SHTEGU I KODOSHËVE

0
573
Shtegu i kodoshëve

Tregim nga Ramiz GJINI

(Nga cikli: Na ishte njëherë socializmi)

Magazinieri i kooperativës, Nik Tuzi, ngase ndjente dhimbje koke, la në magazinë dy punëtorët e shërbimit dhe u nis për në shtëpi të pinte një tablet aspirinë, të hante edhe drekën dhe të kthehej sërish.

Teksa rrotullonte çelësin në bravë, i erdhi në vesh zëri i gruas, që nxorri një klithmë të mbytur e pëshpëriti nëpër dhëmbë diçka si “Uaaa, ç’na gjeti”! Ai hyri brenda ngadalë, krejt i qetë e pa ndonjë kuriozitet për të mësuar, çfarë qe ajo klithmë alarmante; athua se në shtëpinë e tij po shfaqej kushedi për të satën herë i njëjti film, për të cilin, nuk kishte pikë interesi ta shikonte.
Në korridor, teksa zgidhte me nge lidhëset e këpucëve, u kollit nja tre herë radhazi, pastaj piskati me zë të lartë:
– Frida!
– Fol! – i tha ajo, që nga dhoma e gjumit.
– A iku, moj?!
Ajo nuk u përgjigj.

Duke ecur pa ngut, mu si një burrë i matur, që u jep të gjitha gjërave kohën e vet, ai u avit në dhomën e gjumit, ku e gjeti gruan të zhvoshkur çipllak, teksa i fuste krahët një robdishani ngjyrë rozë. Qe mufatur nga gjinjtë dhe buzët; dhe krejt fytyra i kuqëlonte, athua se, sapo i qe larguar një zjarri bubulak.

– Me cilin po flisje, moj?! – pyeti ai, pa ndonjë interes të madh.
– Unë po flisja?! – bëri habi ajo. – A je në rregull, a si?!
– Në rregull jam, – tha ai. – A nuk më thua, përse je zhveshur lakuriq?
– Sepse dua t’i laj rrobat, – tha ajo pa e vështruar, ndërsa gjithë hutim, çukërmonte kot së koti në syrtarin e hapur të një komoje të vjetër.

Nik Tuzi vuri re, që dritarja e dhomës ishte e hapur. Mbi komonë pranë krevatit, ndodhej një pjatancë, me frenjat e rrushit të ngrënë, por kish mbetur aty një bistak i paprekur. Ai u afrua, këputi me gishta një kokërr, e futi në gojë, dhe teksa e përtypte, hodhi vështrimin në kopësht.
Rrezet e diellit, i lanin gjethet e hardhive me një prajshmëri të dyfishtë, ndërsa dëgjohej zizima e grerëzave, që silleshin në fluturim gjithkah mbi frutat e dardhëve, që kishin rënë përtokë.

Pranë dritares së shtëpisë së tij njëkatëshe, kish kohë që pati nisur të përvijohej një si udhëz e hollë, e cila, pasi i binte mespërmes kopështit të tij, mbërrinte te gardhi ndarës i komshiut Lekë Cubi, ku ishte hapur një vrimë e madhe. Për të kaluar përmes asaj vrime, njeriut i duhej të vinte duart në tokë për të ecur këmbadoras; të fuste në fillim kokën, pastaj të përkulte kurrizin, – siç e përkulin rëndom qentë në raste të tilla.

Nik Tuzi, kishte mbërthyer për gardhi një copëz dërrase, në të cilën qe shkruar me shkronja kapitale: KODOSHË! KUJDES KOKËN!
Si kalonte gardhin, udhëza merrte nga e djathta, përgjatë një vije me ujë të pakët dhe dilte direkt në rrugë të madhe.

Në krye të herës, Nika, e pati pagëzuar këtë udhëz, që lidhte dritaren e shtëpisë së tij me rrugën e madhe, me emrin “Shtegu i Lekë Cubit”, sepse kishte qenë Leka, ai që e kishte shkelur i pari; por, kur nisi të shkilej edhe nga të tjerë, Nika ia ndryshoi këtë emër. Nisi ta quante, “Shtegu i kodoshëve të gruas sime”.

Një lastar i njomë hardhie, që e pati mbjellë pranë dritares, qe thyer; kurse pak më tej, ai shquajti një këpucë të vetme burrash, që i kish mbetur dikujt në arrati e sipër!
Nik Tuzi, doli jashtë pa thënë asnjë fjalë; u fut në kopësht, mori këpucën, u kthye sërish, e teksa ia tundëte të shoqes mu para hundës, tha:
– Ja pra, edhe një tjetër provë, me të cilën, një ditë do të ballafaqohesh se s’bën para shokut Karaman Madhoshi.
– E-huuu…! – ia bëri gruaja. – As që më bëhet vonë fare! Nëse ta ka shkrepur t’i mbledhësh e t’i mbash në shtëpi ato rrangullina, kjo është puna jote.
– Po, puna ime është, sepse ato rrangullina, do flasin para shokut Karaman për punën tënde, – tha ai. Dhe u largua për në dhomën e ndenjes.

Shoku Karaman Madhoshi, qe sekretar partie. Ishte ai, që para pesë vjetësh, pak me këshillim e pak si me urdhër, kishte bërë, që Nik Tuzi, të martohej me Frida Kukolën, njëzetë e gjashtë vjeç, më e madhja nga katër vajzat, që kishte kryetari i kooperativës, Bato Kukola. Qe rritur me pekule e përkujdesje të mëdha, kjo Frida, pa i munguar asgjë. Ishte e gjatë, e kolme dhe shumë e bukur në pamje, por budallaçkë nga mendtë e kresë.

– Martohu me të, – i pati thënë shoku Karaman, – sepse ta rrahësh tokën me shkop, nuk gjendet në Biboll një e dytë si ajo. Është vajza e mikut tim, por unë e dua njësoj si të jetë e imja, prandaj po ta kërkoj këtë gjë.

Nik Tuzi u shtyp e u përtyp për nja tre javë rresht, por tek e mbramja, pranoi.
Pas martesës, shoku Karaman, i dha Nikës edhe një punë të mirë, të rehatshme. E bëri magazinier të kooperativës, ku përveç rrogës, kishte mundësi të merrte në magazinë e të çonte në shtëpi gjithshka ai donte. Veç kësaj, i ndihu të bënte edhe një shtëpi të re aty ku deshi vetë. Që nga dita e parë e martesës, tashmë, qenë bërë pesë vjet.

Ashtu siç etapat e vjetra, në të cilat ka kaluar njerëzimi, shpjegohen përmes objekteve arkeologjike të gjetura, edhe ky pesëvjeçar martese, – gjithë mardhënia e tij me të shoqen, shpjegohej me disa sende të thjeshta personale, të gjetura brenda shtëpisë së tij; sende, që kodoshët e gruas, i linin aty, për t’ia mbathur nga dritarja, sa herë dëgjonin kërcitjen e çelësit në bravë të derës.

Magazinieri, i merrte këto sende dhe i kyçte me inventar në një musandër, që gjendej në dhomën e ndenjes. Dhe nuk qenë pak; qe një koleksion i tërë sendesh, të cilat, ai mendonte se një ditë, do t’i duheshin si prova, për t’u ballafaquar me sekretarin e partisë, shokun Karaman, – zot i pushtetshëm në dymbëdhjetë katunde, me frymën e të cilit qe lidhur kjo martesë.
– Ata kodoshë, kujtojnë se më kanë ikur e ma kanë hedhur, po unë, në njëfarë mënyre, i kam kyçur të gjithë në musandër, – i tha Nik Tuzi gruas, duke folur me zë të lartë që nga dhoma e ndenjes.

– E-huuu…! – ia pat sërish ajo që nga dhoma e gjumit. – As që më bëhet vonë fare!
– E di që nuk të bëhet vonë. – ia ktheu ai. – Por dua që këto fjalë, t’i thuash edhe kur të ballafaqohemi me shokun Karaman!

Ajo nuk foli.
Nik Tuzi, hapi musandrën, futi aty brenda këpucën, dhe e kyçi apet me çelës. Pastaj, bëri ca hapa drejt korridorit, që t’i thoshte gruas edhe diçka tjetër, por krejt rastësisht, i vajtën sytë tek dera e hyrjes, ku qenë varur rroba në katër gozhdë.

Në njërën nga ato gozhdë, ai shquajti një xhaketë! Një xhaketë, që iu bë se nuk ishte e tij!
U afrua, e mori në duar dhe nisi ta kqyrte: xhaketë e re me kuadrate; e bukur, e hekurosur, prerë nga copë e shtrenjtë teritali dhe qepur për merak prej dorës së ndonjë mjeshtri të përngeshëm; dhe për më tepër, binte erë livanto!
– Hëm! – ia bëri ai, teksa e vështronte.

Futi dorën të kërkonte; një herë xhepat anësorë, pastaj atë të brendshmin, nga ku nxorri një dokument të vogël, – një tesere partie! E hapi dhe…! O zot! Si ta besonte këtë?! Në dorë po mbante teseren e partisë me foton dhe emrin e shokut Karaman Madhoshi. Iu prenë gjunjët dhe u shemb në dysheme, me kurrizin e pështetur për murit të korridorit.

– Frida! – thirri fort ai pasi e kishte marrë veten.
– Çfarë do? – pyeti vrazhdë ajo, që nga banja, ku ishte futur të lahej.
– Paska harruar xhaketën, moj! E ka harruar bashkë me teseren e partisë në xhep! Dil e gjeje dhe thuaj që të vijë ta marrë.
Ajo apet nuk u përgjigj.

Pas pak minutash, u dëgjua gërvima e derës së banjos që u hap, pastaj tre-katër hapa të shpejtë, dhe në fund, kërcitja e çelësit në bravën e derës së dhomës së gjumit që u mbyll.
Nik Tuzi, mbeti për pak kohë si një guak; i pafjalë dhe me nje shprehje habie në fytyrë, që iu stampua aty për gjithë jetën; madje, as vdekja nuk do ia fshinte. Xhaketa qe e lehtë, po atij i peshonte aq shumë, sa memzi po e mbante.

Si e mblodhi disi veten, u ngrit, vari xhaketën në vendin ku ishte më parë dhe vajti e u ul në divan; i heshtur, i kredhur në mendime, hem i habitur, hem i zhgënjyer me shokun Karaman.
Vetëm kur koka nisi t’i dhimbte fort, ai u kujtua pse kishte ardhur në shtëpi, ndaj u ngrit; hapi një syrtar të bufesë, nxorri prej aty një tablet aspirinë, ia hodhi gurmazit dhe shkoi e u ul sërish në vendin ku ndodhej më parë.

Provoi të mos mendonte asgjë, por nuk ishte e mundur. I thirri edhe njëherë gruas, por ajo nuk u përgjigj. Pastaj i tha mendja, se duhej të ngrihej; të dilte nga shtëpia e të shkonte te magazina, por ndjehej krejt i dërrmuar. I dërrmuar shpirt e korp. Atëherë, u shtri në divan dhe nisi të kotej me mendimin se i duhej të qetësohej e të pushonte. Të pushonte një grimë herë; sa ta merrte pak veten; dhe pastaj do të dilte. Po nuk qe e thënë, sepse dikush i thirri që nga oborri jashtë, dhe ai u ngrit e hapi derën.

Para tij u shfaq Petro Lushi, kushëriri i babait të tij, komunist dhe mik i pandarë me sekretarin e partisë, shokun Karaman.
– Më ra rruga këtej dhe mendova të të përshëndesja njëherë, o kushëri, – tha ai.
U pa ashiqare, që fjalët që tha, nuk e bënë të ndjehej rehat.
“Po ky, nga e dinte se gjendem në shtëpi, kur në këtë orë duhej të isha në punë”?! tha me vete Nik Tuzi. Deshi t’ia thoshte njëherë, por ndërroi mendje.

– Faleminderit, – i tha. Dhe e ftoi të hynte brenda.
– Nuk kam shumë kohë, – tha Petro. – Megjithatë, po futem për nja pesë minuta.
Dhe hyri.
I zoti i shtëpisë nuk e thirri gruan që ishte kyçur në dhomën e gjumit. I mbushi një gotë raki, hodhi edhe pak për vete dhe cakërruan gotat pa ndonjë qejf të madh.
Kushëririn Petro Lushi, dukej se nuk e mbante vendi. Edhe fjalët që thoshte, i nxirrte si me grep.

– Kështu, kështu more kushëri, – tha më në fund ai për t’i vënë kapak vizitës së tij të shkurtër e të papritur, pas një muhabeti gjithë ngërçe. – Tani të më falësh, sepse më duhet të dal.
Dhe u ngrit.
Tek dera, Petro Lushi, i ngjiti dorën xhaketës së varur në gozhdë që ta vishte, por Nik Tuzi e kishte nuhatur me kohë qëllimin e tij.
– Aaaa…! – ia bëri prishaqejfas ai duke e kapur për krahu. – Kushëri, kushëri! Xhaketën mos e prek! Erdhe pa xhaketë, pa xhaketë do të ikësh. Xhaketën të vijë e ta marrë i zoti. Kështu janë punët.

– Një minutë, të merremi vesh…! – i tërhoqi zvarrë fjalët tjetri.
– Ec, kushëri, ec! Nuk kemi për çfarë të merremi vesh. Në shtëpinë time jam zot vetë unë.
Dhe e shtyu ta nxirrte jashtë, pothuaj me pahir.
Në oborr u ndanë ftohtë, pa i dhënë, madje, as dorën njëri-tjetrit.
Me tu kthyer brenda, Nik Tuzi, e mori xhaketën dhe e kyçi në musandër, ku ruante edhe sendet e tjera. Pastaj, edhe pse dhimbja e kokës nuk i qe shugatur, ai doli nga shtëpia dhe u nis të shkonte te magazina.

Kur u kthye, nuk e gjeti të shoqen në shtëpi, po nuk i bëri fare përshtypje kjo. E dinte, që duhej të kish shkuar te njerëzit e saj, sepse nuk qe hera e parë që e bënte.
Të nesërmen, ai nuk u duk fare te magazina. Kishte nevojë të rrinte vetëm. Po brenda, shtëpia kish nisur të mblidhej e trusej ngadalë. Afroheshin muret, tavani po bëhej gjithnjë e më i ulët, hapsirat e dhomave po ngushtoheshin, – gjithë shtëpia po i kthehej dalngadalë në një varr. Atëherë, ai doli në kopësht që të rrekej me ndonjë punë të vogël, sa për të mbajtur mendjen në rregull.

Andej nga ora dhjetë e paraditës, i sollën korrierin, i cili i tha, se duhej të dorëzonte çelësat e magazinës.
Nika e kishte parashikuar këtë, po çelsat nuk i dha.
– Të vijë t’i marrë shoku Karaman, – i tha.
Pasdite, teptisi aty vetë sekretari i partisë, shoku Karaman Madhoshi. Erdhi i vetëm, por i armatosur me një armë zjarri në brez, të cilën e kishte me leje.

Nik Tuzi e priti si gjithmonë; athua se nuk kishte ndodhur asgjë. E futi brenda dhe e ftoi të ulej në divan, po ai nuk u ul.
– Ti nuk di asgjë, – i tha rreptë shoku Karaman, teksa qëndronte para tij drejt në këmbë. – Dhe as që duhet të dishë. Madje, ti egziston vetëm prej meje. Sepse të gjitha prej meje i ke: gruan, punën, shtëpi e katandi.

Nika nuk foli. Po vështrimin ia pati ngulur kokërr ndërsy dhe nuk po ia shqiste.
Qëndruan për pak kohë duke vështruar, njëri-tjetrin kështu, kacagjelas, derisa sekretari i partisë, pyeti me një zë gërgasës:
– Hë, çfarë ke që më shikon ashtu?
– Kam ca gjëra që ti nuk i di, – tha Nik Tuzi, qetësisht e pa e prishur fare terezinë.
– Çfarë nuk ditkam unë?! – pyeti tjetri gjithë qesëndi. – Fol! Çfarë nuk ditkam?!
– Unë t’i them e t’i tregoj të gjitha, po ju e keni arsyen në majë të shpatës, – ia pat qetësisht magazinieri. – Megjithatë, më lejoni t’ju tregoj mallin, që unë kam grumbulluar në këto pesë vjet martesë me Fridën. Mallin, që kam vënë nën hyqmin tuaj. Dhe e veçanta është, se këtë mallë, e kam shtënë në dorë pa dalë hiç nga shtëpia!

Dhe, si vajti e hapi musandrën, nxorri prej aty, si fillim, një kasketë, e teksa ia tregonte, tha:
– Kjo është kasketa e kryetarit të këshillit, Alem Qerimi! Në pamje të parë, kur ia shikon rrethin gjithë zhul, të ngjall neveri. Po pikërisht tek zhuli qëndron vlera e saj. Sepse është zhuli i kohës që jetojmë. Një zhul që flet. Një koleksionist esnaf, kushedi sa do të jepte për këtë kasketë.
E hodhi kasketën në dysheme dhe e futi dorën sërish në musandër.

– Këto pantallonat prej doku, – tha ai, teksa i mbante me majë të gishtave si pincë, – janë të atij zabërhanit, Lekë Cubi, komshiut tim; të atij që ka hapur i pari shtegun e kodoshëve të gruas time. Janë pak të zhubravitura, por siç e shikoni edhe vetë, – sepse ju jeni një vëzhgues fort i hollë, – copa vazhdon të mbahet mirë. I ka lënë dhe ia ka mbathur nga dritarja, sapo ka dëgjuar kërcitjen e çelësit në bravë të derës.

– Mjaft! – bëlbëzoi i nervozuar shoku Karaman ngase nuk po e mbante vendi. Dhe bëri të dilte.
– Prit…! – e ndaloi tjetri. – E di që ke zahmet të madh. Dhe ashtu si unë, edhe ti, po e ndjen tani këtë shtëpi si një grusht që sa vjen e truset; dhe ke frikë se mos rroposet. Por mos u tremb! Duhet të mbarojmë njëherë punë bashkë.
Rrasi dorën sërish në musandër, nxorri prej aty një kuti duhani, dhe teksa e tregonte, jo pa qesendi, tha

– Kjo kuti duhani, është e Losh Ruçit, brigadierit të brigadës së plehut! Shikoje çfarë kutie, mor të paftë zoti, të paftë! Kuti e lashtë argjendi, fort e rrallë, shkërlitur bukur me onamente dhe figura heronjsh nga lashtësia!

Sekretari i partisë, tërhoqi njëherë hundët, pastaj bëri një lëvizje nervoze me kokë.
Nik Tuzi, nxorri nga musandra dhe i tregoi edhe një shall leshi të shitësit, Lame Qorri; një çantë meshini të teknikut të ndërzimit, Marin Dermeku; një palë syze optike me gjalm të rojes së stallave të lopëve, Hasan Hutës; një letër të zjarrtë dashurie që ia kishte pas shkruar Fridës, poeti Nuri Tarrota; si dhe një dyzinë të tërë sendesh të tjera, që nuk ia vlen t’i përmendim të gjitha.

– Tani, mbaruam, shoku Karaman, – i dha fund ai duke shkundur duart, pasi qe bërë një grumbull i madh në dysheme. – Nuk ka më! …Jo, prit! – kërceu sërish në beft. – Desh harrova kryesoren! Është edhe xhaketa juaj e re me kuadrate! E famshmja xhaketë e shtrenjtë, që ngado që ti shkon, të bën sqimëtar. Ju e patët varur në gozhdë, po unë e futa në musandër që ta ruaja me kujdes, të mos merrte pluhur; sepse kjo, i bie të jetë kryegjëja e të gjitha gjërave, që kam mundur të shti në dorë falë bujarisë suaj. Bre-bre! Sa të bukur e keni këtë xhaketë, o shoku sekretar! Sa shumë do më shkonte! Megjithatë, urdhëroni! Kini mirësinë ta merrni.
Shoku Karaman, zgjati dorën dhe e mori.

– Edhe teseren e partisë e keni në xhep të xhaketës. – vazhdoi Nik Tuzi me një nënqeshje përbuzëse, të hidhur pelin.
Dhe si heshti një grimë herë, i kredhur në hallin e vet, nxorri një gurgull fryme e foli apet:
– Çudi, ë?! Shpesh vras mendjen: vallë, si ndodh, që burrat bëhen kaq frikacakë në këso punësh?! Kushdo qofshin ata; që nga pushtetarët më të mëdhenj, e deri tek fshesarët, mjafton një zhurmë e vogël fare, një kërcitje çelësi në bravë të derës, dhe ia mbathin gollomesh me të katra nga dritarja! Dhe të mendosh, që unë jam njeri shumë paqësor; nuk kam zemër të vras, as edhe një mizë!
Dhe, phu, pështyu.