PASIVITETI I IMPONUAR APO GUXIMI I MUNGUAR

0
375
Dr. Nail Draga

Diskursi politik

Në sajë të rrethanave shoqërore si më parë edhe tash ekziston një kategori e intelektualëve të cilët dallohen më pasivitetin e tyre, ku në rënd të parë kanë interesat personale, apo klanëve të ndryshme duke dëshmuar guximin e munguar, dukuri kjo e njohur në mjediset totalitare përkatësisht me demokraci të kufizuar, e cila në formë të moderuar është e pranishme edhe tash në pluralizëm pothuaj në të gjitha vendet e ish kampit socialist.

Dr. Nail Draga

Është e ditur së në jetën tonë publike pavarësisht rrethanave shoqërore ka pasur dhe do të këtë emra intelektualësh që nuk kanë hezituar për të shprehur mendimet dhe pikëpamjet mbi zhvillimet shoqërore dhe politike në mjedisin e caktuar.Përvoja e deri tashme na dëshmon së të tillët kryesisht kanë qenë nga radha e shkrimtarëve, studiuesve, publicistëve, pedagogëve etj. Të tillët nuk e kanë pasur lehtë për të prezantuar pikëpamjet e tyre sepse kanë qenë të rrezikuar, me pasoja për jetën dhe veprimtarinë e tyre, ku raste te tilla ka pasur sidomos në vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore.

Kujtojmë këtu ndjekjët, izolimet, burgosjet, internimet madje edhe likuidimet që ishin proces i vazhdueshëm ndaj intelektualëve. Dhe nuk ka pasur si të jetë ndryshe sepse në vendet e tilla ka qenë e ndaluar fjala e lirë dhe mendimi ndryshe, sepse dominonte ideologjia moniste e cila përfaqësonte politikën shtetërore.

Në këtë aspekt përjashtim nuk bëjnë as shqiptarët të cilët në tërë hapësirën e tyre etngjeografike pas Luftës së Dytë Botërore, ishin nën tutelen e ideologjisë komuniste që paraqet çështje për hulumtim të veçantë.

Pasiviteti nuk nderon individët

Ndonëse kemi më shumë së asnjëherë deri më tash individë me diploma të fakulteteve të ndryshme, numri i intelektualëve në kuptimin e plotë të fjalës është shumë i vogël, nga del së mungon guximi për të trajtuar çështjet e ndryshme shoqërore. Dhe një pasivitet i tillë nuk nderon individët, por as mjedisn ku jetojnë e punojnë. Sepse nga e kaluara kemi pasur raste të degjojmë për persona me dinjitet, duke shpreh pikëpamjet e tyre për çështje shoqërore, apo politike, që në shumë raste nuk ishin në pajtim me linjën e pushtetit.

Por, në rrethana të reja në pluralizëm qendrimi pasiv i personave të tillë të cilët dëshirojnë të vetquhen intelektual nuk mund të arsyetohet më asgjë, përveç me interesin e tyre personal apo klaneve të ndryshme. Pikërisht këtu qendron problemi se pluralizmi ende vuan nga mentaliteti i kohës së monizmit, sepse koncepti i shoqërisë partiake është i pranishën gjithnjë ndonëse në një modalitet tjetër legjislativ.

Dimensioni i dyfishtë i përfaqësuesëve të politikës

Duke marrë parasysh së në plurarizëm zhvillohen zgjedhjet për të qeverisur si në nivelin lokal dhe ate shtetëror, çështje të veçantë paraqet përfaqësimi në pushtetet përkatëse. Në krahasim me kohën e monizmit në pluralizëm përbërja e pushtetit varët nga formimi i shumicës parlamentare. Pikërisht kemi të bëjmë me përgjegjësinë e subjektëve përkatëse për emërimin e kuadrave sipas resorëve.

Edhe pse aty emërohen individë të profileve të ndryshme të tillët kanë dimension të dyfishtë, sepse ata fillimisht përfaqësojnë subjektin i cili i ka emëruar dhe së dyti edhe vetën e tyre. Në sajë të përvojës së deritashme del së në resorët përkatëse nuk janë emëruar personat e qelluar në aspektin profesional, del qartë se kemi të bëjmë me përgjegjësinë e subjektëve politike sepse kemi të bëjmë më keqpërdorimin e demokracisë pluraliste. Rastet e tilla dëshmojnë se kemi të bëjmë më deformimin e parimeve elementare sepse në vend që të vlerësohen vlerat profesionale e meritokracia, parësore janë përkatësia partiake, ku jo rrallë depërtojnë militantët dhe të dëgjueshmit të cilët janë bërë dukuri e kohës.

Mendimi kritik në favor të çështjeve shoqërore

Përvoja e deri tashme në pluralizëm dëshmon se nuk mund të jemi të kënaqur në lidhje me ekzistimin e mendimit kritik për dukuritë e ndryshme shoqërore e ato politike. Madje këtu duhet cekur se kemi të bëjmë me një dualizëm politik, sepse kemi të bëjmë me partitë politike të cilat kanë qasje tjetër kur janë në opozitë e ndryshe kur janë në pushtet. Një qendrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me individë pa parime me interesa të rastit dhe si të tillë janë të politizuar.

Ndërsa një qendrim i tillë nuk vlen për intelektualët në kuptimin e plotë të fjalës, sepse ata kanë mendim kritik të vazhdueshëm, për të prezantuar çështjet kontestuese shoqërore e politike me argumente, e jo duke anuar sipas shijes së klanëve apo preferencave të subjektëve në skenën politike.

Nuk ka dilemë se për intelektual të tillë ka nevojë çdo mjedis, sepse mendimi kritik është në favor të avancimit të çështjeve shoqërore dhe politike. E kundërta ndodhë me intelektualët pasiv, përkatësisht oportunist, të cilët janë peng i vetvetës dhe i mjedisit si rezultat i interesit personal apo klanëve të ndryshme, andaj të tillët do mbesin individë të amortizuar përkatësisht anonimus pa autoritet shoqëror në mjedisin ku punojnë e jetojnë.

Presioni publik përmes guximit intelektual

Përfundimisht intelektuali nuk duhet të jetë spektator ndaj devijimeve shoqërore, por me guxim duhet ngritur zërin, duke qenë shëmbull për të tjerët. Ndërsa duke marrë parasysh mjedisin ku jeton duhet cekur se reagimi individual nuk ka peshën e duhur sikurse mund ta ketë përmes të një subjekti nga shoqëria civile, siç janë shoqatat e ndryshme si p.sh. të shkrimtarëve, artistëve, pedagogëve, sociologëve, gjuhëtarëve, arkitektëve, ekologëve, mediat etj. Qendrimi për mes një subjekti të tillë nuk humb në vlerë, përkundrazi ka peshë të veçantë për të bërë presion publik për çështjet kontestuese shoqërore dhe si i tillë është më i pranueshëm në opinionin e gjerë.

Madje në sajë të një qendrimi të tillë do të dëshmohet se opinioni shoqëror nuk duhet të mbes peng vetëm nga përfaqësuesit e pushtetit apo të kumtesave të partive politike që janë kryesisht nga opozita parlamentare.

Vetëm me një qasje të tillë konstruktive, në një ambient me kapacitet demokratik mund të arrihet konsenzusi i cili është i domosdoshëm për avancimin e çështjeve preokupuese shoqërore për të tashmën dhe të ardhmen.

(Dhjetor 2019)