Pajtim Xhelo, 11 nëntor 2019
Një natë dimri me rrebesh e stuhi,
Kur dhe gjumi me gënjeshtra të huton,
Tejane fshatit, ku ishin dy shtëpi,
Kusari Ali pas ferrës po përgjon.
Larg, në dy stanet, të shtëna u dëgjuan,
Atje ishin pasuri e katandi,
Hormovës fshatarët e gjorë vrapuan,
Tok me barinjtë, ishin dhënë e dhi.
Ujqit mbase kishin sulmuar stan tjetër,
Kësi kohe për ujqit bëhej kurban,
Kështu ka ndodhur dhe në kohën e vjetër,
Mysafirë të paftuar ujqit janë.
U kthyen fshatarët diçka të gëzuar,
Me ujqit nuk u takuan këtë herë,
Veç kur te shtëpitë, sa ishin afruar,
Qenë s’kish, as kuaj, veç bishtat e prerë..
Pa nuk duhej mençuri për ta kuptuar,
Kjo ishte bëmë e kusarit Ali,
Ai i linte bishtat si për t’i ftuar,
Kaçakë në grykat ku zinte pusi.
Mblodhën miq e shokë për ta pleqëruar,
Po askush nuk u jepte asnjë mendim,
Thanë ta linin me motin në të shkuar
Kish plot të tjerë Aliu për hajnim.
Veç nja dy ditë akoma pa kaluar,
Këtë natë bora kish zënë e binte,
Klithma ujqish që nga larg kishin lëshuar,
Mbuluar një gjurmë, që vente e vinte.
Me urë zjarri nëpër duar çobanët,
Gjurmën ndoqën natës, atje tej, në pyll,
E bardhë bora, po në të gjitha anët,
Në qiell nuk kish as hënë, asnjë yll.
Qetëqetë u afruan dhe kusarët,
Deriçkat e staneve hapën kanatë,
Dhitë e kecat u vërsulën të parët,
Pastaj dhe dhëntë u fshehën nëpër natë.
Pa zbritën ujqit nga majat, të uritur,
U lëshuan mbi vocrrakët me furi,
Gjaku ngopi borën e babëzitur,
Në dy stanet vdekja kish bërë kërdi.
Të gjorët fshatarë kërkuan, kërkuan,
Gjurmën e ujkut, që zhdukej diku, larg,
U lodhën mëkot dhe për çudi harruan,
Që ujkun me dy këmbë e kishin përqark.
Shpesh njerëzit, nga e keqja të verbuar,
Rendin pas fjalës, jo asaj që shikojnë,
Të dy fshatarët, tashmë të varfëruar,
Po u luten fateve, që t’i ndihmojnë.
Zotit i erdh keq, i dha njerit dhjetë dhi,
Tjetrin e pyeti: ” Po ti çfarë do? ”
” Unë? – Ngushtë e ndjeu veten ai,
“Hiqi ç’i dhe atij.Asgjë s’dua, jo! ”
U habit Zoti, ngriti zërin, i tha :
” Pse kështu, ç’bëri, kusari qe Aliu.
Me sy djallëzorë fshatari e pa,
” Me të s’matem dot, kam frikë nga ariu! ”
U largua Zoti, tund kryet menduar
” Të dyve ai kusar u bëri keq,,
Pse me kaq zili për shokun ke menduar,
Kur armiku për ty ishte ai dreq?
Edhe sa kohë akoma ne shqiptarët,
Do ta shohim njeritjetrin si armik?
Mos harroni fjalën që lanë të parët :
” Vëllain ke gjak, armiku s’bëhet mik! ”
Pajtim Xhelo, 11 nëntor 2019, Vlorë