Ku besoni më shumë se do të gjeni ndihmë në kohë të vështira?

0
347

Nga Dalina Buzi, TemA

Jam e sigurt që vetëm nga leximi i titullit, keni nisur aludimet se “Ç’ne kjo po mbron shtetin?” Të njëjtën gjë do të mendoja edhe unë nëse do ta shihja këtë titull kudo. Por përfshirja në këtë krizë si media, si individ dhe si e prekur drejpërsëdrejt, më bëri të mendoj që ne duhet të ri-ndërtojmë një marrëdhënie me shtetin. Sa më pak të vazhdojmë t’i besojmë, aq më shumë shteti do të përkeqësohet.

1. Është mëse normale të mos besojmë në shtet

Në Anabel.al ne kryem një sondazh me pyetjen se “Ku besoni më shumë se do të gjeni ndihmë në kohë të vështira?” 68% u përgjigjën se besojnë tek asetet e tyre financiare, 24% tek organizatat jo-qeveritare/shoqatat e bamirësisë; 4% besojnë tek mediat dhe vetëm 3% besojnë tek shteti. Pra shumica dërrmuese e shqiptarëve beson pikë se pari në kursimet dhe investimet e tyre dhe pastaj tek Arbër Hajdari, Elvis Naçi apo OJQ si Kryqi i Kuq etj. Përqindja e atyre që besojnë në shtet është tmerrësisht e vogël, gati e papërfillshme. Por kjo nuk është ndonjë surprizë. As për ne dhe as për shtete më të zhvilluara. Edhe në një sondazh të 2018-ës në Britaninë e Madhe,pavarësisht se shifrat ishin më të larta për ata që besoni në shtet, përsëri, shteti shihej i fundit, si “shpëtim.”

Edhe po ta kryenim këtë sondazh në këtë moment në Shtetet e Bashkuara apo në Francë, do të kishim pothuajse të njëjtën renditje besimi: Financat personale, OJQ-të, Mediat dhe Shteti. Aq i ulët është besimi ndaj qeverive edhe në demokraci më të zhvilluara, sa pas krizës financiare të 2008-ës, shumë ekonomistë rendën të studionin rastin e vendeve nordike që e tejkaluan lehtë dhe me shumë sukses këtë krizë. Të gjithë pyesnin se çfarë ka Norvegjia, Finlanda, Suedia qe nuk kanë fqinjët e tyre dhe përgjigja e Dagfinn Hoybraten, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Nordik Ndërministror ishte besimi ndaj politikanëve. “Qytetarët nordikë kanë treguar se kanë një shkallë besimi shumë më të lartë ndaj njëri-tjetrit, politikanëve, qeverisë, sistemit ligjor sesa të tjerët në botë.”

Thënë kjo, unë nuk po deliroj të mendoj se shteti ynë ka të krahasuar me BM, SHBA-në apo Francën, por është e rëndësishme që fillimisht të kuptojmë se qëndrimi ynë ndaj shtetit nuk është i izoluar, por mungesa e besimit shoqëron edhe popujt e demokracive më të zhvilluara, ku ne kemi emigruar apo duam të emigrojmë. Vetëm me një ndryshim shumë thelbësor: Përqindja e besimit tonë ndaj shtetit, është shumë më e ulët, madje nuk nxitoj po të them shumë më alarmante sesa në sondazhet e vendeve të tjera.

2. Më ndihmo mua, të të ndihmoj ty

Marrëdhënia jonë gati e shkëputur me shtetin u dëshmua edhe gjatë tragjedisë së 26 Nëntorit. Unë kam qënë pothuajse gjatë gjithë kohës në kontakt me njerëz të prekur nga tragjedia, qoftë në terren, qoftë në rrjetet sociale të Anabel. Inboksi ynë (dhe jam e sigurt që e gati të gjithë portaleve kryesore) theu rekord për numrin e komunikimeve në këto 10 vite aktivitet. Natyrisht këtu nuk ndihmoi as shteti që të paktën 30 orët e para, nuk po “përmblidhej” të krijonte një shtab, një sistem orientimi se ku njerëzit të drejtoheshin për të dhënë apo për të marrë ndihmë. Por përpos faktit që njerëzit të tmerruar nga mungesa e shtetit shumë herë të tjera, as nuk e llogarisnin, edhe kur shteti ishte aty, ajo që më bëri përshtypje, tek shumë të dëmtuar nga tragjedia, ishte edhe refuzimi i tyre për bashkëpunim apo mungesa e një mirëkuptimi. Shumë na shkruanin pas 24 orëve të tragjedisë se “shteti është i qelbur se s’po na vjen për vlerësim” pa mirëkuptuar që shteti ynë nuk ka asetet për të nxjerrë kufoma nga gërmadha, për të strehuar, për të regjistruar dhe për të vlerësuar të gjitha banesat e dëmtuara brenda 24-48 orëve. Nuk e kemi ne, nuk e kanë edhe 90% e vendeve në botë.

Kjo nuk do të thotë se nuk do të vlerësojë. Mjafton pak durim, i qetësonim ne në inbox. Një tjetër fenomen i mos-bashkëpunimit ishte ajo e të dëmtuarve që kërkonin çadër para shtëpive apo pallateve të tyre. Nuk po flas për nëna me fëmijë të vegjël dhe pa asnjë të afërm; po flas për familje me adultë fizikisht të shëndetshëm, për nëna me djem 25 vjeçarë që refuzonin të shkonin në qendër për të marrë ndihma apo për t’u strehuar në çadra, sepse donin që shteti t’ua shpërndante çadrat në çdo shtëpi. “Nuk lëvizim ne që këtu se na vjedhin” ishte arsyetimi më i shpeshtë, por a nuk do të vidheshin dhe 10,000 të tjerë që po strehoheshin në kampe apo nëpër familje në Prishtinë? Si mundet shteti të gjurmojë me çadra këdo ku duan ata dhe për më tepër të ngrinte çadra pranë zonave me rrezik? Duke mirëkuptuar traumën, këto dëshmi tregojnë se tek ne është e nevojshme të ndërgjegjësohemi për atë shprehjen e famshme të Tom Cruise tek “Jerry Maguire” kur thotë “Help me, help you” Më ndihmo mua, të të ndihmoj ty. Solidariteti kërkohet nga të gjitha anët, aty ku ka mundësi.

3. Shteti do të vjedhë nëse nuk sheh përtej pragut tënd.

Një diplomat francez i shekullit të 19-të, Joseph Maistre, vulosi shprehjen e famshme “Çdo popull meriton qeverinë që ka.”

Për mendimin tim, kjo shprehje është e diskutueshme sipas rastit, por në rastin e Shqipërisë, e një demokracie, ku qeveritë vijnë në pushtet nga votat tona, kam frikë se kjo shprehje aplikohet më së miri. Marrëdhënien jo-funksionale që kemi ne me shtetin, mund ta thjeshtëzojme me një episod të zakonshëm në pallatin/lagjen tonë. Nëse ne paguajmë çdo muaj për ashensorin dhe shkallët dhe shkallët vazhdojnë të jenë të papasatra dhe ashensori bllokohet çdo javë, atëherë ç’vlerë ka që ne të rrime brenda shtëpive tona e të ulërasim “Këtu të vjedh pronari!” Nëse nuk i biem derës dhe i kërkojmë shpjegim se ku shkojnë të ardhurat tona dhe se përse nuk marrim shërbimin për pagesën që bëjmë, atëherë gjërat do të ndryshojnë. Nëse i shkojmë të organizuar, e sigurt që gjërat do të ndryshojnë akoma më shpejt. Gjatë dekadës së fundit kryesisht, ne kemi qënë ata që kemi ulëritur nëpër shtëpitë tona, të zhgënjyer nga të gjitha sistemet në këtë vend; kemi parë shtet autokratik, shtet mashtrues, shtet arrogant dhe kemi hequr dorë së besuari.

Nga ana tjetër, jemi po ne që vazhdojmë votojmë, shumë rrallë sepse besojmë dhe më shumë sepse shohim një interes personal si vend pune apo disa të holla më shumë në fund të muajit. Pak a shumë kemi krijuar një situatë të tillë: Një marrëveshje me pronarin e pallatit që “të paktën ashensorin bëje të aksesueshem për mua dhe unë nuk do të ankohem me grupin e banorëve kundër teje.” Pra në një farë mënyre i kemi dhënë shtetit akses të na përdorë, duke gjetur pikat tona të dobëta si varfërinë ekonomike. Ata që nuk janë përdorur, vazhdojnë thërrasin nëpër shtëpi e kafene e ankohen se këtu nuk ka protesta popullore. Por nga do të vijnë protestat dhe kërkesa e llogarisë ndaj shtetit, nëse ne nuk do të shohim përtej pragut tonë? Refuzimin ndaj shtetit ne e kemi ngatërruar me refuzimin ndaj Shqipërisë dhe si e tillë, ne kemi krijuar një plagë të madhe që do të mund të shërohej jo me njeriun e duhur në pushtet, por me një ndërgjegje qytetare për një të mirë të përbashkët.

4. Beso dhe kontrollo, por beso!

Jemi momente përpara rindërtimit të shtëpive të rrënuara nga tërmeti. Shqetësimi i shumë njerëzve është : “A do të mbajë shteti premtimet?” Banorë të pallatit 12-katësh të Jedas në Durrës më shkruajnë në inbox duke hamendësuar se “Shteti fsheh diçka, pasi po vlerëson si të sigurt një ndërtesë që nuk bën e duhet shembur” Unë nuk di çfarë t’i përgjigjem sepse nuk jam inxhiniere. Ndoshta ai pallat bëhet prapë, ndoshta siç inxhinierja Luljeta Bozo tha, nëse hekuri nuk ka probleme, atëherë me një ri-konstruksion shumë më të fortë, ai pallat mund të bëhet i banueshëm. Por ajo çfarë kërkohet tani nga qytetarët është që të mos shkruajnë në Facebook e të mos ngrenë pyetje në biseda me njëri-tjetrin, por të kërkojnë llogari në shtet; duke besuar se do të marrin ndihmën e duhur. Pikë se pari, shteti që është bashkëfajtor me ndërtuesin në këto dëme të mëdha, ka përgjegjësi.

Kryeministri Rama nuk ka pse t’i premtojë djalit të vogël që u hodh nga kati i 5-të se do ta marr në shtëpi, por ka për detyrë t’i gjejë strehimin e duhur e t’i garantojë që shkolla e tij është e sigurt. Duke filluar nga Rama dhe të gjithë poshtë tij, janë nëpunës. Këtë duhet të kuptojmë ne. Ata punojnë për ne! Me votat tona ne i kemi punësuar këta njerëz jo të “zotërojnë” Shqipërinë, por të menaxhojnë Shqipërinë. Ndaj s’kemi pse druhemi të kërkojmë të gjitha të drejtat tona deri në fund. Si banorë të shtëpive të dëmtuara, duhet të marrim në konsideratë shtetin dhe as OJQ-të e mediat dhe as asetet tona (kur ne tashmë kemi paguar për ato shtëpi të pasigurta). Këtu unë mendoj se fillon një përmirësim i marrëdhëies me shtetin dhe një përmirësim i qeverisjes.

Në momentin që e sheh shtetin si nëpunës dhe njeh detyrimet që ai ka ndaj teje, fillon ti kërkosh llogari. Banorët e 12-katëshit të JEDAS të organizuar duhet të kërkojnë pikë se pari një vlerësim me komunikim me shkrim e me vulë dhe jo me gojë, as me mikrofonat e Top Channel, nga inxhinierët specialistë se pallati mund të jetë i banueshëm (nëse rezulton i tillë). Më pas banorët duhet të ndajnë me shtetin strehimin deri në rregullimin e shtëpive, masat që do të merren ndaj pronarit, sqarimin e çështjes së kredive dhe çështje të tjera që i përkasin shtetit, si rregullator. Shteti bëhet i vlefshëm kur ti e njeh atë dhe nëse banorët do të jenë aktivë dhe të mirëorganizuar, kanë më shumë shanse të shpërblehen për të gjitha dëmet e tyre, sa po të heqin dorë që në fillim prej legjendave të “fshehjes së informacionit” apo se “shteti nuk bëhet.”

Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri dhe na ka penalizuar si popull është se ne i kemi parë dhe i kemi pranuar qeveritë si “pronare” dhe gjithmonë e më shumë jemi tërhequr nga kërkesa e llogarisë. Pra nuk kemi vepruar si qytetarë, por thjesht si shtetas të çertifikuar që “ndodh” të jetojnë në pronat e qeverive. Në këtë mënyrë, duke neglizhuar nga mosbesimi dhe duke u tërhequr mbrapsh, ne u kemi dhënë liri politikanëve të keqtrajtojnë pushtetin. Arroganca e Edi Ramës gjatë këtyre ditëve të post-tërmetit, është dëshmi e marrëdhënies që ne kemi krijuar me të. Ne e kemi marrë të mirëqënë që ai po keqqeveris dhe s’ka asnjë shpresë të ndryshojë derisa ai të tërhiqet vetë apo një parti opozitare t’ja dalë të fitojë zgjedhjet dhe nga ana e tij Rama, e ka marrë të mireqënë që sadoqë edhe mund të ketë bërë vepra të mira, përsëri ato nuk do të dalin dot në dritë, sepse asnjë nuk ka besim.

5. Mos kërko çfarë vendi do të bëj për ty, por ti ç’do të bësh për vendin

Nëntitulli është shprehja e famshme e presidentit të ndjerë amerikan John F. Kennedy. Sot, më shumë se kurrë ne kemi nevojë ta dëgjojmë këtë. Mua më pëlqen të marrë mësime nga çdo tragjedi apo dështim dhe drama e 26 Nëntorit duhet të na japë një mësim që ky vend nuk rindërtohet dhe ecën përpara nëse ne do të rrimë e do të presim nga qeveritë e nëse s’na vjen gjë, të braktisimin vendin. Po nuk ndryshoi marrëdhënia jonë, askush, as edhe unë apo ti që po e lexon e mund të kesh 100 ëndrra e ideale të tipit “po ta kisha unë qeverinë në dorë”, nuk do të jemi të aftë për të mirë-qeverisur. Ne presim të vijë ai apo ajo “e duhura” që ta marrë këtë vend në dorë dhe harrojmë që mospërfilljen e krijojmë vetë.

Unë, për shumë që arritën deri në fund të këtij shkrimi, mund të jem delirante, mund të jem naïve, por si në kontakt me qindra njerëz çdo ditë, jam pak e lodhur nga thirrjet përsëritëse “Ku është shteti?” kur askush nuk çohet ta kërkojë, me votë; me protesta, me kërkesa llogarie. Ne harrojmë shpejt dhe këtë e kemi treguar me 97-ën, kur sollëm në qeveri sërish të njëjtit njerëz, e kemi treguar edhe kur kemi votuar ish-komunistë, por mendoj se është koha të mos harrojmë më. Shteti duhet të dënojë të gjithë fajtorët për këto dëme të mëdha që shkaktuan 51 viktima dhe duhet t’u përgjigjet një më një të gjithë premtimeve, por është detyra jonë si qytetarë që të kërkojmë llogari për të gjitha këto premtime, është detyra e qytetarëve të tronditur që t’i shkojnë çështjeve të tyre deri në fund, nëse kërkohet edhe me forma ligjore, siç është edhe detyra e medias që të vendosë shtetin para përgjegjësisë, por edhe të ndërgjegjësojë qytetarin.

Unë mendoj se kjo është një kohë shumë e mirë të vëmë ca pika mbi i në marrëdhënien qytetar-shtet. Në të kundërt, paketoni valixhen dhe mbathjani, sepse kushdo të vijë në detyrë, do të ndihet po aq pronar sa tjetri që u largua.