhe votimi nga populli, do të ishte zgjedhje dhe zgjidhje, në mos ideale, gjithësesi e pranueshme.