Pajtim Xhelo
Tregim
Të shtunave rrugët e Konicës boshatiseshin në pragmuzg; sot kjo nuk po ndodhte. Mbase dita e bukur, plot diell e dhjetorit që dalngadalë po sillte Krishtlindjet në këtë qytet të përzier, myslymanë dhe të krishterë ortodoksë, ishte arsyeja që kafenetë, dyqanet dhe rrugët gumëzhinin akoma nga zhurmët e ditës.
Madje edhe mbrëmja nuk ishte si të tjerat në këtë stinë. Akoma pa i lënë lamtumirën dielli horizontit, një hënë e plotë u var në qiellin blu të errët për të rrëmbyer qytetin në natën, zotërim tërësor të saj.
Dikur, njëpasnjë, nisën të nxirrnin kryet për të bërë sehir yjet.
Po nuk ishte mëkat të mbylleshe në shtëpi kaq herët, si bagëtia dhe si pulat në një mbrëmje kaq dehëse që Zoti kish lëshuar mbi këtë qytet?
Edhe pse lagjet e krishtera ishin të ndara nga ato të myslymanëve, Zoti ishte i njëjti për të gjithë dhe këtë mbrëmje ua kish bërë dhuratë për Krishtlindjet të gjitha lagjeve, si atyre të krishtera, ashtu edhe atyre myslymane. Edhe pse Veziri i Janinës po bënte një presion të rafinuar me të pasurit e krishterë shqiptarë që ata të ndryshonin fenë, dukej se kokëfortësia e tyre ishte më jetëgjatë nga çkish parashikuar Veziri.
Me atë mençurinë dhe qetësinë që i dallonte konicatët, ata i kërkonin kohë Ali Pashës për të bindur njerëzit e tyre me argumenta dhe fakte që duhet të ishin të pakundërshtueshme dhe dobiprurëse, se sipas tyre, ajo pjesë që ishte myslymanizuar ishin lagjet e varfëra dhe me disa lehtësi në taksa, me dhënien e disa kullotave në përdorim si dhe me lejimin e prerjes së një pjese të pyjeve të masiveve pyjore malore, ishin bindur lehtë të ktheheshin në fenë e Vezirit.
Me të pasurit ndryshonte puna,pasi pasuria u jepte atyre lehtësinë për t’u shpëtuar kërcënimeve të drejtpërdrejta të Vezirit.
Sidoqoftë, konicatët vijonin të ishin si më parë në mardhënie të mira me njeritjetrin … Ata i festonin edhe pashkët,edhe bajramin; ndryshimi i fesë ishte akoma i ri dhe nuk kish hedhur rrënjë të thella për të qenë kokëfortë dhe fanatik.
Edhe kësaj mbrëmjeje ata po i gëzoheshin të gjithë, pa dallim.
Ishte një pranverë e vockël që i ishte vjedhur ditëve të shkuara të acarta të atij dimri… Madje në klubin e Stefanit nga Florina një grup i a kish marrë këngës,nën tingujt rrënqethës të njëvioline. Zërat burrërorë, pasi ngjitnin hapësirat e lokalit,rrëshqisnin ashtu, vjedhurazi, dridhurdridhur jashtë derës së hapur dhe shpërndaheshin kësaj mbrëmjeje hënore, ëmbël dhe pakëz trishtë.
Violinisti ish ngritur tashmë në këmbë,duke zotëruar shpirtrat dhe mendjet e atyre njerëzve të thjeshtë,që po gëzonin jetën në varfërinë e tyre fisnike, kur një njeri hyri brenda, duke lëshuar zërin e tij si klithmë :
– Po digjen lagjet e Aritëve!
Violina heshti, kënga u pre dhe njerëzit dolën në rrugë, duke shtyrë njeritjetrin,për të vërtetuar me sytë e tyre atë që u kishin dëgjuar veshët.
Flakët sa vinin e ngjteshin drejt pjesëve të sipërme të dy lagjeve, andej nga fillonte një pyll i dendur dhe i lartë.
Dhe vrapuan të gjithë sa ishin për të shkuar në ndihmë të atyre banorëve, pa menduar dy herë, pa e bërë të gjatë.
Ishin harruar tashmë edhe mbrëmja magjike,edhe kënga, edhe violina me violinistin… Edhe hëna e plotë dukej sikur ishte tkurrur nga loja e frikëshme e flakëve që ngjiteshin e zbrisnin në qiell e mbi qytet, si zotëruese të pamëshirëshme të asaj nate, që deri disa minuta më parë i kish ngjasuar një pranverëze të vockël, të brishtë.
Zjarri është i tmerrshëm, hutues, frenues… Të rrëbmben mendimin dhe guximin dhe t’i ndihesh i pafuqishëm për të vepruar.
Sidoqoftë, konicatët tashmë ishin atje të gjithë. Fatkeqësia i kish thirrur dhe dhëmbja i kish njehësuar. Mendimi i tyre ishte vetëm një : si të bënin zjarrin për ta shuar!
Rrëmbyen çgjetën, thyen degë pemësh, qëlluan me to flakët, hodhën ujë me kova, gjyma e kusi.
Po zjarri ushqente zjarrin dhe flakët zbardhën natën, e bënë si ditë.
Deri në mëngjes edhe yjet kishin përlotur natën, po as ata lotë nuk arrinin dot të shuanin flakët, kurse nata, edhe pse e mundur, përpiqej të fshihte dhëmbjen dhe plagët.
Mëngjesi u duk i zbehtë, i vakët, i mjegulluar… Pa diell.
Banorët e dy lagjeve të djegura bënin sehir, duarkryq, shtëpitë e shkrumbuara që tashmë ishin braktisur nga flakët… Nga andej ngrihej fiollafiolla vetëm tym i bardhë, herëherë edhe gri.
Kur zbardhi, banorët vunë re që aty, me ta kish qenë edhe Garnizoni i qytetit.
Komandanti, një mesoburrë që të jepte përshtypjen e një njeriu babaxhan, po bisedonte me Filipin, të pasurin më me influencë të qytetit, që, si u mësua kish pësuar dëmin më të madh nga të gjithë.
– Më habit një gjë – i tha ai Komandantit të Garnizonit – Si mundi të përhapet zjarri në të dy lagjet njëkohësisht?
Tjetri u duk i menduar, po nuk u përgjigj; diçka po bluante në mullirin e tij të lodhur nga nata pa gjumë që kish kaluar.
– Mua më duket dorë e qëllimëshme – vijoi Filipi – Edhe pse në rrugicat midis shtëpive ka pisha, si u përhap zjarri aq shpejt, sa mezi arritëm të dilnim për të shpëtuar kokën? Dhe nuk e dimë akoma në se ka njerëz që kanë mbetur në flakë, kuptohet,pa shpresë për të mbijetuar.
Komandanti tundi kryet me dëshpërim.
– Nuk është ky problemi – tha – Këtë do ta marrim vesh tani. Dihet që viktima do jenë ata që nuk janë tashmë te ne, të gjallët.
Dhe, si heshti një hop, shtoi :
– As mua nuk më mbushet mëndja që zjarri të ketë qenë i rastësishëm. Të gjitha shenjat të çojnë në përfundimin logjik që zjarrvënia ka qenë e qëllimëshme. Pyetja është : përse? Kush kishte i interesuar ta bënte këtë, çfitim do të kishte nga kjo?
Filipi u mat të thosh diçka, po në çastin e fundit ndërroi mendje dhe heshti. Nëpër mendje, vetëtimthi, i kaloi biseda që kish patur dy ditë më parë me të dërguarin e Ali Pashës, Zydi efendinë.
– Shiko zoti Filip – i pat thënë ai para se të ndaheshin- edhe durimi i Vezirit ka një kufi. I keni premtuar që deri në fund të dhjetorit Konica do të jetë e gjithë myslymane, po nuk e mbajtët fjalën. Ti e njeh tashmë inatin dhe hakmarrjen e tij. Dhëntë Allahu i madhërishëm që Ai mos të merret me ju konicatët e krishterë. Dhe mos harroni që jeni edhe të pasur!
Burrit i jehuan këto fjalë në vesh aq fort dhe gjatë, sa desh bërtiti : Kjo ishte hakmarrja e atij njeriu!
Po arriti përsëri ta mbante këtë shpërthim zemërimi dhe urrejtjeje vetëm për vete, pa e ndarë me Komandantin, që, padyshim ishte një nga besnikët e flaktë të Ali Pashës.
Filipi pëshpëriti diçka nëpër dhëmbë dhe u largua për t’u bashkuar me njerëzit e vuajtjes së përbashkët.
Veç për asnjë çast nuk iu larguan nga mendimi fjalët e Zydi efendiut për hakmarrjen çnjerëzore të atij Veziri. Nuk kish asnjë vend për ta kundërshtuar se ajo që kish ndodhur në Konicë nuk ishte dora e pamëshirëshme e atij njeriu.
Mirëpo të tjerët që nuk i njihnin kërcënimet e Ali Pashës për myslymanizimin e konicatëve që ishin akoma të krishterë, vetëm i breu lehtë dyshimi : të ishte rastësi kjo fatkeqësi në prag të Krishtlindjeve?
Ishte vërtetë një dyshim i trishtë,po jo shumë këmbëngulës dhe i përhershëm… I ngjante një goditjeje diku, larg, që heraherës ndërpritej dhe gati harrohej, pastaj vijonte prapë.
Sidoqoftë, ata që morën plagë ishin të pasur dhe u shëruan shumë shpejt. Mbase edhe i harruan atë natë të tmerrshme dhe ato flakë si përbindësha kërcënues.
Veç nuk u shndërruan asnjëherë nëmyslymanë. Hakmarrja e Vezirit nuk i theu. Tri ditë më pas, edhe pse me dhëmbje të freskët, Konica festoi Krishtlindjet si asnjë tjetër herë.
F u n d