Sytë – nga Fatmire Duraku

0
758
Fatmire Duraku

Fatmire Duraku

(Insert nga romani “Ora me qostekë”)

Në hapësirën e rregulluar bukur përreth xhamisë qëndruam pak. Vetëm tri ditë. Ama kjo qe e mjaftë t`i ikim lodhjes dhe urisë, etjes dhe udhës që na shpinte pashmangshëm në vdekje. Rreziku nuk qe shumë më i vogël për jetën as këtu, por – sado pak, brenda vetvetes ndienin një hapësirë tjetër, më të ndritshme, plot shpresë. Njerëzit aty kishin sjellë një shporet, në të cilin ai që kishte mill mund të piqte bukë, apo ndonjë gjë tjetër, ndokush tjetër mund të ziente gjellë. Hapësira e brendshme e xhamisë i mundësonte secilit të ruante sado pak intimitetin e vet familjar e vetjak. Unë me Tringën, mbi disa grushte kashtë shtruam aty një batanije të vjetër, mbi të cilën kaluam tri ditë. Mbuloheshim me çka mundnim, me rrobat që kishim në valixhet e vogla, që i morëm me vete nga shtëpia. Afër nesh qe vendosur gruaja në moshë, e cila qe mbështetja e përhershme imja dhe e Tringës. E pyesnim për çfarë na duhej. Na ndihmonte pa përtesë. Krijuam një afërsi tepër të thellë. E ndienim nënë, ndoshta pse ajo të thuash për tërë jetën na mungoi. E puthnim me dashuri për çdo ditë të re në faqet e fishkura.

Ajo ishte vetëm. Na kishte vetëm ne dhe pikërisht kjo qe ura përmes së cilës u afruam kaq shumë dhe me ngrohtësi. Netët e marsit ende ishin të ftohta. Kjo na sillte kokëçarje për të bërë gjumë të qetë. Pandërprerë ballafaqoheshim me të ftohtit, me krismat nga armët afër e larg. Të shtënat natyrisht na trembnin dhe gjumi ikte. Unë e Tringa, megjithatë, ia dolëm të ktheheshim në vete, të çlodheshim dhe të iknim nga halucinacionet, nga imazhet e rënda, nga fotografitë e flakës, të vdekjes dhe të tmerrit, me të cilat arritëm këtu. E tërë ajo shkoi dhe tash duhej gjetur mënyrë për t`u qetësuar pak, për të bërë gjumë kaq sa të pa ngarkesë. I afroheshim afër-afër njëra tjetrës, të mos e ndiem aq ashpër të ftohtit e natës. Babai, nuk fjeti fare aty. Ai na la ashtu – në gjendje shumë të dërmuar, e pa na treguar nga ia mbante, iku. Më puthi në ballë, pastaj e puthi Tringën dhe , i shqetësuar, ktheu e mori të ecte.

– Ku ik ore, – ia bëri gruaja në moshë. – Ku i lë vajzat e reja në këtë kiamet?
Ai nuk tha gjë. Uli kokën e mori të ikte. As unë, as motra s` folëm gjë. E shikuam nga shpina përderisa na humbi sysh dhe si te unë, po ashtu dhe te Tringa, hetohej një emocion i theksuar, një dhembje për të. Ai qe në moshë dhe ndoshta nuk do ta shiheshim më. Mund të vriteshim ne, mund të vritej ai…
– Iku, pa thënë fjalë, – tha Tringa, – pa e ditur nga ikën…
– Nuk do të na shqetësojë edhe më… – ia bëra.
– Kështu… nuk na shqetëson?! – tha.
– Ndoshta ka synim diku, – e shikova e lotët m`i turbulluan sytë. Mendja më ikte pandërprerë te ai; pse iku, ku iku, ç`bën… Ikën kaq orë e ai s`ia behu! A është ende gjallë? Dridhesha. Më shfaqeshin çastet e fundit të ikjes nga shtëpia, nga fshati; më tingëllonin thekshëm bisedat, më zgjoheshin të njëjtat dhembje, përjetoja shiun, natën-skëterrë, ecjen kuturu…

– Iku tërë një ditë e babai s`u kthye, – shikonte e humbur në pacak Tringa.
– Ndoshta ka synim diku, – e përsëritja në lot.
– Ndoshta, – shtoi ajo preras, – megjithatë, nuk qe as vendi as koha të na e kthente shpinën e kokulur të ikte!
– Vjen, vjen… – më iku nga vetja zëri. – Vjen!
– Vjen e nuk vjen, – tha ajo.
– Pse nuk vjen, – e shikova me mllef.

Dita e tretë po ngrysej. Unë po e përgatisja shtrojën, ku do ta mplaknim dhe një natë, e motra me gruan në moshën dolën jashtë xhamisë.
– Eda, eja, – më tingëlloi në veshë zëri i Tringës. – Te dera është një njeri që të kërkon ty.
– Pse mua? Kush është ai?
– Eja dhe fol vetë me të.

E ndërpreva punën rreth shtrojës e pa menduar gjë dola jashtë. Tashmë ndihesha mirë dhe ecja pa ndonjë barrë të rëndë trupore, ndërsa më lehtë ndihesha dhe në kokë; pa atë barrën që vinte me fotografi të rënda dhe shumë të çuditshme. Sado që ndjenja e luftës ishte aty, e pranishme në çdo çast. E ikur në mendime të shkapërderdhura, dola nga xhamia. E ngreha kokën dhe para vetes vërejta të qëndronte një burrë i gjatë, zeshkan dhe i bukur. Mbante në dorë një qese najloni. Fytyra i ndriste nga një buzëqeshje e lehtë. E pashë në sy. Kishte sy të kaltër dhe flokë të ndritshëm. Ndjeva një ngrohtësi aty për aty, pastaj një dridhje. Diçka nga ai sapo ia zgjatëm dorën njëri tjetrit, hyri në mua.

– Zot, çfarë është kjo, – mendova.
– Ti je Eda, – tha ai.
– Po, – ia bëra e hutuar.
– Unë jam Iliri.
– Më vjen mirë, – ia bëra. – Ç` të mirën kemi, Ilir dashur.
– Njihemi nga më herët, – ndërhyri ai.
– Jo, – e shikova prapë në sytë e kaltër. – Pse pyet?
– Më thua i dashur…
– Nuk më kujtohet që të thash diçka të tillë.
– Kaq shpejt harron, apo nuk do ta pranosh?
– Njëra duhet të jetë, – i buzëqesha.
– Gjithsesi… – bëri ai dhe ma ofroi qesen e najlonit.
– Ç` është kjo?
– Ka pak miell, që ta mbani edhe për ndonjë ditë shpirtin… Ua dërgoi babai.
– Ku është ai? Iku pa thënë gjë…
– Është me ne, në UÇK.
– Ti vjen nga radhët e UÇK-së.
– Po.
– E uniforma.

– Herë e bartë, herë jo. Të mos rrezikoj ata që i kontaktoj, por as veten aty-aty…
– Nuk kam asgjë të të afroj, – ia bëra dhe e thirra Tringën, e cila ecte hapësirës rreth xhamisë me gruan e moshuar. Ia lëshova qesen e najlonit në dorë dhe iu ktheva bisedës me burrin e gjatë, zeshkan dhe të bukur.
– Ty nuk po të lëshoj më, – ia bëra më vete. Ai shikonte i hutuar. Kush jam unë, çfarë po ndodh me mua!? Një herë i thash i dashur, pastaj nuk kam asgjë të të ofroj e – kështu…
– Nuk kam as kafe, as çaj. Asgjë, – fola të vogël.
– Nuk më duhen, derisa më shikon ashtu me ata sytë tu të bukur.
– Sytë, – ia bëra, – sytë të bukur i paske ti.
– Sytë tu, – qeshi, – qenkan shumë, shumë më të bukur…
– Sytë, – e përsërita.
– Sytë, – e përsëriti dhe shtoi. – Sytë e flasin tërë shpirtin e njeriut. Ata tregojnë kush je, çfarë je …

– Lere më, lere, – ia bëra…
– Do të më hyjë vetja në qejf.
– E ta ndiesh veten ashtu në këtë kohë nuk është pa rrezik…
– Ashtu është, – tha ai, e mori të ecte. – Më duhet të ik…
– Do të shihemi prapë…
– Për tri-katër ditë, mendoj, – më shikoi.
– Pse kaq shpejt.
– Të t`i shoh sytë… – qeshi. – E, edhe t`iu marrë nga këtu e t`iu shpie në ndonjë vend më të sigurt.

– Ndoshta vjen dhe babai. Na la e iku-i heshtur. Nuk foli fjalë në ndarje mësa flet toka.
– Nuk do ta ketë pasur lehtë t`iu lë vetëm… Ai është burrë i rrallë. Më ka rrëfyer shumë gjëra nga jeta. Për vdekjen e gruas së re, të cilën kaq shumë e ka dashur. Më tregoi ndër lot, nga nevoja ta thoshte atë që e ruante në vete, se – që ditën e vdekjes së gruas, qe betuar të mos martohej më kurrë, sado pse mbetej në moshë të re. Për hir të gruas, e sidomos për hir tëndin e të motrës tjetër…

– Jemi katër motra.
– Ashtu më tha dhe ai. Pra, ai është ndarë nga ti e motra në heshtje nga dhembja dhe pesha e madhe që ka ndier në shpirt atë çast.
– Ajo do të ketë qenë, gjithsesi, – ia bëra.
Ecëm dhe pak udhë e u përshëndetëm. Prapë nga dora e tij te unë hyri diçka e çuditshme, të cilën e ndieja nga më bën të lumtur, nga jep shpresë për çdo gjë. – Dashuri ndoshta. Në shikim të parë. A mund të jetë, – mendova e pastaj shkunda kokën dhe eca më rreptas të arrija të rregulloja shtrojën për gjumë gjatë natës që vinte…

– Sytë, – më binte zëri me jehonë. – Sytë… Sytë e flasin tërë shpirtin e njeriut. Ata tregojnë kush je, çfarë je … Më endeshin pandërprerë në kokë fjalët e Ilirit.
– A është njëmend kështu? Ç` është Syri…

Syri është … “Vështrimi a mënyra e të vështruarit si shprehje e jashtme e gjendjes së brendshme të dikujt; mënyra si shikon dikush; shikim, vështrim…” Syri është shpirti. A është kështu, njëmend?! Shikoja e habitur fare. Çfarë është kjo, që më preokupon për sytë, zot?! Kjo qe hera e parë të mendoja kaq dendur, kaq me zemër për sytë e dikujt… E shtrova kashtën e mbledhur në një cep, ia hedha sipër batanijen e vjetër dhe rrobat, me të cilat mbuloheshim gjatë natës i palosa pranë murit, pastaj mora të dilja jashtë xhamisë. Te dera e hasa Tringën dhe gruan e moshuar.

– Vinim të të thërrisnim, – tha Tringa.
– Të ecim pak rreth e rreth xhamisë, para gjumit, – më shikoi gruaja e moshuar.
– Po, – ia bëra. – Gjë e mirë…
– Ai, i bukuri, shkoi apo jo, – më shikoi Tringa dhe qeshi.
– Shkoi.
– Çfarë tha, pse kishte ardhur?
– Pse… Të na sillte ata grushte miell, që e more ti.
– E tjetër, – qeshi. – Flisnit disi afër, ëmbël…
– Po, flisnim për sytë. Më tha se kam sy të bukur.

– Sy të bukur kishte edhe ai, – tha gruaja e moshuar. – Dhe, po të mos kisha kaq vite në supe, do të dashurohesha në ta. Sytë te unë gjithherë kanë qenë qielli i mëngjesit te njeriu. E flasin brendinë e secilit.
– Shpirtin, – e shikova.
– Pikërisht, shpirtin, – tha gruaja e moshuar.
– Ashtu e tha dhe ai këtë.
– Qenka i zgjuar, – më shikoi gruaja.

– Ashtu m`u bë… – ia bëra dhe më pastaj morëm bisedë tjetër, por mendja gjithherë më ikte te ai. Fjalët që i tha më endeshin nëpër kokë… Me t`u kthyer në xhami, gjënë e parë që do ta bëja qe ta merrja nga valixhja fletoren e madhe dhe lapsin që i bartja nga ikja nga shtëpia, të shënoja fjalën e parë në të, “Sytë!” Aty, pastaj, nën këtë, shkrova- “Sytë e flasin shpirtin e njeriut”, ndoshta?! Më nuk mund të shkruaja asgjë.

Terri tashmë qe futur brenda xhamisë dhe ngaqë nuk ndiznim dritë, për shkaqe të mos hetoheshim nga sytë e armikut, e mbylla fletoren dhe me lapsin e futa prapë në valixhe. Ca më pas u shtriva pranë Tringës, u mbulova me setrën time të dimrit, që e kisha marrë me vete – për çdo nevojë, e i ngulita sytë në dritaret me qemer të xhamisë. Shikoja e hutuar e mendja më endte sa aty, sa këtu, sa atje… Më shëtiste ngado e prapë më kthehet te biseda me Ilirin për sytë. Tashmë, vetëm pak orë nga njohja dhe ndarja me të, e ndieja të afërt, të tillë, te i cili do të mund ta mbështesja veten në çdo rast. Ndoshta pse sytë e flasin shpirtin. Ndoshta? Udhëtoja me të larg-larg, ecja një hapësire të pafund dorë për dore, shumë e lumtur. Shëtisnim plazhit të vetmuar, nën muzikë të gjallë valësh që vinin dhe përfundonin në rërën, nëpër të cilën shkelnim, i lenim gjurmët tona.