RRËFIM POETIK RRUGËVE JETËSORE, I NGJESHUR ME ATDHEDASHURI

0
515
Arbër Çeliku - Nuse për mort

Kopertinat e librit me poezi: Nuse për mort të autorit Arbër Çeliku…

(Arbër Çeliku: “Nuse për mort”, botoi Lidhja e Shkrimtarëve ShqiptarË (Shkup, 2019).

NGA XHELAL ADEMI

Libri Nuse për mort është vëllimi i dytë poetik, me të cilin Arbër Çeliku vjen tepër origjinal, me botën e tij karakteristike, të pandikuar nga shkresurinat e rrethepërqarkëshme, me një veçanti dhe vendosmëri të dukshme për të bërë letërsinë.

Tashmë, poezitë e tij ndërtojnë një minikozmos më vete që ndrin edhe kur qiellin e kaplojnë mjegullnajat e terrta vjeshtake, të cilat duan tia ndalin frymën:

Ra perdja

Erdhën e më thanë
“Dovleti nuk të do më”
“S’ka gjë, e dua unë sa për të dy…”
Ra perdja
Dhe nuk pata kohë t’ua sqaroj siç duhet
Se çka kuptoj unë me dashuri
Pëllumbave postierë…

(Shkup, 13 korrik 2017, f. 29)

Poeti rrëfimin poetik e veneron nëpër rrugët jetësore duke e ngjeshur atë me atdhedashuri dhe mesazhe të çiltërta egzistencialiste. Mbase ndeshja e së mirës kundruall së keqes i ngjan luftës së dragoit me kulçedrën këtu me patjetër të ngadhnjej e mira, ajo njerëzorja, për të cilën autori kujdeset me shumë përpikmëri… sepse të demistifikosh apo të zhveshësh të keqen deri në një tejdukshmëri të pambrojtur, është ndihmesa më e madhe për ta luftuar atë dhe për ta mundur më lehtë:

Revolta e bretkosës në katund

Guak, guak, po dëgjohet një zë i mbytur bretkose
Që vjen nga moçali i livadhit tim në katund
Më pas, një kor i tërë bretkosash
Revoltë shprehin pa mbarim
Për të qenët e tyre soj bretkose
Faj u paska gjithkush

Haj medet, ç’ditë mbërritëm!
Të na shurdhojë veshët edhe bretkosa
Kurse ne ta marrim për bilbil!

(Shkup, 7 nëntor 2017, f. 90)

Domethënë, poezitë e Arbër Çelikut kanë mision për të bërë këtë luftë të pakompromis, sepse ata jo vetëm që rrëfejnë historira padrejtësish e nëpërkëmbzash që i bëhen njeriut të papushtetshëm nga sunduesit apo klasat e privilegjuara politike, por dhe truqet gati të pahetueshme ndërmjet të cilave sundohet ai. Prandaj ndërmendja e njeriut të zakonshëm për të hapur sytë që të shikojë çka ngjet rretherrotull, është poentimi kryesor i autorit, i cili njëherësh rrëfen edhe shtigje apo rrugët e duhura nëpër të cilat duhet ecur për të shmangur katrahurën.

Vëllimi poetik Nuse për mort, meqenëse vazhdimisht veneron tabloidit kombëtar dhe ndërsa për personazh ka vetë popullin shqiptar, pamëdyshje ushqehet nga një atdhedashuri e madhe, e cila me patjetër duket e kudondodhëshme.

Dërgoi për publikim, Kalosh Çeliku, gazetar