Tiparet fashiste që demonstroi “antifashizmi” serb, maqedonas dhe malazez në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Kosovës me vise gjatë Luftës së Dytë Botërore

0
699
Muhamet Shatri

Prof. dr. Muhamet Shatri

Lufta e Dytë Botërore dhe zhvillimet e saj krijuan kushte të reja gjeopolitike në Ballkan dhe në trojet etnike shqiptare. Gjatë kësaj lufte Kosova me vise e tjera shqiptare të robëruara nga sllavët e jugut u pushtuan nga Italia, Gjermania dhe Bullgaria dhe u ndanë në mes tyre. Në bisedimet rreth ndarjes u theksua se kriter themelor për përcaktimin e kufijve të rinj do të ishte përkatësia kombëtare e popullsisë, ndonëse nuk u respektua plotësisht, parim ky që ishte shkelur shumë nga Fuqitë e Mëdha gjatë caktimit të kufijve të Shqipërisë jo vetëm në këtë kohë.

Bashkimi me Shqipërinë, edhe pse jo i plotë, ishte bashkim kombëtar që u krye në rrethanat e konfrontimit dhe të konfliktit botëror. Duke konfirmuar këtë të vërtetë studiuesi Patrick Moulton shkruante se ”është ironi e fatit që në këtë kënd të errët të Evropës, vetëm fashizmi ndreqi atë që ishte dhe vazhdoi të jetë padrejtësi”.

Udhëheqja e PKJ që në fillim të luftës kishte kristalizuar vijën politike e ushtarake, të gjenocidit ndaj antishqiptarëve dhe e kishte përpunuar e programuar në format e metodat më të sofistikuara për zbatimin e saj.

Udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH), nën diktatin e emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), që në fillim pranoi vlerësimet globale të PKJ për Shqipërinë si ”arterie kryesore të imperializmit italian në Ballkan dhe si bazë e kundërrevolucionit dhe e shtypjes së Lëvizjes Nacionalçlirimtare (LNÇ) të popujve të Ballkanit”. Ajo nuk i njohu kufijtë e caktuar nga Italia, Gjermania dhe Bullgaria, jo se me këtë ndarje kishin mbetur shumë treva shqiptare jashtë shtetit amë, por pse këta kufij ishin vendosur nga pushtuesit fashistë, dhe siç propagandonte ajo, u shërbenin atyre. PKSh theksonte se ”zgjerimi i Shqipërisë është parullë e fashizmit dhe e tradhtarëve të vendit, për të ngjallur ndjenjat shoviniste, për të forcuar armiqësinë e popullit tonë me popujt fqinjë jugosllavë e grek dhe për ta larguar atë nga lufta”.

Zhvillimi i Lëvizjes Antifashiste për shkak të përvojës së hidhur nën pushtetin serbo-jugosllav, si dhe për faktin se idetë komuniste vinin nga Rusia, projektuese e zbatuese e platformës dhe e strategjisë shekullore antishqiptare, nuk patën mbështetje në popullin shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të pushtuar nga sllavët e jugut. Prandaj, komunistët shqiptarë të Kosovës dhe të viseve për rreth, përfshirë këtu edhe ata të ardhur nga Shqipëria, mbetën deri në fund të luftës ujdhesë e izoluar në detin e komunistëve sllavë dhe përpjekjet e pjesës së tyre atdhetare për jetësimin e idealeve të çlirimit kombëtar në bashkëpunim me armiqtë shekullorë ishin një utopi.

Për jetësimin platformës se çlirimit dhe të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, me përkrahjen e Italisë dhe të Gjermanisë, vepruan dhe luftuan Komiteti Kosovës, Lidhja Popullore Shqiptare dhe sidomos Lidhja e Dytë Shqiptare e Prizrenit, e cila nga shtatori i vitit 1943 deri në gjysmën e dytë të nëntorit të vitit 1944 arriti të mbronte pjesën më të madhe të Shqipërisë se Sipërme, përfshire edhe një pjesë të Sanxhakut. Por një pjesë e tij, përkatësisht bërthama e Lëvizjes Nacional Demokratike (grupi i irredentës në krye me Selman Rizën), duke ndjekur përcaktimin programatik e rilindësve, e shihte vendin e Shqipërisë në botën demokratike perëndimore dhe nuk bashkëpunoi me shtetet fashiste.

Komunistët jugosllavë, ndonëse i thërrisnin shqiptarët që ti kundërviheshin fashizmit, nuk ishin të kënaqur me demonstratat antifashiste, që u organizuan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare gjatë viteve 1941-1943. Atyre nuk u pëlqente pse këto demonstrata përkujtonin përvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në analizën që Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste për Kosovë e Metohi (KK i PKJ) u bëri këtyre demonstratave u kritikua pjesëmarrja e komunistëve dhe e veprimtarëve shqiptarë të Lëvizjes Antifashiste në to dhe u nënvizua se ky aktivitet kishte qenë i njëanshëm dhe në dobi të interesave të nacionalizmit shqiptar.

Udhëheqjes jugosllave nuk i konvenonte as angazhimi i shqiptarëve të Kosovës me vise në “Lëvizjen Nacional Çlirimtare” (“LNÇ”). Ajo donte që ata të mos faktorizoheshin nëpërmjet “LNÇ” dhe t’i shpallte të gjithë bashkëpunëtorë të fashizmit për t’i zhdukur apo të shpërngulur më dhunë nga Kosova.

Në këto rrethana vazhdoi propaganda edhe denigrimi i shqiptarëve të Kosovës, e cila u mbështetë fuqimisht edhe nga udhëheqja e PKSH. Kështu Enver Hoxha në letrën drejtuar sekretarit të Komitetit Qarkor të PKJ për Rrafshin e Dukagjinit, Ismet Shaqirit, në prill të vitit 1944, shkruante se Kosova është bazë e reaksionit shqiptar e jugosllav” dhe se kundër tyre duhet luftuar pamëshirshëm. ”Nga Kosova, theksonte ai, do të rekrutohen një numër i madh forcash, të cilat armiku do t’i dërgojë kundër partizanëve të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë”. Prandaj, ai u bënte thirrje formacioneve partizane kosovare që të bëjnë çmos për vëllazërinë e popujve të Jugosllavisë, për t’u bashkuar në luftën e përbashkët dhe për t’u ruajtur prej grackave, të cilat do t’ua bëjnë shovinistët duke i nxitur në grindje reciproke.

Në tetor të vitit 1944, me kalimin e formacioneve të Ushtris Nacionalçlirimtare të Shqipërisl në Kosovë e në Jugosllavi, u vendosen lidhjet e ngushta e të vazhdueshme midis tyre dhe reparteve partizane kosovare e jugosllave. Nuk ka dyshim se kalimi u bë në kohën kur udhë-heqja e PKJ-së kishte përcaktuar përfundimisht qëndrimin e saj për të ardhmen e viseve shqiptare. Përpara këtyre qëndrimeve dhe presioneve u gjunjëzua plotësisht edhe udhëheqja e PKSH, e cila jo vetëm që nuk mundi të shtrojë problemin e të ardhmes së Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, por që nga Plenumi i Beratit vuri në pikëpyetje edhe ekzistencën e Shqipërisë si shtet i pavarur.

Nga ata tjetër, udhëheqja e PKJ e përçmonte deri në skajshmëri aleaten e saj duke theksuar se pushteti që u vendos në Shqipëri nëpërmjet Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte ende i dobët dhe i pa konsoliduar. Prandaj, sipas saj shteti i ri shqiptar nuk mund të ekzistonte dhe të hynte “në rrugën e ndërtimit të shoqërisë socialiste” në rast se atij do i bashkohej edhe Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, popullsia e të cilave “kishte mbajtur qëndrim armiqësor gjatë Lëvizjes Antifashiste. Propagandën denigruese të udhëheqjes së PKJ e miratonte edhe Hysni Kapoja, komisar i Korparmatës I dhe anëtar të KQ të PKSH-së kur u shtronte komisarëve të të dy brigadave të dërguara në Kosovë si detyrë parësore: ”Të popullarizohet miqësia e popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë” etj, pa përmendur me asnjë fjalë të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje dhe për statusin e Kosovës pas lufte, e mos të flasim për çështjen e bashkimit me Shqipërinë.

Përkundër faktit se repartet e UNÇSH kishin ardhur me ftesën e udhëheqjes së PKJ që t’u ndihmonin maqedonasve, serbëve dhe malazezëve për ripushtimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, atdhetarët e këtyre trevave nuk pranuan të vazhdonin luftën kundër vëllezërve të tyre nga Shqipëria. “Me zemër e me pushkë jemi me ju, deklaronin udhëheqësit e forcave atdhetare dhe jemi gati që edhe pushkët tona t’i bashkojmë në luftë kundër gjermanëve, por gjithnjë kemi frikë nga forcat serbe, sepse serbët janë të pabesë”. Ata njëkohësisht shprehnin edhe drojën se mos brigadat shqiptare i tradhtonin. Megjithatë, “shqiptarët u vëllazëruan shpejt me shqiptarë” dhe, pas 28 tetorit të vitit 1944, luftimet në Kosovë u zhvilluan pothuaj plotësisht vetëm kundër forcave gjermane.

Në gjysmën e dytë të vitit 1944 formacionet partizane të Serbisë filluan sulmin frontal për ripushtimin e Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare. Shtabi Kryesor i Serbisë në Proklamatën e gushtit të vitit 1944 drejtuar shqiptarëve të Kosovës i akuzonte dhe kërcënonte njëkohësisht: ”Ju deri më tash keni qenë të mashtruar prej gjermanëve dhe u keni ndihmuar. Ata ju kanë hedhur në luftë për llogari të vet në Mal të Zi, në Maqedoni dhe më në fund në Shqipëri. Në këtë mënyrë ju jeni bërë pjesëmarrës në krimet që ka bërë okupatori gjerman. Së bashku me pushtuesit fashistë ju keni ngritur dorën kundër popujve fqinjë, dhe në këtë mënyrë keni bërë turpin më të madh. Për shkak të qëndrimit të këtillë, ju deri më tash nuk keni fituar të drejtën të jetoni në barazi dhe vëllazëri me popujt e Jugosllavisë”.

Propagandës thellësisht armiqësore e shumë denigruese për shqiptarët si shovinistë e kriminelë, i printe gazeta “Borba”, organ i KQ të PKJ-së, e cila në nëntor të vitit 1944 shkruante se në Kosovë pas 6 prillit të vitit 1941 serbët dhe malazeztë kishin jetuar nën shtypjen e shovinistëve shqiptarë, që i shndërruan këto treva në arenë të tmerrshme të vrasjeve dhe djegieve”. Sipas saj, ata ishin reaksionarë e shovinistë, që kishin bashkë-punuar si popull me pushtuesit e huaj dhe që si të tillë duhej të jepnin llogari. Sipas kësaj logjike shqiptarët duhej të përgjigjeshin për krimet e fashizmit, për gjendjen e popullsisë jugosllave në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në kohën e pushtimit, etj.

Udhëheqja e PKJ përdori të gjitha mjetet për të diskredituar e njollosur popullin shqiptar, që do t’i shërbente për të justifikuar zbatimin e planeve dhe të proje¬kteve të vjetra antishqiptare. Për shqiptarët nuk vlente asnjë lloj ligji dhe ata nuk mund të ishin të barabartë me popujt e tjerë të atij vendi. Kështu me Ligjin e amnistisë, më 20 tetor 1944, xhandarët, nëpunësit e financës, të policisë, oficerët dhe të gjithë pjesëmarrësit e njësive çetnike të Drazha Mihajlloviqit, kriminelët e të gjitha ngjyrave, jo vetëm që u amnistuan, por atyre u jepej njëkohësisht mundësia për t’u futur në aradhet partizane, dhe ashtu si më parë, me kokardën çetnike, tani me yllin pesëcepësh të vrisnin ”kundërrevolucionarët shqiptarë”. Ligji mbi amnistinë që ishte i vlefshëm për të gjithë popujt, nuk shërbente për shqiptarët. Asnjëherë nuk u tha zyrtarisht se edhe nga radhët e shqiptarëve kishte elementë të gënjyer nga demagogjia e okupatorit fashist, siç u tha për popujt tjerë, në veçanti për popullin serb.

Propaganda komuniste jugosllave ishte në funksion të përpjekjeve për spastrimin etnik të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare, që u forcua prej tetorit 1944, duke u justifikuar si luftë kinse kundër ”kundërrevolucionit” dhe mbeturinave të tij. Ai filloi në zonat periferike, por shpejt u shtri në mbarë trevat shqiptare. Këto veprime luftarake, veç formave të tjera, u shoqëruan edhe me projektet antishqiptare të Vasa Çubrilloviqit, ”Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, dt. 3. XI. 1944 për pastrimin etnik të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Fushës së Pollogut e të trevave të tjera etnike shqiptare, nëpërmjet shfarosjes dhe shpërnguljes së shqiptarëve e serbizimit të këtyre trevave.

Masakrat kundër shqiptarëve në rajonin e Karadakut të Shkupit filluan në vjeshtë të vitit 1944 nga Brigada VIII e Preshevës, Brigada XII serbe e Bujanocit, Aradhja Partizane e Shkupit dhe një batalion i ushtrisë bullgare. Këto njësi vranë, plagosën, keqtrajtuan dhe plaçkitën shumë shqiptarë të kësaj ane.

Fushata e terrorit antishqiptar u shtri edhe në rajonin e Kumanovës e të Preshevës. Nga mesi i nëntorit të 1944-ës aty u ekzekutuan shumë shqiptarë nga Presheva dhe rrethina, si dhe nga Malësia e Gjilanit dhe e Bujanocit. Masakra të ngjashme u bënë edhe në fshatin Novosellë e Epërme, në Zarbincë etj., nga Brigada XVII maqedonase dhe nga repartet e OZN-as.
Kjo praktikë zbatohej edhe në trevat e Maqedonisë Perëndimore dhe mori përmasat e terrorit dhe të gjenocidit të organizuar. Për këtë qëllim u krijuan burgje e kampe të përqendrimit jo vetëm në qytete, por edhe në qendrat më të vogla, në zonat e dislokimit të reparteve të shumta ushtarake dhe të OZN-as. Në Tetovë, në stacionin e Monopolit të Duhanit, u mbyllën, më 17 nëntor të vitit 1944, rreth 1000 veta, midis të cilëve shumë pleq dhe fëmijë nga qyteti dhe fshatrat përreth, një pjesë e të cilëve u likuiduan mizorisht. Kampe u ngritën edhe ndërmjet Dibrës dhe Gostivarit dhe nëpër viset tjera të Maqedonisë shqiptare. Këto veprime i mbështeste edhe përfaqësuesi i Stabit Suprem të Ushtrisl Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ), Svetozar Vukmanoviq Tempos, i ndodhur atëherë në Maqedoni. Sipas urdhrit të tij në gjitha kampet e përqendrimit pushkatimet, sipas listave të përpiluara më parë nga repartet e OZN-as, ua lanë vendin masakrave me procedurë të shpejtë.

Edhe depërtimi në Kosovë dhe në trevat shqiptare të reparteve të ushtrisë bullgare u shoqë¬rua nga veprimet arbitrare mbi popullin shqiptar. Sipas raporteve të asaj periudhe nga terreni, në Mitro¬vicë e në Vushtrri, repartet e ushtrisë bullgare kryen grabitje, vjedhje, keqtrajtime, rrahje vrasje të shqiptarëve dhe dhunime të grave me çarçaf. Vetëm në fshatrat Dërvar, Dobërllukë dhe Kçiq të Vushtrrisë, gjatë ditëve të fundit të nëntorit 1944, u vranë 22 veta.

Vlen të theksohet se formacionet ushtarake serbe që depërtuan në Kosovën e sotme mbanin primatin në veprimtarinë e tyre kriminale antishqiptare. Madje disa reparteve që u dër¬guan në rajonin e Kaçanikut iu dha direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë”, ndërkaq në planin më të gjerë formacionet ushtarake të Serbisë kishin për detyrë “ta pastronin Kosovën nga bandat fashiste dhe të dënojnë zullumqarët”. Në përputhje me këtë përcaktim kriminal antishqiptar Shtabi i Divizionit të 46-të Serb, në raportin e 17 nëntorit 1944, dërguar Kor-parmatës XIII të UNÇJ-së, veç tjerash, vinte në dukje se ”të gjithë meshkujt në sektorin e Gjilanit dhe të Prishtinës ishin të mobilizuar në repartet e armikut dhe kishin marrë pjesë akti¬isht në luftë kundër nesh së bashku më gjermanët”.

Veprimtaria kriminale e antishqiptare e ushtrisë jugosllave dhe e OZN-as u shtua pas qëndresës së armatosur në Ferizaj, Rahovec, Janjevë, Gjilan dhe anë e kënd në trevat shqiptare, që shërbyen si pretekst për t’i shndërruar trevat shqiptare në një kasaphanë të vërtetë.
Populli shqiptar i Kosovës dhe i trevave të tjera etnike ishte i vetëdijshëm për misionin e reparteve jugosllave dhe i priti ato me zjarr. Mirëpo, fatkeqësisht këtë nuk e dinin, apo nuk donin ta dinin udhëheqësit e Shqipërisë dhe disa nga drejtuesit e reparteve të UNÇSH-së që erdhën në Kosovë. Për të kuptuar këtë realitet, ata nuk i ndihmuan as vërejtjet e shumta të popullit, si të njerëzve të thjeshtë ashtu dhe të kryepleqve e të parisë së vendit dhe insistimi i tyre se Kosova dhe trevat e tjera shqiptare nuk duheshin lënë në dorë të të huajve.

Propaganda jugosllave i kishte mashtruar aq shumë disa nga komisarët e zëvendës-komisarët e UNÇSH, sa që ata i kërcënonin me plumb ”kosovarët reaksionarë”, madje edhe ushtarët e vet nëse shtronin çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kështu, zëvendës-komisari i Brigadës XXV të UNÇSH-së, Spiro Pano, më 17 dhjetor 1944, i shkruante KQ të PKSh, se ”Brigada XXV përbëhet nga luftëtarë të Malësisë së Gjakovës, të Hasit e të Kosovës, që janë shovinistë të tërbuar. Ata propagandojnë me ngulm se Kosova e trevat e tjera janë shqiptare dhe duhet të bashkohen me Shqipërinë.”

Mirëpo, një pjesë e drejtuesve të reparteve të UNÇSH-së kishin qëndrim tjetër fare. Ata nuk mund ta kuptonin përse autoritetet jugosllave i kishin shpallur Kosovën me vise baza të okupatorëve fashistë, vëllezërit e tyre armiq të ”vëllazërimit” shqiptaro-jugosllav dhe ”çerdhe të reaksionit”. Aq më pak e kuptonin pse shtabet e tyre para se të vinin në Kosovë ishin porositur: ”të mos bihet në pozitat e disa njerëzve, pasi në zonat ku shkojmë (lexo në Kosovë) shovinizmi (mendohej në atë shqiptar, sepse atë jugosllav as që guxonin ta zinin në gojë (shënim i autorit), ”është i zhvilluar gjer në krime”. Dhe shtabet e brigadave të UNÇ të Shqipërisë, në vend që t` i merrnin në mbrojtje shqiptarët, urdhëronin vartësit e tyre që ”t´u jepnin goditje të fortë masave shqiptare për t`i ndarë nga drejtuesit kriminelë”.

Më 9 dhjetor 1944, SHS i UNÇJ-së urdhëroi largimin e reparteve të UNÇSH-së nga Kosova dhe kalimin e tyre në Sanxhak dhe në Bosnjën Lindore. Me këtë veprim, udhëheqja jugosllave donte t’i kishte duart e lira për të vepruar në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare. Pas largimit të brigadave të UNÇSH-sëdhuna dhe terrori u përhap edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Një nga krimet më të shëmtuara në këto anë e përbën masakra e 22 dhjetorit 1944 kundër familjes së Rexhep Halit Bardhecit në fshatin Muzhevinë (Muzakaj) të komunës së Istogut. Aty sadizmi arriti kulmin, kur një nga ushtarët serbo-malazez pasi ngriti djepin e fëmijës 7 muajsh, e qëlloi atë me automatik. Në pjesën jugore të shtëpisë njëkatëshe brenda kopshtit të saj u varrosën 12 anëtarët e masakruar të kësaj familje. Shpëtoi vetëm një vajzë 6 vjeçare që arriti të fshihej në turrën e druve. Dhe e gjithë kjo u bë në shenjë hakmarrjeje për plagosjen e një partizaneje, që u godit nga i zoti i shtëpisë kur mbronte familjen.

Këto të dhëna konfirmohen edhe nga raportet e reparteve të UNÇSH-së, që u kthyen në këto anë nga Sanxhaku, ku thuhet se repartet serbo-malazeze pa asnjë kriter kanë vrarë njerëz. Vrasjet dhe pushkatimet janë kryer aq mizorisht, sa janë marrë fëmijë të vegjël dhe pa menduar fare, janë vrarë dhe janë lënë mbi tokë të pavarrosur. Nga ana e tij, Shtabi i Brigadës III të UNÇSH-së theksonte se ”në disa vende kufomat ishin lënë jashtë”. “Në Istog kemi gjetur 7 të vrarë, kufomat e të cilëve po i hanin qentë”. Derisa ndodhnin këto, kryetari i Këshillit ”Nacional Çlirimtar” të Kosovës i zgjedhur në Bujan, Mehmet Hoxha, u zu keqas me Shtabin e Brigadës III të UNÇSH në Pejë, sepse drejtuesit e këtij forumi kishin lejuar familjet për të varrosur 30 të masakruarit shqiptarë në atë qytet.

Në ditët e para të janarit të vitit 1945 forcat ushtarake dhe ato të OZN-as, pasi e arrestuan Gani Kryeziun, duke u thënë se do t’i dërgonin në Pejë, i nxorën nga kulla e Sylejman Kryeziut 22 luftëtarë të Ganiut dhe 4 ithtarë të tij. Në rrugë e sipër, në fshatin Hereç të Deçanit, i zbritën nga kamioni dhe i mbytën që të gjithë. Dëshmitarët Malë Shyti nga Berisha dhe Zenel Ademi nga Gashi, që patën fatin të shpëtojnë, kanë lënë dëshmi rrëqethëse për këtë ngjarje tragjike.

Më 15 janar të vitit 1945 në fshatin Fierzë (ish Novosellë) të Pejës repartet e Brigadës IV Kosovare pushkatuan 22 banorë të fshati dhe 5 të tjerë nga fshatrat përreth.

Plaçkitjet, dhuna e gjenocidi përfshiu edhe Plavën e Gucinë, si dhe trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi ku u dallua sidomos Brigada I e Bokës dhe ajo VI Malazeze. Kundër kësaj veprimtarie të shëmtuar kishte protestuar pranë Misionit Ushtarak jugosllav në Shqipëri edhe Tuk Jakova, i cili sekretarit të këtij misioni, Nijaz Dizdareviqit i pohonte se ”shokët tuaj malazezë tregojnë urrejtje ndaj shqiptarëve” dhe si pasojë “urrejtja kundër Jugosllavisë është përhapur tek gati tërë populli shqiptar në Mal të Zi”.

Edhe shqiptarët e këtyre trevave u shpallën ballistë e bashkëpunëtorë të okupatorit. Kundër tyre u ndërmorën ekspedita shfarosëse nga Tivari e deri në Ulqin, Plavë e Guci, Rozhajë e Pazar të Ri. Në shënjestër të OZN-as dhe të ekspeditave antishqiptare u vunë veprimtarët dhe pjesëtarët e familjeve të njohura shqiptare, të cilët u likuiduan në mënyrat më mizore.

Pushteti ushtarak i vendosur në Kosovë më 8 shkurt 1945 ishte i njëjtë me pushtetin që i ishte imponuar popullit shqiptar më 1912 dhe më 1918 dhe shërbeu për t’i mohuar atij të drejtat e ligjshme, të fituara me gjak dhe të garantuara me Kartën e Atlantikut të Fuqive të Koalicionit antihitlerian. Një diktaturë e tillë ushtarake qe vendosur më parë se në Kosovë edhe në Banat, Baçkë dhe Baranjë, territore në të cilat shumicën e popullsisë e përbënin hungarezët dhe gjermanët. Me vendosjen e Pushtetit Ushtarak fushata e ndjekjes dhe e terrorit antishqiptar u fuqizua dhe mori përmasa të gjera.

Për t’i pasur duart e lira në zbatimin e terrorit dhe të gjenocidit mbi popullin shqiptar, udhëheqja jugosllave gjatë marsit të vitit 1945 mobilizoi me dhunë forcën më vitale të shqiptarëve “për ta dërguar në Frontin e Veriut dhe Veriperëndimit në luftë kundër trupave gjermane”. Shumë prej të rinjve shqiptarë të mobilizuar në brigadat kosovare ose në radhët e njësive të tjera jugosllave u likuiduan prapa krahëve, ose në sektorët më të vështirë të luftimeve. Gjurmë e mbresa të thella e tronditëse lanë masakrat masive në Tivar, Goricë dhe ekzekutimet masive anë e kënd trevave shqiptare dhe tokave të Jugosllavisë.

Përkundër qëndrimit nënshtrues të njësiteve të UNÇSH-së ndaj atyre jugosllave largimi i tyre nga këto anë ndikoi në përkeqësimin e gjendjes dhe rrethanave. Tani kur udhëheqja jugosllave kishte konsoliduar pozitat e veta dhe kur gati tërë Jugosllavia ishte çliruar, prania e ushtrisë shqiptare në këto treva përbënte një faktor kërcënues. Prandaj Josip Broz Tito, për të dalë nga gjendja e papëlqyer, inskenoi nevojën e ndjekjes së ”bandave reaksionare ” drejt jugut, drejt Greqisë. Për këtë qellim, ai kërkoi ndihmën e atyre forcave të Shqipërisë që ende ishin në Kosovë. Udhëheqësja shqiptare u pajtua edhe me këtë kërkesë. Në prill të vitit 1945, forcat e UNÇ të Shqipërisë u larguan nga rajonet e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë në drejtim të Gjilanit dhe të Ferizajt. Prej andej, në verë të po atij viti, ato forca u dislokuan në trevat shqiptare në Maqedoni.

Përkundër pranisë së brigadave të UNÇSH-së në trevat shqiptare të Maqedonisë vazhdoi dhuna dhe terrori. Në kujtesën e shqiptarëve në Maqedoni ruhen kujtimet më të hidhura, për veprimtarinë e njësiteve ushtarake, OZN-as dhe të administratës maqedonase që i bashkonte antishqiptarizmi.

Në fund të vitit 1945, kur dhuna dhe terrori nuk kishin të ndalur, forcat e UNÇSH-së u detyruan të largoheshin nga territori shtetëror i Jugosllavisë, duke kaluar në përmjet të zonës e Korçës e të Prespës. Populli shqiptar i këtyre anëve e ndjeu po aq rëndë sa edhe ai kosovar tërheqjen e ushtrisë së vet dhe mbetjen nën sundimin jugosllav, që u bë me pëlqimin e udhëheqjes së PKSH. Është ky një shembull sui generis që ushtria e shtetit amë të ndihmojë forcat e armatosura të armiqve shekullorë (të Jugosllavisë) për të ripushtuar pjesët më të çmueshme e më të dhimbshme të atdheut, të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve të vitit 1913.

Si rrjedhim, vazhdimi i dhunës dhe terrorit mbi pjesën e popullit shqiptar në Kosovë dhe vise të tjera për ndisa dhjetëvjetësha e mbajti të ndezur zjarrin e frymës se qëndresës dhe të luftës për liri e pavarësi, e cila mori intensitet sidomos në vitet e 90-ta dhe kulmoi me Luftën Çlirimtare të viteve 1998-1999, me të cilën mori fund pushtimi Kosovës nga Serbia. Por, Maqe¬donia shqiptare, Kosova Lindore, Plava Gucia dhe Malësia e Tuzit, bregu i detit prej Tivarit në Ulqi¬nin, bashkë me Sanxhakun mbeten në sundimin e huaj.

Dërgoi për publikim, Nue Oroshi, atdhetar