Ermira Babamusta nderohet me medaljen e artë nga Presidenti Obama

0
1029
Ermira Babamusta

Bota Sot | 09.02.2016

Ermira Babamusta është shqiptarja e parë që u nderua nga Presidenti Obama për punën e saj humanitare. Në 2014 Ermira shërbeu në programin e Shërbimit Kombëtar të Zyrës së Presidentit të Sh.B.A.-së. Shtëpia e Bardhë e nderoi Ermira Babamustën me vlerësimin më të lartë, me medalje ari dhe çmimin “President’s Volunteer Service Award”. Ky vlerësim nga Presidenti i dhurohet qytetarëve amerikanë që kanë treguar një jetë të jashtëzakonshme në shërbim të tjerëve dhe që sjellin inspirim për ndryshim pozitiv në Amerikë dhe botë.

“Jam shumë krenare që nëpërmjet Programit të Shërbimit Kombëtar të Presidentit pata mundësinë t’i shërbej interesit kombëtar të ShBA-së për paqe në botë, demokraci dhe ndërtim të komunitetit në aspektin kulturor dhe civil. Falënderoj Shtëpinë e Bardhë që më vlerësuan me çmimin më të lartë, medaljen e artë për kontributin tim për shtetin amerikan që e dua dhe vlerësoj shumë,” tha Ermira Babamusta.

Në 2014, punova në mënyrë vullnetare si drejtoreshë rajonale për Projektin “Borgen” që lufton kundër varfërisë në botë. Bashkëpunova dhe me “Charity Miles”, “Wounded Warrior Project” dhe me Fondacionin e Kombeve të Bashkuara – “Girl Up” për të rritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar për edukimin dhe mirëqenien e vajzave të reja nëpër botë. Përveç kësaj kam qenë dhe pjesë e programit “AmeriCorps” si dhe kam udhëhequr projektin tim dyvjeçar “Aksion për Paqe” (New York-Prishtinë) për të përkrahur komunitetin amerikan dhe shqiptar, sidomos të rinjtë dhe familjet amerikane të veteranëve,” shtoi Ermira.

Ermira Babamusta njihet për arritjet e saj në fushën e diplomacisë dhe politikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithashtu për promovimin e shqiptarëve të talentuar në botë. Ajo mbahet mend më së shumti si një nga personat që ka punuar në administratën e Presidentit Obama dhe për vlerësimin që ka marrë nga Kongresi Amerikan.

Ermira Babamusta është shpallur “Gruaja e Vitit”, “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos” nga Instituti i Paqes Kessel dhe “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare” nga Kryetari i Mazhorancës të Senatit Amerikan, Harry Reid, Kongresi Amerikan. Ndërsa babai i saj, Profesor Neki Babamusta (Mësues i Merituar) u emërua “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë” nga Kongresi Amerikan për forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane. Në 2007 dhe 2012-13 Ermira ka kryer dy misione diplomatike-kulturore në Kosovë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lobimin e integrimit evropian të Kosovës. Ka punuar si drejtoreshë për fushatën presidenciale të Presidentit Obama në zgjedhjet e 2008 dhe 2012; në Departamentin e Paqes të OKB-së në New York dhe në Kongresin Amerikan në Washington DC.

Ermira Babamusta është kandidate e doktoraturës për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, gjatë së cilës përfundoi edhe programin e Harvardit “Strategjia dhe Sigurimi Kombëtar Amerikan”. Ka mbaruar shkëlqyeshëm me burs dy mastera në Shkenca Politike dhe Administrim Publik, si dhe programin e avancuar niveli graduate në Manhattan për “Diplomaci të OKB-së”. Në 2010 kreu studimet jashtë në Strasburg, Francë në degën “Ligji Europian dhe Institucionet e BE-së”.

Ermira dhe ekipi gjate punes te kombet e bashkuara me sekretarin e pergjithshem Kofi Annan“Dashurinë për edukim, kulturë dhe njohuri m’i kanë dhënë të dy prindërit e mi të mrekullueshëm Neki dhe Suzana, të cilët janë arsimtarë. Familja ime janë me origjinë nga Shqipëria dhe Kosova. Si fis (Babamusta dhe Cani) e kemi pasur traditë shkollimin jashtë shtetit dhe shkollimin e lartë. Ibrahim Babamusta, nipi i gjyshit tim, mori Medaljen e Artë nga Perandori Franc Ferdinand i Austrisë. Babai im, Neki Babamusta, “Mësues i Merituar” ka zhvilluar lëvizjen arsimore në Shqipërinë e Mesme dhe Kosovë, ka mbajtur shumë kumtesa historike në Durrës dhe Tiranë tek Ministria e Arsimit, ka dërguar materiale historike tek Instituti i Historisë në Tiranë, të cilat janë vlerësuar. Gjithmonë e kam patur synim doktoraturën dhe tani kam edhe fatin të shtoj Harvardin në rezumenë time. Krenohem që përfaqësova Shqipërinë dhe Kosovën në programin e shkëlqyer të Harvardit,” tha Ermira Babamusta.

“Besoj se kultura është një nga mënyrat më të mira për të shfaqur imazhin pozitiv të traditave të vendit. Për këtë arsye kam hapur platformën e diplomacisë kulturore “NY Elite Magazine” për të ruajtur dhe ngritur lart trashëgiminë kulturore shqiptare dhe amerikane,” tha Ermira Babamusta.

Ermira Babamusta është pjesë e librit ” Zonjat Shqiptare në Nju Jork”, projekt i Albanian Excellence, i cili zhvillohet nën kujdesin e Presidentit te Republikës Bujar Nishani dhe që do të promovohet më 24 shtator në Manhattan, Nju Jork gjate nje mbremje Gala me pjesmarrjen e personaliteteve te njohura mbarëshqiptare.