Trimat që ia falën jetën lirisë së Kosovës
(Disa fjalë rreth librit të Avdyl Ukës i titulluar “Dëshmorët e kombit Abaz dhe Isak Ibrahimi)
Nga XHAVIT ÇITAKU[1]
Libri i autorit Avdyl Uka i titulluar “ Dëshmorët t kombit Abaz e Isak Ibrahimi “ me sukses ka vënë në pah ndriçimin e një rruge heroike nga dëshmorët e kombit Isak e Abaz Ibrahimi, rrugë kjo që përfaqëson një pjesë të trashëgimisë sonë patriotike kombëtare. Duke pasqyruar në mënyrë të argumentuar e në detaje veprën e madhe të këtyre dëshmorëve më të mirë të kombit, në të njëjtën kohë, libri nxjerr në dritë historinë patriotike të familjes së madhe Ibrahimi nga fshati Shpat i komunës së Mitrovicës, histori kjo e shkrirë në formë romani me qëllim që lexuesit t’i prezantohet i tërë mozaiku atdhetar i pjesëtarëve të kësaj familjeje.
Kam bindjen se libri do të mbetët trashëgimi edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe brezave që do të vijnë. Në të vërtetë, libri i këtij autori është pasqyrim ngjarjesh, idealesh e shembulli se si duhet punuar e vepruar konkretisht kur atdheu gjendet në rrezik për të cilin duhet dhënë edhe jetën, ashtu siç vepruan Isaku dhe Abazi. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri janë edhe intervistat me familjar, kolegë e persona tjerë që i njohën, si dhe disa poezi kushtuar veprës heroike të tyre, që akoma më shumë e plotësojnë rrëfimin e pastër të kontributit atdhetar.
Kushtrimit për mbrojtjen e tokës dardane iu përgjigjën pozitivisht
Në fillim të librit autori Avdyl Uka shtrinë pasqyrimin e projekteve famëkeqe serbe duke filluar nga Garashanini, Andriqi, dhe Akademia e Shkencave dhe arteve të Serbisë, udhëhequr nga Antishqiptari Dobrica Qosiqi e deri tek kasapi i Ballkanit, Milosheviqi. Represioni e trysnia serbe vazhdonte me një ashpërsi të tmerrshme, qëllimi i të cilave ishte shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Zaten me këtë politik shfarosëse kah fundi i shekullit të 18-të arritën që t’i dëbojnë, vrasin e masakrojnë qindra mijëra shqiptar nga sangjaku i Nishit. Këto ngjarje të dhimbshme e të tmerrshme janë kënduar brez pas brezi nga rapsodët tanë. Në të gjitha periudhat e barbarisë sllavo- serbe kundërvënia e kësaj politike shkatërruese nga shumë trima ishte e domosdoshme dhe në këtë mënyrë ato luftëra e beteja të lavdishme kanë lënë gjurmë për frymëzim të brezave se për atdhe nuk kursehet asgjë, madje as jeta.
Një politik të ashpër antishqiptare e ndoqi edhe regjimi fashist i Milosheviqit, i cili shkaktoi tre luftëra në ish- Jugosllavi. Edhe luftën e fundit në Kosovë e nxiti ky shovinist barbar serb. Mirëpo, kësaj radhe dhjetra mijëra shqiptar të Kosovës iu përgjigjen pozitivisht kushtrimit për çlirimin e tokës dardane. Zullumi serb mbi popullatën shqiptare sa vinte e shtohej. Aksionet e shpeshta ndëshkuese policore-ushtarake lënin pasoja të rënda për çdo familje shqiptare. Pos që torturonin njerëz të pafajshëm dhe arrestonin përditë djem e vajza, falangat serbe filluan edhe të vrasin qytetarë të pafajshëm.
Populli nuk kishte kah t’ia mbante. Ishte tokë dardane stërgjyshore dhe këtë ose duhet mbrojtur ose duhet nënshtruat atij okupatori . Isaku e Abazi u përcaktuan me kohë duke thanë: “ Jo, kjo nuk do të lejohet asesi nga burrat e këtij trualli sepse mjaft i duruam këta fashist, këtë farë të keqe që erdhi nga Karpatet dhe që po terrorizojnë çdo fshat e qytet”.
Kushtrimi për t’i dalë zot atdheut trokiste në ndërgjegjen e secilit shqiptar. Dhe këtij kushtrimi ndër të parët iu përgjigj edhe Abaz Xhevat Ibrahimi. Ky djalosh që posa kishte kryer shkollën e mesme dhe ishte regjistruar në shkollën e lartë teknike në Mitrovicë dhe kishte ambicie të mëdha për jetën dhe prosperitetin e vendit të tij. Sepse mendonte dhe kishte bindjen se vetëm një popull i arsimuar mund të këtë të ardhme të sigurt. Nisur nga rrëfimet e prindërve dhe duke lexuar literaturë të shumtë, ai kishte njohuri të duhura për dredhitë që i pati bërë dhe vazhdonte të bënte armiku serbosllav në dëm të shqiptarëve.”
Ka ardhur koha të bashkohemi si moti dhe t’i dalim zot atdheut që është në rrezik të zhbëhet “ thoshte në çdo rast Abazi. Kundërshtimin e tij të hapur ndaj politikës fashiste serbe ky i ri e filloi me organizimin e demonstratave. Një të tillë së bashku me Isakun dhe kolegë të tjerë e kishin përgatitur të ndodh edhe me 20 shkurt 1990 në Mitrovicë afër stacionit të autobusëve. Gjatë këtij aktiviteti ndërhyri policia serbe me numër të madh policësh të cilët reaguan ashpër ndaj pjesëmarrësve të këtij manifestacioni të qetë por përplot urrejtje për atë regjim fashist që ua kishte prurë shpirtin tek fyti.
Në këtë demonstratë nga plumbat e terroristëve serb u vra studenti Selman Vojvoda dhe ajo urë në të cilën vdiq ky hero quhet Ura e Gjakut. Aktiviteti i tyre vazhdon me një ritëm akoma më të shpejtuar dhe me 25 shkurt të vitit 1990 Isaku dhe Abazi veç kishin marrë detyrat dhe obligimet për demonstratën që do të mbahej në oborrin e shkollës së fshatit të tyre, përkatësisht në Shpat. Ndërhyrja e policëve serb ishte trishtuese , e shpejt dhe makabre. Makina e policisë u përplas me qëllim në trupin e njom të Abazit. Për të qenë më të sigurt për vdekjen e këtij të riu bishat karpatiane edhe njëherë shkelen mbi trupin e këtij studenti. Përkundër angazhimit maksimal të personelit mjekësor në QKUK të Prishtinës, me 2 mars Abazi ndërroj jetë. Nga protestat veshi uniformën e UÇK-së.
Në libër me tutje flitet edhe për punën e madhe patriotike që ka bërë Isaku. Pos në demonstrata ai merrte pjesë edhe në aktivitete tjera në të mirë të kombit dhe atdheut. Ishte shumë aktiv edhe në aksionin për pajtimin e gjaqeve që i printe profesori universitar dhe plaku i urtë Anton Çetta. Bile për këtë aktivitet me vlerë që zhvillonte Isaku ishte arrestuar e burgosur disa herë. Shi për këtë, Vet Anton Çetta e kishte vizituar këtë veprimtar dhe i kishte dëshiruar shërim të shpejt nga plagët që kishte marrë nga shkopinjtë e gomës, shqelmave e mjeteve tjera të forta në lokalet policore.
Duke parë se protestat më nuk po sjellin rezultate, Isaku në fillim të formimit iu bashkua radhëve të UÇK-së dhe qëndroi e luftoi deri në përfundim të luftës çlirimtare. Isaku ka bërë edhe një veprim tjetër tejet të rëndësishëm që nuk mund të mbetët vetëm në letër. Në të vërtetë, ai nga fillimi i luftës e deri në ditët e para të çlirimit, kishte strehuar në shtëpinë e tij Besarta Jasharin vajzën e familjes të Komandantit Legjendar Adem Jashari nga Prekazi i heroik i Drenicës.
Me 17 shkurt të vitit 2004 gjatë një proteste që u organizua në shenjë revolte dhe pakënaqësisë së qytetarëve për shkak të ngjarjes shumë të dhimbshme në fshatin Çabër, ku u mbytën tre fëmijë shqiptarë, serbët në anën veriore të Mitrovicës me snajper e vranë Isak Fazli Ibrahimin, 39 vjeçar, dhe katër qytetar tjerë pjesëmarrës në këtë protestë.
Këta dy trima vdiqën por vepra e tyre do të mbetët e shkruar me shkronja të arta në historinë më të re të çlirimit të vendit tonë nga okupatori shekullor serb.
Autori i këtij libri pasqyron në detaje edhe kontributin e anëtarëve tjerë të familjes Ibrahimi, familje kjo arsimdashëse, punëtore, fisnike e patriotike.
[1] Gazetar dhe anëtar i kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi