Nëntëditëshi i Krishtlindjes

0
553
Christmas

DITA 1º PREMTIMI

L. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!
A. Amen!

L. Ta falënderojmë Hyjin e Gjithëpushtetshëm që ishte, që është e që do të vijë; dhe paqe juve që e prisni shpëtimin e tij në Jezu Krishtin Zotin tonë!
A. Amen!

L. Vëllezër e motra! Jemi këtu për t’u përgatitur që të presim Krishtin që vjen. Ta presim me lutje të zjarrtë! Ardhja e tij na është shpallur nga Hyji Atë nëpërmjet profetëve, zëri i të cilëve ka jehuar gjatë shekujve. T’i hapim veshët ndaj këtij mesazhi, ta hapim zemrën për shpresën më të madhe!

KËNGA E PROFECIVE

Ref. Ejani ta adhurojmë Krishtin Shpëtimtar!

Ngrihu, Bija e Sionit,
gëzo me zë të madh,
bija e Jeruzalemit!
Shpejt do të vijë Zoti yt
dhe do të lindë një dritë e pafund,
dhe malet do të rrjedhin ëmbëlsirë
sepse tek ne do të vijë profeti i madh,
dhe ai do ta ripërtërijë Jeruzalemin. Ref.

Shpejt do të vijë Hyji mes njerëzve të vet:
një burrë i shtëpisë së Davidit do të ulet mbi fronin e tij.
Ju do ta shihni e zemrat tuaja
do të shpërthejnë me hare. Ref.

Shpejt do të vijë Hyji Zot,
mburoja jonë, shenjti i Izraelit,
dhe kurora e mbretërisë do të jetë mbi kokën e tij.
E do ta shtrijë zotërimin e tij nga një det në detin tjetër
e nga lumi i madh deri në kufijtë më të largët të tokës. Ref.

Do të zbresë Hyji Zot,
si vesë në bashkë
në ditët e tij do të triumfojë drejtësia
me paqe të pafund.
Dhe do të vrapojnë që ta adhurojnë të gjithë mbretërit e tokës,
të gjithë popujt do t’i shërbejnë vetëm atij. Ref.

Prej teje, o Betlehem, qytet i të lartit Hyj,
prej teje do të dalë për Izraelin Sunduesi.
Ai buron prej Hyjit të amshuar
dhe do të shfaqet i lavdishëm në mesin e tokës.
Ardhja e tij
do të inaugurojë përgjithmonë mes nesh paqen. Ref.

NDEZJA E DRITËZAVE

Ndizet e para prej nëntë dritëzave për të treguar “vigjilencën në pritje” (Mt. 25, 1˗12); ndërkaq këndohet:

1. Ndizet një dritë për njeriun këtu,
shpejt do të vijë mes nesh Jezusi.
Rrini zgjuar, dhëndri nuk do të vonojë,
nëse jeni gati, derën do t’ju hapë.
Ref. Me gëzim këndoni: lavdi Zotit tonë!
Shëlbuesi ynë do të lindë!

LEXIMI I PARË

Lexim prej Librit të Jeremisë profet 31, 7˗9

Sepse kështu thotë Zoti: Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj, t’ju kumtojë zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, Tepricat e Izraelit!’ Ja, unë po i kthej nga toka e Veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që të lind: bashkësi e madhe që këtu po kthehet! Shkuan duke vajtuar, do t’i kthej duke lotuar nga gëzimi, do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua, sepse jam baba i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.
Fjala e Zotit

Këngë meditimi (Jezus besoj në Ty!)

LEXIMI II

Leximi i Ungjillit Shenjt sipas Lukës 4, 16˗21

Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas zakonit të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan: ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit.’

E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. Atëherë u tha:
Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”
Fjala e Zotit

PËRGATITJA

Sillet tek shpella e Betlehemit një djep ndërsa këndohet:

Ti ulesh prej Parrizit,
o Zot e Mbret lumnie,
e n’ tokë vjen me u bâ nieri
vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
sa n’ një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
unë s’e kam dijtë se ti ne
t’ shkretët na don kaq shumë.

A. O e Papërlyera Virgjëra Mari, o i Nderueshëm Shën Jozef ! Ne ju përgjërohemi që të na ndihmoni të përgatisim gjithçka që nevojitet për Lindjen e afërt të Fjalës së mishëruar në shpellën e Betlehemit!
Ai do të dëshirojë të gjejë disa zemra që e presin, që e mbulojnë, që e ngrohin, që e ngushëllojnë.

Ne mendojmë të përgatisim në shpellën e Betlehemit një djep, të formuar me drurin e ullinjve të Gjetsemanit dhe të një peme që pastaj do të shërbejë për të formuar altarin e flisë së tij dhe të shpëtimit tonë.

Lexuesi: Djepi përgatitet kështu: një pendesë trupore; përputhje ndaj vullnetit të Hyjit në kundërshtimet që na bëhen gjatë ditës; lutje drejtuar Jezusit të Kryqëzuar.

SHENJTI MBROJTËS

Shën Gjon Pagëzuesi

SHIGJETORJA

Eja, o Jezus Fëmijë, në zemrën time që të dëshiron!

Predikim nëse është e mundur

ANTIFONA E MAGNIFICAT

O Zot i tokës dhe i popujve! Eja e copëto zgjedhën e skllavërisë sonë të vjetër!

LUTJET E BESIMTARËVE

T’ia drejtojmë lutjen tonë Atit që prej Amshimit ka përgatitur për ne një plan shpëtimi; t’i kërkojmë që të kryejë edhe sot premtimin e tij nëpërmjet veprës së Birit të Tij Jezusit:
˗ Ne të lutemi, na dëgjo, o Zot!
Që Ungjilli t’u shpallet të gjithë njerëzve dhe ata ta dinë se Hyji i do e se Jezusi ka ardhur që të sjellë shpëtimin:
˗ Ne të lutemi, na dëgjo, o Zot!
Që të krishterët, dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, të jenë gjithmonë të gatshëm dhe të përgatitur për të kryer vepra shpëtimi që i shfaqin botës mirësinë e Atit:
˗ Ne të lutemi, na dëgjo, o Zot!
Që ne këtu të pranishëm të dime të njohim shenjat e ardhjes së Zotit në mesin tonë dhe t’i pranojmë si plotësim i premtimeve të tij:
˗ Ne të lutemi, na dëgjo, o Zot!
Ati ynë…!

Lutja

Na e shfaq fuqinë tënde, o Hyj, na ndihmo me forcën tënde: dashuria jote le të fitojë në ne mbi rezistencat e mëkatit dhe të shpejtojë momentin e shpëtimit!
Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Na bekoftë Hyji i Gjithëpushtetshëm, na ruajtë prej çdo të keqeje e na përcjelltë në jetën e pasosur! Amen!

Nikolin Sh. Lëmezhi