LUFTËRAT BALLKANIKE – KRIMET SERBE NDAJ SHQIPTARËVE

1
992

Mbrojtësit e Shkodrës në luftën me Malin e Zi e Serbinë, 1912-1913…

Xhelal Zejneli

Xhelal ZejneliKa kaluar një shekull nga luftërat ballkanike. Në vitin 1912 Mbretëria e Serbisë e pushtoi Kosovën. Menjëherë pas kësaj filloi politika e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, e përcjellë edhe me shpërnguljen e dhunshme të tyre nga trojet stërgjyshore. Krahas kësaj ka rrjedhur edhe procesi i kolonizimit të Kosovës me serbë. Pushtimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912 u shoqërua me krime të rënda ndaj popullsisë shqiptare. Pas pushtimit të Kosovës u zbatua politika e dëbimittë shqiptarëve për në Anadoll. Ndaj shqiptarëve që nuk i lëshuan trojet dardane, serbët ndoqën politikën e forcës, të gjenocidit dhe të kolonializmit.

Lidhur me politikën kolonialiste serbe në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi,  kancelaritë evropiane kurrë s’kanë reaguar. Të ushtrohet gjenocid në Evropë ndaj një populli të pambrojtur dhe kancelaritë e saj të rrinë duarkryq, kjo është absurde. (as mos prit se reagojnë… – kështu që, të mbledhim veten, se të tjerët mundet edhe të lënë në baltë… /AÇ)

*   *   *

Krimet serbe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare
Për krimet serbe ndaj shqiptarëve në kohën e luftërave ballanike 1912-1913 flasin edhe të dhënat e studiuesve dhe të intelektualëve serbë të asaj kohe, të publikuara në shtypin e kohës në Beograd si dhe në periudhat e mëvonshme. Në periudhën e Mbretërisë së Jugosllavisë, terror dhe vrasje mbi popullsinë shqiptare kanë kryer të ashtuquajturat “aradha fluturuese(leteći odredi) të ushtrisë, të policisë dhe të çetnikëve serbë. Politikën imperialiste serbomadhe të periudhës së luftërave ballkanike e ka demaskuar edhe publicisti dhe socialdemokrati serb Kosta Novakoviq (1886-1939), autor i librit “Katër muaj në Shqipërinë qendrore”, Beograd 1914. Në vitin 1912, në gazetën “Radničke novine” të Beogradit, midis tjerash ai shkruan: “Ka dalë në skenë një Serbi imperialiste, pan-Serbia, me dinastinë e saj panserbe dhe me militarizmin panserb. Ky imperializëm i ri, i egër, brutal dhe i pamëshirshëm ëndërron për ringjalljen e perandorisë së Dushanit”.

Në artikullin e vet “Kolonizimi dhe serbizimi i Kosovës”, për krimet serbe të viteve 1912 dhe 1913, Kosta Novakoviqi shkruan:

“Kosova është një territor i pastër shqiptar. Serbë në të ka vetëm 10 deri në 15%. Imperialistët serbë i kanë përdorur taktikat dhe metodat e luftëtarëve mesjetarë apo të pushtuesve kolonialistë: shfarosjen e popullatës shqiptare nën pretekstin e zhvillimit të operacioneve ushtarake, çarmatosjen e popullatës shqiptare dhe shtypjen e qëndresës së armatosur të shqiptarëve. Në vitin 1912 dhe 1913 serbët kanë vrarë 120.000 shqiptarë – burra, gra, djem, pleq, plaka dhe fëmijë. Qindra fshatra janë goditur me armatime të rënda, artileri dhe topa. Një numër i madh i fshatrave në Kosovë por edhe në Maqedoni – janë djegur. Të paktën 50.000 shqiptarë, për ta shpëtuar jetën nga masakrat e forcave ushtarake serbe, u detyruan t’i braktisin trojet e veta, të bëhen refugjatë dhe të ikin për në Turqi dhe Shqipëri. Kjo politikë shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës e dobësoi faktorin shqiptar në të, por në asnjë mënyrë nuk e ndryshoi karakterin shqiptar të saj. Me këto masakra të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, Serbia synonte ta zbrazë atë vend, në mënyrë që ta kolonizonte me serbë dhe malazezë si dhe ta serbizonte atë”.

Ambasador i Rusisë cariste në Beograd në periudhën e luftërave ballkanike ka qenë  Nikollaj Genrikoviç Hartvig (1857-1914). Ka qenë i njohur për idetë tij pan-sllaviste. Ka qenë “më serb se  serbët”. Në prag të Luftës së Parë Botërore ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e qeverisë serbe. Ka mbështetur fuqimisht pushtimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare si dhe krimet e ushtrisë serbe dhe të njësive paramilitare ndaj popullatës civile shqiptare.

Prej vitit 1918 deri në vitin 1938 ushtria pushtuese serbe ka djegur dhe ka shkatërruar 320 fshatra shqiptare. Vetëm në periudhën e viteve 1918-1921, në viset shqiptare serbët kanë bërë një terror, deri atëherë të paparë në Evropë: kanë vrarë 12.346 vetë, kanë burgosur 22.160 vetë, kanë plaçkitur 50.515 shtëpi, ndërsa 6.125 shtëpi i kanë djegur.

Të dhëna të caktuara për krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, në kohën e luftërave ballkanike jep edhe Trocki (Lev Davidoviç Bronshtajn, 1879-1940) në një artikull të botuar me titull “Prapa perdeve të luftërave ballkanike”, të publikuar për herë të parë në “Kievskaya Mysl”, Kiev, Nr. 355, datë 23.12.1912.

Për hetimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1913 u formua edhe një komision ndërkombëtar. Për masakrat e konstatuara u hartua një dokument me titull “Raport i Komisionit për investigimin e shkaqeve dhe për rrjedhën e luftërave ballkanike”. Raporti u publikua në Uashington D.C. në vitin 1914 nga Carnegie Endowment for International Peace. Komisioni i lartpërmendur përbëhej nga profesorë universitarë dhe individë të tjerë prominentë nga Franca, Britania e Madhe, SHBA-ja, Gjermania, Austria dhe Rusia. Anëtarë të këtij komisioni ishin edhe tre laureatë të çmimit “Nobel”.

*   *   *

Politika e pastrimit etnik
Në Mbretërinë e Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, e cila prej vitit 1929 do të quhet Mbretëria e Jugosllavisë, Beogradi nuk e njihte ekzistimin e bashkësisë etnike shqiptare, ndaj i quante myslimanë. Dëbimi i dhunshëm i myslimanëve, d.m.th. i shqiptarëve nga Kosova, nga Sanxhaku dhe nga Maqedonia filloi në Luftën e Parë Ballkanike në tetor të vitit 1912. Sipas dokumenteve të diplomacisë serbe, deri në gusht të vitit 1914 nga viset e sipërthëna janë shpërngulur 281.747 banorë, duke mos i llogaritur fëmijët e moshës deri në gjashtë vjeç. (Dokumente për politikën e jashtme të Mbretërisë së Serbisë 1903-1914, Libri VII, Vëllimi 1, Beograd, 1980, f. 617-618).

Familjet shqiptare, prej rajoneve të sapopushtuara, nëpër Greqi u deportuan për në Turqi. Popullata myslimane e shteteve ballkanike duhej të vendosej në brigjet e Anatolisë, ndërsa shqiptarët, përpos në Turqi, duhej të vendoseshin edhe në vilajetet Halep dhe Bagdad, në Siri dhe në Irak. (Dokumente për politikan e jashtme të Mbretërisë së Serbisë 1903-1914, Libri VII/2, f. 319 Nr. 186, ASSHA, Beograd, 1980).

Në pronat e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë, qeveria serbe solli mbi 20.000 familje serbe, ndërsa qeveria e Malit të Zi planifikonte të vendosë 5.000 familje në rrafshin e Dukagjinit. (Dr. Branko Babiq, Politika e Malit të Zi në viset e sapoçliruara 1912-1914, Titograd, 1984, f. 267-277).

Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve vazhdoi edhe në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë. Pas kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë në vitin 1918, shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve, pa detyrim kthimi, ka vazhduar deri në Luftën e Dytë Botërore.

Përpos shpërnguljes për në Turqi, një numër i madh i shqiptarëve kanë emigruar edhe për në Shqipëri. Historiani dhe akademiku serb Dimitrije Bogdanoviq (1930-1986) në veprën e tij “Libri për Kosovën” thotë se vetëm në vitin 1921, nga viset shqiptare në Jugosllavi janë shpërngulur për në Shqipëri rreth 40.000 shqiptarë.

Pushteti i Beogradit ka organizuar formacione paraushtarake të çetnikëve të udhëhequra nga Kosta Peqanac, Miliq Kërstiq, Jovan Babunski, Vasilije Tribiq etj., të cilët kanë ndërmarrë ekspedita ndëshkuese, duke ushtruar dhunë, terror dhe plaçkitje të organizuar. Më 7 tetor 1938, Ministria e Ushtrisë dhe Mbretërisë së Jugosllavisë jep urdhër për vazhdimin e shpërnguljes së shqiptarëve, ndërkaq Komanda e Armatës III propozon masa që ky aksion të zbatohet “me maturi, në mënyrë sistematike, por edhe energjike, të vendoset këtu elementi serb dhe të bëhen përpjekje, që brenda një kohe sa më të shkurtër, masat kompakte të fuqishme të arnautëve të shkatërrohen”.

Dimitrije Bogdanoviqi, i njohur për pikëpamjet e tij serbomadhe dhe antishqiptare, në librin e lartpërmendur shkruan se në fillim të vitit 1936 Turqia kishte shprehur gatishmëri për të lidhur me Jugosllavinë marrëveshje formale për shpërnguljen e 200.000 banorëve “të cilët për nga mentaliteti janë të ngjashëm me turqit, në mënyrë që në Turqi të asimilohen më lehtë”. [Dimitrije Bogdanović, Knjiga o Kosovu, Beograd 1986, botim i ASSHA. Redaktor i botimit të këtij libri është akademiku serb – shkrimtari Antonio Isakoviq (1923-2002), njëri prej hartuesve të Memorandumit të ASSHA-së]. Ky libër u shkrua në vitin 1985 dhe u botua  një vit më vonë, pothuajse në të njëjtën kohë kur doli në Beograd, si libër anonim, edhe Memorandumi famëkeq i akademikëve serbë, në janar 1986.

Në periudhën prej vitit 1919 deri në vitin 1940, prej Mbretërisë së Jugosllavisë për në Turqi janë shpërngulur gjithsej 255.878 myslimanë. Prej tyre, 215.412 shqiptarë; 27.884 turq; dhe 2.582 boshnjakë.

Për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, për uzurpimin e tokave të tyre dhe për terrorin mbi ta, nën regjimin e monarkisë serbe, jepen të dhëna edhe në Enciklopedinë ushtarake (Vojna enciklopedija, Beograd, 1972, knjiga četvrta, f. 656).

Politikani serb nga Kroacia, i periudhës midis dy luftërave botërore, Svetozar Pribiçeviq (1875-1936), në studimin e tij “Diktatura e Mbretit Aleksandër”, thotë se pas vendosjes së diktaturës, Mbretëria e Jugosllavisë e ka intensifikuar pastrimin etnik të trojeve shqiptare, me ç’rast rolin kryesor e ka luajtur Klubi Kulturor Serb në Beograd, i drejtuar nga Sllobodan Jovanoviqi (1869-1958), profesor i Fakultetit të Drejtësisë, historian dhe rektori i Universitetit të Beogradit. Ky klub në të cilin tuboheshin akademikët serbë, intelektualët eminentë dhe profesorët universitarë, mbështetej edhe nga administrata shtetërore. (Svetozar Pribičević, La dictature du roi Alexander, Paris, 1933; “Diktatuara Kralja Aleksandra”, Beograd, 1983, f.15; “Diktatura Kralja Aleksandra”, Globus, Zagreb 1990, f. 311).

Publicisti i sotëm serb Vlladan Jovanoviq, në studimin e tij “Në kërkim të atdheut – migrimet e myslimanëve nga Jugosllavia për në Turqi 1918-1941”, thotë se në vitin 1935 autoritetet jugosllave kanë organizuar në Beograd një takim, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e pesë ministrive të shtetit dhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, me ç’rast është hartuar projekti “për shpërnguljen e elementit josllav nga Serbia jugore”. Një prej konkluzioneve të këtij projekti ka qenë: Miratimit urgjent i një konvente dypalëshe me Turqinë. Me marrëveshjen që do të arrihej, parashikohej:

personat të cilët vullnetarisht heqin dorë nga shtetësia jugosllave, do të lirohen nga të gjitha tatimet dhe nga detyrimet ushtarake; si dhe
transporti falas për ata të cilët pasurinë e vet të paluajtshme do t’ia lenin shtetit.

Propozimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllavisë u miratuan si masa për shpërnguljen “e suksesshme dhe të shpejtë të popullatës josllave” për në Turqi dhe Shqipëri.

Masat e sipërthëna, ndërmjet tjerash përfshinin:
– luftimin e propagandës kundër shpërnguljes, që zhvillohej nga Tirana;
– thirrjen e shpeshtë të rekrutëve shqiptarë të zonave kufitare në stërvitje ushtarake;
– ndalimin e pranimit në shërbime shtetërore “të personave që janë të parashikuar për shpërngulje”;
zhvendosjen e nëpunësve aktualë josllavë (d.m.th. shqiptarë) në zonat e tjera të vendit;
– “shtetëzimin e objekteve gjeografike dhe ndërrimin e mbiemrave personalë” etj.

Me këtë rast, ushtria serbe flet edhe për rolin e rëndësishëm që duhet të luajnë: Kisha Ortodokse Serbe, mbrojtja popullore dhe nisma private.

*   *   *

Politika afatgjatë e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore për në Anadoll dhe prolongimi i shpërnguljes së tyre, hasë në kritikat e akademikut serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990). Për ta zgjidhur shpejt dhe për t’i dhënë fund “çështjes shqiptare”, autori i memorandumit apo i elaboratit famëkeq të dëbimit të shqiptarëve nga Kosova dhe kolonizimit të saj me serbë dhe malazezë, propozon mënyra efektive dhe konkrete të pastrimit etnik.

Në studimin “Ideologjia e Serbisë së madhe”, politikani kroat Ante Belo (1946-) shkruan se projektin e dëbimit të shqiptarëve për në Turqi e hartoi Çubrilloviqi në vitin 1937, e pikërisht për qeverinë e kryeministrit Stojadinoviq të Mbretërisë së Jugosllavisë. Atë duhej ta zbatonin autoritetet shtetërore. Midis tjerash, Çubrilloviqi shkruan:

“Shqiptarët është e pamundur të luftohen vetëm nëpërmjet kolonizimit gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e organizuar, e organeve të shtetit. Në këtë pikëpamje, serbët gjithmonë kanë qenë mbi ta.” (Ante Beljo, “Ideologija Velike Srbije, artikull në Hrvatski iseljeniçki zbornik, Zagreb 1995, f. 219-238).

Pas politikës së dhunës dhe të pastrimit etnik të trojeve shqiptare, Serbia zbatoi politikën e kolonizimit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare me kolonë serbë dhe malazezë.

Konventa ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë
për shpërnguljen e shqiptarëve
nga trojet stërgjyshore nën pushtimin serb

Kontaktet e para shtetërore ndërmjet Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (SKS) dhe Turqisë lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve, janë realizuar në vitin 1926, ndërsa në vitin 1933 është përcaktuar platforma e re e Ministrisë Jugosllave të Agrikulturës, ideja kryesore e së cilës ka qenë se ekspatriacioni (ç’atdhesimi) i shqiptarëve mund të kryhet vetëm në kuadër të një procesi afatgjatë, e pikërisht për dy arsye:

– e para, Jugosllavia nuk ka mjete të mjaftueshme për ta realizuar një projekt të tillë; 
– e dyta, rrethanat ndërkombëtare nuk do të lejonin që deportimi i shqiptarëve të realizohet në afat të shkurtër.

Vlladan Jovanoviqi në studimin e sipërthënë shkruan se veprimtaritë shtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi arritën kulmin me nënshkrimin e konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë. Prej 9 deri më 11 korrik 1938 në Stamboll janë mbajtur një varg mbledhjesh për përgatitjen e Marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë për shpërnguljen e shqiptarëve. Të dyja palët kanë rënë dakord që brenda gjashtë vitesh, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi të shpërngulen 40.000 familje shqiptare në zonat e shkreta, të pabanuara, të Anatolisë. Konventa ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë u nënshkrua më 11 korrik 1938 dhe duhej të hynte në fuqi pasi ta ratifikonin parlamentet e të dy vendeve. Me shpërnguljen e shqiptarëve duhej të liroheshin tokat pjellore dhe të punueshme për serbët që do të vinin prej viseve pasive të Serbisë.  

Me nenin 2 të Konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë parashikohej ekspatriacioni (ç’atdhesimi) i plotë i shqiptarëve nga shumë qytete të tyre, midis të cilëve janë: Prizreni, Ferizaj, Prishtina, Kaçaniku, Gjilani, Presheva, Peja, Istogu, Mitrovica, Gjakova, Vushtrria (Vuçitërni), Drenica, si dhe nga qytetet e tjera shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Për pesë vitet e para të shpërnguljes, d.m.th. në periudhën e viteve 1939-1944, sipas konventës së sipërthënë parashikohej të shpërnguleshin në Turqi 25.000 familje shqiptare, e pikërisht me dinamikën vijuese: 4.000 familje në vitin 1939; 6.000 familje në vitin 1949; 7.000 familje në vitet 1941 dhe 1942; dhe 8.000 familje në vitet 1943 dhe 1944.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë, një familje ka mundur të përmbajë deri në 250 anëtarë, kështu që 40.000 familje shqiptare kanë mundur të arrijnë edhe mbi 1 milion vetë.  

Ratifikimi dhe realizimi i  kësaj konvente  është penguar për shkak të:

– mosmarrëveshjeve financiare ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë,
– fushatës së autoriteteve të Shqipërisë kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore për në Turqi, si dhe
– shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

Edhe pse kjo marrëveshje nuk është ratifikuar dhe nuk është zbatuar siç ka qenë planifikuar, ka pasur pasoja të rënda për pozitën dhe për të ardhmen e popullit shqiptar në Jugosllavi. Pastrimi etnik afatgjatë dhe kolonizimi i viseve shqiptare në Jugosllavi ka shkaktuar ndryshimin etnik të strukturës së popullsisë. Masat e dhunshme të ndërmarra nga Beogradi ndaj shqiptarëve kanë ndikuar që marrëdhëniet e grupeve etnike gjithmonë të jenë të tensionuara, e sidomos ndërmjet shqiptarëve vendas dhe kolonëve serbë. Kjo ka ndikuar edhe në thellimin e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve.  

*   *   *

Ideologjia kombëtare serbe
– Ideologjinë nacionaliste serbe të Ilija Garashaninit (1812-1874) të paraqitur në projektin e tij “Naçertanije”, Beograd 1844 si dhe të filologut dhe mbledhësit të këngëve popullore serbe Vuk Stefanoviq Karaxhiqit (1787-1864), do ta vazhdojnë me devotshmëri intelektualët serbë të qarqeve akademike dhe universitare të fillimit të shekullit XX. Në vitet 1912-1918, ideologë të njohur të të ashtuquajturës çështje kombëtare serbe, kësaj murtaje të zezë të Ballkanit, ishin studiuesit, intelektualët, profesorët universitarë dhe akademikët serbë, si: Jovan Cvijiqi (1865-1927), Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1939) – autor i librit famëkeq “Arnauti i Velike sile”, Beograd 1913, Stojan Novakoviqi (1842-1915), filolog dhe historian i letërsisë, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe dhe kryeministër i Qeverisë së Serbisë, Nikolla Stojanoviq (1880-1966), jurist dhe politikan serb nga BeH, Stevan Moleviq (1888-1959), politikan, publicist dhe avokat serb nga BeH, autor i një memorandumi që mban titullin “Serbia homogjene” (Homogena Srbija), të vënë në qarkullim në Nikshiq të Malit të Zi më 30 qershor 1941. Në të i paraqet ambiciet territoriale të Serbisë dhe “të drejtën” e saj për të dominuar në Jugosllavi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Moleviqi ka qenë këshilltar i udhëheqësit të Lëvizjes së Çetnikëve – Drazha Mihajlloviqit.

Vijën e kësaj ideologjie e ndoqën edhe akademikët serbë, të cilët e hartuan Memorandumin e ASSHA (SANU), që doli në Beograd si një libër anonim, në janar të vitit 1986. Këta janë: filologu Pavle Joviq, shkrimtari Antonije Isakoviq, biologu i biologjisë molekulare Dushan Kanazir, filozofi Mihajllo Markoviq, historiani i artit Dejan Medakoviq, historiani i letërsisë Mirosllav Pantiq, gjeologu dhe paleontologu Nikolla Pantiq, historiani Radovan Samarxhiq, profesori i fakultetit të mjekësisë dhe shkencëtari Lubisha Rakiq, historiani Vasilije Kresiq, inxhinieri i makinerisë Miomir Vukobratoviq dhe kritiku i artit figurativ, piktori Stojan Gjeliq. Në krye të tyre qëndronte babai i kombit serb, shkrimtari dhe akademiku me shkollë të mesme bujqësore Dobrica Qosiq.

Nga ideologjia në agresion
– Ideologjia serbomadhe u bë politikë shtetërore e Serbisë dhe u zbatua nga: karagjorgjeviqët, Nikolla Pashiqi (1845-1926), Aleksandër Rankoviqi (1909-1983) dhe Sllobodan Millosheviqi (1941-2006).

Synimi i tyre ishte:

– ta rimëkëmbin perandorinë e car Dushanit dhe ta krijojnë Serbinë e Madhe;
– të ndjekin politikë hegjemoniste, ekspansioniste, centraliste, unitariste dhe etatiste;
– t’ia caktojnë Serbisë rolin e Piemontit në gadishull;
– t‘i sigurojnë Serbisë rol dominues në Jugosllavi dhe në Ballkanin – fuçi baruti;
– ta shndërrojnë Serbinë në faktor të rëndësishëm në rajon, në mënyrë që fuqitë evropiane, për t’i realizuar synimet e tyre strategjike, të llogaritnin në aleancën e serbëve;
– të përhapin propagandë se serbët janë popull hyjnor (nebeski narod);
– t’ua bëjmë me dije kancelarive të Fuqive të Mëdha se serbët janë popull historik;
– t’u tregojmë fuqive historike të Evropës se serbët janë popull politik;
– ta bindim faktorin ndërkombëtar influent, se popujt e tjerë të rajonit, nuk janë as popuj historikë dhe as popuj politikë.

Duhet t’u bëhet me dije kancelarive evropiane se:

– serbët kanë traditë shtetërore dhe ushtri të fortë;
– në çaste të caktuara historike kanë marrë pjesë në luftëra;
– janë rreshtuar në anën e drejtë;
– kanë luftuar përkrah forcave ngadhënjyese;
– ushtritë serbe kanë bërë luftëra frontale dhe kanë shpërthyer fronte.

Shpërthimin e frontit të Selanikut në tetor të vitit 1917 në Luftën e Parë Botërore, përkrah ushtrive franceze, angleze dhe greke, kundër ushtrive gjermane, austro-hungareze dhe bullgare, serbët e kanë shndërruar në mit. Në saje të atributeve të mësipërme, serbët merituakan të dominojnë në gadishull.

*   *   *

Sipas radikalëve serbë, populli serb ndahet në tre religjione:

– serbët në Serbi janë serbë të fesë ortodokse;
– kroatët në Kroaci janë serbë të fesë katolike;
– ndërkaq myslimanët në Bosnjë e Hercegovinë, janë serbë të fesë myslimane.

Armiqtë historikë të serbëve siç janë qendrat katolike, habsburgët dhe habsburgu i fundit Tito, e copëtojnë Serbinë për të krijuar prej saj tre shtete dhe po aq kombe. Dy prej tyre, d.m.th. Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia – shtete artificiale dhe johistorike.

Në periudhën e viteve 1918-1941 ideologjia serbomadhe:

– Mohonte ekzistimin e kombit shqiptar në Jugosllavi dhe i quante myslimanë. Sipas kësaj ideologjie, shqiptarët janë inferiorë, nuk janë popull historik, nuk janë popull politik dhe nuk posedojnë aftësi shtet-ndërtuese, ndaj dhe territoret e tyre duhet të zotërohen prej serbëve;
– Mohonte ekzistimin e malazezve, të myslimanëve (boshnjakëve) dhe të maqedonasve si bashkësi etnike të veçanta, qoftë mbi baza gjuhësore, qoftë mbi baza fetare. Këta konsideroheshin serbë.

Me një politikë unitariste, centraliste dhe etatistë, ideologjia serbomadhe synonte krijimin e kombit jugosllav dhe homogjenizimin e popujve joserbë, sidomos të kroatëve dhe të sllovenëve, me qëllim të asimilimit të tyre në serbë.

Me fjalë të tjera, malazeztë janë serbë ngase gjuha që flasin s’është veçse një dialekt i serbishtes. Myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës s’janë veçse serbë të islamizuar. Edhe këta, sikurse malazeztë, flasin serbisht apo një dialekt të saj. Maqedonasit nuk kanë histori dhe janë pa identitet. Duke qenë se banojnë në Serbinë Jugore (Juzhna Srbija), rrjedhimisht janë serbë. Kroatët janë serbë të fesë katolike. Gjuha që flasin s’është veçse serbishte, apo një dialekt i saj. Me një politikë unitariste, centraliste dhe etatiste do t’i asimilojmë në serbë. Sllovenët, për t’u shpëtuar synimeve ekspansioniste të Vjenës, medoemos t’i kthehen gjirit të sllavëve të jugut.

Ndaj malazezëve, myslimanëve të BH-së, maqedonasve dhe kroatëve, serbët zbatonin teoritë apo thëniet latine: quius lingua, eius regio (e kujt gjuha, i atij territori) apo quius religio, eius regio (e kujt feja, i atij territori).

Pra, malazeztë janë serbë mbi bazën e gjuhës dhe të fesë. Myslimanët e BH-së dhe kroatët janë serbë mbi bazë të gjuhës. Serbë mbi bazën e fesë janë edhe maqedonasit.

Po shqiptarët?! Në këtë bashkësi sllavësh të jugut, shqiptarët janë trup i huaj. Si të tillë, do t’i dëbojmë për në Anatoli. Ndaj atyre që do të mbeten do të ndjekim politikën e forcës, të restriksionit, të diskriminimit dhe të represionit, do të ushtrojmë edhe opresion.

Kosova për ta ishte Serbi e Vjetër (Stara Srbija). Kështu Jugosllavinë do ta shndërrojmë në serbosllavi.

*   *   *

Ideologët serbë të sotëm
– Historianët e sotëm serbë, me në krye akademikun dhe shkrimtarin Dobrica Qosiq thonë:

– Ballkani sot ndodhet nën sundimin e SHBA-së dhe të aleatëve evropianë të saj – Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë;
– Sot në Evropë dhe në Ballkan mbizotërojnë fuqitë humbëse të të dy luftërave botërore;

– Para Luftës së Parë Botërore dhe gjatë saj, imperialistët gjermanë synonin Drang nach Osten (Depërtim në Lindje), drejt Kostandinopojës e më tej. Depërtimet e Gjermanisë naziste në drejtim të juglindjes gjatë Luftës së Dytë Botërore, paraqesin vazhdim të politikës Drang nach Osten. Berlini dhe Vjena të njëjtin pretendim e kanë edhe sot, por në forma të tjera. Ndaj krijimi i kombit të fortë dhe të konsoliduar shqiptar në Ballkan përputhet me synim historik gjerman për të depërtuar në lindje.

– Armiq të përbetuar të Serbisë kanë qenë dhe janë: Vatikani, CIA, Berlini, Vjena dhe agjenti i tyre Josip Broz Tito;
– Sot në Ballkan, me ndihmën e Vatikanit, të SHBA-së, të Gjermanisë dhe të Vjenës zhvillohet haptas procesi i krijimit të Shqipërisë së Madhe;
– Procesi i fragmentarizimit të Serbisë do të vazhdojë, duke ia shkëputur asaj Vojvodinën, Sanxhakun dhe Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).
– Turqia, nën parullën e neo-osmanizmit, pretendon të rikthehet në gadishull, duke gjetur mbështetje ndër shqiptarë dhe ndër boshnjakë.

*   *   *

Propaganda antishqiptare serbe
Serbia, sot e kësaj dite vazhdon të përhapë propagandë nëpër kancelaritë evropiane për pretendimet e Ankarasë për t’u rikthyer në një pjesë të gadishullit. Sipas kësaj propagande,  pretendimet turke për të depërtuar në rajon, çojnë në krijimin e shteteve islamike në të. Ndaj Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet të lejojnë kreatura fundamentaliste para dyerve të Evropës.

Qëllimi i kësaj propagande antishqiptare të Beogradit është që shqiptarët t’i paraqesin para perëndimorëve si popull me identitet kombëtar të diskutueshëm, si pro turq, pro arabë, pro persianë, si popull që është përçues i vlerave anadollake, aziatike dhe islamike në Evropën e krishterë, si popull që funksionon me vlera jashtë evropiane, si popull që funksionon me vlera turke, arabe, persiane dhe islamike në gadishull. Kohët e fundit, propaganda serbe dhe ajo greke në mënyrë intensive i denoncon shqiptarët nëpër zyrat e fuqive evropiane edhe si islamistë radikalë që punojnë kundër Perëndimit dhe që i rrezikojnë vlerat e qytetërimit perëndimor.

*   *   *

Për të ndërtuar një Jugosllavi me dominimin serb, gjatë historisë politike të tyre, serbët u përqendruan kryesisht:

– në krijimin e faktorit të forcës; dhe
– në ndërtimin e një makinerie propagandistike gebelsiane.

Për ta mbajtur serbosllavinë, këtë krijesë artificiale të Versajës dhe burg të popujve, karagjorgjeviqët dhe pashiqët, më vonë rankoviqët dhe millosheviqët zbatuan politikën e forcës.

Serbia, me politikën e saj destruktive, luftënxitëse, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste është shkaktarja kryesore dhe permanente e destabilizimit të Ballkanit, këtij rajoni të cilësuar si fuçi baruti, ku është zhvilluar bellum omnium in omnes. Një politikë e tillë është irracionale. Për gjakderdhjet që ua kanë shkaktuar fqinjëve të vet, serbët duhet të mbajnë përgjegjësi para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Francezët kanë gabuar që i kanë lejuar serbët ta keqpërdorin miqësinë me ta.

Ambiciet e serbëve gjatë historisë kanë qenë në shpërpjesëtim me potencialet reale të tyre. Ata janë një popull i vogël, ndaj politikën shtetërore duhet ta harmonizojnë me përmasat kombëtare reale.

Në Evropë dhe në planin global, sot kemi një konstelacion të ri: muri i Berlinit ka rënë, Gjermania është ribashkuar, Traktati i Varshavës është zhbërë, ideologjia bolshevike doli si antihistorike, perandoria sovjetike – e kuqe, është shpërbërë, kampi socialist është shuar, lufta e ftoftë ka marrë fund, Rusia nuk është më superfuqi, kontradiktat historike të fuqive evropiane harmonizohen në kuadër të BE-së, Jugosllavia e Versajës dhe e KAÇKJ-së (AVNOJ-it) u shkatërrua me gjak.

Serbët duhet të heqin dorë nga idetë kombëtare retrograde, anakronike, antihistorike dhe antidemokratike të shekullit XIX. Duhet ta pranojnë realitetin e ri në rajon dhe në planin global dhe ta ridefinojnë ideologjinë kombëtare.

1 KOMENT

  1. Shkrim fantastik, por duhen edhe disa informata lidhur me rolin negativ, qe Tito kishte ne vrasjen e 60 mije Shqiptarve ne perioden 1944-1947, dhe perjashtimin e 215 mije Shqiptarve nga ish RSFJ ne perioden 1955-1966…

    Tito lidhi ne Split marreveshjen me kryeministein Turk, Menderes kete kontrate per perjashtimin e Shqiptarve…

Komentet janë mbyllur.