Pajtim Xhelo
Tregim
Këto treva të Molosisë epirote nuk ishin myslymanizuar akoma në vitin 1782 kur po ndodhte kjo që po tregojmë. Që prej viteve 1765 në Kostur kishin ardhur disa familje vllahe që kishin ndërtuar shtëpi të ulta, njëkatëshe në pjesën veriore të qytetit, duke krijuar një lagje të re. Brenda dhjetë viteve lagjia u rrit e u sistemua nga duart e arta të atyre vllehëve të ardhur nga Voskopoja. Shumë shpejt, aty nga ditët e para të prillit, disa familje greke, që nuk u mor vesh asnjëherë se nga kishin ardhur, nisën të ndërtonin shtëpi në shpinë të lagjes së voskopojarëve, duke u shtrirë kështu deri në lagjen verilindore të Kosturit, ku jetonin vetëm shqiptarët autoktonë.
Nuk u desh shumë kohë që vllehët dhe grekët të ndërtonin ura miqësie me shqiptarët vendës. Voskopojarët ishin ndërtues të mirë, grekët gdhendnin gurin me një mjeshtëri për t’i patur zili, ndërsa shqiptarët ishin të paarritshëm në punimet me drurin.
Këto cilësi i bashkuan edhe tre personazhet e këtij tregimi.
U njohën rastësisht. Një grek i posaardhur donte të ngrinte një shtëpi dykatëshe dhe te kafja në qendër të qytetit e këshilluan t’ua besonte këtë ndërtim jo të zakontë për atë lagje jo të pasur tre mjeshtrave të njohur: grekut Kostantin, shqiptarit Aleksandër dhe voskopojarit Nikolla.
Punën e nisën që të nesërmen. Me pazarin mbetën dakord menjëherë; greku duhet ta kish kuletën të majme.
– Ju vetëm hapni gojën për gjithçka që do duhet dhe për të tjerat mendoj unë. – u tha – Mos u kurseni për asgjë. Shtëpia duhet të jetë më e bukura në të gjithë Kastorien.
– Kosturin – e koregjoi Aleksandri.
– Kasturien – gaboi përsëri greku dhe qeshi pa të keq.
– Kostur – Këtë herë ishte voskopojari që e koregjoi.
Po u futën në detajet e ndërtimit dhe emri i qytetit nuk u moro më kohë tjetër.
Ditët kalonin dhe shtëpia sa vinte e merrte formë. Në të vërtetë kish nisur të tërhiqte vëmendjen e gjithë banorëve të lagjes, po edhe të lagjeve të tjera. Tashmë nuk kish pikë dyshimi se greku kish ardhur me shumë para dhe këtë e përforcoi blerja e pesë hektarëve tokë në rrethinat e qytetit, ku nisi pa humbur kohë sistemimet dhe gërmimet me shumë punëtorë të ardhur nga diku, larg. Akoma pa mbaruar shtëpia, pjesa më e madhe e tokës ishte tashmë e mbjellë me pemtari, me perime dhe një mëngjes të bukur u përhapën që andej edhe blegërimat e deleve dhe hungërimat e kuajve e të lopëve.
Greku po i habiste të gjithë me shpejtësinë dhe qetësinë me të cilën i bënte punët, pa folur pastaj për paratë që po harxhonte me të dy duart.
Kur shtëpia ishte drejt fundit, greku e shkëputi Aleksandrin për t’i punuar mobiljet dhe punime të tjera me dru në ambientet brenda dhe në oborr.
Përsa i përket shijes,kësaj radhe greku la gruan e tij të bukur e të re, Marien të merrej me Aleksandrin
Ai ishte rreth 23 vjeç, i gjatë, shpatullgjerë, me krahët e fuqishëm, po puna, të cilën e kish nisur që në moshë fare të re e kish ashpërsuar në fytyrë. Tiparet i kish të bukura, po finesa e moshës ish larguar prej tyre për t’i burrëruar para kohe dhe tërësisht. Për një që nuk e njihte,ai nuk do të dukej më pak se tridhjetë vjeç.
Gjithësesi ishte i lakmuar nga vajzat e Kosturit, pse jo,edhe nga shumë gra të moshave të ndryshme.
“Kushedi sa i zoti duhet të jetë ky në krevat!” – mendoi Maria kur e pa ditën e parë, po jo vetëm… Gjithë ditët e tjera që pasuan ky mendim nuk iu shqit nga koka për asnjë çast. Veç Aleksandri, edhe pse kjo grua ish e bukur dhe e mbajtur mirë, nuk i ngjalli asnjë interes… Kish parë edhe më të bukura dhe më të njoma, gonxhe akoma të paçelura. Pastaj, zemrën ia pat robëruar një vajzë Gjashtëmbëdhjetëvjeçare nga Florina. Edhe atë Marie e quanin, po ishte sykaltër dhe flokëverdhë, me dy gërsheta që ta lidhnin shpirtin e ta mbanin të burgosur përjetë.
Saherë që kjo grekja e shihte etur dhe lakmuar, Aleksandrit i dilte përpara fytyra e pafajëshme dhe sytë e Maries tjetër, që e shihnin me një ëmbëlsi dhe padjallëzi, që e bënte të psherëtinte thellë.
Po ato çaste grekja mendonte se djali hiqte në zemër për të dhe kjo e ndizte më shumë zjarrin që përvëlonte vuajtjen e heshtur të gruas së re.
Kështu ditët rendnin njera pas tjetrës, po grekja nuk e nxiste djalin që të shpejtonte… Përkundrazi, gjente shkak që t’i kthente ndonjëherë punët nga e para dhe Aleksandri nuk kundërshtonte, edhe pse kjo e habiste shpesh.
Një ditë para se t’u jepte fund punimeve në oborrin e pasëm të shtëpisë, ajo e ftoi në një nga ambientet e katit të dytë, duke i ofruar një gotë verë.
– E kam marrë në Korfuz vitin e kaluar – i tha – Është njëzetëvjeçare.
Dhe u ul fare pranë tij.
Djalë në kulmin e moshës, i fuqishëm, i ndjeshëm, i bukur, Aleksandri nisi të dehej, jo nga vera e vjetër e Korfuzit, po nga aroma ngacmuese e parfumit të gruas dhe nuk bëri asnjë kundërshtim kur Maria u afrua për ta puthur. E la t’i falte atë shije bajamesh, mes të ëmblës, të hidhurës dhe të kripurës, po vetëm për pak çaste. Mendimi se po i hynte në pjesë tjetërkujt e detyroi të tërhiqej.
– Më falni, zonjë – i tha – e bëra fare padashur. Nuk di se si u ndodha.
Dhe u çua në këmbë që të ikte.
U ngrit edhe gruaja, ashtu, si e dehur, duke u lëkundur, akoma nën nektarin e pasionit që e kish ëndëruar prej ditësh e më në fund e kish provuar vetëm një çast.
– Jo !- iu lut – Mos u largo. Këtu jemi vetëm ne të dy, muret nuk kanë sy që të na shohin, as gojë që të na kallzojnë.
Dhe i vuri dorën në gjoksin që po ngrihej e ulej Aleksandrit.
– Jo – u mundua ai ta largonte butë Marien – Ti i përket dikujt tjetër dhe kjo që po bëjmë është pabesi.
Grekja u ul dhe i pushtoi gjunjët me krahët e saj delikatë, që djalit atë çast iu dukën më të fuqishmit në botë. Ai po ndihej i pazoti të vepronte, si për ta kundërshtuar, ashtu edhe për t’iu përgjigjur pasionit të saj. Ishte në mëdyshje mes shpërfilljes dhe veprimit. Mendimet dhe ndjenjat ishin kapërthyer me njera-tjetrën në një pështjellim pa emër, madje, të panjohur deri atëhere.
E, ashtu, mjegulluar dhe e largët, i doli përpara fytyra e Maries tjetër, që e solli disi në vete.
Ashtu, butë dhe ngadalë, sikur të frikësohej ta prekte mos e lëndonte gjëkund, e ngriti gruan dhe e largoi.
– Jo – i tha prerë.
Po nuk u kuptua mirë, në i tha asaj, apo vetes. Bëri dy hapa pas dhe qëndroi në mëdyshje.
Maria i bëri shenjë me dorë që të priste dhe, si iu afrua një kasaforte të hapur tashmë, nxori prej andej një kuti metalike mbushur me flori dhe ia zgjati.
– Merre – i tha – Kjo është e gjithë pasuria ime. Ta kam falur. Unë të dua dhe jam gati të vi edhe në fund të botës me ty. Të lutem!
Djalit iu errën sytë nga shkëlqimi verbues i verdhushkave, po hutimin e përjetoi fare pak, zbehtë, pa ndjerë ndonjë ngacmim të brendëshëm. E mblodhi veten dhe e largoi dorën që vijonte e zgjatur, bashkë me kutinë metalike.
Dhe u largua me hap të shpejtë, sikur të frikësohej mos i kthehej mendja.
Eci ashtu, me mendimet që gëlonin shpërthyer në kokë. Dikur takoi edhe dy shokët e tjerë, Kostantinin dhe Nikollën, të cilët e vunë re turbullimin e tij dhe s’e lanë rehat me kurreshtjen e tyre, derisa e detyruan djalin që t’u tregonte gjithçka.
Zotëroi një heshtje e gjatë. Pas çastesh greku tha :
– Tani ajo do të hakmerret. Femrat tona hakmerren kur i fyen në ndjenjat e tyre. Më ka ndodhur dikur, kur isha i ri si ti.
– Kjo s’është e drejtë – ia bëri Nikolla me naivitet – Ky nuk është fajtor pse u tregua i ndershëm.
Greku qeshi.
– Kështu e kupton ti – ia ktheu – Po nuk ka më të tmerrshëm se inati i një gruaje të shpërfillur nga një mashkull që e dëshiron ajo.
Aty u ndanë, secili në shtëpinë e tij.
Të nesërmen shkuan që në mëngjes herët për të marrë shpërblimin tërësor për punën e bërë te greku, i zoti i shtëpisë.
Po ai i priti me këmbët e para, duke i quajtur hajdutë, të pabesë, mosmirënjohës e të tjera fyerje të tilla.
– Më keni vjedhur gjithë pasurinë – bërtiti me sa zë kish – Do dilni para ligjit!
Ata të tre u përpoqën ta bindnin se nuk dinin gjë, se nuk kishin gisht në këtë vjedhje dhe se po i akuzonte dhe i fyente kot.
Po greku dukej më se i bindur dhe u tha se kish lajmëruar organet ligjore dhe të nesërmen do të paraqiteshin atje të katër.
– Gruaja ime nuk më ka gënjyer asnjëherë. Ajo më tha se ju kish parë të hynit dje në shtëpinë time.
Më në fund, ja si na qenkish puna! Maria po hakmerrej. Kostantini paskish patur të drejtë.
Po tani si t’ia bënin? Brenda mesditës lajmi kish marrë dhenë : Ata të tre kishin vjedhur floririn e grekut. Dhe cilët se! Për ata gjithë Kosturi vinte dorën në zjarr. Ja që nuk u njihkëshin njerëzit!
Çduhet të bënin?
Aleksandri banonte as 200 metra larg shtëpisë së Maries. Po rrinte e po vriste mendjen se si do të dilte nga kjo situatë.
Ngadalë ra muzgu që zgjati hijet e fundit të pragnatës. Veç, fare papritur, zgjati edhe mendimin e përgjumur të Aleksandrit, që foli gati me zë :
– Aha, e gjeta ç’të bëj.
U ngrit dhe ngadalë, më nge, u drejtua për nga shtëpia e Maries. E gjeti vetëm, sepse i shoqi u kish thënë që do të shkonte diku për të marrë para të tjera.
Aleksandri pati përshtypjen që ajo e priste. Madje, iu duk e qetë.
– Pse e bëre këtë?
Asnjë përgjigje.
– Unë i tregova burrit tënd gjithçka ndodhi mes nesh – e provokoi ai. Grekja u drodh.
– Me të vërtetë e bëre këtë?
– Po… Përderisa ti sajove gjithçka, unë isha i detyruar të tregoja të vërtetën.
Ajo nuk tha gjë në fillim. Pastaj pyeti :
– Dhe ai të besoi?
Jo, nuk besoi që midis nesh nuk ndodhi asgjë. Më tha se ne të dy e kishim tradhëtuar, e kishim turpëruar dhe meritonim vdekjen. Të dy.
Gruaja u duk e habitur. Sytë e saj të zmadhuar, më në fund kishin zbuluar gjithë hidhërimin e shpirtit, të atij shpirti pasionant që kushedi sa herë kish mëkatuar pa e kuptuar i shoqi dhe ja, tani, për këtë mëkat të pakonsumuar, të mbetur në tentativë, ai do ta dënonte, kushedi në ç’mënyrë të turpëshme… Do ta linte tërë jetën të shkatërruar e në varfëri… Akoma më keq, mund t’i merrte edhe jetën. Dhe ai e bënte këtë.
– Po tani si i bëhet ? – pyeti Maria me gjysëm zëri.
Aleksandri e pa gjatë.
– Ka vetëm një rrugë – i tha – Turpi nuk lahet dot. Sa më përket mua, unë do var veten. E kam vendosur. Sa të largohem prej këndej.
Çudi, gruaja e re dukej fare e qetë. Apo kështu iu duk atij?
Jo, jo ishte ashtu. Para se njeriu të marri një vendim fatal, është larguar nga arsyeja, nga emocionet, mendimet i janë ndalur diku, të mpira, të ngrira, të shpërfillura. Papritur Maria ngriti kokën dhe pa e parë Aleksandrin në sy, tha:
– Atë do të bëj edhe unë.
Dikur shtoi :
– Ma përgatit ti litarin.
Aleksandri iu bind vullnetit të gruas, bëri gati lakun, e lidhi litarin te dritarja që shihte në drejtim të shtëpisë së tij dhe, para se të largohej i tha:
– Do dëgjosh një ulërimë të zgjatur të motrës sime kur unë të jem varur. Atëhere vepro edhe ti. Mbase do takohemi në jetën tjetër pa mëkate.
Dhe u largua me hap të shpejtë, pa e kthyer kokën pas.
Kur shkoi në shtëpi i tha të motrës me urdhër:
– Dil në oborr dhe ulërit!
– Pse ? – u habit ajo.
– Bëj kështu si të them dhe mos ma bëj fjalën dy. Ulërit sa ke në kokë!
E motra, desh s’desh u bind.
U dëgjua një ulërimë e thekshme, që jehoi e u përhap në terrin e natës. U përsërit disa herë. Dikur gjithçka u tret e u harrua, u shty tej, nga pyjet e pafundme të Kosturit.
Në mëngjes Qyteti u gdhi i tronditur nga vetvrasja e pashpjegueshme e asaj grekeje të bukur. Edhe florinjtë u gjetën te këmbët e saj.
Ditë më pas njerëzit, nën zë e mbi zë, nisën të akuzonin të shoqin për vrasjen, ndërsa ai i gjorë qante gruan “besnike”, që nuk e kish tradhëtuar asnjëherë.
Në të vërtetë grekja ishte vetëndëshkuar vetëm për mëkatin e pakonsumuar. Nuk e kishin lënduar mëkatet e tjerë… Ata i kish shijuar. Mbase deri në fund!
F u n d