Marrëveshja e “ferrit”

0
480
Mustafa - Vjosa - Kurti - flamuri i Kosovës

POLITIKA

NGA NEHAT SHAQIRI, MË 20 NËNTOR 2019 NË BOTASOT.INFO

Isa Mustafa, Vjosa Osmani dhe Albin KurtiMarrëveshja e LDK-së dhe LVV-së, do të jetë marrëveshje “ferri” për zhvatësit dhe keqpërdoruesit e shtetit të Kosovës!
Marrëveshja e “ferrit”. Kështu do të quhej nga kundërshtarët politik, koalicioni apo marrëveshja e LVV-së dhe LDK-së, për një bashkëqeverisje e cila mund të zgjatë me vjet të tëra.

Mos mendoni që Qeveria e ardhshme do të zgjatë më shumë se katër vjet, nuk është këtu çështja te kjo marrëveshje, pasi me ligj e Kushtetutë një Qeveria mandatohet për të qeverisur me vendin vetëm për katër vite.

Por, marrëveshja e LVV-së me LDK-në, dhe punët e mira nëse do të bëheshin nga kjo qeverisje, atëherë padyshim që pritet që ky koalicion të fitoj bindshëm dhe të Qeverisë vendin e shtetin e Republikës së Kosovës për disa mandate me radhë.

Pra, një qeverisje e arritur me parime dhe vlera demokratike, me punë të mirë në teren e sidomos në mirëqenien sociale, do të vazhdonte për 12 vjet rresht – minimumi tri mandatet e ardhshme.

Një marrëveshje – koalicion të tillë, të dy partive fituese, po e presim që nga dita e parë pas zgjedhjeve. Por kjo pritje, ndoshta dhe me siguri që, do të shpërblehet me të mira.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi në zgjedhjet e 6 tetorit, por që nuk doli edhe shumë para Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka fituar mandatarin e Qeverisë. Albin Kurti, do të jetë i pakontestueshëm në qeverisjen e ardhshme, për katër vitet rresht…

Qeverisja e tyre, do duhej të punoj shumë, ndoshta më shumë sesa ministri i dikurshëm i Kosovës nga PDK-ja, i cili deklaronte pa fije turpi se punon 25 orë në ditë. Megjithatë, edhe pse “punoi” shumë, punët e tij, dhe Qeverisjes së tyre nuk u dukshin në teren, e as në popull.

Madje “punët” e tyre, u dukshin mjaftë mirë për të keq. Kosovën e lëshuan qindra-mijëra të rinj. Ata mërguan “falë” punës 25-orësh të Blerand Stavilicet, ministrit të PDK-së.

Deklarata të tilla për turp, kemi pas dëgjuar shumë shpesh. Madje aq shpesh sa që më askush nuk i merrte seriozisht. Njësoj sikurse deklaratën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, gjeneralit Ramush Haradinaj për vizat.

Vizat i kemi thoshte Haradinaj, e tash po shpreson deri në fundviti që do të realizohen… por, ja që shpresat po na humbasin çdo ditë e më shumë. E shpresat duhet rikthyer me qeverisjen e re dhe me punët e tyre, ndryshe… shkuam të gjithë…!

Po ku do të shkojmë se? Si është e mundur do të pyeste ndonëj evropian që pas 20 vjet të çlirimit, e pas një dekade të Pavarësisë së Kosovës, shteti ynë ballafaqohet me qindra probleme? Por, ja që, ata që qeverisën për vite me radhë nuk u kujdesën për qytetarin, ata u kujdesën për marrjen e pushtetit, varfërimin e qytetarëve, e nga mjerimi i krijuar ata filluan të pasurohen! Por si? Ata krijuan të gjithë mekanizmat që secili qytetarë që dëshiron punë duhej të varen nga ajo pagë. Një pagë e tyre – e qytetarëve, nuk është hiq më e madhe sesa një drekë e kryeministrit apo ministrit të llojit Stavileci.

Në Kosovë punohet minimumi 10 orë për një pagë duke filluar nga 150 euro deri në 400. Këtë pagën 400 euro në ndërtimtari duhet të punohet me zell. 10-12 orë punë, të jesh mjeshtër i klasit të parë, të punosh vikendeve dhe kurdo që eprori i tyre ka nevojë. E këta eprorë mos të harrojmë se asnjë nuk është qytetarë i zakonshëm. Të gjithë këta janë milionerë e shumica prej tyre familjarë të politikanëve, zhvatës të shtetit, të lidhur fuqishëm me politikën e duke përfituar nga politika.

Kjo pra, është përgjigja që duhet me ia kthyer evropianit i cili pyet për gjendjen në Kosovë. E kështu edhe anglezit i cili javën e kaluar qëndroi këtu. Ata u mahnitën me Kosovën, por që, qytetarët e Kosovës janë të izoluar dhe nuk munden ta shikojnë një ndeshje të futbollit në Angli apo në ndonjë vend tjetër të Evropës, përveç në Shqipëri – edhe këtu derisa të mos e bëjë me viza Edi Rama pas minishengenit, paktit që do ta bëj me Serbinë e Maqedoninë.

Së këndejmi, marrëveshjen dhe koalicionin për qeverisjen e vendit po e hendikepojnë edhe KQZ-ja me në krye Valdete Dakën, e cila për një muaj e gjysmë nuk arriti që t’i numëroj e rinumëroj rreth një milionë vota.

E pa dyshim që, marrëveshja e LDK-së dhe LVV-së, do të jetë marrëveshje “ferri” për zhvatësit dhe keqpërdoruesit e shtetit të Kosovës!