PËRURIM LIBRI

0
676
Fadil H. Curri - Zëra krijuesish të vegjël

Zymer Mehani

Dje, më 20 dhjetor 2019, duke filluar në ora 15.00, në sallën e Kuvendit Komunal të Kastriotit në prani të nxënësve, poetëve dhe musafirëve të tjerë u bë përurimi i vëllimit poetik “ Zëra krijuesish të vegjël nga fshati Mazgit” i autorit z. Fadil H. Curri. Përurimi bëhen nën patronatin e kryetarit të komunës z. Xhafer Gashi dhe në mbështetje të DKRS-së.

Në fillim programin e hapi poeti Fadil H. Curri, i cili u uroi mirëseardhjen të gjithë të ftuarve. Pastaj filluan deklamimet e vargjeve të botuara të fëmijëve- bashkautorë të vëllimit poetik “Zëra krijuesish të vegjël nga fshati Mazgit”, ku me talentin e tyre vërtet na dhuruan emocione të forta, duke na rikthyer edhe ne të rriturve në kujtimet e fëmijërisë sonë të dikurshme. Pastaj, fjalën e mori recensenti i librit, Zymer Mehani, i cili tha: “Zëra krijuesish të vegjël nga fshati Mazgit” është vëllimi poetik me vargje të nxënësve filloristë të kl. III, IV dhe V të Shkollës “Dr. Ibrahim Rugova” të fshatit Mazgit i Ulët”, i përgatitur për shtyp nga miku ynë i penës, poeti, publicisti e shkrimtari z. Fadil H. Curri.

Një falënderim për punën plot zell të z. Currit për përgatitjen e këtij libri të mrekullueshëm, ndërsa për ju, vogëlushë krijues të paraqitur me poezitë tuaj në këtë libër të veçantë, një përshëndetje krejt të veçantë në emrin tim, të miqve të mi poetë dhe të LSHK-së, anëtarë të së cilës jemi.

Zoti ju bekoftë, të dashur fëmijë. U rritshi në familjet tuaja me gëzime e lumturi. Ju jeni e ardhmja e sigurt e kombit tonë. Ju paçim me shëndet!

Tami siç e do rendi, do të them pak fjalë për librin “Zëra krijuesish të vegjël të fshatit Mazgit”. Ky libër është i konceptuar me vargje krijuesish të vegjël me motive e tema të ndryshme. Pra, libri është ndërtuar me poeti të fëmijëve për fëmijët, por edhe për ne të rriturit, si prindër e mësimdhënës të tyre. Këtu hasim vargje për jetën e bukur shkollore (shkolla, mësuesja, mësuesi, abetarja, shokët e klasës etj), për natyrën (malin, fushën lumin), për bukuritë e vendlindjes (shtëpinë, kodrën, qiellin).

Pra, motivet dhe temat e poezive të këtij vëllimi janë marrë nga jeta fëmijërore dhe përditshmëria e tyre (atmosfera e gjallë e shkollës, loja me shokë e me shoqe, shoqërimi me librat, pastaj ambienti familjar gjithnjë i ngrohtë (vëllëzërit, motrat, prindërit, gjyshi, gjyshja etj etj). Të gjitha këto janë tema të pranueshme dhe shumë të dashura për botën e dëlirë fëmijërore, por edhe për ne të rriturit, sepse sapo i lexojmë, na kthejnë në kujtesën e fëmijërisë sonë të dikurshme, dhe kësisoj na dhurojnë emocione të fuqishme.

Në këtë vëllim kemi poezi të autorëve të vegjël me laryshi stilesh, ngase çdonjërii krijon sipas stilit të tij unik. Tek e fundit kjo ia shton vlerën librit, sepse teoricienët e letërsisë na kanë thënë se stili është vetë njeriu.

Gjuha dhe fjalori i librit është e thjeshtë, e kuptueshme dhe e pastër. vargjwt janë të rimuara dhe shquhen me melodicitet të ëmbël. metri i vargjeve është i ndryshëm i pasur me figuracion poetik. Më të shpeshta janë krahasimet dhe metaforat, por hasim edhe figura tjera letrare. Duke i pasur parasysh të gjitha këto elemente që u thanë, përfundojmë me konstatimin tonë se ky libër është një thesar i artë që tash e tutje do të lexohet nëpër bibliotekat tona shkollore kudo në atdheun tonë të dashur.

Juve fëmijë të dashur, urime dhe shëndet e rritë të mbarë!
Po ashtu, edhe juve, miku ynë i vlerave njerëzore, intelektuale e kombëtare z Fadil H. Curri shumë urime për realizimin e këtij projekti kuptimplotë!
Ju faleminderin për vëmendjen tuaj!”

Redaktori z Fadil Curri në fjalën e tij tha: “Lexues të çmuar dhe shumë të respektuar,
Duke e parë si shumë të arsyeshme e në veçanti të domosdoshme që t’i motivojmë nxënësit e SHFMU’’ Dr. Ibrahim Rugova’’ të ë fshatit Mazgit i Ulët, ne, së bashku me mësueset e çmuara dhe të nderuara iu rrekëm punës ta përgatisim këtë antilogji poetike me krijimet e nxënësve të kësaj shkolle.

S’do mend se kjo antologji e përbashkët e krijuesve të rinj shquhet me laryshinë e poezive dhe përkushtimeve poetike, ku dominojnë poezitë për nënën, për mësuesen, për lapsin, për shkollën, për 28 Nëntorin, për flamurin, etj. etj. Kjo nismë jona do të jetë një motivim shtesë dhe një cytje e mëtejshme për krijuesit e rinj. Po ashtu do të jetë edhe në interes të vetë letërsisë sonë të bukur shqipe.

Lexuesve u dëshirojmë lexim të këndshëm!
Falënderoj të gjitha mësueset e kësaj shkolle për përkrahje dhe për motivimin e krijuesve të rinj.

Me respekt, autori!”

Fjalën e morën dhe vlerësuan talentin e nxënësve, por edhe deklamuan vargje edhe poeti Rudi Berisha, kryetar i KL “Zahir Pajaziti” – Podujevë, poeti Abdullah Troshupa, si dhe sponsori i librit, shkrimtari Rrahman Hyseni dhe poetja e talentuar Bahrije Qerimi-Spanca.

Takimi u përmbyll me kafe e llafe në një nga kafiteritë e qytetit të Kastriotit!