NJË PËR TË GJITHË – TË GJITHË PËR NJË – RASTI I PUBLICISTIT DHE SHKRIMTARIT AGRON TUFA

0
540
Agron Tufa

Frank ShkreliNga Frank Shkreli

Unë e kam thënë shpesh atë që kam menduar dhe mendoj për lirinë e fjalës dhe të medias në Shqipëri dhe për përpjkekjet e vazhdueshme të qeverisë, përfshirë paketën “anti-shpifje”. Është kjo një përpjekje, që është kthyer tani në një tragji-komedi, sepse qeveria e ka vendosur tanimë, se versioni i saj do të miratohet në parlament, ndërkohë që, sa për sy e faqe, Komisioni parlamentar për media organizon sesione dëgjimore, ku ka ftuar edhe përfaqsues të medias shqiptare si dhe përfaqsues ndërkombëtarë, gjoja për të dëgjuar mendimet e të gjithëve në lidhje me këtë çështje.

Në këtë mënyrë, qeveria dhe Komisioni parlamentar i paraqesin sesionet dëgjimore si një ushtrim i demokracisë së vërtetë, megjithëse vendimi për këtë çështje është tanimë një “fait accompli”, punë e kryer, nëqoftse OSBE-ja, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja dhe ambasadat me influencë në Tiranë nuk ndërhyjnë për të ndaluar miratimin e këtij projektligji, që jo vetëm është kërcënim për gazetarët gazetarët shqiptarë dhe lirinë e tyre, por është edhe një rrezik serioz për lirinë e shprehjes për shqiptarët, në përgjithësi.

Na thonë se procesi për miratimin e këtij ligji të ashtuquajtur “paketë anti-shpifje” është “demokratik”, sepse, siç tha edhe deputeti socialist, z. Musa Ulqini, në sesionin e së enjtes, debati për “paketën anti-shpifje”, sipas tij, është në përputhje me demokracinë dhe me ligjet e vendit dhe se për këtë ligj, po konsultohen me të gjitha grupet e interesit. Ftesa e është një gjë, por vullneti dhe dëshira për të përfshirë mendimet e tyre në përpilimin e këtij projektligji është diçka tjetër.

Arroganca e qeverisë shqiptare për të miratuar me urgjencë këtë propjektligj – që kundërshtohet nga të gjithë të interesuarit dhe që bie në kundërshtim të plotë me të gjitha standardet ndërkombëtare, në vigjiljen e marrjes së Kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria, është diçka që nuk mund të shpjegohet ndryshe veç si një provokim.

Duhet shënuar se shumica e përfaqësuesëve të medias shqiptare si dhe ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që ky projektligj, në draftin aktual, të hidhet në shportën e plehrave të historisë dhe të fillohet nga zero, ashtuqë projektligji i ri të jetë në përputhje me marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare mbi lirinë e fjalës dhe të medias, nënshkruese e të cilave është edhe Shqipëria.

Këto shqetësime të ndërkombëtarëve dhe të organizatave të ndryshme shqiptare pasqyrojnë faktin se pothuaj të gjithë janë kundër të ashtuquajturës, “paketë anti-shpifje” të qeverisë Rama. Por megjithë këto kundërshtime, nuk besoj se qeveria Rama e ka ndërmend të tërhiqet nga “paketa antishpifje” dhe jam i mendimit se sesionet dëgjimore të Komisionit parlamentar të medias janë vetëm një “Shou” mediatik, për qëllime të brendëshme dhe të jashtme. Është e qartë se as qeveria shqitare dhe as Komisioni në fjalë nuk po kërkojnë konsensus në lidhje me këtë projektligj.

Vetëm ndërhyrja serioze e ndërkombëtarëve mund të bejë efekt për të ndaluar këtë çmenduri. Ndërkombëtarët duhet të këmbngulin për të njëjtat standarde për lirinë e medias dhe të fjalës së lirë – që ata gëzojnë në vendet e tyre — edhe për Shqipërinë. Mos u tallni më me këtë vend të vogël dhe me ketë popull të varfër!

Për organizatat e gazetarëve shqiptarë dhe për të gjithë ata që janë të interesuar në lirinë e fjalës dhe të shprehurit në vend kam këtë këshill: hapni sytë se ç’po ndodhë. Ky është një projekt-ligj, i cili nëqoftëse vërtetë miratohet në parlament, ju përfaqsues të medias shqiptare, por edhe të tjerët të angazhuar në komunkim me publikun, do jeni të parët që do ia “pini çorbën”. Nëqoftse nuk e mbroni, vërtetë me bindje dhe besim të plotë të drejtën dhe lirinë tuaj si profesionistë që jeni, si grup dhe si individë. Sepse kur i mohohet liria dhe të drejtat e njeriut, madje edhe një shqiptari të vetëm, atëherë ato i mohohen të gjithë shqiptarëve, pa dallim.

Të nderuar gazetarë shqiqptarë.
E admiroj vendosmërinë tuaj të deritanishme për të mbrojtur këto të drejta për veten dhe për të tjerët dhe jam shumë i shqetësuar për rrethanat politike nën të cilat ushtronin profesionin tuaj fisnik çdo ditë. Por këto të drejta dhe liri nuk mund të mbrohen në izolim, duke iu referuar një rasti të vetëm, siç është projektligji i paketës së ashtuquajtur “antishpifëse”. Fjala e lirë duhet të mbrohet çdo ditë dhe në të gjitha rastet, pa dallim.

Më duket si hipokrit fakti se deri më sot nuk kam parë ndonjë përpjekje serioze, në mënyrë institucionale, si ente dhe organizata jo qeveritare që jeni, të tregohet ndonjë mbështetje të fjalës së lirë për akademikun Agron Tufa, deri dje Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe të pasojave të Komunizmit. Siç dihet tani, Z. Tufa u detyrua të arratisej nga Shqipëria për të kërkuar azik politik në një vend të Evropës, si pasojë e kërcënimeve ndaj tij dhe familjes, madje edhe nga figura të njohura të politikës shqiptare dhe të jetës publike. Kërcënime me jetë!

Unë nuk besoj të ketë shkelje më serioze të lirisë së të shprehurit se kërcënimi me jetë ndaj z. Tufa ose kujdo tjetër për arsye të punës akademike dhe publicistike të tij. Mbrojtja e jetës dhe e të drejtave të qytetarëve duhet të jetë obligimi dhe përgjegjësia e parë e qeverisë, përfshirë mbrojtjen nga kërcënimet me jetë ndaj shtetasve e sidomos ndaj zyrtarëve të shtetit. Por kur qeveria nuk e bën këtë, si në rastin Tufa, atëherë dikush tjetër duhet të ngrejë zërin.

Rasti i z. Agron Tufa është një precedent i rrezikshëm dhe një kërcënim serioz ndaj ushtrimit të lirisë së fjalës në Shqipëri, jo vetëm për akademikë si ai, por edhe për të gjithë ju si gazetarë dhe përfaqësues të ushtrimit të fjalës së lirë, në përgjithësi dhe pa dallim. Liria e fjalës e z. Tufa është aq e vleshme sa edhe liria ime dhe e çdo njërit prej nesh si gazetarë dhe si e tillë duhet të mbrohet nga të gjithë.

Mohimi i lirive dhe të drejtave të njeriut të një shqiptari, cilido qoftë ai, janë mohim i të drejtave dhe lirive të të gjithë shqiptarëve. Çdo mbrojtës i fjalës së lirë, përfshirë gazetarët, duhej të deklarohej në mbrojtje të së drejtës që z. Agron Tufa të punojë dhe të krijojë i lirë në Atdheun e tij, pa kërcënime dhe pa ndërhyrje nga politikanë.

Nëqoftëse shteti nuk e ka vullnetin dhe autoritetin moral të mbrojë të drejtën e individëve të shquar të shoqërisë, si publicisti dhe shkrimtari z. Agron Tufa nga kërcënimet me jetë, atëherë kush do ta mbrojë atë? Nëqoftëse ju gazetarët – ushtruesit dhe mbrojtësit e fjalës së lirë – nuk e bëni këtë, atëherë kush? Nesër mund t’u vijë radha ju. Për ndryshe nuk mund të pretendojmë se besojmë dhe duam një demokraci ose një “Shqipëri si e gjithë Evropa”, e cila siguron dhe mbron lirinë e fjalës.

Shqipëria me një liri dhe demokraci të pjesëshme nuk është Shqipëria që duan shqiptarët kudoqofshin ata. Të pakën unë, nuk e dua një Shqipëri që dënon ushtrimin e fjalës së lirë me arratisje dhe me kërkim azili politik, në fillim të shekullit 21. Arratisjen e zotit Tufa e kujtojmë si një relikt të luftës së ftohtë. Kishim menduar – por siç duket gabimisht – se periudha e arratisjeve dhe azileve politike kishte perënduar në Shqipëri me shembjen e komunizmit zyrtar!

Mbrojtja e lirisë së fjalës dhe lirisë së të shprehurit për publicistin e arratisur dhe azil-kërkuesin z. Agron Tufa nuk është hiç më pak e rëndësishme se liria e veprimit për të gjithë gazetarët shqiptarë – liri, e cila pritet që me miratimin e projektligjit antidemokratik të ashtuquajturës “paketë antishpifëse” të qeverisë Rama, të shkelet brutalisht për të gjithë, ashtu siç u dhunua kohët e fundit liria për shkrimtarin dhe publicistin Agron Tufa.

Mbrojtja e lirisë së fjalës për z. Tufa duhej të ishte aq serioze dhe parimore – si nga organizatat e gazetarëve shqiptarë, ashtu edhe nga ndërkombëtarët — sa është edhe lufta e drejtë që po bëhet kundër miratimit të ashtuquajturës “paketë antishpifëse” e qeverisë shqiptare. Parimi, një për të gjithë dhe të gjithë për një, vlen sot më shumë se kurrë.