Rrëshqasin vitet

0
686
Pajtim Xhelo

Pajtim Xhelo, 20 nëntor 2019

Rrëshqasin vitet

Heshtur, në një pjerrinë arriti jeta,
Hijevitet shkasin mjegullës atje,,
Më parë nisa pasionet e shkreta,
Pa dëshirat u rrokullisën që dje.

Është e ëmbël rrëshqitja, pa mundim,
Nuk e sheh kohën, as lodhjen nuk e ndjen,
Më mirë të ishte i gjatë rrugëtim,
Kështu sheh fundin, që andej larg po vjen.

O miq, dikur mbaron kjo rrugë mundimi,
Lodhja e ecjes, diku e ka një fund,
Nëpër degë urrejtjesh e adhurimi,
Stuhia e dashurive të përkund.

Tashmë vite që heshtin, në mjegull treten,
Rrugë të vjetra, që pa ty mbeten pas,
Një shpirt në tymnajë,që nuk gjeti veten,
U end e vrapoi në helm e në gas.

Stuhi qenka jeta, asnjë çast s’u pre,
Të rrëmben. n’egërsin’ e saj, të përplas,
Bukuri në trishtim, po ti gjë nuk pe,
Se kokën s’e ktheve asnjëherë pas.

Tani që jeta po rend e të motoi,
Do kishe kohë të shihje ç’gjë le pas,
Po ja, rrugëtimi i zhurmshëm mbaroi,
Një muzg heshjesh në shpirtin tënd u përqas.

Ti që s’ëndërove para e lavdi,
Ti që nuk përbuze jetën lakuriq,,
Ti që të tjerëve u dhe dashuri,
Në rrugën pas ke lënë mijëra miq.

Karriket përmbysen dhe paratë ikin,
Më mirë se çifliku është një mik,
As kataraktet dashuritë s’i fikin,
Edhe në rrëshqitje mbetesh Dashuri.

Pa në pjerrinë më shtyti sonte jeta,
Më motoi në vitin e shtatëdhjetë,
Edhe rrëshqitja paska këngët e veta,
Mençuri hyjnore e moshës së tretë

Kjo ditëlindje, një trishtim i gëzuar,
Më përshëndeti sërishmi në vetmi,
Gjumin e ndoqa errësirës, jam zgjuar,
Rreth meje jan’ ulur qindra dashuri.

Jashtë lëpika natën shiu dhe era,
Koha rrëmben heshtur ditët e rinisë,
Te der’ e hapur pres, si vitet e tjera,
Të vijë fluturim yll’ i djalërisë.

Një çast ndjeva një vështrim të hutuar,
Në terr u tret e shtrenjt’, e zeza shami,
Një drit’ e venitur, prej vitesh larguar,
Nëna ime po më bënte shoqëri.

Vjen ajo çdo vit, si shpirt i përmalluar,
Merakoset mos më pllakosin mërzitë,
Kur më sheh si det pa dallgë, të qetuar,
Ikën, veç ndezur ka lënë një qiri.

Pajtim Xhelo, 20 nëntor 2019


VDEKJA E NJË MADHËSHTIE

Tregim

Vonë, kur mesnata po druhej të ecte me hap të shpejtë sikur të frikësohej nga disa zhurmë rrënqethëse të errësirës që zotëronin dridhjet e jetës së njeriut më të madhërishëm të kohës, Perandorit të gjithë botës, Aleksandrit të Maqedonisë, sikur temperatura dhe ethet që po e mundonin prej një jave u larguan dhe Ai mundi të hapte sytë për të kapur me atë vështrim të mjegulluar pamjen që ndriçonin pishtarët e panumërt përreth.
Në fillim dalloi Ptolemeun, gjeneralin për të cilin Hefestioni, njeriu më i dashur i gjithë jetës së tij që kur kish njohur veten e kish paralajmëruar për diçka të fshehtë që po përgatiste kundër tij. Aleksandri kish vënë buzën në gaz duke e qetësuar:
– Sa të jetë Hefestioni pranë meje jeta ime nuk do të ketë fund kurrë.
Po Hefestioni kish vdekur dy ditë më pas dhe njeriu I Madh për dhjetë ditë nuk pat folur me askënd, kish nisur të hante fare pak ditën e tretë me këmbënguljen e Ptolemeut, gjë që , në të vërtetë edhe e kish habitur, sepse i kujtoheshin fjalët që i pat thënë Hefestioni për të. Dy ose tri herë kish provuar edhe t’i jepte fund jetës, po premtimi që u kish dhënë gjeneralëve dhe komandantëve për të pushtuar Kartagjenën dhe atë pjesë të Europës në gadishullin Iberik, për t’u bërë Zot i gjithë botës ku lind deri ku perëndon, i ndërronte mendim. Pikëllimi ishte i pafund për atë që i kish qëndruar besnik dhe e kish mbrojtur nga të gjithë armiqtë e tij, që ishin njëkohësisht dhe ata që i qëndronin më afër.
E mblodhi veten me mundim të madh nga ajo humbje dhe dha urdhër që të niste ndërtimi i një Flote të fuqishme detare që të pushtonte Kartagjenën dhe gadishullin Iberik.
Një ditë pasi kish nisur puna për ndërtimin e Flotës Aleksandri u ndie keq, pati të njëjtat shenja të sëmundjes së Hefestinos. U mundua të qëndronte në këmbë, po sëmundja e vuri poshtë pa mëshirë. Edhe nëse ish orvatur ta hiqte mendimin nga Hefestinua, tani që u sëmur vet nisi ta kujtonte çdo orë, çdo çast. Edhe në kllapi thosh emrin e tij.
Tani që u përmend dhe po e mblidhte veten, kërkoi t’i binin tre gjeneralët e tjerë dhe komandantët e gjithë ushtrisë.
– Nesër Zoti imj – i tha me zë të ulët Ptolemeu
Ai e pa ngulët dhe i tha:
– Nesër mund të jetë vonë…Shumë vonë. I dua të gjithë këtu tani.
Gjenerali u bind dhe u largua. Dikush tjetër u afrua te këmbët e tij. Pas vdekjes së Hefestinos, truproja e Aleksandrit tashmë ishte një kushëriri i të ëmës , Olipies. Ishte nga Kaonina e Kaonisë. Quhej Mirtil. Komandonte dyqind kalorë kaonë, kuajt e të cilëve ishin të një race të pastër të Amantisë, të fuqishëm, të shpejtë , që përballonin rrugëtimet e gjata dhe vështirësitë.
– Kushëriri im besnik!- u mundua të qeshte Aleksandri – Të falënderoj që nuk më braktise!
Mirtili u afrua, i shkoi pëllëmbën e dorës mbi ballë dhe u përgjigj:
– Çthoni ashtu Zoti im, nuk do isha larguar edhe sikur botën të më falin.
– E jona është Bota miku im, imja, jotja, e gjithë ilirëve dhe epirotëve dhe maqedonëve. Kjo Botë tashmë i përket popullit tim pellazgan.
Ai e ndërpreu fjalën, sepse i nisi një lemzë e pandërprerë. Kërkoi pak ujë dhe vijoi sërish :
– Sidoqë të ndodhë me mua, se e ndiej që kam marrë rrugën pa kthim për te të parët e mi, kjo botë do të ketë zotër pelazganë.
Mirtili u përlot. Dyqind kalorët e tij ishin rrebeluar sa kishin kaluar Pakistanin. Edhe pse Aleksandri ish përpjekur t’i bindëte kaonët kishin ngulur këmbë që të mos e ndiqnin më në këtë rrugëtim që i kish larguar nga gratë dhe familjet e tyre. Njeriu i Madh i kish lejuar që të merrnin gra të tjera nga vendet që pushtonin, po kjo për kaonët nuk bëri dobi. Në Kaoni Kanuni nuk lejonte të mbaheshin dy gra nga një burrë.Tek ata familja ishte e shenjtë. E ndërsa ushtarët e tjerë u martuan me robinat e Azisë, kalorët kaonë u kthyen në Pakistan, për t’u nisur kur të vinte vera mirë.
– Ah- hoqi thellë në zemër njeriu i Madhërishëm- Desh harrova, kalin tim, Bucefalin po ta lë ty. Vetëm ty mund të të bindet ai.
Bucefalin e pat blerë i ati, Filipi për vete, po ai nuk mundi t’i hipte dot, edhe pse u mundua me të disa ditë. Bucefali ishte tepër i egër. Aleksandri që po e ndiqte të atin në manovrat e tij i kish thënë:
– Ta provoj një herë unë?
Ai ishte shumë i ri dhe Filipi qe habitur. Gjithësesi i kish lënë vendin të birit. Aleksandri e ktheu kalin në drejtim të diellit dhe Bucefali e pranoi pa më të voglën kundërshti. I habitur Filipi e kish pyetur si mundi ta bindëte menjëherë atë kalë të egër.
Aleksandri i tha : – Ti baba e ktheje kalin nga hija dhe ai trembej. Unë bëra të kundërtën. Në të vërtetë edhe rrezet e diellit ndikuan në hutimin e tij.
Mbreti kish mbetur pa fjalë
– Ti or bir je lindur për të sunduar një Mbretëri të madhe, të pakufishme- i pat thënë – Maqedonia është shumë e vogël për ty!
Aleksandri e kish falënderuar pa e kundërshtuar për thjeshtësi.
– Mos fol kështu Zoti im. Ti do të jetosh gjatë. Njerëzit e Mëdhenj si ju duhet të harrojnë vdekjen. Mjeku ka gjetur disa barna çudibërës këtu në Babiloni dhe nesër do follojë mjekimin me to.Erdhi pak më herët, kur ju ishit nën efektin e etheve dhe më porositi ta lajmëroja sapo të përmendeshit. Po shkoj ta kujtoj.
Aleksandri e kundërshtoi. Dikur e pyeti për dy vajzat e Darit të Persisë, me të cilat ishin martuar ai dhe Hefestinua një muaj para vdekjes së mikut të tij.
– I nisën ato për te Nëna ime.
– Po Im Zot, tri ditë më parë. Nuk donin të largoheshin derisa ju të bëheshit mirë, po gjeneral Lisimaku u tha se ishte urdhëri juaj dhe nuk mund ta thyente askush. U nisën të dyja të mbytura në lotë.
Aleksandri diçka tha nëpër dhëmbë, pastaj e ngriti zërin sërish :
-Kam frikë se Roksana do bëhet xheloze për to.
Pastaj shtoi : – Sidoqoftë, ime më ,Olimpia është grua e zgjuar dhe do di t’i ruajë ato nga inati i saj.
Mirtili nuk tha asgjë. Ndërkohë arriti edhe Ptolemeu. Ai nuk e lejoi të ulej.
– Prit – i tha – Dua të ta them para se të vinë të tjerët dhe i bëri shenjë Myrtilit të largohej- Unë e di që më kanë helmuar, ashtu si helmuan edhe Hefestinon dhe nuk kam shërim
– Çthoni kështu Zoti im – e ndërpreu Ptolemeu- Ja, ju u bëtë fare mirë dhe nesër do ngriheni në këmbë përsëri.
– Jo gjeneral – ia ktheu ai qetë. – Është ashtu si ju thashë.
Donte të vijonte me diçka tjetër, po u ndien hapat e tre gjeneralëve të tjerë, Antipatrit, Selekut dhe Lisimahut. Fill pas tyre erdhën edhe komandantët e tjerë të falangave.
Në heshtje ata zunë vend në tendën e Aleksandrit. Ishte një heshtje që fliste dhe rëndonte më shumë se lajmi i një vdekjeje. Të gjithë ata burra e ndienin fundin e shpejtë të njeriut që i kish udhëhequr drejt fitoreve dhe lavdisë hyjnore mbi ushtritë më të fuqishme të botës. E kishin parë në sy për vite me radhë, në ata sy të kaltër nga buronte një mendim detyrues , i papërballueshëm…Sepse ishte mendim i mençur i një Zoti largpamës, që rrinte më afër Perëndive të racës së tij pelasgane, se në botën e vogël, zot i së cilës ishte bërë në një moshë fare të re dhe për një kohë të shkurtër.
Këtë çast nuk po guxonin t’i ngrinin sytë, po zëri aq i njohur përgjatë atyre viteve, befas e zboi heshtjen nga ajo hapësirë e nderë dhe vështrimet e tyre u zgjatën drejt trupit të tij , që ish ngritur ndenjur në shtrat.
Aleksandri iu drejtua gjeneral Selekut :
– Të shkruhet gjithçka që do them.
Gjenerali mori masat menjëherë dhe kur gjithçka ishte gati, , Zoti i gjithë botës e mori fjalën përsëri:
– Ky është testamenti im. Unë nuk kam fëmijë pët të trashëguar Mbretërinë time kaq të madhe, po edhe sikur të kisha lënë, nuk besoj se ai do të ishte si unë. Ju e dini se mua më zgjodhën Perënditë Pelazgane që të sundoj Botën në saje të trimërisë suaj dhe të ushtarëve tanë. Tani këtë botë po e lë në dorën tuaj. Duhet ta mbani, po që të keni mundësi ta mbani gjatë dhe ashtu si duhet, po e ndaj mes katër gjeneralëve : Ptolemeut, Lisimakut, Selekut dhe Antipatrit. Secilën nga këto Botë të vogla do ta komandoni me sunduesit e tyre e tyre, që të frymëzojnë besim për ju në popujt e tyre, pavarësisht se jeni pushtues. Armiq i kishit derisa luftuat për t’i pushtuar. Pasi i nënështruat nuk duhet tI shihni më si armiq, po si popuj për të cillët duhet të jeni përgjegjës që të zhvillohen njëlloj të gjithë, pa dallim. Vetë kështu do të jeni për një kohë sa më të gjatë zotër të këtyre botëve. Mos bëni dallim për racat, ngjyrën e lëkurës apo zakonet e tyre…Popujt janë të gjithë njëlloj dhe njerëzit Perënditë i krijuan për të dashur njeritjetrin dhe jo për ta urryer. Të sundosh mbi popujt është përgjegjësi, nuk është privilegj. Natyrisht, mos harroni se në radhë të parë do të keni përkujdesjen e pafund për racën tuaj, ilirët, epirotët, maqedonët, thrakët, pra pelasganët. Për këtë ti Selek ke detyrën më të vështirë. Lavdi racës sonë pelasgane!
Në fjalët e fundit zëri i njeriut të Madhërishëm thuajse u shua. Ata që ishin mbledhur për të dëgjuar testamentin e tij mbajtën frymën peshë.
Aleksandri i bëri shenjë gjeneral Selekut që të firmonte testamentin, pastaj u tha të gjithëve të largoheshin. Mbeti vetëm Mirtili pranë tij.
– Zot – guxoi i tha ai – Pse u treguat aq të mirë me gjeneralët? Ata janë munduar t’iu heqin qafe disa herë.
Aleksandri foli si me përtim : – Karrikja e sundimit është vetëm një, kurse ata që e lakmojnë sundimin janë shumë. Kuptohet që do përpiqen sekush që ta ketë të tijën. Ky është ligj i pashkruar miku im i mirë. Sidoqoftë, falë shpirtit tim të dyzuar, Hefestinos, ata nuk arritën asnjëherë t’u afroheshin qëllimeve të tyre.
Bëri shenjë që donte të qetësohej dhe ra në një gjumë të thellë. Mirtili heraherës përgjonte nëse merrte frymë apo jo.
Kur zbardhi, lugina ish mbuluar me një llohë gri, që e ndezi më shumë ajrin që dukej sikur do të merrte frymën. Aleksandri u përmend një çast, hapi vetëm njerin sy dhe diçka nisi të thosh aq zëulët, sa Mirtilit iu desh të afronte veshin te goja e tij, nga e cila dolën disa fjalë të shkëputura ;
– Olimpia…Roksana…Hefestino… kalorët kaonë…
Pastaj iu trash gjuha dhe nuk kuptohej më se çthosh. Mirtili thirri mjekun, që erdhi pa vonesë së bashku me Ptolemeun.
Ai tundi kryet, po nuk tha asnjë fjalë. Disa çaste heshtjen e rëndoi dhe lloha gri që kish hyrë edhe ajo si hajdute, pët të zhvatur ndonjë gjë nga ky njeri i papërsëritshëm që kish pranuar ikjen sikur të qe një shëtitje përtej asaj lugine ku dyndej ajri i përvëluar.
Tashmë me sytë mbyllur Aleksandri pëshpëriti diçka që e përsëriti disa herë.
Kish thënë emrin e kalit të tij. Ku ishte ai? Ku e kishin lënë Bucefalin?
Mirtili u largua vrullshëm dhe erdhi pas pak çastesh me kalin besnik të Aleksandrit, që nuk e kish braktisur në asnjë betejë.
Mirtili mori dorën e pafuqishme të Aleksamdrit dhe e vendosi butë te balli i Bucefalit .
Njeriu i jashtëzakonshëm u mundua të vinte buzën në gaz, po nuk arriti dot dhe u ngërdhesh. Pastaj e rrëshqiti dorën pa jetë duke lëshuar një psherëtimë të pandier dhe vari kryet në atë krah ku rrinte kali, sikur të donte ta shihte për herë të fundit.
Bucefali shkrofëtiu në fillim lehtë, pastaj, si ta kish kuptuar ikjen e të zot, turfulloi me zhurmë, u ngrit në këmbët e pasme dhe ia dha vrapit përgjatë asaj lugine që i kish rrëmbyer zotin dhe shokun e tij të pesëmbëdhjetë viteve.
Mirtili e shoqëroi me sy deri sa u shty tej, në paanësinë e vendit të huaj dhe tha gati për vete :
– Pa dale, nga iku, përkundrejt diellit apo hijes?
Qeshi hidhur me lotët që ishin harkuar në mjekrën që i dridhej.
– Harrova që dielli sot nuk ka dalë.
Pastaj fshiu lotët duke pëshpëritur :
Epo lotët janë edhe për burrin, madje trimit i kanë më tepër hije.
Vdekja e pashpirt dhe e pamëshirë nuk kish kursyer as Madhështinë e kohës, që do të mbetej Shqiponjë krahëhapur lartësive në rrugëtimin e përjetshëm të njerëzimit.
Ishte dhe mbeti i vetmi rast, që dhimbjen e ikjes e ndien thellë edhe gjithë armiqtë e tij. Ishte dhimbja për përjetësimin e Lavdisë Ilire.

Pajtim Xhelo, 2 shtator 2019


Dy fjalë të urta

Për të gjithë shqiptarët!
Për drejtuesit e Shteteve, Qeverive e politikës shqiptare në Shqipëri e në Kosovë!

Si popull kemi trashëguar dy fjalë të urta :
1 . Mat shtatë herë dhe pri një herë.
2 . Hekuri rrihet sa është i nxehtë.

Në pamje të parë duket sikur kundërshtojnë njeratjetrën, por jo… E para këshillon durim, urtësi në të menduar e gjykim të drejtë.
E dyta këshillon që të mos e tepërosh me durimin e të veprosh menjëherë pasi ke vendosur, sepse po u ftoh, hekuri nuk punohet më.
Thelbi i të dy fjalëve ” perla” të popullit tonë është : ” Mendohu mirë e si të jesh bindur për atë që duhet të bëshë, vepro menjëherë! ”
Është filozosike, është përvoja mijëra vjeçare e një populli. Nuk do fare shpjegim.
I kujtova këto dy fjalë të urta, sepse ne shqiptarët e sotëm, duket sikur i kemi harruar, i kemi shpërfillur thesaret që na kanë lënë të parët tanë.
Sot shqiptarët( që janë gati 13.000.000 në gjithë hapsirat e ligjëshme, natyrore të Ballkanit) jetojnë dhe punojnë në shtatë shtete : Shqipëri, Mal të Zi, Sërbi, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni, Kosovë e Greqi( pa llogaritur pakica në Kroaci, Rumani, Bullgari etj) Po të kalojmë Ballkanin, në Itali jeton një komunitet i madh i Arbërve( Arbëreshët), në Ukrahinë një komunitet i vogël. Në Turqi janë 5.000.000 shqiptarë.
Vetë këta që përmenda bëhen 20.000.000.
Bota e di këtë, po nuk e ka përmendur asnjëherë. Përse të mos e themi ne me zë të lartë, me zërin legjitim të atij që të tjerët e shpërfillin qëllimkeq të gjithë. Ne shqiptarët duhet të duam veten, kur nuk na duan të tjerët dhe që të duash veten, do të thotë të kesh guxim e të trgosh se cili je, ç’detyra e të drejta ke në këtë bashkësi popujsh të organizuar të gjithë në OKB.
Detyrimet tona ne i kemi plotësuar më mirë se të gjithë popujt e tjerë, kudo që jetojmë e punojmë. Shqiptarët kanë qenë dhe janë faktorë paqeje e zhvillimi kulturor, social e politik kudo që jetojnë, në ato vende që përmenda më sipër.
Po, miqtë e mi : janë 20.000.000 shqiptarë që japin ndihmesën e tyre prë paqe dhe ardhmëri në këtë rajon ( nuk po llogaris fare ata shqiptarë që jetojnë përtej kontinentit e kudo gjetiu në botën e madhe.
Nuk po përmend emrat e atyre shqiptarëve të talentuar që sot po i japin njerëzimit në shkencë, art, e në të gjitha fushat e jetës…Ata janë shumë dhe nuk i përkasin një populli të vogël. Jo! Ne jemi një popull që duhet të na japin vendin që na takon, jo vetëm si numër, po edhe si racë cilësore, inteligjente, që KA BËRË HISTORI DHE I KA DHËNË BOTËS HISTORIKISHT.
Nuk po përmend as Aleksandrin e Madh Shqiptar, as Pirron e Epirit Shqiptar, as Mretëreshën Teuta Laid e as shumë të tjerë.
Ata janë shumë thellë në histori dhe, edhe pse janë munduar të na i vjedhin ditën dhe natën, si kusarë dhe si rrëmbyes, mashtrues dhe hipokritë, kriminelë dhe dinakë e të djallëzuar, përsëri ” Dielli nuk mbulohet me shoshë”…Sot gjithçka flet për një popull pasardhës të Pelasganëve, që i dha qytetërimin Europës e më gjerë.
Jo, këto po i anashkaloj të gjitha. Do theksoj dhe lartësoj deri në kupë të qiellit Gjergj Kastriotin, Iskanderin e dytë ( pasardhës të Aleksandrit), Legjendën që vet Europa kurtizane e ktheu në ” Legjendën” më të madhe të mesjetës. atë që shpëtoi Europën nga Kuçedra e Azisë, që luftoi për 25 vite gjer në tëpamundurën për të përzenë Kuçedrën matanë Ballkanit, duke e ndjerë si detyrë jo vetëm si udhëheqës i një populli themelues të një qytetërimi, po edhe si mbrojtës i atij qytetërimi
Vdekja nuk e la.
Po pas vdekjes së asaj Legjende Europa i la shqiptarët në mëshirën e asj kuçedre për 500 vite të gjata, të tmerrshme, që po të zgjasnin, mbase do të kishin pasuar edhe asimilimin e një populli fisnik.
Shqiptarët i kanë bërë detyrat e tyre ndaj të gjithëve, në të gjitha kohët. Po të tjerët?
Në veçanti Europa i ka kthyer shpinën dhe jo vetëm, në çastet më të vështira, kur ata kërcënoheshin deri në qenësinë e tyre si komb, ” Hirushen” e shpërfillur nuk e la që të gjente ” Princin e kaltër”, por e lëshoi në shpellën e ujqëve dhe luanëve . sllavëve dhe grekëve.
Ky ishte shpërblimi ndaj një populli që kish sakrifikuar veten për Perandoritë dhe për popujt e tjerë, që kish ndihmuar në pavarësimin e popujve të tjerë të Ballkanit, ose, akoma më shumë, ju kish dhënë atyre pavarësinë, si në rastin e Greqisë.
Nuk është rasti për të analizuar mangësitë e këtij populli, sepse ato janë bërë të ditura nga vet ai popull ( kuptohet, një popull që nuk njeh gabimet gjatë rrugëtimit të tij, nuk ka të ardhme).
Me gabime, pa gabime, ky popull arriti të mbijetojë edhe për shkak të genit të tij, por nuk duhet mohuar edhe ndihma e miqve ( edhe pse të pakët)
Kjo Europë që jo më larg se në vitin 1913, 1920, 1923 ka dashur ta bëjë Shqipërinë copa mishi për të mbyllur orekset e fqinjëve që krrakitnin si korbat sa binte errësira dhe shihnin ëndra me sy hapur që ne të ktheheshim në kërmë e të turreshin për të çukitur ç’të mundnin. Kjo Europë ishte dhe është që na la jetimë në fatin tonë, sepse ne ishim popullsi ” me shumicë myslymane”, na nxiti në shkatërrim të çmendur pas viteve ” 90″, duke na premtuar ” parajsën kapitaliste”, na mbyti me ndihma ushqimore me produkte që ishin në prag të skadimit, që lejoi që Shqipëria të bëhej udhëkryqi njerëzor i saj.
Po, kjo Europë është që na solli drogën, prostitucionin, krimin e organizuar, korrupsionin në të gjithë jetën tonë.
Po, kjo Europë është q i ngjan atij që të vret natën, të mëshiron, nuk të qan, as nuk vjen në varrimin tënd.
Po, po, po! KJO ËSHTË EUROPA !
NE SHQIPTARËT I MKEMI BËRË DETYRAT TONA SI KOMB.
Ku janë të drejtat tona???
Asnjë të drejtë! Na llogarisin vetëm 4.000.000 që jemi brenda këtij koteci ku na detyruam të jetojmë( 28.000 km/ 2) dhe na thonë . ” Rrini urtë, prisni, sa të marrim me të mirë qentë e tërbuar sllavë ( pse jo, edhe grekë) që të zbuten e mos t’u kafshojnë! ”
Ja, kjo është e gjitha( pa mohuar ndihmesën që dhanë për Kosovën, po, në fund të fundit, ai ishte një turp që duhet të lahej)
Po, sa duhet të presim ne shqiptarët? Ka njëzetë vite që po tallen me ne. Na bëjnë fajtorë për ato që shkaktuan e po shkaktojnë vet ata. Nuk po na futin në shtëpinë e përbashkët, pa asnjë arsye.
Pritje, pritje, pritje! Deri kur? Gjithçka ka një kufi. Edhe durimi.
Po kthehem tani te fjala e urtë “Mat shtatë herë dhe pri një herë”
Ne kemi matur 7000 herë. Akoma?
Hekuri ishte i nxehtë dhe duhej punuar.U vak dhe mund të punohej me vështirësi.
Veç tani u ftoh dhe nuk punohet më. Ky ishte kufiri i fundit që ne shqiptarëve po na rrëmben dinjitetin, lirinë, pse jo, edhe shpirtin
Më nuk mund të presim nga parimi “i krishterë” i durimit në këtë jetë, se në jetën tjetër do shpërblehen të gjitha.
Për shqiptarët kanë kaluar tashmë dhjetra jetë durim.
Ne duhet të marrim në dorë fatin tonë, që të mundim të vemë edhe një pjesë të padrejtësive në vend.
Nëse Europa, SHBA e Komuniteti Ndërkombëtar na quajnë ” të vegjël” e sipas tyre duhet t’u nënështrohemi më të mëdhenjve ( fqinjëve tanë) e kanë gabim
Ne nuk jemi të vegjël Jemi më të mëdhenj se gjithë të tjerët në Ballkan.
Ç’duhet të presim tjetër veç urrejtjes sërbe dhe xhelozisë greke?
Jo, ne shqiptarëve sot nuk na pengon asgjë të bëjmë më në fund, të duhurën…Bashkimin.
Të paktën Bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, që është një proçes natyror, i ligjshëm, i papenguar nga asgjë.
Pastaj, me të parë e me të bërë për Bashkimin tërësor të trojeve tona natyrore etnike.
Sot, nuk kemi pse druhemi dhe as kujt t’i marrim dorën për këtë. Nëse është dëshira e një populli të vetëm për të jetuar nën të njëjtën çati, jo në dy shtëpi, po në një të vetme të madhe, askush nuk ka të drejtë ta ndalojë këtë.
Ata patën mundësinë dhe dëshirën e egër që na coptuan brinjët. Sot nuk kanë as të drejtë, as mundësi të na pemgojnë të shërojmë, në mos të gjitha, një pjesë të plagëve që na shkaktuan.
Askush, as me ligje, as me forcë, as me sanksione , nuk na pengon dot për Bashkimin tonë.
Le ta bëjmë. Dy qeveritë në TIRANË E NË PRISHTINË LE TË ULEN E TA BISEDOJNË. VEÇ, SA MË SHPEJTË, SE KOHA NUK PRET MË!
POPULLI E KA THËNË DËSHIRËN E VET, NË TË DY ANËT E KUFIRIT ANTIKAP.
SERBËT TASHMË NUK KANË ASNJË TË DREJTË MBI KOSOVËN.
Bashkimi është sa urgjent, aq edhe i domosdoshëm. Qëndrimet e tjera të udhëheqësve në të dy krahët e kufirit janë armiqësore. Pushtetarët që mbeten të nderuar për kombin duken në këto situata. Dilni mbi interesat e vogla dhe çojeni këtë komb atje ku duhet!
Koha nuk pret!

Me respekt
Pajtim Xhelo, 21 nëntor 2019