Nazim A. Rexhepi, sekretar sindikal në Unia të Bernës, njëkohësisht këshilltar komunal në Langnau im Emmental.
Nazim Ahmet Rexhepi, me origjinë nga Malisheva e komunës së Gjilanit, i natyralizuar prej vitesh në Zvicër, përveç që kryen detyrën e sekretarit në Sindikatën Unia të regjionit të Bernës, njëkohësisht bënë edhe punën e këshilltarit në tri mandate radhas në komunën Langnau im Emmental të këtij kantoni.
Për dallim nga të tjerët Rexhepi shquhet në mbrojtjen e të drejtave të të huajve pavarësisht ngjyrës dhe përkatësisë së tyre kombëtare.
Ai, në një nga mbledhjet e Parlamentit të komunës Langnau im Emmental të mbajtur javën e kaluar ka parashtruar kërkesën që edhe të huajve me të ashtuquajturën vizë C, si kontribuues në tatime dhe fusha të tjera të jetës t’u lejohet e drejta e votës,bile në nivel komunash edhe në kantonin e Bernës.
Rexhepi e sheh si fenomen paradoksal refuzimin e kësaj të drejte, kur dihet se në kantonet e Zvicrës frëngjishtfolëse, këtë të drejtë e ushtrojnë të gjithë ata që e posedojnë të ashtuquajturën vizë C.
Sipas, Rexhepit edhe pse janë dhënë arsyetime me prova që kësaj kategorie duhet t’i mundësohet e drejta e votës prapë se prapë nuk është gjetur zgjidhje e efektshme rreth këtij problemi.
Kjo çështje mjaft e ndjeshme po konsiderohet si një ndërhyrjeje politike dhe si i tillë po bëhet gjithnjë e më shumë preokupim i të gjithëve, e jo vetëm problem ekskluziv i partive.
Prandaj, papushim do të punohet që kjo e drejtë të realizohet nëse është nevoja edhe nëpërmjet organizimit të një referendumi apo iniciative qytetare.
Derisa komunat vjelin tatime direkte dhe indirekte nga ata që kanë vizë C, që njëherit nëpërmjet saj kanë edhe të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Zvicër,më duket absurde thotë Rexhepi, mohimi i të drejtës së tyre, për të votuar dhe për të qenë pjesë e jetës publike, në komunat ku jetojnë.