“Psycho II”, është vazhdim i romanit “Psycho” të shkrimtarit Ilir Muharremi. Këto ditë do të del nga botimi edhe pjesa e dytë e romanit tashmë të njohur horror. Ky është autori i parë që shkruan në këtë zhanër në Kosovë.
Romani është botim i Shtëpisë Botuese “Berati”, në Prizren.
“Psycho II”, rrëfen për fatin e një personi i cili ka fëmijëri të hidhur nga prindërit e tij. Ai torturohet shumë nga të dy prindërit dhe pasi rritet bëhet psikopat. Vret shumë njerëz sa që edhe nuk mund ta besojë numrin e viktimave. Vret nënën dhe babain e tij.
Pastaj, ushqehet me organet e trupit. Vrasjet janë brutale, ka edhe erotikë të madhe brenda tekstit. Shprehjet janë direkte sepse autori konsideron se jetojmë në një realitet të zymtë. Ja një pjesë nga ky roman:
“Kulloja në djersë. Nxehtësia atë ditë në makinë m’i përvëlonte faqet, i ndjeva disi ca bulëza djerse që m’u grumbulluan sipër vetullave. E shikoja qiellin, kishte ngjyrë të njëjtë sikur atë ditë kur kisha bërë seks për herë të parë.
Balli shumë më dhembte dhe venat rrihnin fort nën lëkurë. Nuk mund të duroja më, jo. Nxora thikën, e drejtova njëherë nga dielli, pashë një dritë që vërshoi mbi çelikun e saj sepse ishte thikë e madhe, shndriste atë ditë. Aq shumë më vërshoi djersa, më rrodhi sipër kapakëve të syve, ma lëshoi një perde të nxehtë e sytë m’u verbuan, ndieja vetëm një nxehtësi në vete dhe tehun vezullues të thikës që e kisha të ngritur.
Kokën e saj e mbështeta mbi gjoksin tim. Ajo nuk e vërente këtë skenë. Këtu gjithçka u lëkund në shpirtin tim. Prapë shikova qiellin, vëreja se u hap i tëri dhe mbi ne të dy binte një shi i nxehtë në makinë, ishin copëza zjarri. Shtrëngova mirë thikën, preka trupin e lëmuar të thikës dhe pikërisht aty në ankthin dhe xhelozinë e zhurmshme dhe shurdhuese gjithçka filloi. Ia ngula thikën në fyt, gjaku rridhte lumë dhe u mbulova i tëri në gjak të saj, gjak të prishur, zonjë. Thika u ngulit në një trup të palëvizshëm, ishte kjo ngulitje mbi portën e fatkeqësisë.