Zymer Mehani
Poeti i talentuar, Fatmir Z. Çitaku me vëllimin poetik “Zëra gazmorë” dedikuar fëmijëve, përmes vargjeve atyre ua ka sjellë gëzimin, buzëqeshjen, por edhe gjithçka që është e mirë dhe e dëlirë, ashtu siç janë të pastra edhe zemrat e fëmijëve, si ngrohtësinë prindore, ledhatimet e gjyshit dhe përrallat e gjyshes, lojërat e vogëlushëve, ëndrrat dhe dëshirat e çupave dhe të çunave, tiparet e bukura të stinëve të vitit, atmosferën e gjallë të jetës shkollore, jetën e shtazëve (dhelpra, lepuri, macja, keci, qeni) dhe të shpezëve (gjeli, pata, dallëndyshja, lejleku) etj… etj.
Mendojmë se kjo përmbledhje me vjersha fëmijëve do t’u sjellë argëtim, edukim dhe hare, ngase në vargjet e këtij vëllimi poeti Fatmir Çitaku ka arritur të pasqyrojë tablot e jetës fëmijërore me tërë laryshitë, peripecitë, dëshirat, krajatat dhe andrallat e shumta me fjalë të zgjedhura dhe të kuptueshme për vogëlushët.
Autori Çitaku dëshiron që me fjalë e vargje fëmijët t’i nxisë për mësim dhe t’u tregojë për gëzimin që ua sjell ai në jetë. Dhe mu ky është qëllimi kryesor që autori ia ka parashtruar vetes, pra, fëmijët të edukohen për mësim dhe punë, ngase këto janë burime të mirëqenies së tyre dhe hapa të sigurt që dërgojnë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur.
Gjuha e përdorur në këtë vëllim është e thjeshtë, e kulluar dhe e kuptueshme për fëmijët. Pra, edhe fjalori është i kapshëm për fëmijët. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me moshën fëmijërore.
Motivet e trajtuara në poezitë e autorit Fatmir Çitaku janë jeta dhe marrëdhëniet në familje, dashuria prindore, respekti ndaj gjyshit e gjyshes, jeta shkollore, dashuria dhe admirimi për mësuesen, natyra e vendlindjes, bota e kafshëve dhe e shpezëve etj.
Metri dhe rimimi i vargjeve janë të ndryshëm dhe tejet karakteristikë me melodicitetin e këndshëm. Po ashtu edhe figuracioni i fjalëve është i mjaftueshëm. Më tepër hasim krahasime, metafora, hiperbola, e sidomos alegorinë (te poezitë për kafshët, shpezët etj).
Zymer Mehani, Besianë, më 17 dhjetor 2019
BIOGRAFIA E AUTORIT
Fatmir Çitaku u lind më 22. 02.1963 në Bajçinë të Podujevës. Sot jeton bashkë me familjen e tij në Prishtinë. Shkollën fillore e kreu në Bajçinë, ndërsa të mesmën në Podujevë. Ka të kryer Ndërtimtarinë e Ulët dhe përgatitjet profesionale të menagjimit për punëmarrës.
Që nga shkolla fillore filloi të mirret me shkrime: vjersha për vendlindjen dhe për fëmijë.
Fatmir Çitaku pas eskalimit të situatës së vitit 1981 e deri në vitet ’90 nga represaljet e kohës detyrohet ta lëshojë vendin disa herë dhe të shkojë në mërgim. Që nga ajo kohë vazhdon me shkrimin e poezive dhe mbledhjen e materialeve, që i dedikohen atdheut dhe ecurive të kohës për çlirim.
Merret me shkrimin e poezive, me përmbajtje tematikash të ndryshme për jetën, vendlindjen, por më së shumti ai i kushton vëmendje shkrimeve për çështjen kombëtare dhe heronjtë të rënë për lirinë e vendit.
Vjershat e para i botoi në vitin 1974 në revistën për fëmikë “Rreze Llapi”, më pastaj vazhdoi të botojë në revistën po ashtu për fëmijë “Pioneri” dhe në gazetën”Çlirimi”. Po ashtu, nga mërgata në vitin 1993 ka dërguar mbi 80 poezi dhe disa materiale të ruajtura, që nga 1989 e deri 1999 në gazetën “Rilindja” në Shtutgard të Gjermanisë, te z. Hafiz Gagica, rë cilat janë botuar në gazetën “Rilindja” të asaj kohe.
Fatmir Z. Çitaku ka të botuara këta libra me poezi:
“NË KËRKIM TË LIRISË”
“ECIM NËPËR KOHË”
Po ashtu ka në proses të botimit edhe përmbledhjen poetike “ULURIMAT E UJQVE”
Libri “Çitakët përgjatë kohërave të historisë” (SHB “LENA GRAPHIC”, Prishtinë, 2019) është monografi për Familjen e gjerë Çitaku.
Vëllimi poetik për fëmijë “Zëra gazmorë” është libri i radhës nga ky autor.