ZËRA NË LAVJERRËS

0
438
Kristaq Turtulli - Zëra në lavjerrës

Miq të nderuar dhe të respektuar, të mediave dhe dashamirësit e krijimtarisë sime. Nëse dëshironi të njiheni më nga afër me romanin: ‘ZËRA NË LAVJERRËS,’ libri i parë i Sagës së madhe Shqiptare: ‘ZËRAVE DHE ZHURMAVE’ e gjeni te stenda: FAIK KONICA dhe sh.b. Migjeni, Suedi. Ju falenderoj dhe ju uroj lexim të këndshëm:

Impresionet nga libri: ZËRA NË LAVJERRËS.

Zëri i një Sage

Ndonëse vitet kalojnë, ikin, treten e zhbëhen, fatmirësisht letërsia shqiptare, na ofron në vazhdimës burime të reja frymëzimi, e sot, nesër, në të ardhmen, kur edhe lexuesit e shumtë, ashtu si edhe unë të kenë lexuar këtë vepër jetësore të shkrimtarit Kristaq Turtulli. Të tërë do të përpihen nga pasuria stilistike, ëndja krijuese dhe fuqia emotive e autorit, shumëngjyrësia e tregimit, plotësia e nuancave letrare dhe figurativja që në këtë libër njësohet me egon e shkrimtarit në çdo gërmë, fjalë e faqe të kësaj sage.

‘Zëra në Lavjerrës’, romani më i ri i shkrimtarit Kristaq Turtulli, libri i pare i Sagës është një shteg i ri në letrat shqipe, një zhvillim, hap i mëtejshëm në mënyrën e të shkruarit në gjuhën tonë, për ngjarje shqiptare e personazhe kaq të dritëhijshëm shqiptarë, në një univers kaq të gjallë e kuptimplotë, ku rrëfehen kaq ngjarje e kapërcehen kaq hapësira kohore, me një rrjedhshmëri të kthjellët, që mund të haset si rrallëherë, veç në ndërthurjen e zdritjes mendore dhe penës gjeniale të shkrimtarit që na dhuron këtë libër.

Pa u thelluar në përmbajtjen e sagës, romanit që lartësohet drejt panteonit të letrave shqipe duke marrë këto trajta, sepse i takon ëndjes thelbësore të lexuesve për ta zbuluar shtjellimin e kësaj vepre faqe më faqe, ajo që dëshiroj të theksoj, është pikërisht fakti që bie më tepër në sy në këtë libër, e në çdo botim tjetër të autorit të nderuar që kam patur fatin e privilegjin të lexoj, është vetë themeli ku mbështetet letërsia e Kristaq Turtullit.

Një përvijim krejt shqiptar i një “Realizimi Magjik”, që kapërcen oqeanin, kontinentet e largësitë, dhe nga Amerika Latine arrin në trojet shqiptare dhe shndërrohet në një vegim të ri letrar që me plot bindje do ta kisha pagëzuar si një “Realizëm të Shajnitur”, një fanitje “Realizmi Ëndërrimtar Shqiptar”, ku realiteti mplekset, puqet e ringjizet me ëndrrën retroaktive, të ardhmen, të shkuarën e të tashmen e sendërtuar me një fjalor të epërm ku spikat shqipja e kulluar e përdorur mjeshtërisht nga autori.

Gjuha që hasim në këtë sagë, historitë, ngjarjet dhe shumësia e çmuar e stilistikës, lirikës, letrares, frymëzueses, pështjellueses, grishëses, cytëses e ngashënjyeses, në një shtresëzim pafund që ushqen dhe ngop shijen më të rafinuar për leximin të libërdashësve kureshtarë, që zhuriten prej dhjetëvjeçarësh për një letërsi më në fund, kaq burimore, kaq shqiptare, kaq largpamëse, e përmbledhtas, kaq syçelëse, përtej barrierave mendore, kulturore e ngushtimeve ndijore të një letërsie shqipe që rreket, veçanërisht pas rënies së monizmit, në gjëmimin këmba-këmbës pas hijes së pakapshme të identitetit të saj të farkëtuar në kushte lirie.

Dhe këtu qëndron edhe kryemerita e kësaj përçapje të lëvdueshme letrare të autorit, i cili ia del me plot sukses të pajisë lexuesin shqiptar, me një dëshmi të pakundërshtueshme që na tregon se letrat shqipe mund të shpërfaqin me tërë rrëzëllitjen përkatëse që veç një roman krejt njësor si ky mund të ngërthejë, një larmi përmbajtësore, një vezullim gjuhësor, një prarim letrar që e vendosin krejt natyrshëm librin shqip, në nivelin më bashkëkohor të lëvrimit letrar në botën e qytetëruar.

Është një Sagë që si ta keni lexuar, do t’ju lartësojë kulturalisht, një përvojë e pashlyeshme në letërsi.

ELVI SIDHERI
Krijues, përkthyes, analist.