Nexhat Halimi
Një Avdi E një Sadri
(E mërkurë, dhjetor `79)
Dolëm nga nëntoka me përshtypje të përzier.
– Nesër do të shkojmë për ngushëllime në Kaçanoll, – i fola të vogël Isanit, ndërsa ai më shikoi me një ndjenjë të thellë të dhembjes dhe nuk çeli gojë të thoshte fjalë. Shikimi na iku udhës që merrte nga Shala e Bajgorës. Morëm frymë thellë dhe ecëm nën degë cullake drurësh, të cilat prekeshin nga shtëllunga të borës, e cila binte qetë.
*
E nesërmja agonte kuqërremtë. E bëmë një copëz udhë pa takuar askënd. Gjithnjë e më shumë i afroheshim Shalës së Bajgorës, për të arritur më pastaj në Kaçandoll. As fliste gjë Isani, as unë. Ta merrte mendja të shkonim në ndonjë hapësirë të shkëputur nga bota reale e të përditshmes.
Binte borë qetë, me flluska të mëdha. Lart, lidhur, të thotë mendja, me qiellin pak-pak zbrisnin.
Binte borë me flluska të mëdha. Lart, lidhur, të thotë mendja, me qiellin pak-pak zbrisnin nga thepa të shkëmbit një malësor i veshur me aba e një tjetër, po ashtu, i veshur me aba, me tirq e mitan të vjetruar. Njëri e mbante në dorë një gjel me pupla të kuqërremta, i cili i ngjante qiellit në të aguar, e tjetri ecte prapa një mushke të lodhur, të ngarkuar me një dëng drurësh. Ecnin të ikur gjithsecili në hisen e vet të ëndrrës. Të lodhur e të lëmekur. Ecnin në rreth, të arrinin të zbrisnin nga ngjiteshim unë e Isani… Do të takoheshim në ndonjërin nga shkëmbinjtë, pa tjetër. Udhë tjetër për t`u ngjitur nga qielli e njëherësh për të zbritur fund bjeshkës nuk ka. Kot është dhe pashmangshëm të takohemi, deshëm apo s`deshëm. Kishim mësyrë të shkonim për ngushëllime në Kaçanoll, për të qëndruar pak sa t`ua themi disa fjalë, t`i ngushëllojmë për vdekjen e xehetarit, të cilin nuk e njihnim kaq mirë. Vetëm pse ende më ndrisnin sytë e Ramadanit në lot, në pikëllim të thellë për Hasanin e vdekur.
Qëndronte ulur dhe i thyer shpirtrisht në një gur me xehe të arit e të argjendit të zemrës së “Trepçës” dhe e kujtonte mikun e vet që më nuk do të zbres në nëntokë. E kujtoja dhe unë minatorin e vdekur, të cilit ia kisha kushtuar një poezi, të rëndë, të botuar te “Rilindja”, një të shtune në faqet e kulturës e të letërsisë. Më ikën lot vetëm me të dëgjuar, për vdekjen e Hasanit dhe pikërisht për të mësymë lart në male. Ja, pse këtë mëngjes nuk zbritëm fare në horizontet e minierës, për të shkruar për gjëra të përditshme, për t`u takuar me shtatë luanët, të cilët qenë bërë me djersë dhe angazhim të madh krenaria e nëntokës.
Bora e shpërndarë në shtëllunga të bardha krijonte flutura nga binin mrekullisht mbi degë, mbi gurë e dhiare, të cilat i shkelnim me kujdes dhe të mbushur frymë, të frymëzuar e të mrekulluar me pamjet e krijuara siç i përshkruajnë në përralla të vjetra.
– Ku e ke mendjen, – më foli Isani.
– Te njëri nga dy hijet. Apo veç te njëri? Apo dhe te tjetri?
– Flet jerm!?
– Pse?
– Te cilët malësorë, pa i ndarë?
– S`është një. Dy janë, të ndarë mes vetes?
– E krijojnë një.
– Unë s`e shoh dot asnjë!
– Ja, përqendrohu me vëmendje. Ata të dy, në zbritje gurit. Prapa e kanë vetëm qiellin me shtëllunga bore përpara. Ecin. Përkunden në zbritje nga lart…
– I njeh?
– Nuk i njoh, veç ata janë. Njëri me një gjel e tjetri me një mushkë e një dëng dru. Do t`i presim të zbresin nga maja e shkrepit e të flasim pak me ta…
-Ata po ikin për rreth kodrës. A e vëren? Ndoshta s`arrijnë udhës që i qet te ne?
-Do të vijnë këtu. Dhiaren e ndjekin. Nuk kanë zgjidhje tjetër. Ikin rreth e rreth e prapë arrijnë vetëm dhiares, që shtrihet para. Gjithnjë.
-Gjithnjë?
-Po. Gjithnjë.
-Pse i nxjerr dhiarja në këtë mënyrë, kaq çuditshëm. Vijnë për maje të gjilpërës, apo jo?
-Përbirohen për vrimë të gjilpërës!
-Me kaq vështirësi.
-Dhiarja i nxjerrë gjithnjë gjurmës nga kanë ecur kaq herë, gurit të njëjtë, të cilit ngjitemi unë pak e pak ti. Të molisur! Ecim.
-E ata, ndërsa, zbresin!
-Po… ata zbresin nën këtë borë të butë, flluska – flluska.
-As e kam hetuar të jetë qielli kaq i bukur nën borën që bie.
-Nuk të ka ra ta shikosh shpesh gjithë këtë lidhje të tokës me qiellin.
-Ja, shikoi dhe ata të dy. Pjesë e të njëjtit mozaik. Copa të thyera të lidhjes së qiellit me shkëmbin, të prekur nga shtrezë e lehtë e borës.
-Njëri me gjel e tjetri me mushkë…
-Janë copë e jetës sime, e dhembjes dhe dashurisë që çel në male. Pamje e bukur dhe e ashpër në të njëjtën lëvizje, në të njëjtën palëvizje, në të njëjtin peizazh të ngrirë…
-Ti bën përpjekje për të dytën herë ta përvjedhsh këtë shkrim e ta botosh në gazetë?
-Po. Dua ta gjej veten brenda shkrimit mitik, të cilin e hetojnë vetëm ata që kanë ndjenjë.
-Çfarë të lidh kaq me këta dy malësorë?
-Njëri e zbret gjelin e fundit nga malet për ta shitur në treg. Zbret dhiaret e gjithnjë i shpërthen brenda vaji. Qan pa zë për të, i qan shkrepat, i qan agimet, i qan veshët e vet, të cilët nuk do të ketë kush t`i zgjojë nga gjumi…
-Nuk ta botojnë prapë këtë shkrim, apo vetëm ndonjë copëz të tij, siç qe atëherë, e kaq shumë dhe vetëm atë pjesë të këputur nga tërësia e pëlqeu M. Mjeku, – tha Isani, ndërsa hijet e tyre tashmë ranë pranë nesh, me opingat e lagura, të hapura, të punuara nga lëkura e ndonjë kafshe, të lidhura rreth e rreth me ndonjë sixhimin të fortë prej konopi, të mos u ikin këmbësh.
Do të shikohemi sy më sy. Gjatë.
Të stepur.
-Qenkeni mirë… – m`u dridhen buzët.
Të njëjtën gjë e foli dhe Isani, ndërsa ata shikonin ngjashëm me ndonjë mumie, mbi të cilët binte borë e imtë dhe e butë.
– Prapë zbrisni në qytet?- fola prapë me sy në të dy. Natyrisht me dorë mbi zemër.
-Prapë… ju!Prapë e gjithnjë sa të ketë gur mali, sa të ketë drurë ta mbajë qiellin ndër degë, sa të ketë etje kroi që nuk çjerrë. Sa të ketë fluturim të zogut.
-Fluturim të zogut që nuk shihet vetëm ndjehet.
-Natyrisht, ky zog i pavdekshëm…
– E ju?! Për ku keni mësyrë, – folën me një zë të koordinuar.
-Në Kaçanoll. Ka vdekur një xehetar…
-Nesër është varrimi.
-Jo. Brenda ditës është.
-Nesër është… Nesër.
-Nesër?!
-S`do të ketë mundësi të huçim një ditë, – ndërhyri Isani.
-Nesër është varrimi.
-Kaq të bindur flisni për njeriun që ndoshta as nuk e njihni. Shikoni, i vdekuri është Hasani.Qe minator.
-Për Hasanin themi dhe ne të dy.
-Varrimi nuk shtyhet. Është traditë e malësisë. Për jetë e mot kjo nuk ndërron.
-Mirë, mos besoni. Shkoni e do të ktheheni kot prapë.
– S`është punë besimi kjo. Veç si ia huçëm kaq rëndë.
-Do të zbresim pra, të vijmë nesër! Do ta thyemë udhën atëherë dhe do të vijmë prapë nesër. Sado që këtë gjë e bëjmë për ta nderuar njeriun nga malet, për burrin e urtë, i cili e shkroi zbritjen e vet në nëntokë. Unë e Isani, e një ekip i “Rilindjes”, me ditë zbresim në nëntokë të ”Trepçës”, të flasim me ata që ia këpusin pasurinë tokës, të ecën drita në të gjithë mozaikët e shpirtit, të çelë udhë për kaq vjet të mbetur të verbër, e kaq afër e zgjon të nesërmen e begatë.
– Hasani qe njëri ndër të mirët…- e ndërroi rrjedhën e bisedës ai që e mbante për kapistre mushkën dhe e iku shikimin larg nga aty ku i mbante këmbët mbi gur.
– Kemi dëgjuar fjalë të mira për të dhe unë e ky tjetri… – tha ai me gjel.
-Vijmë nesër, – i shikova unë. – Do të vini dhe ju të dy nesër ?
-Larg është e nesërmja, – tha ai me gjel.
-Tepër larg!- tha ai me mushkë.
-E ju, të dy, mund të vini nesër, apo ndoshta keni punë për ta projektuar të nesërmen.
-E nesërmja dhe projekti për të mund të pres mund të pres, – tha Isani.
-Prit e prit e hallet mbesin të njëjta, vetëm sillen në rreth,- tha ai me gjel.
-Nuk mbarojnë telashet, kurrë, – fola me gjysmë zëri.
– Ja, – i ra shqelm gurit. – Ky është guri që u del para të mos realizohen gjërat.
-Apo mendja e njeriut?!
-Nuk vini nesër as ju, apo jo?
-Vijnë malësorë nga ky hark. Patjetër.
-Ai do të ketë vdekur, veç xehetarët do ta prekin të nesërmen… e ti dhe ky ende jeni larg vetes dhe udhës.
-Pak nga pak arrihet çdo gjë.
-Do ta arrijnë xehetarët dhe jo veç ata. Ata ndoshta e prekin të nesërmen.
-Zot ka dhe në nëntokë.
– As ju as ne, nuk qëndrojmë kot. Veç të nesërme ka pak! –folën me një zë.
Nuk fola fjalë më.
As Isani nuk tha gjë, sado të përpihej t`u thoshte diçka.
-S`foli tjetër gjë asnjëri.
E thyem udhën e ecëm për gjurmë të tyre. Zbritnim dhiares me vështirësi. Ecnim, të inatosur,pa bërë fjalë me ta. Herë printe ai me mushkë, të ngarkuar me një dëng dru, herë tjetër printe ai me gjel në dorë. Udha natyrisht qe e gjatë. Kthehej prapa qëllimit, ndërsa mund ta shikonim të mbetur lart, të ngrirë e të vetmuar, të cilin e kishim mësyrë. Udha sillej rreth vetes së vet dhe përreth gjërave që shihen në sipërfaqe e nuk dalin të kenë kuptimin, të cilin papritur ua japim.
Katër vetë dhe hijet e tyre,ecnim.
Natyrisht, frymonin në tërë këtë botë dhe dy frymë, gjeli dhe mushka.
Ecnim e borë binte lehtë.
Ata ecnin vetëm aty ku shpresonin t`ia arrijnë qëllimit të vet, të skicuar kohë më parë. Ata iu afruan tregut. Unë e Isani vendosëm të kthejmë në redaksi. Isani iku në punë të vet e unë bëra përpjekje ta rishkruaj ndryshe reportazhin për njeriun me gjelin e vet të fundit dhe për tjetrin me mushkë, të ngarkuar me një dëng dru. Të dy të nisur për në treg në Mitrovicë! Bëja përpjekje, për të dytën herë të kap inserte mes ëndrrës e realitetit të prekshëm, në rrjedhat e jetës thellë në malësi. Herën e parë Maksi m`i flaku faqet e shtypura të shkrimit fytyrës, me mllef, duke e vlerësuar reportazhin ashpër.
–Diçka të këtillë nuk ka ngjarë as në kohë të turkut! Redaktori i dytë qe më dorëlirë, sado që s`më pëlqente aspak dhe bëheshin vjet e nuk flisnim mes vetes. Vinte dhe ai nga malësia dhe kjo e kishte prekur, t`i nxjerr dy faqe për botim nga katër faqe reportazh. Do të botohen dy faqe me ilustrim të Veli Grëvallës. Gjysma e reportazhit qe flakur, veç dhe ato dy faqe të botuara do të pëlqehen mjaft nga kolegët e ndoshta dhe nga lexuesi.
Tashmë e kisha bërë mendjen gozhdë dhe provoja prapë ta botoj pjesën e flakur të reportazhit, natyrisht me shumë detaje shtesë.
Më dridheshin duart nga shkruaja me makinë klasike e zemra donte të më dilte kraharori nga i përjetoja detajet për Një Avdi e një Sadri. Njëri me gjelin e vet të vetëm e tjetri me mushkën e ngarkuar me një dëng dru. Përkundeshin kurrizeve të malit të vjetër e të ashpër, të prekur malli, të zbrisnin në pazar dhe t`i shisnin ofertat e veta. Natyrisht, të shtyrë nga nevoja e domosdoshme. Me dhembje në zemër…
-Çfarë shkruan, – më tha Vera.
-Asgjë.
-Flet në gjumë. Shkruan me orë e thua asgjë, ndërsa ja, shkruan!
-Për një Sadri e një Avdi nga zbresin për në treg. Njëri me gjelin e vetëm të shtëpisë ta shet e tjetri me një dëng drurësh, t`i shesin për ndonjë lek.
-Nuk ta botojnë, – tha Vera me dhembshuri. –E qenka kaq i afërt me realitetin, një me tokën që s`ndërron! – e rilexoi ajo një pjesë të shkrimit. -Ti dhe më herët ke provuar me këtë tematikë,- më shikoi ajo me keqardhje.
E shikova dhe unë Verën me dhembshuri, ndërsa i mblidhja letrat e shtypura e me dridhje të gjalla në vete dola e hyra në zyrën e Maksit. Ai qe përqendruar në leximin e një shkrimi dhe mendova ta prisja aty derisa ta kryente. Dëshiroja t`i flas pak për shkrimin jashtë rreshtash të shkruar…
-Lere aty e ik, – e ndërpreu leximin ai, më pa me letrat në dorë, e prapë i qepi sytë në rreshta. Dola pa kryer punë nga zyra e nuk gjeja rrugë tjetër, veç të kthehesha përsëri te ai e t`ia thosha çfarë kisha ndër mend.
Ai më shikoi ndërsa ende hapej dera dhe vërejti të hyja i mllefosur.
-E mora, ta lexoj, e mora… Pse brengosesh, – foli e i lëshoi syzet në majë të hundës. Prisja mbi ferra ndërsa ai nisi të lexonte. Kaq më lidhte ky shkrim sa njëherësh, ndërsa qëndroja më këmbë, e rilexoja dhe unë…
“Çelej ag i veçantë në bjeshkë.
Shaljanët zbritnin monopateve të lodhur e të përgjumshëm; ndërronin me mund shalët thatime të këmbëve. Ecnin, zbrisnin malit një Sadri dhe një Avdi, në ritëm me hapa të kalit, herë para e herën tjetër prapa krijesës – asht e lëkurë, me barrë në shpinë, që epohej të binte këtu apo aty, apo atje gurit të thepisur. Qeni i ndjek ndër hije dhe frymon dhe një gjel, me kokë të lëvarur, symbyllur. Një Sadri e një Avdi dhe kali dhe qeni dhe gjeli e malet e vjetra, të lidhura me shkrepat e murrmë dhe qiellin lart, të coptuar nëpër degë drurësh. Të shkruar herë me flluska bore e herë me degë të zhveshura nga gjethet.
E shkruanin qiellin hije të thata, të hirta, të tmerrshme.
Frikësoheshe t`i shikoje gjatë dhe të mbetur ende vertikalisht mbi copëza gurësh të çarë.
Sadriu e bart në dorë gjelin këmbë lidhur, kokë lëvarur, sy mbyllur.
-E nxjerr gjelin e kuqërremtë në treg? – i thotë Avdiu.
-Gjelin e vetëm të shtëpisë, – ia kthen Sadriu.
-Vallë, kush do t`i zgjoj malet pa të, – murmuritë Adiu dhe e tërheq për kapistre kalin e lodhur, asht e lëkurë, i cili mes gurit e gurit të dhiares fut turinjtë të këput ndonjë fije bar. – Vallë, kush do ta këndojë dritën?
-Eh, – ia kthen ky.
-Për zor të rëndë, apo jo?
-Për abetaren për djalin.
-Me mend!
– E ti? E ke të porositur këtë dëng drurësh… – e shikon barrën e kalit.
-Preva këtë dëng drurësh para një apo dy javësh… E tash, m`u bë puna t`i nxjerr në pazar. Ende nuk janë tharë mirë e kaq rëndë i vijnë kalit.
-Besa kalit po, por dhe ty?
Mblodhën vetullat e trasha të dy. Plasi për zemër vetëtima e murmurima e luajti bjeshkën nga vendi i vet mijëvjeçar. Sadriu e preku gjelin pupël ndezur, mblodhi lëkurën mbi ballë dhe ngul në sy e shikoi shokun, Avdiun, atë zeshkanin me plis të vrugtë përreth nga djersët e motet…
-Ama gjeli, Sadri?
-Gjeli, po… – iu fry damari gjarpër mbi ballë. – Ta mbyll derën, të lë shurdhër, gjithsesi. Veç, në matjet e bëra brenda vetes, abetarja për djalin më ngrehu më rëndë, shumë më rëndë.
Qeni ikte herë ndër këmbë të njërit herë tjetër ndër këmbë të tjetrit. I llastuar. Me një shqetësim. Sadriu që ia njihte mirë tëhuajzimet, që ia ndërtonin shpirtin, e kuptonte të ndodhte diçka. E kuptonte të mos jetë çdo gjë e rëndomtë te ai. Natyrisht që ndodhte diçka e çuditshme. Tepër e çuditshme.
E fryma e malit përzihej me rrjedhën e ujit ndër gurë…”
… Pritja tepër i shqetësuar derisa e lexonte shkrimin Maksi. Më kafshonte diçka e pashpjeguar përbrenda. Ndieja ligësi të madhe. Ai e përfundoi leximin e shkrimit “ Nesër s`do të zbresë Sadriu” e m`i hodhi nevrik për fytyrë letrat e shtypura.
-Çfarë ke në mendje? As në kohë të turkut nuk ka ndodhur diçka e këtillë. M`u errësua çdo gjë, vetëm siluetën ia hetoja Maksit, më kumboi e njëjta fjali, m`u hodhën fytyrës faqet e shkruara me kaq mund dhe emocion.
Nuk fola fare. I mblodha letrat dhe mora të dilja jashtë. Prapa m`u vu redaktori i dytë i gazetës “Rilindja”, me të cilin nuk qëndroja aspak mirë.
-M`i jep mua, – tha. – Ndoshta nxjerr diçka, ndoshta, – i mori letrat e me ngut mori të kthehej në zyre, ndërsa Maksi më vërejti ndërsa dera do të qe hapur e më thirri.
– Shko te këta malësorë e shkruaj afër për të përditshmen e tyre. Ti, për të dytën herë shkruan për këta. Natyrisht me detaje e inserte të reja të jetës së tyre në jetmbetjen në bjeshkë.
Më ndriti fytyra. Do të takohesha dhe ashtu me ata të dy në varrimin e minatorit Hasan. Aty më pastaj do ta prekim dhe ndonjë detaj, ndonjë datë e ngjarje nga historiku i tyre i varfër…
-Do të shkoj! – ia bëra me një ngazëllim e dola kaq i prekur nga një ndjenjë e mirë. – Ndoshta do ta botojë shkrimin për ta! Kaq më qe mbetur të botohej shkrimi për ta sa dola vrik nga redaksia ta zbrazja ndonjë gotë e të prisja me padurim të nesërmen, me ag, të merrnim udhë për në Shalë të Bajgorës. Do të na ikte dhe një ditë pa zbritur në nëntokë, për të shkruar për xehetarët e shpallur ndër më të mirët në mihjen e xehes.
Me mëngjes arritëm të nesërmen në Stan Tërg, të mësyjmë pastaj nga aty për në Bare, duke e ngrënë udhën lart dhiares për në Kaçanoll. Të merrnim pjesë në varrimin e xehetarit të vdekur. E iknim shikimin nëpër të njëjtat peizazhe të bukura, tashmë me bukuri tjetër, nën flluska bore. Ecnim e heshtnim. Pikërisht, aty, ku një ditë më herët qemë takuar me dy malësorët. Njëri me mushkën e ngarkuar me dru e tjetri me gjel.
Tashmë s`qe më e njëjta pamje. Drita në fytyrën e tyre s`qe e njëjtë. Ndoshta as dhembja e as besimi në zot. Çdo gjë qe ndryshuar. Zbrisnin të pikëlluar…
Ndalëm të stepur. Diçka nuk fle
-Ku e ka gjelin?
– Sigurisht do ta ketë shitur ditën e ikur, – tha Isani.
-Tash zbret ta shoqërojë malësorin me mushkë, t`i ndihmojë t`i shes drurët!
-Të vetmuarit janë të plotfuqishëm. S`e lënë të ecën njërin të vetëm!
-Jo, diçka tjetër i dhemb.
-Ti flet thuaje se i sheh afër ata, – tha ai.
-Ja, Isan, afër janë, prapë lart lëvizin ata malësorë.
-Prapë bie dhe borë, – tha ai.
-E vëren apo jo? Diçka ka ndërruar, nuk është e njëjtë.
-Çfarë ashtu?
Hijet e tyre ndërkohë zbritën e ata qëndruan vetëm pak hapa larg. Të vrarë tërësisht ndjenjës së ndezur të lëvizjes. Njëri i lëvizte duart pa takt. I ngrinte lart, i kthente poshtë. I fuste duart grushte në xhepa, më pastaj prapë i nxirrte dhe provonte ta rrëmbente ndonjë flutur bore…
Borë me flluska binte pandërprerë.
Ata harkuan dhiaren dhe zbriten aty ku i prisnim. Hijet u iknin para vetes. U ikte frymë e dukshme nga goja. Heshtnin, të mërdhezur, të hutuar.
-Çfarë keni, kaq të pikëlluar?
-Kemi pikëllim për të vdekurin, për minatorin. Ai do të varroset dy orë pas dreke.
-Atëherë do të mbërrijmë, – tha Isani.
-Apo keni dhembje tjetër ju të dy.
-Po, tjetër… – tha një Avdi.
-Nuk e vëreni? – foli një Sadri.
-Çfarë të vërejmë. Mungon gjeli…
– E keni shitur!?
-Gjel më nuk ka. Ai zë i bukur nuk është t `i zgjoj malet më, as zemrat që rrahin mes gurit e drurit e kroit e qiellit… – tha ai me mushkën e molisur, me një dëng drurësh mbi shpinë.
-Ju deshët ta shisni gjelin. E keni shitur e tash prapë në vaj!
-Jo, i shitëm vetëm drutë e gjelin nuk e shitëm!
Qëndronim, pak në tokë e pak në qiell. Me kokë e gjysmë të kurmit në qiell e me pjesën tjetër në gurtë e dhiares. Borë binte dhe kaq sa e vështirësonte zbritjen e tyre në qytet, në treg, kaq e zbukuronte hapësirën. E shikova malësorin që nuk gjente mënyrë t`i mbante duart e veta, të cilat një ditë më parë e mbanin gjelin e kuqërremtë, të ngjashëm me ditën nga agonte në pranverë. Dëgjohej dhe derdhja e ujit nga një krua, kaq furishëm dhe kaq bukur dëgjohej rrjedha.
-Me gjelin çfarë ndodhi, – e shikoi njërin pastaj tjetrin malësor Isani.
-E humbëm! – thanë me një zë një Sadri e një Avdi.
-Si ndodhi kjo gjë, si e humbët?!
-Me t`u ndarë nga ju ecëm për në treg…- ua vërejta lotët në sy njërit dhe tjetrit.
-E rrahëm udhën pak e pak deri te hyrja në treg, në Mitrovicë. Ndokush kalimthi na pyeste sa e kanë çmimin drurët, ndokush interesohej të mësojë për sa do ta jepnim gjelin… Ecnim, të heshtur. Askush nuk na u afrua më afër, të interesohej për gjërat që i ofronim. Askush të shikonte mallin, gjelin, askush të shikonte nga afër hapjen e shpirtit, të cilin e shisnim.
-Në hyrje të tregut, na ndalën tre djelmosha dhe i shikuan, kush drurët e kush gjelin…
-A nuk e shihni tha njëri nga ata. Gjeli kaq i bukur u paska ngordhur…
-Jo, nuk ka ngordhur, – ia bëri një Sadri.
-Si nuk ka ngordhur, shikoje nga e mban kokën, tërësisht të lëvarur teposhtë, të lëmekur fare.
-Natyrisht, e mban kokën ashtu, ndërsa e mbaj për këmbësh…
-Pse e mban ashtu, me kokë poshtë, – tha njëri nga ata.
-Të mos më ikën?
-Ke mundur t`ia lidhësh këmbët.
-I ka këmbët të lidhura,- tha një Sadri.
-E prapë e ruan kaq shumë, – tha një tjetër.
-Veç pse është kaq i bukur, veç pse ka zë që i zgjon malet në mëngjes, veç pse puplat i ndrisin ngjashëm me agun e lindjes… Ja, pse.
-Të mos të ikën, – foli i treti.
-Të mos na ikën, – tha një Avdi dhe i shikoi drutë në shpinë të mushkës,ndërsa gjelin e shikonte symbyllur, me kokë poshtë, këmbë lidhur.
-Ai, gjeli, veç u paska ikur. A nuk e vëreni. As sytë s`i çel…
-Nuk i çel sytë, të mos shoh gjithçka!-thotë një Sadri.
-S`shikon gjithçka ky?
-Nuk do ta prish gjendjen e pastër shpirtërore nga shikon surratet çfarë jeni ju, – ndërhyri një Sadri.
-Kërkoni të gjeni arsyetim pse do u ketë ngordhur gjeli.
-Pse, kush e thotë këtë. Ty të të zë besë a? Kurrë jo.
-Ajo që shihet nuk do kallauz, – thotë njëri nga ata.
-Nuk është gjithherë ashtu çdo gjë siç shihet!
-Megjithatë, gjeli ka ikur. Ja, shihet qartë!
-Jo. Mirë është ai. Mirë është.
-Ta shikojmë. Zgjidhja këmbët e të kuptojmë është i gjallë apo i ngordhur.
Një Sadri shikoi ngul në sy një Avdi dhe më pastaj shikoi lart nga qielli. Gjelin e vet e ndiqte për hije në fluturim të trembur nga dega e një lisi te tjetri lis, e shikonte nga i këndonte shtëpive të fshatit dhe i hapte flatrat, i hapte me krenari nga trupi dhe këndonte prapë. I përgjigjej gjelit tjetër të fshatit, të cilin nuk e dëgjonte. Nuk kishte gjel tjetër në fshat. I vetmi qe ky, me pupla flake, i ndezur, i vetmi ndriste dhe e zgjonte secilën dritare, secilin gjumash ende të fjetur në ag.
-Nuk dua t`ia zgjidh këmbët, – tha një Sadri.
-Pse, frikohesh të mos dalë ajo që them unë, – ia bëri i pari.
-Apo ke ndjenjë vërtet të ketë ngordhur gjeli. Ky bukurosh me ngjyra ylberi, i cili të zgjonte nga gjumi or malësor çdo mëngjes, – tha i dyti. Rreth qenë mbledhur fytyra të rrudhura, grash e burrash. Shikonin me habi e asnjëri nuk nxirrte zë.
-Unë, pranoj t`ia zgjidh këmbët gjelit. Veç po të qe gjallë do ta paguani kaq sa e ka vlerën. As më pak, as më shumë.
-Po, unë e paguaj, – tha i pari.
-Një pjesë e paguaj unë, – tha tjetri.
-Vetëm dëshmoje se nuk ka ngordhur… Unë, natyrisht, nuk dua të blej asgjë në thes. Dua ta vërtetoj çfarë blej, – tha i treti.
Fytyrat rreth heshtnin. Të tubuarit rreth gjelit, rreth mushkës me një dëng dru në shpinë e rreth një Sadri e një Avdi, të dy të habitur, të cilët gjendeshin në një gjendje shumë të ndjeshme shpirtërore, lëviznin trupa pa gjymtyrë, silueta të pa definuar, gjendeshin fytyra të panjohura dhe gjendje të rënda psikike. Emocione. Fjalë të këputura me qëllim, pa kuptim. Silleshin rreth vetes, me sy te ata që shikonin të hutuar.
Ata të tre, endesh të shqetësuar. Nuk u zinte vendi vend.
-Mos e zgjidh gjelin, – tha dikush.
-Zgjidhe, – tha tjetri.
-Nuk ke pse të frikësohesh, – tha një plakë.
-Të mashtrojnë. Të ik gjeli e nuk ta paguajnë…
-Ndoshta këta të tre serbë nuk janë. Pse të më dëmtojnë ndërsa as u kam borxh e as janë kaq shpirtligj. —–Ndoshta e ke gabim…
-Shpresoj të mos më vrasin kaq kot!Pa arsye!
-Kjo fjali qe mirë të mos shprehej fare, – tha i pari.
-Veç po deshe ta shesësh gjelin zgjidhe. Ndryshe nuk ta blen kush. Ai jep shenja të molisjes totale, – tha i dyti, ndërsa zgërdhihej.
-Ti do ta kuptosh vetë a do të jetë i gjallë apo jo, – foli i treti.
-Mirë, – tha një Sadri e u gërmuq. Duart i dridheshin e zemra i rrihte me hov të ashpër. Mori t`ia zgjidhte këmbët gjelit.
-Mos Sadri. Mos, – shfaqi mendimin e vet një Avdi.
-Do ta zgjidh! – tha e ia liroi këmbët gjelit.
-Mos Sadri. Këta i kanë lojërat e ndyta. Këta janë argat të serbit, – klithi një Avdi, ndërsa e shikonte gjelin e hutuar nga ec mes këmbësh të atyre të tubuar aty, më pastaj e vërejti nga fluturonte mbi kokat e atyre tre vete dhe ra matanë lumit… Ata të tre, me kokën në lesh, ikën bashkë me hijet e tyre te mjera.
-Eej, e gjelin…?!- tha një Sadri.
-Eej, e gjelin kush do ta paguaj, – tha kot një Avdi.
-Argatët e serbit, – tha dikush e iku.
Turma që shikonte e nemitur nisi të shpërndahej. Kush e thoshte ndonjë fjalë e kush heshte. Ndoshta dhe ndjente dhembje për malësorët e gjorë.
-Ja sesi e humbëm gjelin, – tha një Avdi.- Kot. Fare kot, – më shikoi mua, më pastaj e shikoi Isanin dhe ngrehu kokën lart. Fytyrës i binte dëborë e butë, ngjashëm siç binte mbi copëzat e çara të shkëmbit.
-E drutë?
-Drutë i bleu njëri nga turma. I prekur thellë pse ata rrugaçët na e punuan këtë punë pa u pasur aspak borxh, – tha një Avdi. – E ngarkuam prapë mushkën me dru e ja do të zbresin në treg. Ndoshta e shesim dhe këtë dëng…
-E ky, – e shikoi Isani një Sadri.
-Ky… e gjet një punë aty afër stacionit të trenit, të bart thasë e ndonjë gjësend tjetër për ndërtimin e një shtëpie të një burri të mirë, – tha një Avdi.- Ai e ka vështirë të jetojë pa gjelin e vet, veç ndoshta kthehet ai në shtëpi. Ka plot raste me kuajt, të cilët kanë ngelur në mal e vet janë kthyer në shtëpi, ka plot kafshë që e ecin udhën përmendësh sado larg qoftë deri në shtëpi. Kthehet ndoshta dhe gjeli, ose ja tash një Sadri punon punë krahu e do ta blejë një gjel tjetër, i cili njëjtë do t`i zgjojë malet nga gjumi i thellë i varfërisë dhe robërisë së gjatë. Ata të dy, një Sadri pa gjel e një Avdi me mushkën e vet ngarkuar me një dëng dru mësynë të zbresin dhiares. I shikonim nga zbrisnin e bora binte mbi ta fjollë-fjollë, një borë e butë. I ndoqëm derisa na ikën sysh e mësymë lart.
Ata ecnin, iknin nga. E unë e Isani morëm frymë të pikëlluar, vazhduam të ngjitemi shkëmbit, të ngjitur me qiellin. Diçka na e vështirësonte frymëmarrjen, gjë e cila nuk ngjau deri aty e në rrjedhë të rëndë dhiares. Tashmë ata, një Sadri e një Avdi, zbrisnin e unë e Isani ngjiteshim lart të njëjtës dhiare prej copash të ngulura guri, të mbuluar ndopak me borë. Në kokë na jehonin fjalët e një Sadri e një Avdi, që ndërsa do t`u venin punët siç e do radha,do të vinin për ta varrosur edhe ata xehetarin e vdekur. E kishin njohur mirë Hasanin, sado që ai qe i një fshati tjetër, bukur larg nga shtëpitë e tyre të thjeshta.
Ngjiteshim me mund dhiares, pak-pak, sikur të ngjiteshim nëpër shkallë e lart, lart atje në qiell te zoti.
-Zot nuk ka, – thash në vete. –Po të kishte s`do lejonte t`ia rrëmbejnë nga duart gjelin një Sadri e t`i lente vagabondët të iknin pa paguar, të shkokluar në të qeshura e pordha. Të bindur, të kenë bërë një punë për lavd.
Borë binte dhe ne e shikonim vetëm qiellin, të shkruar me flutura të bardha, kaq të bukura e krahëhapur përmbi drurët, gurtë dhe hapësirën në të kaltër e të lulëzuar.
Shfaqej një peizazh tepër mbresëlënës, me të cilin kënaqej syri dhe ndonjë nga fijet e shpirtit, të paprekura nga ajo ndodhia pikëlluese me gjelin e një Sadri.
-Kush do t`i zgjoj malet nga gjumi, – mërmëriti një Avdi. E Avdiu tashmë nuk shihej. Nuk shihej as Sadriu. Shihej vetëm bora nga binte dhe asgjë tjetër.
-Unë e ti Avdi do të gjejmë tjetër udhë e s`do të dorëzohemi. Do ta blejmë prapë një gjel!
-E ta shesim për t`ia blerë librat, fletoret e lapsin birit tim,Ilirit, që më pret me zemër në çdo kthim nga tregu, – thyej zëri i njërit dhe tjetrit ndër gurtë e drurët qindvjeçarë të bjeshkës.
-Patjetër…hija ime, patjetër, – klithi njëri aq ashpër sa të çahej qielli e të binte copëza-copëza mbi ëndrrat dhe dhembjen e tyre të përhershme.
-Patjetër! – u lidh me zërin e ashpër që vinte njëjtë e binte me një jehonë mbi vetminë e tyre.
Afër zotit e larg
Njëra nga udhët përvidhej në ngjitje e më pastaj merrte kurrizit të bjeshkë.
Drurët e gjatë e të vjetër krijonin ale, përmes shihej bora nga binte ngadalë dhe krijonte diçka mahnitëse dhe shumë të rrallë në hapësirë.
Një pamje e shkruar me shije dhe e bukur.
Me të arritur krye dhiares, nga njëra udhë e degëzuar, papritur, seç u shfaq një malësor, i cili, duke i fërkuar duart ia behu nga pylli i hapur kodrës mbi fshatin, të shkapërderdhur gjysmë luginës, përmes të cilës rridhte një vijë uji.
Qëndruam majë kodrës, ndërsa ai vinte i qeshur. Ecte me hapa të rëndë. Tek po afrohej e vuri dorën mbi zemër e tha, gjithë mirësi.
-Ç` nevojë iu qiti në këtë vetmi?
-Vetmi e bukur, – foli Isani.
– Atëherë mirë t`iu ka sjellë zoti në fshatin tim malor.
-T`iu gjejmë mirë dhe afër zotit!
– Gjithsecili do ta kuptojë të vini nga ndonjë pjesë tjetër e botës… Ja, dhe kjo copëz, kjo pikë e pahetueshme e topit tokësor, është kaq e vogël, veç e rëndësishme për ata që thurin jetën këtu. Shikojeni fshatin, me vëmendje shikojeni, e do ta hetoni sesi ecën jeta nën hije malesh, egër e me leqe, veç ecën jeta me fëmijët e vet besnikë… Te kush keni mësyrë? Ja, veç sa e ndava udhën nga dy malësorë, të cilët vinin nga Kaçanolli, i binin përmes fshatit e zbritnin në Stan Tërg apo në Mitrovicë, të blejnë e të shesin nga diçka…- fliste e fliste pandërprerë ai, ndërsa e shikonim me vëmendje nga kodra fshatin malor, të lidhur me pemët e lisat e lartë me kupën e qiellit…
-Fshat, me peizazh të bukur,- tha Isani.
-Ja me ç`bukuri bie borë!
-E ata dy malësorët ende rropateshin dhiaresh të lëna, apo jo.
-Zbrisnin për në treg.
-Do të ketë qenë një Sadri e një Avdi, – mendova në vete.
-Shpresojmë t`i sheshin drutë një Sadri dhe një Avdi e të blejnë pastaj ndonjë gjë… Të kthehen e të ngrohen afër stufës e ngrohtësisë së dashurisë së familjes.
-Pse, hasët në ta. Nuk është e mundur, apo ata e kanë thyer udhën e kanë dalë aty nga keni ecur gabimisht ju, për të arritur këtu…
-Iu qe humbur nuri i malësorit. Ecnin me zemër të thyer…
-Të gjithë në këtë hark e kemi zemrën e thyer… – tha ai kumbueshëm. -Te kush shkoni?
Era frynte egër nga degët,përmes të cilëve e shikonim fshatin mbi bjeshkët e në lugina, të prekur nga një shtrezë e lehtë e dëborës, nga nuk ndalej të binte qetë dhe bukur.
– Nuk bën ftohtë, – përplaset zëri prej drurit në dru, – sa herë të fluturojnë fluturat e borës lehtë e kaq mrekullisht, sa herë krijohen pamje mahnitëse.- Dimri tashmë qe futur në çdo pjesë, veç nuk bënte acar siç e përshkruajmë. Krejt nga frika të mos ngrijmë e lidhim fjalën me fjalë. Në bjeshkë dimrat nuk kanë pamje kuçedre. Kanë bukuri dhe butësi…
Ecëm pak e nuk folëm më asgjë me malësorin. Përkundeshim kureshtarë në shalët e lodhura, udhës gjarpërore. Ikte kjo dhiare me gjurmët tona mes shtëpive të ulëta, njëkatëshe, të shkapërderdhura luginash e kurrizesh të shpateve të rrëpira, nën degë pemësh e lisash të vjetër e të gjatë, të shtrirë ndërmjet gurëve, me rrënjë mbi ta dhe me prekje të thellë qiellit, mes yjesh.
-Natën është bukur të jeni këtu, t`i ëndërroni yjet e t`i prekni me dorë, – qesha.
-Kujt i kujtohet ajo gjë, ore!?
-Kaq yje derdhen përmes degësh e bien mbi dritaret e shtëpive, kaq afër është dhe qielli me dritën shkëlqyese.
-As hëna nuk iu lë vetëm…
-Jo, hënë e yje kemi, edhe ëndrra po, veç nuk kemi shkollë të mirë të fshatit. Fëmijët hë për hë mësojnë në një shtëpi të vogël e të thjeshtë… me dritë të llapës së vajgurit. Nuk kemi pra, siç e shihni, as dritë…
Mirë, ju e cekët, na ndrisin yjet e hëna. Vetëm kjo dritë natyrale është e pamjaftueshme të ecim në rrjedhë me të rejat që vijnë me kohën! Dritën e elektrikut afër e kemi e nuk e kemi! Fshatrat rreth e kanë dritën, megjithatë, – tha malësori, i cili na përshëndeti me dorë mbi zemër, për të dytën apo të tretën herë, para se të pyeste me sy të ngulur herë te unë e herë te Isani. – A do të flisni për ku keni mësyrë, për ku keni nisë.
-Jemi gazetarë, – u përgjigj Isani e ai i ndërpreu, pa pritur përgjigjet e mëtejme.
– Ah, keni mësyrë të shkruani për rrugën të cilën e ecni, e cila në mot të rëndë, me shi e ndonjë herë dhe me borë, është e pakalueshme. Apo doni të shkruani për copat e jetës, të cilat me mund të madh, i lidhim nën hije malesh. Apo mund të shkruani për rrjedhat e të resë, e cila pak-pak, me kaq vështirësi ngjitet lart, veç prapë po përpihet nëpër gungat e gurit, nëpër pemët, kodrat e luginat e bukura të Shalës së Bajgores. E reja, mund ta vëreni, pak-pak, megjithatë ka hyrë, veç besa hak e ka të hyjë më dendur në këtë pjesë të malësisë. S`i kemi as ëndrrat keq në këtë hark. Të gjitha rrjedhat vijnë e zgjohen. Kemi gurë të fortë, për ndërtime, larg të përmendur. Kemi dhe pak tokë të bukës. Kemi dhe pemë të mira, i shesim. Kemi dhe bagëti. I shesim në nevojë për ndonjë gjë. Njëjtë bëjmë dhe me drurët për djegie. I shesim…
Lëviz jeta megjithatë. Sillet, siç ka thënë ai i mençuri, sillet!
Ndoshta për këtë doni të shkruani. Apo për gjëra e gjëra të cilat mund të radhiten për këtë të përditshme të veçantë, sidomos për përpjekjen të mbesim këtu, për jetëmbetjen e lashkë, shkëmb. Kjo është maja e gurit më të lartë këtu, është tiktaku i secilës zemër, i cili na lidh përjetshëm me fshatin, deri në vdekje.
-Deri në vdekje?
-Veç vdekjen nuk e kemi aspak të sigurt… Jo. As vdekjen, në tërë këtë guri, në tërë këtë pyll e tokë të bukës, as vdekjen nuk e kemi të sigurt!
-Mund të ndodh dhe kjo. Pse?
-Ja, dëgjoni çfarë ngjau pak fshatra më larg. Diçka e pa imagjinuar.
-Nuk na premton koha të të dëgjojmë. Për ngut e kemi këtë rrugë. Na ik ajo për të cilën ikim e – çfarë, bëmë? Asgjë. Biseduam pak me ty, një bisedë e rëndomtë…
-Pse, ku keni mësyrë…
-Në varrimin e xehetarit Hasan!Në fshatin Kaçanoll.
-Do t`iu pret udhë e gjatë…
-Ja,pra, pse ngutemi.
-Dëgjojeni më parë këtë dhembje. Këtë rrëfim të mallkuar.
-Fol, – ndërhyri Isani e unë shikova tokën para këmbësh, pa bërë zë.
Isani shikoi më pastaj qiellin lart…
Dëgjohej vetëm zëri i tij, i cili prekte gurë e drurë, tokë e qiell, natyrisht.
Shikonte e nemitur, në cilin pe të lidhej.
Ai u kollit dy-tri herë, pështy e u përpi thellë.
-Fol më fol, – ia bëra, me shikim të humbur.
“Në fshatin D. – nisi të rrëfejë ai që insistonte ta dëgjojmë,me frymëmarrje të rënduar, të këputur herë-herë e të ndjekur më pastaj me kollë – pak kohë më parë, ndërsa ujërat e ruanin rrjedhën e ritmin e tyre,ka vdekur njeriu i varfër, i dashuruar në gurin, drurin e tokën e bukës. Plaka-gjyshja e vetmuar, nën lot, e nipi i madh,Shpëtimi, ende i papërvojë për jetë, ngelur i pafuqishëm, i varfër, kot bënte përpjekje te gjente mëshirë te tjetri i pafuqishëm, t`i kryejë ritet e varrimit…
Babai i ka vdekur, Shpati, në një ndodhi tragjike në nëntokën e Stan Tërgut.
Ai qe njeri që ikte me plagë të thella, me kujtime të rënda, me horizonte të errëta të jetës, të derdhur nga lëmshe të zezë mjegullash të panjohura. Veç te ai kishin pikuar helme e shira të ashpër, kishin hapur ëndrra,kishin hapur udhë të këputura, të rënda.
Ai, burri i tokës, të cilën e shkruante me dashuri të posaçme, ka vdekur. Ai do t`i takojë tokës, në të cilën i mbetën fëmijët veç me hijen e tyre, të pa krah, të humbur e nën lot. Prisnin ndokush t`ua thotë ndonjë fjalë për t`u dhënë zemër për jetë. Pritnin të vetmuar ta përcillnin babin e vet në rrugën e gjatë, të pa kthim. Ata e kishin të qartë ndarjen. E kishin të qartë që ai s`është më mes tyre, veç në dashurinë e përhershme, të secilit.
Ai nuk është më e prapë është.
Është megjithatë në zemrën e secilit fëmijë, të secilit nga shikojnë të hutuar e heshtin në dhembjen e gjatë, të zgjuar në lotin vadë të gruas, në dënesje të motrës, të fqinjit, të fshatarit, pa i kujtuar asnjëri ndonjë të keqe gjatë jetës. Ai gjithherë e shkroi në jetë vetëm të mirën, e dhuroi dashurinë për secilin pa asnjë turbullim, e shpërndau në tufa të dritës urtinë, qetësinë. Rufetë i zbriti nga majat e secilës degë, nga sytë e qiellit, egërsitë i vrau… Qe dhe shenjëtar i mirë. Aty ku e synoi aty e qëlloi. Punoi kaq sa mundi e s`ia deshi të keqen askujt.
E kaq të keqe gjeti në jetë!
Ai ka vdekur, tashmë.
Pret të varroset, siç e kërkojnë ritet.
Fëmijët e vegjël e të afërmit e mbushur gjithë dhembje dhe vaj shikonin me habi. Gjëma derdhej me kaq pikëllim përgjatë gjithë fshatit, të cilin ai e la zbrazët, e la pa pasurinë shpirtërore të thellë, e la pa pikturimin që ia bënte tokës gurore, e la pa zgjimin që ia bënte yrtit, pa frymën e vet e pikët e djersës që ia lagnin këmishën me arna.
-La vetëm fëmijët e vegjël prapa, – dëgjohej ndonjë zë.
-Fëmijët, kaq të pazot për punë, – fliste tjetri.
-Askënd s`e la ta ecte udhën, ku ai i shkruante gjurmët, – jehonte një zë i tretë.
-Plot shtëpinë e ka, ore, mos e mallko. Fëmijët rriten e gjallërojnë. Çfarë flet kaq ashpër ti, – do t`ia këpuste fjalën tjetri.
-Po, po… Veç, ata fëmijë të vegjël!
-Pa qenë të vegjël nuk rriten. Nuk e kupton këtë rrjedhë të natyrës!?
Tirreshin fijet e pikëllimit për të vdekurin. Të prekur me fatin e atyre që heshtnin e qanin, mbetur pa ndihmën e babait. Heshtnin e rikujtonin në lot gjurmët e mbetura pa zot. Fshatarët me lopata e kazma, pranë kufomës, prisnin ta hapin varrin.
Ç’presin, vallë?
Koha, nuk ndien për dhembje, ik.
Burrat, fytyrë rëndë iknin te xhamia e prapë ktheheshin. Me fytyrë toke. Asnjëri nuk nxjerr zë. Asnjëri nuk e merr guximin të urdhërojë të hapet varri. A thua, pse?
-Pse? – shkëput fjalë me dhunë një plak, – pse, a? Vetëm pse nuk po dihet a i takon një grusht dheu të vdekurit a s`i takon!? Varrin s`e hapim,veç pse s`dihet a do të varroset i vdekuri a jo në varre.
-Ta hapin varrin e të presim, s`bën. Toka është zbutur e gropimin e mbush menjëherë uji, – shikon qiellin i mërzitur një burrë.
-Rrimë e presim ç`do të thotë hoxha i katundit, pra.
-S`bën, – ndërhynë një fshatar që posa u kthye nga xhamia, – s`bën. Hoxha thotë s`bën të varroset.
-Eh, ç`zaman!
-Po, pse?
– Mbi tokë do të na lënë.
Asgjë e qartë, vërtet. Ka vdekur njeriu, fshatarët kanë dalë në varre me lopatat e kazma, e presin kot, me orë presin. Përsëri katër-pesë vetë nisën për te xhamia… Kot. Vonë nisen shtatë a tetë. Kah shkojnë?
-E thërrasin hoxhë-zezën.
-E?
-Ai s`do të vijë, – flet përsëri ai që pak më parë është kthyer nga takimi me hoxhën, – s`do të vijë e s’do!
-Hoxhë zeza, – ndërhyn përsëri i njëjti.
-Shkurt e trup, thotë – nuk vi!?
Po pse e prisni, pse e thërrisni – ai nuk mund t`ia ndalë rrjedhën traditës. Pse, të mos e varrosim të vdekurin, pa të fare. Punë e madhe, erdhi a s`erdhi.
-Pikërisht!
-Eh, këtu dhemb. Ne s`duam t`ia ndalim rrjedhën traditës, – flet plaku. – Shkojmë ta thërrasim dhe një herë. Ndoshta e zbut zemrën…
-Pse, a ka ai zemër a?!
-Pse është egërsuar!
-Veç pse nuk ka kush t`i bjerë kresë e ta largoj nga udha e dreqit.
-Do të qetësohej menjëherë! Do të vinte ta varroste, patjetër…
-Nuk do të vijë veç pse i vdekuri s`e paska paguar anëtarësinë e fesë!
-Veç pse i vdekuri qenka i biri i babait, që ia prekën gruan e nuk qe i zoti t`i dilte zot, të hakmerrej, veç për atë rrjedhë të çuditshme, veç pse e shkrepi pushkën, ama vonë, pasi gruan ia keqpërdorën…
Fëmija dëgjonte fshatarët nga flasin çdo gjë, fjalë e rrëfime të shurdhra, të ikura, të pabesueshme. Fjalë të mykura! Papritur, i bëri duart grusht fëmija i madh i të vdekurit, i la varret e iku për t`i treguar gjyshes çfarë qenka ajo e bërë dhembje. E ajo, e moshuar, qëndroi e mbështetur për kërryle dhe e heshtur, plot vaj shpirtin, mati e çmati ta zgjidh litarin, ndërsa shpirti i digjej flakë.
-Me çfarë ta këpuste litarin, ndërsa ai këputet ku është më së holli. Meditimet dhe zgjidhjet i ikën përnjëherë. Shkundi veten e tha më vete.
–Toka s`i takon askujt të qet ligje. Kaq sa të tjerët kanë hise në tokë dhe i vdekuri ka. Më në fund, zemër gur, mori vendimin, të cilin nuk do të mund ta shkelte askush. Atëherë e tash. Foli, siç do të fliste vetë toka.
-Thirri bir ata me kazma e lopata. Le të vijnë e ta hapin varrin për babën tënd në fund të oborrit, aty te molla e artë, ku i çlodhte eshtrat e lodhur secilën ditë të ngarkuar me punë. Nuk do ta lëmë të vdekurin pa varrosur! Hoxha të mos vijë, – tha plaka dhe i ra gurit me maje të kërryles, zemërthyer! – Do ta varrosim bri varrit të babait të vet!”
-A mund të na shoqërosh deri te shtëpia e plakës, – e shikova me hamendje malësorin që zgjidhte fjalë të rrëfejë, malësorin që insistonte ta dëgjojmë,me frymëmarrje të rënduar, të këputur herë-herë e të ndjekur më pastaj me kollë.
-Do t`ua tregojë shtëpinë, në yrtin e së cilës ka dy varre, – eci ai një rrugice, e cila shpinte në fund të fshatit. – E shikoni shtëpinë. Aty dhe dy varre. Varri i gjyshit, Aliut, e varri i të birit, Shpatit. Unë nuk do të vij më afër… – tha e iku vetëtimthi, pa na thënë asnjë fjalë më.
Iku siç bën dhelpra, të mos e shohin fshatarët afër shtëpisë së plakës. Isani e unë ecëm ngadalë e në hamendje deri te fundi i rrugës. Iu afruam shtëpisë, në oborrin e të cilës qenë dy varre. Njëri i rrafshuar e i mbuluar me bar, tjetri i hapur së voni. Pritëm pak mos do të na hetojë ndokush e do të dalë të bisedojmë, veç kot.
As dëgjohet zë, as lëviz ndokush.
-A është kush në shtëpi apo nuk është!?