Ministri e përbashkët e Diasporës për të gjithë shqiptarët në mërgim

0
404
Kolec Traboini, Washington DC, 04.04.2017

Nga Kolec P. Traboini

Ministria e Diasporës duhet me qenë e përbashkët dhe jo e ndarë mes dy shteteve shqiptare. Edhe Shqipëria edhe Kosova janë shtete shqiptare në Ballkan. Çdo version tjetër i shpikësve të kombeve, është i panatyrshëm e shkon kundër dëshirës popullore. Histori me Esat Toptan, që donte një Shqipëri sa pëllëmba e dorës, me ca troje përqark Tiranës nuk funksionon në kohërat moderne. Shqiptarët janë zgjuar tashmë. Veç kush jeton ende me mendje në Mesjetën feudale apo kush e konsideron Atdheun e përbashkët si një çiflig të vetin privat mendon asisoj. Atdhe kemi një dhe ai i tejkalon ndarjet në kufij shtetesh. Mund të ndash tokën, fushat, malet, lumenjtë por nuk e ndan dot popullin. Shqiptarin nga shqiptari.

Albin Kurti duhet ta ketë parasysh se krijimi në mënyre paralele i ministrive të Diasporës janë jo produktive e sjellin ndasi e ftohje mes shqiptarëve në mërgim. Në këtë drejtim dy kryeministrat duket të mirëkuptohen dhe Pandeli Majko të jap dorëheqjen, se dy ministra për të njëjtën punë është luks i madh për shqiptarët e varfër këndej e andej kufirit shqiptar-shqiptar, kufi i cili në fakt duhet të zhduket një orë e më parë. Kosova dhe Shqipëria të krijojnë një ministri të përbashkët dhe kjo ti lihet në zgjedhje të një ministri në Qeverinë e Kosovës.

Le t’ia nisim pak e nga pak. I pari Dikaster i përbashkët. Ai duhet të quhet Ministria Kombëtare e Diasporës Shqiptare, sepse shqiptarët jashtë i përkasin shqiptarisë e jo ndarjes se hartave gjeo-politike, kudo qofshin jashtë trojeve të veta bijtë e shqipes. Dhe mos na e shënoni në hartat që përdorim ne shqiptarët atë vijë kufiri Kosovë-Shqipëri. Atë vijë ndarëse, qoftë dhe administrative, e urrejmë prej një shekulli. Dhe urrejtja shekullore është tepër e rëndë, për të mos thënë traumatike, në psikikën e një Kombi. Duke fuqizuar shtetin gjermanët e arritën bashkimin e kombit. Le të nisim ta bëjmë edhe ne.

Dhjetor 2019