Silueta e vetmisë së gurit (III)

0
699
Nexhat Halimi - pikturë

 Nexhat Halimi

Silueta e vetmisë së gurit (III)
(Fragment)

Zogu që nuk shihet

Ecja nga vetja vetes e ëndërroja të arrija.
Ai heshte.

Veç herë-herë përvidhej ndonjë dritë e agut ndër degët cullake. Ai ecte zigzag. Të mos e kisha kaluar natën e ditën, gjithë këtë kohë me të do të mendoja se ka pirë me orë dhe është bërë tapë e tash, ja, mezi e kapërcen veten nga këmba në këmbë. Nuk është kjo e vetmja habi të ecja nga ai i lente gjurmët. Nuk mund ta definoje në asnjë mënyrë ikën  para teje qenie në dy këmbë apo në katër. Ecte nëpër borë. Ndoshta shfaqet hija tjetër. Ndoshta është vetja ime, hija ime e dytë, ndoshta. Desha t`i thosha se diçka nuk është në drejtpeshim te ai, por heshta. Ndoshta heshtja është ar, siç gënjehemi për mos t’i bërë plagët më të thella mes njëri tjetrit.

E shkunda pak kokën dhe hetova nga nxirrja avull nga goja. Ajri nuk qe  shumë i ftohtë. Bora   binte qetë dhe e butë. Do t`i mbulonte gjurmët ende pa ikur larg unë e ai dhe kot do ta ketë kushdo të na ndjek nëpër to. Bënim udhë të njëjtë, e cila kaq pamëshirë dhe saora fshihej prapa. I ngjante udhës së gjatë e të vështirë nga ecëm dhe  shumë faqe në librin e madh të historisë mbetën  përherë bosh. As çastet, as datat, as ngjarjet nuk i shënuan. Ja, siç ecim këtë ag fushës me borë deri te pylli – krejt bardhë, pa ndonjë ngashërim e pa ndonjë dhembje shpërthyese, të arrijmë kurrkund.

– Ku ikim kështu, – ktheu kokën e më shikoi ai. Pushka e gjahut, e varur në sup të majtë, i ikte zvarrë dhe lente vijë nëpër borë.

– Ec e mos fol, – ia bëra.
– Pse, – më shikoi me habi.
– Mund të na dëgjojnë.
– Punë e madhe, – më shikoi prapë.
– Me këtë që thua – punë e madhe, ne arritëm deri këtu!
– Ku?! – mbeti gojë hapur dhe zgurdulloi sytë. Më pa pastaj gjatë dhe në habi të thellë. – Ku?! – e përsëriti.

– Askund!
– Dalim atëherë aty, te ai druri i vjetër me dy degë e ikim në të majtë… – më pa ai në sy.
– Pse në të majtë, ngaqë është zemra aty, apo ç’është?
– Ikim në të majtë, ngaqë do të arrijmë ca më shpejt!
– Pse të ngutemi. Kaq kohë nuk lëvizëm vendit e tash do t`i thyejmë këmbët.. Për ku gjithë kjo furi.

– Për askund, aty tek the.
– Askund arrijmë sa herë duam dhe në çdo kohë, arrijmë gjallë e vdekur e nuk e shënon kush praninë  e asnjërit, tash as kurrë!
– Unë të ec nëpër gjurmë, e kurrë nuk dihet sa vetë qemë!
– Le gjurmë dhe ti. Pse hamendesh?
– Jo. Unë dua të ecim në të majtë… E Ti thua të shkojmë në të djathtë,gjithnjë. Ç’të keqe ka në këtë?  – qeshi ai

– Asgjë. Veç do të ecim udhë më të gjatë, kot.
– Njëjtë është. Ecim apo ngecim – në faqe të atDheut asgjë nuk paraqesim.
– E ke gabim. Ti e unë e yjtë e shqerrat e bëjmë tufën.
– Tufë e uritur në këtë dimër të ashpër. As ka çfarë të hajë, as të pijë…
– Shpirtin duhet gjithsesi mbajtur.
– Me çka? Me hithër të tharë, thua.
– Është ushqim i shëndetshëm, më dëgjo mua.

Ai heshti gjatë. Fërkoi duart me njëra tjetrën, pastaj i vuri ca mbi kraharor e ra në gjunjë në borë. Mori një copë e e futi në gojë. Ndoshta  ka etje, mendova,  veçse nuk fola. Jo, nuk ka etje, ia bëra vetes, nuk do të ketë mundur të harrojë ku gjendet uji. Ai prapë e futi në gojë një copë borë.

– Ke etje? – ia bëra.
– Çfarë tjetër, a thua?!
– Pse nuk pi ujë në krua.
– Ti qesh me mua!
– Jo.
– E çfarë bëjmë këtu,pra, në këtë dimër të acartë.

– Nuk është  i acartë. Bie borë e butë, flokë-flokë. A nuk e heton, aty për aty i mbulon gjurmët e mia  e tuat. Nuk do t`ia dalim të kthehemi më në vete, nuk do të mund të dëshmojmë nga vijmë…

– Pse duhet dëshmuar ndërsa je këtu, vjen nga këtu e shkon këtu…
– E kam fjalën te koha.

– Prej kaq larg vijmë kohës, ndërsa njeriu atëherë qe bishë. E krijuam hartën e civilizimit në  këtë botë… grabitqare.

– Kaq të vjetër jemi, natyrisht.
– Udhët i krijuam vetë.
– Mund ta kemi të qartë nga shkojmë, pra, apo jo?
– Ndoshta.
– Pse ndoshta… A nuk dolëm për gjah menatë.

– Dolëm.
– Atëherë është e qartë çfarë duam… apo jo?!
– E ndërrojmë ritmin e ecjes.
– Në ç’mënyrë?
– S’të vij më nëpër gjurmë.
– Ecim siç na vjen më për shtati.
– E kam të njëjtin mendim dhe unë.

Ecnim njëri përkrah tjetrit aty-aty, e ndokund njëri prapa tjetrit. Kjo varej nga zbritnim e ngjiteshim. Rrëzoheshim, ngriheshim. Binim në gjunjë. Piknim gjak. Ecnim prapë. E tëra m`i ngjante udhës së historisë, tërë gunga – gunga, tërë leqe-leqe,  m`i ngjante plagës së përhershme, ne të cilën ecnim e nuk e kishim të qartë ku do të arrinim. Shikonim lart qiellin, të cilin nuk mund ta shihnim nga degët e rënduara nga bora, nga fjollat që binin me mijëra e mijëra flutura. Ai, tërë lehën më ngjante në një kurm të pandjenjë, që ec e ec e ec e nuk ka as qëllim, as ndjenjë për asgjë. Ec e nuk mendon gjë. Kollitet ndonjë herë. Fryma i ik nga vetja herë turbullt e herë ca më qartë. Merr frymë thellë. Balli ca iu ka djersitur.

As unë nuk dalloj gjë nga ai. As mendoj në Esën, e cila kaherë më ka lënë vetëm, të kujdesem për shtatë fëmijët nga tre deri në shtatëmbëdhjetë vjeç. Ajo shkoi, këputi udhën dhe – tha, fund. E ai, nuk ka fëmijë. Kjo  është e vetmja e mirë që ka bërë deri tash në jetë; të mos krijojë familje. Krijesat pa unë në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjnë diçka të tillë. Vjen me mua për gjah kujtoj kryesisht nga kureshtja, nga ndjenja që ka nga qëndron sy me sy me gjahun. Shtien pastaj në të dhe nuk ia del asnjëherë ta qëllojë. – Ah, e pe, më iku dhe këtë herë. – E merakosesh ti për këtë gjë, – ia bëj. – Merakosem, natyrisht. – Veçse, ti e ke të qartë, as ti as unë nuk jemi vrasës. – Pse, pra, vijmë këtu. – Pse jo, është toka ime dhe yte, është qielli im dhe yti, është ëndrra e robërisë, që kaq vjet na vret…

– Vret në heshtje, të na shikojë në zinxhirë.
– Do t’i këpusim zinxhirët, – lidhem befas me zë me mendimin që më kumbon në kokë.
– Cilët zinxhirë, – më shikon ai dhe rrëzohet në gjunjë. Nuk ia del të qëndrojë ashtu dhe rrëzohet i tëri. Krijon siluetën e vet në borë. Krijon prototip të veçantë. Rrotullohet, sillet …

– Çfarë bën kështu?
– S’dua të dëgjoj për zinxhirët!
– Kush foli për zinxhirë, – ia bëra.
– Ti i fole, kush tjetër.
– Nuk më kujtohet…
– Nuk ka rëndësi… Ec. Pse prapë ndalesh.
– Ti ndalesh, jo unë.

Nuk do të pëlcas kiameti pse do të kem rënë për tokë. A nuk e the vetë është toka ime dhe yte.
– Është!
– Arritëm tashmë, ndoshta.
– Arritëm… – Ia hoqa pushkën e gjahut nga krahu e ia zgjata pamjen e qiellit sipër. I binte kaltërsia në sy.
– Ja, atje… – i tregova me gisht, – e sheh atë degën atje…
– Nuk e shoh.
– Ajo dega atje, si nuk e sheh…

Ai ktheu pushkën horizontalisht. E afroi shulin aty – mes kraharorit e supit. Mori frymë thellë. Qe fare gati të shkrepte dhe prita ta bënte atë gjë. Mbylla sytë, por nuk dëgjova dot asnjë të shtënë. I hapa sutë dhe ai qëndronte fare i hutuar, me pushkën të kthyer me grykë poshtë. Më pa, uli kokën. Heshti. Prapë ngrehu kokën e ofshani.

– Hë, – ia bëra pa e shikuar.
– Fol, fol, – tha. – Thuaj çfarë të të vijë në mend. Më shaj,më shaj… shfryju!
– Pse nuk shkrepe?
– Në kë të shkrepë.
– Në degën atje, – ia bëra prapë me gisht. – E sheh, atë degën atje!
– Në degë nuk ka asgjë, pse të shti…
– Nuk e sheh zogun në degë.

– Cilin zog? – më shikoi dhe prapë e mbështeti shulin e pushkës për kraharori. Mori frymë thellë dhe sërish nuk shtiu. – Cilin zog, – më tha. – Nuk shoh atje asnjë zog. Ai është zog i humbur,është korb e korbit i pëlqen  kërma. Pret të rrëzohemi e të vijë të na e ha mishin.

– Lere korbin, mos e shiko. Ai na ndjek gjithherë.
– Ee!?
– Të mos vijnë sorrat të na çukisin!
– Ndiqe zogun tjetër. Të ndizemi nga zjarri mitik.
– Zogu tjetër është zemra. Dëgjoje nga rrah!
– Si nuk e sheh atë zogun që nuk shihet?!
– Në atë zog të shti?
– Natyrisht! – ia bëra dhe pëlciti e shtëna. Ra mbi atë dhe mua borë nga dega e pemës që zgjatej mbi ne me kaq degë.
– E qëllova, – shkundi borën nga koka e  supet  dhe më shikoi.

– Të shohim, – ia bëra e u nisëm nga dega, në të cilin qëndronte zogu që nuk shihej. Ecëm me vështirësi. Me vete bartnim barrë, me të cilat në supe ikëm kaq herë nga vetja, nga guri, kroi, nga toka e qielli… të arrinim përsëri te plaga tjetër. Mbylla sytë dhe kokës prapë më rrëshqiti udha e historisë… Ecnim njëri përkrah tjetrit aty-aty, e ndokund njëri prapa tjetrit. Kjo varej nga zbritnim e ngjiteshim. Rrëzoheshim, ngriheshim. Binim në gjunjë. Piknim gjak. Tashmë nuk e shihnim as degën, në të cilën e mori ai në thumb zogun që nuk shihej.  Ecnim prapë. Çdo gjë më përsëritej, e  tëra m`i ngjante udhës së historisë, tërë gunga – gunga, tërë leqe-leqe,  m`i ngjante plagës së përhershme, në të cilën ecnim e nuk e kishim të qartë ku do të arrinim. Ai ktheu kokën prapa dhe më pa. E shikova kot dhe nuk fola gjë.

– Më humbi dhe dega, – tha, – më dëgjon?
– Nuk e shoh më as unë!
– E zogu? – foli me gjysmë zëri.
– Cili zog?
– Zogu që nuk shihej…
– Ai qëndronte në degë.
– E dega ku mbet?!

– Dega. Ku mbet… – e përsërita dhe shikova lart. – Ajo duhej të qe këtu, mbi kokën tënde dhe timen. Këtu, askund tjetër.  Ai shikoi rreth e rreth e askund nuk vërejti të qe prekur sipërfaqja e lëmuar e borës. Diçka të tillë nuk vëreja kund as unë. Te ai, njëjtë dhe te unë, ra një heshtje e rëndë, e thellë, e çuditshme. A mund të jetë e mundur të mos e ketë goditur zogun?!

– Natyrisht, si do ta godiste veten.
– Unë e vrava zogun. Do të thotë tërë në gjak, do të ketë mundur të binte këtu e – ja, shiko, nuk është.
– Nuk vritet zogu që nuk shihet…
– Ti the po!
– Jo. Nuk thash.

– Pse pra ma tregoje degën në të cilën qe, pse më the  ta merrja në thumb. Pse, pse, pse… – klithi ai, e në të njëjtin çast nisi të çahej bora e nën të tokën mbi të cilën shkelnim  e ndienim copëz të mishit dhe të shpirtit. Ai zgurdulloi sytë dhe papritur rrëshqiti brenda. I njëjti fat më shkundulloi dhe mua. Për disa çaste – të ndarë nga njëri tjetri dhe secili nga vetja, udhëtuam një gjithësie të errët dhe me duhmë të dheut gjysmë të ndezur. – Zot, do të digjemi, – më iku mendjes ndërsa dëgjova një rënie të ashpër mbi gur, veç pak  çaste më pastaj ndjeva dhembjen e rënies në brinjët e mia. I çela sytë dhe para vetes ndjeva duhmë ashti të vjetër. Qe një skelet… Ja-duart, këmbët, kafka, kurrizi, brinjët… Dorën e majtë, – e hetova, – e kishte të këputur.

– Jam unë, – tha.
– Jo. Është vetja ime e djegur,  – shikova rreth.

Ai nuk bëri zë. I mbytur në heshtje, kaq i habitur, qëndronte  me fytyrë ndanë një skeleti tjetër, të vjetër. E shikonte në ethe. Unë mora të ngrihem, e në të njëjtin çast e shikova. Ai përmbysi shikimin.

– Çfarë ke, – ia bëra. – Të ikim nga këtu.
– Ky skelet, ndoshta,  është apo mund të jetë pjesë e tërësisë dhe lashtësisë sime, – tha.
– Të ikim?
– Kurrë…
– Vetëm e bart veten në shpinë!

– Tërë kjo është një turbullim, një mjegull e futur brenda meje e teje, nga e cila nuk mund të ikim. Vjen dhe shfaqet me dhembje, me dritë-hije,  me  rrjedhje të ashpër gjaku, me ushtimë veshësh… të përfundojë me rënie të fortë në gurin e zënë nga rrënjët. Asgjë tjetër… Asgjë. Skeleti, ndanë të cilit çela sytë, nuk e kishte një copë të dorës së majtë. Ja, nuk e kam as unë…

– Ky, skelet është imi, – zgjati dorën dhe e lëshoi mbi brinjët e mbuluara me myshqe. – E ka emrin e gjithësisë sime në ashtin e ballit. Është i vjetër, shumë i vjetër… – i zgurdulloi sytë ai dhe u ngreh në gjunjë. E iku shikimin majtas e djathtas, më pastaj nxori nga xhepi thesin prej najloni dhe ia hapi grykën. E shikoja dhe për asnjë çast nuk më shtynte gjë, t`ia  lexoja kuptimin e përpjekjes që bënte.

– Të ecim, – ia bëra.
– Vetëm pasi do t`i kem marrë eshtrat e mi. Ne ramë te vetja, – tha ai. –  Kupton ti, apo jo. Ne ramë te vetja… e përfundimisht kuptuam çdo gjë. Ne ishim këtu tre mijë vjet para zotit. Shpërthyem këtu në të njëjtin çast me vetëtimën!

E rrëmbeva kafkën ndanë të cilës i çela sytë  dhe hetova disa gërvishtje në ashtin e ballit. Natyrisht, mund të ikësh nga të duash, kot është,  gjithherë do të kthehesh te vetja. As ai as unë nuk mund të ikim nga kjo. Ai tashmë kishte mbledhur të gjitha kockat e veta e më priste t`i mbledh dhe unë e të ikim. Për grykë të shpellës vëreja borën nga binte qetë, dendur dhe pandërprerë… Lart, atje, ndërmjet fluturash të bardha të borës hetova dhe degën në të cilën  sy kokërr shpupuriste me sqepin e zi në puplat e nënkrahut të vet zogu që nuk shihet.

– Zogun nuk e ke vrarë, – fola.
– Cilin zog?! – tha ai.
– E more në shenjë. Ja, ai zog ik. Fluturon. S`e vrave. Shikoje mirë…
– Ky zog s’është yni. Do ta vrisja… Nuk i takon as degës as qiellit të shpirtit. Do ta vras, në çdo rast, –   më shikoi me habi, gojëhapur. Në habi të thellë.

– Ky zog është unaza e zinxhirit… I lidhen kaq zogj vrastarë, të ardhur nga larg.
– Të njëjtin e mora në shenjë. Ndoshta e vrava. Veç të mos i vras zogjtë e shpirtit tim e tëndit. Zogjtë e sfondit ngjyrë gjaku, të mos i vras.

– Ee?
– Do ta kem vrarë… – e shikoi armën nga nxirrte tym nga gryka.
– Vraje, – i bëra. – Vraje… – e ula kokën. – Ky është zog tjetër, vrasës.

Më shikoi i hutuar, me gojë të hapur. Ndërmjet ëndrrës e realitetit, në një imagjinatë të çuditshme, aspak reale. Unë heshta, pa qenë i gatshëm t`ia përsëritja edhe një herë cili qe zogu, të cilin e mori në thumb e s`e vrau!

– Ndoshta e vrau? – psherëtiva.
– Jo, nuk e vrava…
– Je kaq i bindur!
– Po.
– Po?
– Nuk ka tjetër

– Natyrisht që nuk e vrau, – ikja perit të mendimit. – Si të vritet ajo që nuk mund të vritet kurrë! Vetja?!
– As nuk shihet cili është ndër tufë.
– Historisë e ndoqëm gjithnjë vetveten, e vramë.
– Gjë, e cila Shihet!
– Vetëm shihet, apo jo, gjë e cila na zë udhë,vritet  e shihet e dihet. I zoti gjithnjë na zë udhë.

– E na pëlcet zemra, të jemi veç një!
– Veç një.
– Ai të jem, ai që unë dua.
– Ja, pra, pse  shihet  gjithnjë e prapë ?
– Është zemra vetë.
– Unë e hetoj në vetvete!
– Ecim e ëndërronim të arrinim…
– A do të arrinim?!
– A do të arrinim ndërsa qenë përzier të dashurit e të urryerit, ndërsa qe kaq vështirë t’i dallosh, cili është cili.
Ecnim, borës, nga vetja te vetja e ëndërronim të arrinim…
Të heshtur.

Gojës dilte vetëm fryma e ngrohtë e shpirtit, të përzihej me ftohtësinë e borës që binte shtëllunga-shtëllunga dhe unë ecja për gjurmët që i linte ai sipërfaqes së lëmuar  të bardhësisë së shtresuar në degë, në tokë, në plisat që i bartnim në kokë.

Qe e qartë nga ecnim të arrinim patjetër.